More
    KreuOpinionFaik Konica - themelhedhës i eseistikës shqipe

    Faik Konica – themelhedhës i eseistikës shqipe

    nga Behar Gjoka

    Një nga punët e vyera, të mbaruara për mbrekulli, nga Faik Konica, është formësimi dhe shpalimi i eseistikës, si thënie e përkryer e një mendje të ndritur euriditi. Një nga përcaktimet e bëra rreth figurës, nga Kujtim M Shala, në librin Elipsa, shprehet: Konica i dha fund një modeli kulturor/letrar: himnizmi, dhe nisi një tjetër: modeli kritik, përfton natyrën dhe rolin e tij, përmasën dhe kontibutin, në rrafshet kreative, qoftë edhe në lamin eseistik. Ndërkaq eseistika e materializuar mjeshtërisht, përfaqëson majën më të lartë, të veprimtarisë mendore dhe krijuese të kësaj figurë të historisë moderne, që komunikon dhe ndërkomunikon sot e gjithë ditën. Vështrimi i kësaj ane të kontributeve të Konicës, në lamitë e shumta të kulturës, varësisht lavrimin e esesë, shtron për shqyrtim disa çështje:

    a – Tipologjia eseistike, tiparet më të rrokshme të kësaj forme ligjërimi.

    b – Eseja dhe eseistika, në kohët moderne ka fituar hapësira më të mëdha.

    c – Kontributi i Konicës, në shkrimin eseistik.

    d – Rrënjët e shqiptimit eseistik të autorit.

    Nëse për çështjen e parë do të përmendim kuptimin e termit, nga frëngjishtja essai = tentim, sprovë. Eseja është një shkrim i shkurtër në prozë, ku zakonisht shprehen qëndrimet personale për çështje nga jeta, morali, shkenca, arti, politika etj. Sipas Sabri Hamitit, në librin Faik Konica: Jam Unë: Eseja është formë shkrimi e patrajtë (ku mungesa e trajtës është vetë trajta eseistike, që buron nga bashkëlidhja e letrares me joletraren- shënim imi), që njeh më parë impulset e krijimit se sa kufijtë e konventës dhe është forma më e përshtatshme për shpirtin krijues dhe kërkues, ku shkrepin idetë e pastra pa u lodhur të gjenden të gjithë argumentimet”. Megjithatë, eseja duke qenë një trajtë unike, që ngërthen dhe përjashton trajtat e ligjëratave, letrare dhe joletrare, përçon maksimalen e shenjës estetike dhe logjike. Në këtë rast, këmbëngulja e Kantit, teksa vëren se: “Një gjykim shijeje që nuk ndikohet nga hijeshia apo emocioni … dhe ku si tipar përcaktues është thjesht qëllimësia e formës, është gjykim i kulluar i formës”, na ndihmon sadopak për të depërtuar në hapësirat tekstologjike të eseistikës, që bart kjo enciklopedi e pashoqe e kulturës sonë.

    Rreth çështjes së dytë, po sjellim një pjesë të historisë, që zë fill me (Michel de Montaigne) i pari që e përdori termin, në vitin 1580. Megjithatë, formën e esesë e gjejmë te Sokrati, Platoni, Theofrasti, Ciceroni etj. Ndërmjet shekujve 16 dhe 17-të, shquhet Frensis Bekoni, ai e quante esenë si “figuracion që jep më shumë oreks se sa ngopje”. Eseja mori një pamje moderne te autorët: Xhon Miltoni (1608-74), John Drydeni (1631 1700), Dr. Samuel Xhonsoni (1709-1784). Në Gjermani eseistika lulëzoi me Shilerin (1759-1805), vëllezërit Shlegel, nga Hajnrih Hajne. Në shekullin e 19-të, dallojmë esetë e Saint-Beuve-it, Brander-it, Lemaitre-it etj. Në shekullin 20-të shfaqen: E. M. Forsteri, Virgjinia Vulf, T. S. Elioti, Xhorxh Orvelli, Stefan Cvajgu, Andre Zhidi etj. Vihet re se, në shkollat moderne, krahas shtimit të hapësirave të lëvrimit të eseistikës, vështrimi eseistik i realitetit letrar, me gjasë vatra e shkrimit artistik, sa vjen dhe zgjeron praninë në letërsi. Në historinë e shkrimit të esesë, sërish jemi më të vonuar se letërsitë e tjera, por fatlumnia e pranisë së eseve të Konicës, e vunë mbë udhë të mbarë dhe në një hap me shoqet e tjera, këtë lami të shkrimit letrar dhe joletrar.

    Pa asnjë dyshim, çështja e tretë, që ka të bëjë me shkrimin e eseve, me hedhjen e themeleve të eseistikës, si një kreativë e realizuar, me cilësi nga Konica, shënon vatrën kryesore të qëmtimit tonë. Duke qenë një pikësynim i shpallur, që përbën pikën nevralgjike, qëllimin e kësaj ligjërate, në veprën shkrimore të Konicës përheri e vlen të hedhësh një vështrim, në kontributet e shumëfishta, pra eventualisht mbi tekstet e sendërgjuara si ese, që ndan tradicionalen nga modernia. Kjo shenjë unike dhe përtrimëse, e njeriut dhe kombit shqiptar, jo rastësisht vjen prej pendës së lakmueshme, në stil dhe formë, fjalë dhe vokacion. Përcaktimi i numrit të teksteve, pra janë pesë apo më shumë ese, mbase pavarësisht tematikës, llojit dhe shprehësisë, në të gjitha rastet, thelbësore është marrëdhënia që vendoset me këto tekste. Sugjerimi i T. Todorov: “Nuk ka gjë më të zakonshme se përvoja e leximit dhe nuk ka gjë më të shpërfillur. ” (2000: 165), tek libri Poetika e prozës, zbulon dy anë të medaljes, se pa lexuar tekstet esetë, nuk kemi asnjë mundësi të rrokim idenë fillestare të autorit. Po kaq, leximi dhe leximtaria, pavarësisht se janë diturake, akademike dhe të zakonshme, nuk shpëton dot nga rrathët e subjektivitetit {ngasjes se u tha fjala e mbrame, ndërkohë që e para dhe e mbramja fjalë i mbetet shkrimtarit}, pra të shijes personale. Në një kuptim të ngushtë, jo si dije diturake, por si nevojë e kumunikimit, me tekstet letrare dhe joletrare, të gjitha llojet e leximit, në këtë rast të eseistikes së Konicës të shpien kah Konica, për të zbuluar, rizbuluar dhe për të vënë re vatrat e paqëmtuara. Sprovat, si veprimtar dhe kërkues, në punët e shtetit, të kulturës dhe kombit, të fjalës dhe të letërsisë, të përkthimit dhe të gazetarisë, bën që kur mori pendë dhe kartë në dorë, për të shkruar esetë e famshme, të kishte pjekurinë dhe shijen e majftë, për të vënë themele të palëkundura, të llojit të esesë në gjuhën shqipe. Midis teksteve të shkruara si ese, do të mjaftonte eseja Shqipëria si m’u duk, për të krijuar një mendim për aftësitë shkrimore të Konicës në këtë rrafsh të ligjërimit, ku bashkëshkruhet letrarja me joletraren, shpirtërorja me logjiken. Mjeshtërisht, në të pesë esetë, kapen aspektet më shqetësuese të kohës, lëngata e shoqërisë, në kapërcyell të shekujve, kryhet një operacion, etik dhe estetik, mbi sëmundjet e shoqërisë së kohës, derdhur në tekstet e autorit. Në tekstet eseistikë të Konicës, simbas K. M. Shalës, vihet re se: Domeni është historia, zhanri – esja, duke hedhur vështrimin në frymën dhe tipologjinë e shkrimit. Po nga Shala vjen përfundimi: Eseja është zhanër modern në diskurset historiografike. Ky zhanër, përpos që bart informacion, përpos diskursivitetit, mundëson narracionin. Përvijimi i këtyre atributeve që ngërthen eseistika, ndërkohë është përcjellur:

    Së pari: Në anën e kufirit të shtetit amë, pra në Shqipërinë londineze, proza dhe eseistika, janë parë si të ndërthurura, çka vihet re në trajtimet e kryera nga studiuesit dhe botuesit e veprës së tij, letrare dhe kulturore, ndonëse njihet, por pa ia përcaktuar ende vendin dhe rolin që bartin tekstet e realizuara si ese.

    Së dyti: Në të përkundërt qëndrojnë studimet letrare të anës tjetër të kufirit, të Shqipërisë Atlantike, ku Sabri Hamiti, Kujtim M. Shala, e shohin esenë, tipin e shkrimit të gërshetuar të kërkimit me shprehësinë autoriale, që përcaktohet si një ese e mirëfilltë.

    Së treti: Të një hipoteze, që do të kërkonte mund dhe kërkim, verifikim dhe interpretim, kontributin e jo pak studiuesve, se Konica ka realizuar ese të mirëfillta, ka hedhur themelet e saj, por vështrimi eseistik, i ndryshëm dhe i përkundërt, ndërkaq mbizotëron krijimtarinë letrare dhe kulturore, në prozë, publicistikë, përkthim, madje në vetë jetën prej bohemi të shkrimtarit. Hedhja e vështrimit, sado përkitazi, mbi veprat letrare Një ambasadë e Zulluve në Paris, Dr. Gjilpëra zbulon rrënëjt e dramës së Mamurrasit, ku ndërthuret artistikja me eseistiken, në një situatë të jashtëzakonshme, të krijon bindjen se vështrimin eseistik autori e shtriu edhe në veprën letrare. Po ashtu, teksti Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore, përveç të dhënave për historinë, gjuhën, origjinën e shqiptarëve, paraqet gjithçka me anë të një gjuhë të zgjedhur që e afron parashtrimin historiografik me natyrën e esesë. Leximi, analiza dhe interpretimi i teksteve të konceptuara si ese, po kaq interpretimi i interpretimeve të bëra nga studimet letrare, vetëm sa na ndihmon për të shkuar tek Konica, ku fle dija, arti, logjika, mençuria dhe mjeshtëria e shkrimit.

    Një nga pikat e lëna në terr, janë rrënjët e natyrës poliedrike, të personalitetit të papërsëritshëm, të cilat duhet të hetohen. Sendërtimi i eseistikës, i mendimit të lirë dhe argumentues, është prurja më e vlertë e Konicës. Adërmendësh, qëmtimi i vlerës së teksteve të esesë, duke qenë në fillesë, sepse brenda shekullit të njëzet përjetoi shkëlqimin, rënien dhe rikthimin në panteonin e kulturës, do të kërkonte kohë dhe kontribute. Ky ishte një fat, i mbrapshtë dhe lodërtar, që u ra për hise mjeshtrave të fjalës shqipe, si At Fishta, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, e dhjetëra figurave të tjera. Shumëplanësia e figurës dhe veprës, e materies eseistike, duhet parë në dyzimin e beftë, të plotënisë së jetës, me gjasë me paplotësinë e veprës. Një pjesë e teksteve mbetën të papërfunduara, çka është brenda rregullit, për të qenë ndryshe nga koha e tij. Individi, pavarësisht se diti të jetë njeri i lirë, shkrimtar jashtë kodeve, dashnor i zjarrtë dhe pa skrupuj, njëherit burrështetash i përkorë, fitoi mbi gjithçka, sidomos triumfoi mbi turmën, në gjallje dhe në amshim. Konica mbeti rebeli i pandreqshëm, që pati raste që nuk binte dakord as me veten. Paplotënia e veprës letrare, varësisht përcaktimit metaforik dhe simbolik, diku paraqitet e kryer, e diku e lënë në gjysëm të udhës, në të dy rastet na vjen e përsosur, përveç shkaqeve të tjera, se nuk ka kush t’i lexoj librat… siç e pati formulura dikur, duhet marrë me rezervë. Pikërisht, paplotënia e veprës, kinse lënia e papërfundur e disa teksteve, e ndërlidh me plotësinë e jetës. Thelbin ekzistencial të jetës dhe veprës, të materies shkrimore eseistike, e përfaqëson rebelimi/kundërvënia, eventualisht ndryshimi me realitetet shqiptare. Duke qenë vepra e tij thellësisht rebele/eksperimentale, ajo është e plotë, e përfunduar, pra e kryer, si një sprovë autentike e shkrimtarit. Paplotënia, lidhet me paragjykimin e zakontë, sidomos më kërkimin e akademizmit allashqiptarçe në mungesat, si dhe me lënien jashtë vëmendjes të pranisë së kësaj dukurie, letrare dhe kulturore. Duke i bartur të dy atributet, pra të mjeshtrit të fjalës, të magjistarit të fjalës përlindëse të gjuhës shqipe, Konica shënon një dukuri unike në kulturën shqiptare. Gjatë leximit dhe rileximit, ku “Natyrisht shumimi i librave lirik dhe i eseve mund të krijojë këtë e kam vënë re, një shenjë të prapë të leximit rreth veprave artistike në vend se të lexohen ato, kështu mund të pajisemi me opinione në vend se ta edukojmë shijen. ” (1980: 36), sugjerim i T. S. Elioti tek libri Ese të zgjedhura, një fat i hidhur që i ra për hise edhe Konicës.

    Në historinë moderne, për natyrën unike, Konica mbetet figura më befasuese e botës sonë, e prandaj zbulimi i këtyre rrënjëve, është shenjë e zgjerimit të komunikimit me natyrën, karakterin dhe laryshinë e veprës kulturore dhe letrare. Mjedis dëshmive, që të shpien kah rrënjët e njeriut gjenial, arritjeve në lëm të letrave, të vijnë në mend këto rrethana:

    – Pinjoll fisnikësh të një derë me emër në ndihmë të dheut dhe gjuhës shqipe.

    – Njeriut bohem, që gjithçka e kërkon përtej mëhallës së vetë. Teksa gjezdiste Parisin, Londrën, Nju Jorkun, kryqendra të qytetërimit botëror, vetëm pasuronte sqimën e tij, shpesh i habiste me dije dhe zgjuarsi sallonet mondane.

    – Nga të paktët poliglot buzëhollë, që fliste dhe shkruante në shtatë gjuhë.

    – Misionari i ndarjes me tradicionalen, të mbytur në krenari dalëbojëse.

    Bashkëshkrimi, ku fle arti dhe mendimi, shija dhe lodrimi, pohimi dhe tallja, aspirata dhe iedeali estetik, gjerësia e kontributeve, që vjen dhe shpaloset në dy forma:

    I – Me anë të lavrimit të shkrimit letrar dhe joletrar, ndryshe nga bashkëkohësit, duke shpallur botërisht kredonë e lëvizjes, në ritmin e botës së qytetëruar. Thelbi i ndryshimit ka të bëjë me eksperimentin dhe përmbysjen, tipare të cilat i hasim në çdo tekst shkrimor, ku secili tekst letrar dhe joletrar, bart një tipar të bashkëshkrimit, si një aureolë eseistike, pra me bashkëlidhjen, e shkrimit letrar dhe joletrar, të përcjelljes së materies, përmes vështrimit eseistik, që e bën më të rrokshme natyrën eksperimentale të veprës së larmishme të Konicës.

    II – Me themelimin e mendimit eseistik, krahas të gjitha prurjeve letrare, madje të realizimit të llojit të esesë, në atë nivel dhe formësim të njëmendtë, në të gjitha tipet dhe llojet, duke gdhendur portretin e mjeshtrit të fjalës. Sendërtimi tipik dhe i përveçëm i eseve të mirëfillta, që tashmë bëjnë jetë më vete, si tipologji specifike, që bart dhe përçon logjiken dhe formalen, letraren dhe joletraren, për të formësuar kështu një tip të përveçëm të komunikimit. Realizimi me bukuri dhe magji shkrimi, në atë situim etik dhe estetik, të përkujton Pol Gajer, teksa shprehet se “kënaqësia që marrim nga e bukura është një reagim thjesht ndaj formës së perceptueshme të një objekti, pavarësisht nga përmbajtja që mund të ketë ajo., çka në rastin e eseistikes së Konicës lidhet me të dy rrafshet, të thënies dhe ligjërimit shprehës.

    Pjesë unike e mendimit eseistik, mbase një testament vetjak, me gjasë një emblemë e pashmangshme e verifikimit, të dijes dhe idealit, është teksti “Lutje për shkrimtarin” një smerald përndritës i gazetës së mirënjohur “Albania”. Aty, më qartë se gjithkund dhe se gjithëherët, zbulohet në një dritë të pazakontë fuqia, shpirti, fyrma e Konicës, teksa shprehet: “Ati yne që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetem me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”


    Literatura:

    Konica, Faik: Konica, Faik: Faik Konica-Vepra – Naim Frashëri, Tiranë 1993.

    Konica, Faik: VEPRA 2, Botimet DUDAJ, Tiranë, 2001

    Eliot. S. Tomas: Ese të zgjedhura – Rilindja, Prishtinë 1982.

    Todorov, Tzvetan: Poetika e prozës – Panteon, Tiranë 2000.

    Hamiti, Sabri: Faik Konica: Jam unë, Onufri, Tiranë 1994.

    Shala, M. Kujtim: Elipsa, Buzuku,

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË