Parathënia e albumit “Vilson Kilica – Një jetë në krijimtari”, tetor 2012
Pëlhurat e pambaruara, bocetet, ashtu sikurse sinopset. Thelbi i veprave që për arsye të ndryshme nuk u shkruan, dëshmojnë shpesh për artistin po aq sa edhe veprat e kryera. Është një bocet i Vilson Kilicës që tërheq vëmendjen e veçantë në galerinë e tij, “Vdekja e piktorit”. Vëmendje e veçantë në këtë rast nuk do të thotë se ky bocet ia ndryshon natyrën veprës së tij, pikturave, e aq më pak se e sfidon atë ose e zbërthen në një dritë të re. Kjo spikamë e trishtë e një dite të zymtë e me shi, në të cilën është varrosur piktori dhe miku i tij, Jakup Keraj, është pjesë e veprës së Kilicës. Madje ndër ato që sundonin ndoshta qendrën e saj.
Jakup Keraj, ashtu si vetë Vilson Kilica, ashtu si Ksenofon Dilo, Danish Jukniu, Sali Shijaku e piktorë e artistë të tjerë, disa prej të cilëve kam pasur rastin t’i njoh e t’i kem miq, bënin pjesë në atë valë krijuesish të rinj, që u kthyen pas studimeve në Shqipëri, vendin më të ashpër të botës komuniste. Iluzionet e rreme të një zbutjeje, pas dënimeve të krimeve të Stalinit e, fill pas tyre, deziluzioni edhe më i hidhur i një zbutjeje e një europianizimi të rastësishëm të Shqipërisë pas shkëputjes nga kampi socialist, do të pahitnin në mënyrë të druajtur, por të vijueshme, artin shqiptar.
Boceti “Vdekja e piktorit” do të ishte ndoshta një elegji e qetë për artin, që nuk arriti të kryhej, për mundësitë, për pengun e gjithçkaje, që nuk arriti të dilte në pëlhurë, në muzikë a në rrëfimin letrar. Ai që u quajt “art i realizmit socialist”, stinë pas stine dhe vit pas viti u përpoq të zinte e të sundonte gjithë hapësirën shqiptare. Këtë sundim e shpallte propaganda e kohës, krenohej me të, profetizonte përjetësinë e tij. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Ashtu si gjithkund në ish-perandorinë komuniste, ashtu si në vitet e terrorit stalinist në Rusi, Hungari, Çeki e kudo, edhe në Shqipëri shteti nuk vuri dot plotësisht në gjunjë artin. Aty-këtu, midis klimës së ashpër, fare të papërshtatshme për art e aq më pak për hyjni, shfaqeshin papritur tekste letrare, pëlhura dhe muzikë, që herë haptazi, por më shumë tërthorazi, e sfidonin shterpësinë e kohës. Një brengë njerëzore, një ardhje dimri, një peizazh i pikëlluar apo portretet e gruas së dashur, ashtu si lulet e pakta, të mbira në truall të vështirë, na duken ndoshta edhe më të çmueshme sot. Ky album i Vilson Kilicës, piktorit të pajisur me finesë dhe vetëpërmbajtje dinjitoze, e dëshmon këtë.