Duke edukuar Ritën
Vepër dramatike nga Willy Russell, përkthyer nga Artur Lena, vënë në skenë me teatrin shëtitës Çajupi nga regjisori Kiço Londo.
Ne rolet kryesore: Laura Nezha dhe Mehmet Xhelili
“Një skenë teatri është një nga vendet ku ndihem i lumtur”, i përgjigjet Albert Camus një gazetari që e pyet përse shkruan për teatër. Dhe vazhdon: “ Këtu ne jemi të gjithë të lidhur, pa pushuar asnjë çast së qeni të lirë, ose përafërsisht të tillë: a nuk është kjo një formulë e zgjidhur për shoqërinë e ardhshme?”
Përmbajtja
Rita (Suzana), një floktare e re nga Liverpuli, vendos ta ndryshojë jetën e saj monotone duke u regjistruar në një Universitet të Lirë, në kursin Hyrje në letërsi. Kështu ajo nga dita në ditë nis të zbulojë identitetin e saj të fshehtë dhe e ta zhvillojë atë. Këtë betejë të bukur ajo e përmbush me mësimet që i jep profesori i letërsisë, Frank (vetëm kur pjesa u përshtat për film ai doli me mbiemrin Bryant dhe me titullin Dr.), në gjysmë moshe që i dorëzohet herë pas here alkoolit. Ai e pranon rolin e tij si kujdestar (tutor ) që të mund të fitojë disa para më shumë për të paguar pijen. Por profesori mahnitet me vendosmërinë dhe natyrshmërinë e Ritës. Ai dhe studentja e tij kalojnë një vit nëpër udhët e shkelura, por edhe në ato të pashkelura për afirmimin e personalitetit në një shoqëri që po mësohet të thyejë tabutë e dikurshme. Ata bëhen bashkudhëtarë me shpresa dhe zhgënjime, por që më në fund triumfojnë në sajë të një pune plot dashuri e pasion për shkollën dhe librin. Pjesa përfundon me vendimin e Frankut për të shkuar një vit në Australi me qëllim që të rishikojë disa pikëpamje për jetën.
Konteksti historik
Jemi në vitet ’80 kur konceptet për lirinë ndryshojnë. Por ndryshojnë edhe natyra e institucioneve, e marrëdhënieve mes njerëzve dhe e vetëzhvillimit. Vajza dhe gruaja janë afirmuar në shoqëri me vështirësi dhe duan që ta meritojnë atë vlerësim. Shumë komente e lidhin veprën me një ideal të përparuar të autorit, që i jep asaj frymë aktuale në çdo kohë. Autori është tridhjetë e pesë vjeç kur shkruan Duke edukuar Ritën. Ai ka shkruar edhe më parë, por pjesa e re teatrore përmbledh edhe disa karakteristika kryesore të epokës, të cilat ia shtojnë frymën bashkëkohore dhe jetëgjatësinë. Natyralizmi dhe realizmi ishin shfaqur që me dramat e Strindbergut, Çehovit, Shout dhe Ibsenit, kësisoj ato u kthyen në një udhëzues të heshtur për autorin e ri.
Koment
Tema e përpjekjes së njeriut për të qenë vetvetja duke ecur në shtigjet e dijes dhe kulturës është universale dhe e përjetshme. Dija dhe kultura, dy emblema që lejojnë të hysh në universin e pafund të formimit të individualitetit, fitohen nëpërmjet shkollës dhe librit. Me këtë ide të fuqishme pjesa u fut menjëherë në repertorin e trupave më të shquara të kohës dhe mbeti një manifest kulturor për njeriun në përgjithësi. Personazhi kryesor, Rita i vazhdon studimet dhe njëkohësisht punon për të siguruar jetën dhe përballuar shpenzimet e arsimimit. Ajo është vendosur dhe e pasionuar. Frank, profesor universiteti, pranon t’i zhvillojë asaj kurse private edhe pse në fillim ngurron, por zelli i saj për të studiuar e shtyn që ta shohë me sy tjetër realitetin. Rita është plot besim për horizontet e reja që po i hap dija, ndërsa profesori i saj, megjithëse mjaft i përgatitur profesionalisht, nuk ka edhe aq besim te jeta. Sidoqoftë ai ndodhet në një periudhë kthese të jetës së tij dhe mendon se dijet nuk i kanë shërbyer për gjë, madje e kanë çuar në përfundimin e hidhur se nuk është poeti që do të kishte dashur të ishte. Madje, ai nganjëherë nuk do që të vazhdojë kurse me Ritën, sepse druan se edhe ajo mund të zhgënjehet si ai.
Në një strukturë të studiuar mirë vepra shpalos disa ide, por kryesorja është se ne mund të bëhemi vetvetja nëpërmjet dritës së diturisë. Kjo kryeide, metaforë e gjithhershme mund të marrë edhe ngjyrime të tjera si: dritë në mendim, kurajë në jetë, përparim, zhvillim i individualitetit, tejkalim i vetvetes… Rita dalëngadalë transformohet në mishëruese e një bote me kulturë dhe dije. Sepse ajo e ka shprehur që në fillim motivin e madh që e nxit të ecë përpara:”Dua të di gjithçka”. Brenda këtij universi ka rrugë të shumta e labirinte, që janë burimi origjinal për të shijuar bukurinë e transformimit deri në sublimitet.
Diagramin ngjitës të Ritës e realizon në mënyrë të shkëlqyer aktorja Laura Nezha. Loja e saj është e jashtëzakonshme, tërë kuptime të drejtpërdrejta e të fshehta. Këtu është vendi t’i thurim lëvdatë edhe mësimeve që ka marrë ajo në Universitetin e Arteve. Laura arrin të japë në mënyrë të paepur, mrekullisht të pasur me ndryshime, transformimin e Ritës nga një e paditur e sinqertë dhe e etur për dije, në një njeri që studion me vetëdijen e njeriut të përqendruar te e rëndësishmja. Ajo nis ta quajë dijen elementin kryesor të njeriut në një shoqëri të qytetëruar.
Rita është e vetëdijshme se nuk di, por falë këmbënguljes për të studiuar ka besim se do të bëhet dikush tjetër, me mendje të ndritur dhe shpirt të pasuruar. Ajo shkon nga domethënia te kuptimi i thellë i gjërave. Perceptimet e saj ndryshojnë. Interesat zgjerohen. Shqetësimi i saj i madh është të fitojë dije, prandaj vullneti i saj kthehet në i gjithëpushtetshëm. Qëndrimet e saj bëhen më të matura dhe intelekti i saj zhvillohet në mënyrë të pazakontë. Vizionet e shikuesit për realitetin e saj shpirtëror shenjtërohen. Qasjet e saj për veprat letrare bëhen estetike. Personaliteti i saj shfaqet i kulluar. Shpjegimet e saj fitojnë ngjyrime poetike.
Ngjitja e Ritës në lartësitë sublime të dijes dhe kulturës realizohet nën udhëheqjen e profesor Frankut, që megjithëse i çmeritur nga jeta, e drejton studenten e tij në udhën e gjerë të dijes. Vetje të tilla janë simbole, shprehëse të vërteta të njeriut të sotëm, por edhe të faktit madhor se dija kërkon mënyrën e vet për t’u bërë pjesë e kërkimeve dhe shqetësimeve jetësore. Me dije bashkëkohore të individualizuara dhe me zgjuarsi, profesori e përpunon Ritën si të ishte një vepër arti. Mësimet që jep ai janë një përvojë e re, e cila ndikon edhe në përpunimin e personalitetit të tij, sidomos në pikëpamjet për jetën dhe artin. Këtë e realizon në mënyrën më të përsosur aktori Mehmet Xhelili.
Ne jemi të sigurt se tipa si Rita dhe Franku mund t’i kemi takuar apo mund t’i takojmë në jetë. Rita ka etje për dije, ajo kërkon të dalë nga mosdija e të ecë në rrugën e një bukurie të lartësuar. Vendosmëria e saj për t’u realizuar duke e kapërcyer përditësinë e saj të vogël me studimet e mëtejshme në Universitet, është tejet frymëzuese. Ajo i qëndron besnike pasionit të saj dhe shfaqet para shikuesit nga skena në skenë me një dritë të re të brendshme që i jep dituria. Ajo është një natyrë origjinale, e vërtetë, tërheqëse duke vërtetuar kështu natyrën e njëmendtë të vajzës dhe gruas si origjina dhe ripërtëritja e botës. Autori mesa duket ka një kuptimësi të thellë për këtë pasuri të çmueshme, prandaj i shpalos fuqishëm idetë e tij për një shoqëri me figurën e gruas si simbol të përparimit. Vepra e tij i drejton një kritikë të tërthortë, do të thoshim me mprehtësi, por hijshëm, sistemit arsimor që nuk zhvillon sa duhet mendimin e gjallë kritik nëpërmjet tekstesh të zgjedhura konceptuale si një kusht i domosdoshëm për formimin e gjithanshëm të personalitetit të njeriut. Vetëm pasurimi mendor dhe shpirtëror do ta shtyjnë njeriun të kryejë vepra që i shërbejnë gjithë shoqërisë.
Përpara syve të shikuesit Rita dhe Franku realizojnë një ëndërr që shumëkush e ka menduar një ditë. Borhesi, shkrimtari i madh argjentinas, thotë: “Ëndërro, ëndërro se dikur ëndrra mund të bëhet realitet”. Pra, vepra lë të nënkuptohet edhe se gjithçka e mirë dhe e bukur është e mundur në çdo kohë dhe në çdo vend.
Kjo komedi e luajtur gati në të gjithë botën, e bërë film dhe e vlerësuar me çmime ka marrë jetë në skenën shqiptare nga puna e regjisorit të talentuar Kiço Londo me teatrin shëtitës Çajupi. Shfaqja e korrikut në teatrin veror të Universitetit të Arteve me skena në të cilat çdo veprim dhe dialog ishte funksional, është tregues i stilit të ri të regjisë së tij me frymë bashkëkohëse.
Edhe skenografia është një gjetje artistike e studiuar mirë.
Dy fjalë për autorin e veprës dhe përkthimin e saj në gjuhën shqipe
Willy Russell (1947) është autor, skenarist, muziktar dhe aktor britanik. Ai ka lindur në Whiston, afër Liverpulit. Megjithëse rridhte nga një familje e thjeshtë (i ati ishte punëtor), ai kaloi një fëmijëri normale. I pëlqente shumë letërsia dhe që në kolegj u zhyt në lexime. Pastaj, në adoleshencë e pasuroi përvojën e tij edhe me artin e muzikës, duke dëgjuar ndër të tjerë edhe bitëllsat. Ai i filloi studimet e larta në një Universitet nate duke punuar, por e kuptoi shpejt se kështu nuk mund të realizohej plotësisht ëndrra e tij për një kulturë të plotë. Ai u regjistrua në një universitet dite, por u detyrua të punonte natën për të financuar studimet.
Russell në të vërtetë e filloi mjeshtërinë prej shkrimtari si autor këngësh, duke u interesuar për muzikën tradicionale. Kur ishte 20 vjeç ai ndoqi një pjesë në teatrin e Liverpulit dhe vendosi papritur të shkruante për teatrin. Pjesa e parë e tij për teatër u shfaq më 1971, pa ndonjë sukses të veçantë. Por premiera e komedisë Duke edukuar Ritën, më 1980 pati shumë sukses dhe vepra fitoi çmimin e parë si komedia më e mirë e atij viti. Ajo u përshtat shumë shpejt për kinema dhe Russell u emërtua për çmim Oskar si skenarist.
Willy Russell ka lindur në një vend me tradita të fuqishme teatrale, prandaj në veprën e tij dialogu është plot ide që shndërrohen në filozofi të jetës. Skenat e teatrit të tij u ngjajnë një partiture muzikore që gjen dalëngadalë ritmet e gjalla të jetës së vërtetë. Përpjekja e njeriut për t’u bërë vetvetja në mes të një shoqërie që karakterizohet nga çekuilibre shoqërore, kulturore dhe politike, mbetet temë e ditës në letërsi, prandaj vepra e tij luhet kudo në botë dhe përherë me sukses.
Duke edukuar Ritën, është përkthyer nga Artur Lena. Përkthimi është akt intelektual. Ajo që vlerësohet në një përkthim është bartja e kuptimit të saktë nga teksti origjinal në atë të përkthyer. Të gjykosh një përkthim, para së gjithash do të thotë të shohësh të mishëruar barasvlerën e dy teksteve nga një gjuhë në tjetrën, në rastin konkret nga anglishtja në gjuhën shqipe. Strategjia e përkthimit të mirë qëndron te koncepti se mund të thuash të njëjtën gjë me fjalë të tjera duke ruajtur pandashmërinë kuptim/formë. Përkthimi i Lenës sidoqoftë arrin ta transmetojë mjaft mirë mesazhin e autorit. Sigurisht mund të shmangej ndonjë vulgaritet i tepruar, por kjo vërejtje bëhet në përgjithësi, pa u bazuar në tekstin origjinal. Gjithashtu educating në anglishte ka kuptimin : duke arsimuar, duke shkolluar dhe education: arsim, arsimoj, apo shkollë dhe shkolloj; në frëngjishte: Education nacionale, përkthehet Arsimi kombëtar.
Edukoj, në shqipe ka marrë tjetër kuptim. Edukoj nuk është baras me arsimoj, shkolloj.
Pakëz histori
Teatri ka lindur në Greqinë antike. Fillimisht teatër quheshin disa rituale që u kushtoheshin adhurimit të zotave. Fjala e vjetër greke « teatron » simbolizonte skenën, pjesën e ndarë nga publiku me një perde. Po të kthejmë sytë në fillimet e njerëzimit « teatri » nënkuptonte aktorin që tregonte duke e rijetuar një skenë gjahu apo konflikti.
Në shekullin IV para erës sonë Athina pati një zhvillim të madh kulturor, në të cilin u shquan dramaturgë të mëdhenj si dhe filozofë. Dy shekuj më vonë teatri u duk edhe në Romë, ku shfaqjet ishin kryesisht festa zyrtare të qytetit. Në periudhën e shkëlqimit të perandorisë romake çdo qytet kishte teatrin e tij.
Rrëfimi teatror lidhet me ndjeshmërinë e publikut, sepse komunikon me të në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai u ka mbijetuar kohërave dhe hera-herës është karakterizuar nga një rigjallërim i vetvetishëm me përgjithësime filozofike, me stil të ri, me ide të fuqishme dhe me simbolikë domethënëse. Duke qenë ligjërim me një gjuhë të veçantë, ai kërkon vërtetësi në dialog. Duke folur për tragjedinë në veprën Poetika, Aristoteli e quan dialogun pikën më të rëndësishme të saj.
Në Greqinë antike janë zhvilluar konkurse teatri dhe veprash teatrore qysh prej shekullit V para erës sonë. Në teatrin grek dhe në atë romak aktorët mbanin maskë. Kishte edhe maska tragjike për të treguar një fytyrë të trishtuar, por edhe maska komike, për një fytyrë të qeshur; ka pasur edhe maska të dyfishta me njërën anë tragjike dhe tjetrën komike. Aktorët ishin përgjithësisht burra, me veshje të mëdha prej fijesh të gjata leshi dhe fibrash bimore, me flokë të ngritur lart për të krijuar idenë e diejve dhe heronjve gjigantë që mishëronin.
Duke filluar nga shekulli XI teatri u përhap në të gjithë Europën, fillimisht në kisha dhe sheshe publike e pastaj në Universitete. Teatri në atë kohë ishte një trupë shëtitëse ku luheshin pjesë të llojit « Mrekullitë » apo « Misteret » si dhe drama liturgjike.
Në Francë, në shekullin XX pati një lëvizje teatrore të madhe që u kurorëzua me teatrin filozofik të Sartrit dhe Kamysë. Teatri absurd i Ioneskos që bazohet te një dialog ilogjik, pati një dështim publik me pjesën Këngëtarja tullace, por më vonë u bë tepër i frekuentuar. Madje një teatër në lagjen Latine mban emrin e dramës së tij të parë për teatrin absurd La Cantatrice chauve (Këngëtarja tullace).
Format ligjërimore të veprave teatrore janë dialogu me dy a më shumë personazhe, monologu, kur një personazh shpreh mendimet e tij në vetmi dhe soliloku që është shprehje e mendimeve dhe ideve me zë përballë një bashkëbiseduesi të papërcaktuar. Në krijimet bashkëkohore përzihen disiplinat e ndryshme të artit, prandaj në këtë kohë artesh shumëdisiplinore përkufizimi i artit teatror është përherë e më i ndërlikuar. Ka edhe shfaqje pa tekst, teatër muzikor si në lagjet e Brodway në New York, në West End në Londër dhe në Grands Boulevards në Paris.
Ka autorë që kanë pasur ndikim të fuqishëm dhe shikues të shumtë qëkur ishin gjallë si Aristofani, Eskili, Euripidi, Seneka, Sofokliu, në teatrin antik; Kalderoni, Marlou, Shekspiri, Lope de Vega në teatrin barok; Kornej, Molieri, Rasini në teatrin klasik; Gëte, Viktor Hygo, Muset, Rostand, Shiler në teatrin romantik…
Teatri e fitoi konceptin që ka sot në fillim të shekullit XX falë pionierëve dhe pedagogëve të teatrit të ri, Konstantin Stanislavski dhe Bertold Breht. Stanislavski themeloi i pari teatrin e Moskës. Në vitin 1900 aty u luajt Tre motrat e Çehovit. Duke ngritur shkollën e tyre regjisorë si Stanislavski e ndonjë tjetër donin t’i jepnin fund mitit të frymëzimit dhe talentit me të cilat teprohej. Sipas tyre teatri ndërtohet mbi baza shkencore. Aktor apo aktore të bën mbi të gjitha një pedagogji dhe praktikë e disiplinuar.
Ka një pushtet të veçantë shfaqja teatrore mimesis sipas Aristotelit që lejon t’u bësh ballë mistereve të jetës. Njerëzit e teatrit : autor dhe aktorë, kërkojnë të krijojnë një pasqyrë, ndonjëherë edhe karikaturale të shoqërisë për ta kuptuar atë edhe më mirë, për t’ia zbuluar dhe për t’ia kritikuar të metat. Ajo që thotë Shekspiri te tragjedia Hamlet, se “teatri është një pasqyrë e varur në natyrë : shikuesi ashtu si edhe aktori vijnë aty për të marrë një përgjigje”, është shumë domethënës për të gjitha kohët.
Teatri mund të ketë edhe ndikim katarsik, të shërojë nga pasionet që e dëmtojnë shoqërinë.
Një formë që i ka dhënë zhvillim teatrit janë edhe festivalet teatrore që mbahen edhe si tipi i parë i festivalit. Festivalet e teatrit filluan të shfaqen në botë nga vitet ’30 të shekullit XX. I pari festival teatrosh është ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 1935, pastaj në Francë, më 1947, në Kanada dhe në Angli po më 1947, në Belgjikë dhe në Irlandë, më 1950, në Australi, më 1960 etj.
Në Shqipëri është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint, Butrinti Summer Festival.