More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fati i pikturuar me karbon" poezi nga Marash Mirashi

    “Fati i pikturuar me karbon” poezi nga Marash Mirashi

    TROKU I KUQRREMTË 

    Kur e pashë  një ditë detin, ndieva 
    spirancën të ngulej thellë 
    në harresën prej rëre, në fundin e ujit 
    mes koraleve, ku një kalë deti 
    i hingëllin fatit që e ka humbur  fillin. 
     
    Pashë renë e bardhë tek mbante vesh 
    trokun e kalit të detit, mes koraleve 
    duke kullotur bojën e kuqrremtë 
    të perëndimit. 


    UDHËTARËT PREJ KARBONI 

    Në stacionin e braktisur pikturoj udhëtarë  
    prej karboni,  që presin trenin që s’ ka për të ardhur kurrë. 
     
    Në klubin antik, konjaku i vjetër 
    shndërrohet në avullin  
    e lokomotivës që tërheq pas vetes 
    vagonin imagjinar në të cilin pikturoj 
    dialogje  udhëtarësh  që nuk u nevojitet të dinë ku po shkojnë. 


    ANTIKITETI I SHIUT

    Shiu im endet mes avullit 
    në qiell, ku fosili i vetëtimave ëndërron një ngjyrë të kuqe me nuancë të zbehtë 
    si e verdha në kutinë e lapsave mbi skrivaninë  ku letra e bardhë pluskon si re. 
     
    Mijëra viza  të thyera  si Pikaso 
    pikturojnë mbi fletë një gjeometri vetëtimash të fikura përgjithnjë, në antikitetin prej karboni ku flenë 
    shirat e vjetër, të fatit prej avulli. 


    NATA ELIPSOIDALE 

    Pas pak mbërrin nata që i jep portretit tënd 
    një nuancë ciganeje nën dritën e qirinjve 
    që nuk e dinë kur fiken. 
    Mbajnë mend vetëm flakën e parë, 
    të verdhë, në trajtë elipsi  si një petal 
    luledielli në një fragment marramendës 
    të Van Gog. 
     
    Nata shkon duke shkrirë qirinjtë 
    ku portreti yt mbetet në spangon e djegur 
    si thëngjill, mbi qiriun që është shtrirë  
    dhe fle mbi një pjatë që dihat e merr frymë 
    si qelq. 


    LARI 

    Në rrugën e kishës pashë dikur larin 
    me gjethet e gjelbra e ndieva vajin e qirinjve pas meshës ku besimtarët 
    ikën për t’i dhënë ujë luleve 
    ndër ballkonet qëndisur me prill. 
     
    Prej atëherë qyqja ime e vetmisë 
    ende kujton se gjethet e larit 
    janë zogjtë e saj me tingujt 
    e kambanores në sqep. 


    LOJË UJI MBI ÇATI 

    Bulëza sferike e ujit rrokulliset ngadalë, 
    kujton se është globi ujor  i botës 
    në duart e fëmijës që pikturon oqeanin
    ku lundrojnë anijet, ballë farit 
    me tullat e kuqe që nxjerr një tym të bardhë 
    mbi çati. 
     
    Bulëza hepohet në strehë e bie fluturim 
    mbi fijet e barit duke u shkërmoqur 
    në dete të vegjël plot gjire 
    ku marinarët  ankorojnë anijet. 
     
    Rrezja e diellit mbështetet tjegullave 
    pranë oxhakut ku tymi i bardhë 
    kujton se është mjegulla që davaritet 
    mbi far. 


    PEISAZH GOTIK MBI GARDH

    Mbi gardh gonxhet e reja të trëndafilit 
    po mbyllen për të kaluar natën 
    pranë një kërmilli që mbart mbi shpinë 
    shtëpinë me arkitekturë 
    gotike, pranë një pylli të vogël mullagash. 
     Xixëllonjat  lëshojnë dritë duke i dhënë  
    një madhështi urbane gardhit qe po mbështillet me natë. 


    HIJET E QYTETIT KUBIK 

    Në qytetin kubik dielli lind me hije 
    palosur më katërsh, në anë të trotuarit 
    ku turma e njerëzve pikturohet 
    në rrumbullakun e kuq të semaforit 
    që ka harruar të bëhet jeshil. 
     
    Në mesditë hijet kalojnë në trotuarin tjetër 
    të rrudhosura si këmishat e futura me zor 
    në valixhen  e udhëtarit që e ka humbur lokacionin e qytetit të vjetër me macet e allçisë, para portave  ku hijet depërtojnë plasave duke pikturuar rriga që thyhen 
    avllive. 


    FATI IM GJEOMETRIK 

    Fati im pikturon  kuba me të cilët ngre 
    murin imagjinar të kështjellës 
    që është duke pritur një sulm 
    fantazmash, sipër karrocave 
    me rrathë  të pikturuar në ajër tërhequr prej  
    kuajsh me hingëllima të ngrira si gjeometri. 


    MJEGULLAT E KAMBANORES 

    Kur e pashë dikur kambanoren, 
    ishin dy mjegulla  që e mbështillnin, 
    imagjinata dhe fjolla e bardhë e një reje. 
     
    Tingulli i kambanës jehoi 
    e unë pashë mjegullën që bënte kryq. 
     
    Kur u afrova vura re shaminë e nënës 
    tek valvitej në ajrin që pikturoi  
    kambanoren. 
     
    S’ e paskam ditur që shamia e nënës 
    pati qenë një re e bardhë në sytë e mi 
    pikturuar me ujë. 


    THËNGJILL 

    Zjarret që pata ndezur dikur janë shuar. 
    Thëngjinjtë e mbetur pikturojnë  
    natën me këngë ulkonjash, në lugjet  
    ku dhimbja shuan etjen me ujin e borës së 
    vjetshme. 
     
    Nata ngrin si pol.
    Një vullkan  rrëzon shpateve 
    llavën prej avulli të frymës time. 
     
    Pas pak mbërrijnë eskimezët 
    që nxjerin qenin brenda meje 
    për të tërhequr slitën 
    në një rrugë bore pikturuar me thëngjinj. 


    KOMPAS

    Fati endet në formën e rrethit 
    si kompasi  në duart 
    e fëmijës që lë një njollë të lagësht 
    djerse mbi letër. 
     
    Rrathë pa fund. 
    Një lëmsh si art abstrakt 
    në ajrin pikturuar me karbon 
    nga dora  e fëmijës 
    që nis një rreth tjetër nga e para. 


    FILLI

    Kur u ktheva gjeta fillin e humbur 
    të bërë lëmsh, nën putrat  
    e maces  që mjaullin 
    fatin tim pikturuar me thonj. 


    NATA IME ARKTIKE 

    Nata ime arktike 
    pikuruar me karbon 
    kujton  
    se gishtërinjtë e mi 
    janë arinjtë  
    që ëndërrojnë  
    një lumë të ftohtë 
    që i bie përmes 
    fletës së bardhë 
    ku secila prej germave 
    është një salmon 
    në të kundërt 
    të rrjedhës. 
     
    Boja e derdhur  
    e hënës  
    ngrin  
    akull të kuq 
    në antikitetin e përjetshëm 
    të thëngjinjve 
    që e kanë harruar  
    ngjyrën e zjarrit 
    në sobën 
    me xhamin katror 
    ku lëpihet 
    një perde 
    e zbehtë 
    si flakë. 


    PIKTURË AVULLI 

    Pikturat e mia prej avulli 
    më bulëzat e gishtërinjve  
    mbi xhama dritaresh 
    janë të tejdukshme 
    për t’u parë
    vetëm në pak sekonda, 
    përpara se avulli  
    të shndrrohet  
    në bulëz uji 
    që rrëshqet poshtë 
    duke hapur një shteg 
    si gjurmë slite, 
    tërhequr
    nga një tufë qensh imagjinarë 
    që lehin mbi qelq. 


    QIPARIS 

    Pashë tufën e zogjve  në qiell dhe ndieva  
    të më lëvizë në trup dheu  i flatrave të dikurshme prej nga mbiu një qiparis. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË