More
    KreuLetërsiBibliotekëKonstantin Paustovski: Kuzhinieri i moshuar (tregim)

    Konstantin Paustovski: Kuzhinieri i moshuar (tregim)

    Përktheu nga rusishtja: KOSTA NAKE

    Në një nga mbrëmjet e dimrit të vitin 1786, në periferi të Vjenës, në një shtëpi të vogël prej druri po vdiste një plak i verbër, ish-kuzhinieri i konteshës Tun. Me thënë të vërtetën, nuk ishte as shtëpi, por një kabinë roje e rrënuar, e vendosur në thellësi të kopshtit. Kopshti ishte i mbushur me degë të kalbura, të rrëzuara nga era. Pas çdo hapi degët kërcisnin dhe atëherë qeni roje fillonte të ulërinte ngadalë në koliben e tij. Ai gjithashtu po vdiste, si pronari i tij, nga pleqëria dhe nuk mund të lehte më. Disa vite më parë kuzhinieri ishte verbuar nga nxehtësia e furrave. Kujdestari i konteshës e strehoi në kabinën e rojes dhe herë pas here i jepte disa florinj. Së bashku me kuzhinierin jetonte bija e tij, Maria, një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare. Të gjitha orenditë e kabinës përbëheshin nga një krevat, stola të thyer, një tavolinë e ashpër, enë prej balte të plasaritura dhe, së fundmi, një klaviçembal, thesari i vetëm i Marisë. Klaviçembali ishte aq i vjetër sa telat e tij këndonin gjatë dhe qetë në përgjigje të të gjitha tingujve përqark tij. Kuzhinieri, duke qeshur, e quante klaviçembalin “rojtarin e shtëpisë”. Askush nuk mund të hynte në shtëpi pa e përshëndetur klaviçembali me gumëzhimën e tij dridhëse dhe pleqërishte. Kur Maria e lau njeriun që po vdiste dhe e veshi me një këmishë të ftohtë e të pastër, plaku tha:

    — Gjithmonë nuk i kam dashur priftërinjtë dhe murgjit. Nuk mund të thërras një rrëfyes, megjithatë duhet ta pastroj ndërgjegjen time para se të vdes.

    — Çfarë duhet të bëj? – pyeti Maria e frikësuar.

    — Dil në rrugë, – tha plaku, – dhe kërkoji personit të parë që do takosh, të vijë në shtëpinë tonë për të dëgjuar rrëfimin e njeriut që po vdes. Askush nuk do refuzojë.

    — Rruga jonë është e shkretë… – pëshpëriti Maria, hodhi shallin rreth qafë dhe doli.

    Vrapoi nëpër kopsht, hapi portën e ndryshkur me vështirësi dhe u ndal. Rruga ishte e zbrazët. Era i solli gjethet drejt saj, kurse nga qielli i errët binin pikat e ftohta të shiut. Maria priti gjatë duke dëgjuar. Më në fund iu duk se dëgjoi një burrë që ecte pas çakëllit dhe këndonte. Ajo bëri disa hapa, u përplas me të dhe bërtiti. Burri u ndal dhe pyeti:

    — Kush jeni?

    Maria i kapi dorën dhe me një zë të dridhur ia përcolli kërkesën e babait të saj.

    — Mirë, – tha burri qetësisht. – Edhe pse nuk jam prift, nuk ka rëndësi. Shkojmë.

    Ata u futën në shtëpi. Nën dritën e qirinjve, Maria pa një burrë të vogël dhe të dobët. Ai hodhi pelerinën e tij të lagur mbi një stol. Ishte veshur me elegancë dhe thjeshtësi, drita e qirinjve shkëlqente në jelekun e tij të zi, butonat prej kristali dhe gajtanët. I panjohuri ishte ende shumë i ri. Tundi kokën në mënyrë djaloshare, rregulloi paruken e pudrosur, tërhoqi shpejt një stol pranë shtratit, u ul dhe, duke u përkulur, shikoi me vëmendje dhe gëzim fytyrën e burrit që po vdiste.

    — Rrëfehuni! – tha ai.  – Ndoshta me një fuqi që nuk më është dhënë nga Zoti, por nga arti të cilit i shërbej, do t’jua lehtësoj çastet e fundit dhe do t’jua heq barrën nga shpirti.

    — Punova gjithë jetën, derisa u verbova, – pëshpëriti plaku. – Dhe ata që punojnë nuk kanë kohë të mëkatojnë. Kur gruaja ime u sëmur, ajo quhej Marta, mjeku i mbushi një receteë me ilaçe të ndryshme të shtrenjta dhe më këshilloi që ta ushqenin me krem, fiq dhe verë të kuqe të nxehtë, prandaj vodha një pjatë të vogël ari nga servisi i konteshës Tun, e bëra copa-copa dhe e shita. Tani më vjen rëndë ta kujtoj dhe ta fsheh nga vajza ime sepse e mësova të mos prekte as edhe një grimcë pluhuri nga tavolina e huaj.

    — A vuajti ndonjë nga shërbëtorët e konteshës për këtë? – pyeti i panjohuri.

    — Betohem, zotëri, askush, – u përgjigj plaku dhe filloi të qajë. – Nëse do ta dija që ari nuk do ta ndihmonte Martën time, si do të mund ta vidhja vallë!

    — Si ju quajnë?  – e pyeti i panjohuri.

    — Johan Mejer, zotëri.

    — Kështu, Johan Mejer, – tha i panjohuri dhe vuri pëllëmbën mbi sytë e verbër të plakut. – Ti je i pafajshëm para njerëzve. Ajo që ke bërë nuk është as mëkat as vjedhje, por, përkundrazi, mund të llogaritet për ju si një akt dashurie.

    — Amin! – pëshpëriti plaku.

    — Amin! – përsëriti i panjohuri.  – Dhe tani më thoni amanetin e fundit.

    — Dua që dikush të kujdeset për Marian.

    — Do ta bëj këtë. Çfarë doni tjetër?

    Atëherë burri që po vdiste, buzëqeshi papritur dhe tha me zë të lartë:

    — Do të doja ta shihja përsëri Martën ashtu siç e takova në vitet e rinisë. Të shihja diellin dhe këtë kopsht të vjetër kur lulëzon në pranverë. Por kjo është e pamundur, zotëri. Mos u zemëroni me mua për fjalët e mia budallaqe. Sëmundja duhet të më ketë çoroditur fare.

    — Mirë, – tha i huaji dhe u ngrit.  – Mirë, – përsëriti ai, shkoi te klaviçembali dhe u ul në stolin para tij. – Mirë! – tha ai me zë të lartë për herë të tretë dhe papritmas një tingull i shpejtë u shpërnda në të gjithë kabinën, sikur ranë në dysheme qindra topa kristali.

    — Dëgjoni, – tha i huaji.  – Dëgjoni dhe shikoni.

    Ai filloi të luante në instrument. Maria më vonë kujtoi fytyrën e të panjohurit, kur çelësi i parë u dëgjua nën dorën e tij. Një zbehje e pazakontë i mbuloi ballin dhe një flakë qiriri lëkundej në sytë e tij të errësuar.

    Klaviçembali ushtoi me volum të plotë për herë të parë pas shumë vitesh. Ai mbushi me tinguj jo vetëm kabinën, por gjithë kopshtin. Qeni plak doli nga kolibja e tij, u ul, anoi kokën në njërën anë, vështronte me vëmendje dhe tundte bishtin në heshtje. Filloi të binte breshër, por qeni thjesht tundte veshët.

    — E shoh, zotëri! – tha plaku dhe u ngrit nga shtrati.  – E shoh ditën kur takova Martën dhe kur nga sikleti ajo theu enën e qumështit. Ishte dimër në male. Qielli ishte i pastër si qelqi blu dhe Marta qeshi. Qeshi, – përsëriti ai, duke dëgjuar zhurmën e telave.

    I panjohuri vazhdoi të luajë duke shikuar nga dritarja e zezë.

    — Po tani, – pyeti ai,  – a shihni ndonjë gjë?

    Plaku heshtte, duke dëgjuar.

    — Nuk e shihni, vallë, – tha shpejt i panjohuri, pa e ndaluar luajtjen, – se nata është kthyer nga e zeza në blu, pastaj në blu të çelët, se një dritë e ngrohtë po bie tashmë nga diku lart, se në degët e vjetra të drurëve tuaj po çelin lule të bardha? Sipas meje, këto janë lule molle, edhe pse nga dhoma duken si tulipanë të mëdhenj. E shihni: rrezja e parë e dritës ra mbi çakëll, e ngrohu atë, dhe prej tij po ngrihen avuj. Ky duhet të jetë myshku që po thahet, i mbushur me borën e shkrirë. Kurse qielli po bëhet akoma më i lartë, më blu, më madhështor, dhe tufa zogjsh tashmë po fluturojnë në veri mbi Vjenën tonë të lashtë.

     — I shoh të gjitha këto! – bërtiti plaku.

    Pedali kërciste lehtë dhe klaviçembali filloi të këndonte triumfalisht, sikur të mos ishte vetëm ai, por qindra zëra të gëzuar.

    — Jo, zotëri, – i tha Maria të panjohurit, – këto lule nuk duken fare si tulipanë. Këto janë mollë që çelën brenda një nate të vetme.

    — Po, – u përgjigj i panjohuri, – këto janë mollë, por kanë petale shumë të mëdha.

    — Hape dritaren, Maria, – kërkoi plaku.

    Maria hapi dritaren. Ajri i ftohtë vërshoi në dhomë. I huaji luante shumë butë dhe ngadalë.

    Plaku ra mbi nënkresë, mori frymë me etje dhe po kërkonte në batanije me duar. Maria u vërsul drejt tij. I panjohuri ndaloi së luajturi. Ai rrinte pa lëvizur te klaviçembali, si dikush që magjepset nga muzika e vet.

    Maria bërtiti. I panjohuri u ngrit dhe shkoi te shtrati. Plaku tha duke dihatur:

    — Pashë gjithçka kaq qartë si shumë vite më parë. Po nuk do të doja të vdisja pa ditur… emrin. Emrin!

    — Emri im është Wolfgang Amadeus Mozart, – u përgjigj i panjohuri.

    Maria u largua nga shtrati dhe u përkul para muzikantit të madh, gjuri i saj pothuajse preku dyshemenë. Kur ajo u drejtua, plaku tashmë kishte vdekur.

    Agimi po lindte jashtë dritareve dhe në dritën e tij qëndronte një kopsht i mbushur me lule të lagështa dëbore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË