More
    KreuKinematografiEnver Kushi: Muret e gjallë të një shtëpie

    Enver Kushi: Muret e gjallë të një shtëpie

    Para se rruga “Siri Kodra” të dalë në unazë, po të kthehesh në të djathtë, disi e fshehur mes ca pallateve të vjetër dhe pa formë, është një shtëpi dy katëshe, që bie menjëherë në sy për  ngjyrën të kuqe shege të fasadës së saj.. Që nga trokitja e parë atje, aty nga vjeshta e vitit 1985, krahas mikpritjes dhe ngrohtësisë, kam ndjerë dhe përjetuar vazhdimisht edhe ca ndjesi dhe emocione të tjera, që t’i jep vetëm arti. E tillë ishte dhe vazhdon të jetë shtëpia e mikut tim, regjisorit të mirënjohur të kinematografisë shqiptare, por edhe piktorit, skulptorit befasues Muharrem Fejzo.

     Muret e asaj shtëpie tiranase nuk janë  as të pagojë dhe as të verbër… Ato janë mure të gjallë (po të perifrazonim titullin e njerit prej filmave realizuar nga Muharrem Fejzo). Asaj shtëpie dhe atyre mureve, Muharrem Fejzo u ka dhënë shumë nga shpirti i tij krijues. Dhe nuk është vetëm prania kudo i veprave në pikturë, grafikë, skulpturë të autorit apo i albumeve të tëra me dhjetëra e qindra foto artistike, skica, por mbi të gjitha brenda atyre mureve është krijimtaria plot 50 vjeçare e Fejzos… Atje janë ëndrrat e të riut Muharrem Fejzo, fluturimet romantike të adoleshencës, skicat për skenografitë e para të operave  “Rusallka”, “Ivan Suzanin” dhe “Nusja e shitur” (1954), boceti i bustit të heroinës  “Zonja Çure” (realizuar në vitin 1955); atje janë hedhur në letër vargjet e para dhe janë  shkruar dramat “Detyrë dhe Stuhi”, “Gardhet”, “Përroi i heshtur”, “Dara prej mishi”. Atje ka bërë provat e para për t’u ngjitur më pas në skenë edhe si aktor; atje ka gdhirë netët pa gjumë, për të shkruar skenaret dhe menduar për platformat tekniko – regjisorialë të mbi 20 filmave dokumentarë dhe artistikë; atje ka hedhur në pentagram notat për muzikën  e dramës “Xhaxha Vanja” të Çehovit dhe dramës  “Detyrë dhe stuhi”; atje ai ka realizuar mbi 100 punime në pikturë në teknika të ndryshme apo bocete për  dhjetëra buste, basorelieve, statuja etj etj. Atje janë të kyçura gëzimet familjare të Fejzos, hallet e përditshme, dhembjet, trishtimet e kohës, monologjet me veten, krizat e papritura të zemrës  dhe deri tek turbullimet për ndonjë fjalë jo dashamirëse (të natyrshme këto për mjediset artistike) të  kolegëve të tij.

     Prandaj, sa herë kam dalë nga shtëpia e Muharrem Fejzos, kam patur dëshirë të rikthehem atje për të biseduar me artistin dhe  folur me “Muret e Gjallë” të asaj shtëpie.

     MUHARREM FEJZO MES DY DASHURIVE

     E kam të vështirë të analizoj krijimtarinë shumëplanëshe të Fejzos. Karakteri dhe shpirti i tij krijues është kudo në këtë krijimtari. Natyrë gazmore, me një të folur pasionante dhe lëvizje të shpeshta të duarve, sy të qeshur dhe herë-herë melankolikë e të menduar, miqësor me të gjithë dhe i rrethuar vazhdimisht nga dashamirësit e tij të shumtë, por edhe i lënë në hije apo i pavlerësuar siç duhet në kohë, ky është Muharrem Fejzo… Në një bisedë me të, ai është shprehur se “treni i jetës time ka ecur në binarët e dy dashurive: arteve figurative dhe filmit”.

     Për krijimtarinë e tij në fushën e arteve figurative  do të duhej një studim i veçantë. Në fushën e kinematografisë, koha po tregon, se filmat e regjisorit Fejzo ruajnë jo vetëm freskinë e tyre, por  mund të radhiten ndër emrat e shquar të kinematografisë shqiptare si Hakani, Erebara, Xh.Keko, Anagnosti, Gjika, Milkani, Dhamo, Hoshafi etj. apo brezit më të vonshëm të regjisorëve shqiptarë… Jam i bindur se filmi “Kapedani” i bën nder jo vetëm Fejzos, por tërë kulturës shqiptare. Do të mjaftontë të përmendja disa prej filmave realizuar prej tij, për të shpalosur dimensionin prej regjisori të spikatur të Fejzos. Historia e popullit shqiptar, në krijimtarinë e Fejzos, vjen me një gjuhë filmike të një niveli shumë të lartë. Fejzo ka ditur që me gjuhën e filmit, ta sjellë historinë shqiptare me tragjedicitetin e saj, duke përcjellë mesazhe, që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë.

     Kështu filmi “Mësonjëtorja”, (vlerësuar nga shtypi dhe media shqiptare, fitues i nëntë çmimeve, propozuar për çmimin e Republikës dhe regjisori për “Artist të Meritur”, pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Valencias, Spanjë), është një monument artistik i historisë shqiptare dhe një homazh për ata që sakrifikuan për “A-në” e shqipes. 

     Filmi ka shumë atmosferë dhe me gjuhë filmike të shkëlqyer, përcjell tek shikuesi emocione të veçanta. “Mësonjëtorja” është film i karaktereve të papërsëritshme.

     Tek filmi “Guna përmbi tela”, kemi një vështrim dhe trajtim tjetër të historisë. Këtu regjisori operon me plane dhe hapësira të gjera. Dramaciteti i Luftës së Vlorës (1920), vjen me tone epike dhe filmi të kujton polifoninë labe, ku harmonizohen aq bukur dhe me sens artistik, të gjithë komponentët që nga skenat massive, loja me prozhektorët e fuqishëm, dritë – hijet, mjegullat e deri tek dhimbjet njerëzore…

    “Muri i gjallë” është kinolegjenda e parë shqiptare (vlerësuar në Festivalin Europian në Çeki), ku Fejzo vjen pas një përvojë të gjatë si regjisor. Në këtë film spikatin detajet artistike të përmbajtura dhe legjenda e njohur shqiptare, vjen në kohën tonë me gjuhë të pastër filmike, atmosferë të veçantë, duke fituar kështu një dimension ballkanik e më gjerë. Kapitull më vete përbëjnë  filmat dhe skenarët e shumtë me temë nga Lufta Antifashiste apo problemet e kohës që kaluam. Ata presin studiuesit e filmit shqiptar për të shkruar dhe evidentuar vlerat si dhe kufizimet e kohës.

    ENGJËLL QË M’U QASE PRANË….

     Ai ishte një plak i bardhë, që në një orë të caktuar të paradites, zbriste shkallët e katit të dytë, ku e priste e shoqja. Plaku, pasi qëndronte disa çaste në këmbë, i shoqëruar nga gruaja, kalonte me hapa të ngadaltë dhe delte në kopshtin përpara shtëpisë.

    Atje e priste në këmbë e shoqja e Muharremit, Nadi, e cila i kishte bërë gati karriken e kashtës me çilte.

     Pas pak do të vinte vëllai i Muharremit me të shoqen, për t’i uruar ditën e re plakut dhe puthur duart e bardha. Muharremi do të linte çdo punë ose mikëpritës, për t’i uruar edhe ai babait ditën e re dhe për t’i puthur  duart.

     Unë shkoja në shtëpinë ë Muharrem Fejzos në këtë orë solemne dhe ndiqja në të gjitha rastet ritin e përditshëm. Në familjen Fejzo, prindi i tyre, ishte i rrethuar nga një dashuri dhe respekt i rrallë njerëzor. Edhe djemtë e Muharremit e adhuronin gjyshin e tyre… Babai i Muharrem Fejzos quhej Ali. Ai kishte emrin e udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit dhe vetë ishte  një besimtar i devotshëm… E mbaj mend shumë mirë portretin e tij të bardhë, flokët e gjata të bardha, një taç gjithashtu të bardhë në kokë dhe veshjen krejt të bardhë të tij. Dhe sa herë që e vështroja, më dukej si një plak i dalë nga legjendat shqiptare apo sikur vinte nga thellësitë e viteve të Rilindjes Kombëtare. Ai ishte me të vërtetë një plak mitik, që fliste me heshtjen e tij dhe komandonte po me heshtjen e tij familjen Fejzo. Ai ishte oguri i mirë për atë shtëpi artistësh dhe mbarësi për gjithçka që ndodhte atje… Plaku, në heshtje, kalonte një nga një kokrrat e qelibarta të tespijeve, sikur kalonte nëpër gishtërinjtë e bardhë, vitet e shkuara të tij dhe numëronte ato që i kishin mbetur. Dhe isha i bindur se plaku i bardhë Ali Fejzo, në ato çaste, si bektashi i zellshëm që ishte, fliste me brirët e dashit vendosur në murin e lartë të shtëpisë, fliste me pemët, zogjtë, ajrin, lulet që e rrethonin dhe dukej se priste i qetë amshimin, duke mërmëritur vargjet e Naimit të madh:

    “Engjëll që m’u qase pranë

    Nga i madhi Zot… “

    Babai i Muahrrem Fejzos ishte një film më vete me të shkuarën e tij të ndershme dhe pleqërinë e gëzuar që po kalonte…

    Enver Kushi dhe Muharrem Fejzo

    “BINARËT” DHE VARREZA E FILMIT

     Sinopsin e shkurtër e kisha dorëzuar prej kohësh në Redaksinë e Filmit Artistik, përgjegjës, të cilës ishte studiuesi i njohur Abdurrahim Myftiu. Ishte viti 1985 dhe unë, me një grup skenaristësh, kisha përfunduar edhe një kurs 1-vjeçar në Akademinë e Arteve për gjuhën e filmit. Mbaj mend që Muharrem Fejzo më ftoi për një kafe dhe pasi unë i shpalosa disa nga mendimet e mia për filmin e ardhshëm, ai menjëherë propozoi që duhet të nisnim punën për skenarin. Dhe kështu vepruam. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës, propozimin tonë për të bërë një film artistik për makinistët, e mirëpritën. Dhe me Muharrem Fejzon kemi udhëtuar në lokomotiva thuajse në të gjitha linjat hekurudhore dhe kemi takuar me dhjetëra makinistë të vjetër e të rinj. Nuk do t’i harroj kurrë rrëfimet e tyre tronditëse, punën e palodhur që kishin bërë dhe bënin me një ndeshmëri dhe përkushtim të rrallë. E mbi të gjitha nuk do të harroj kurrë gjendjen e tyre ekonomike dhe kushtet e vështira të banesave ku jetonin… Ndjehej kudo varfëria e kohës dhe ca sinjale që sistemi ishte në agoninë e tij. Skenarin e shkruam sa në shtëpinë e Muharremit, sa në një nga lokalet e qeta të hotel “Arbërisë”. Personazhin kryesor e pagëzuam me emrin Ali. Aliu i skenarit dhe më pas i filmit “Binarët”, kishte shumë nga ndershmëria dhe karakteri i plakut të bardhë, si dhe nga babai im që çuditërisht edhe ai kishte një emër të shenjtë, Adem (Adam). Babai im i mirë, i ndershëm dhe punëtor si ai, ishte rritur me hekurudhën. Edhe vëllai im i vogël ishte makinist. Edhe dy xhaxhallarët e tjerë ishin makinistë. Pra unë kisha një lidhje shpirtërore me “Binarët” Muharremi punoi pa u lodhur me skenarin tekniko-regjisorial dhe më pas në xhirimet e vështira në hekurudhë. Dhe ia doli mbanë: filmi u prit në mënyrën të jashtëzakonshme në kolektivin krijues të kinostudios. “Binarët” të bënte për vete jo vetëm me të vërtetat e mëdha që pasqyronte, dramacitetin që e përshkonte nga fillimi deri në fund, lojën e shkëlqyer të Reshat Arbanës, Bujar Lakos, Timo Fllokos, Raimonda Bulku, Mirush Kabashit, Gëzim Kames Justina Aliaj etj. etj., kamerën e Bashkim Asllanit, por edhe për mesazhin që jepte: shoqëria shqiptare në qoftë se nuk merrte në mbrojtje njerëzit e ndershëm dhe nuk do të luftonte varfërinë, dukuritë negative të kohës, do të delte shpejt nga “Binarët”

    … Filmi pati fatin e keq si edhe të disa filmave të tjerë të Fejzos. Ai u vu në bankën e të akuzuarve, u kritikua për deformim të realitetit “të shkëlqyer shqiptar”, “për sjelljen në ekran të dukurive që nuk përbënin thelbin e këtij realiteti”, etj etj.

    Filmi “Binarët” u shkurtua në mënyrë drastike. Bubullimat që vinin nga Komiteti Qendror ishin të frikshme. Regjisori Fejzo e ndjeu në palcë këtë. Trishtimi dhe dhimbjen e tij, kur priste copat e dhjetëra metrave film, ishin me të vërtetë tronditëse… Dhe akoma më tronditëse bëhej kjo, kur Fejzo shihte gropën e hapur si varr në periferi të godinës qendrore të montazhit, ku shiritat e filmit “Binarët” do të mbuloheshin nga dherat e qullur të shiut të ftohtë të dimrit 1986-1987. Një varr i tillë ishte hapur vite më parë, për të varrosur shiritat e një tjetër filmi të tij, të  filmit “Guna përmbi tela”.

     … Vitet e fundit kam shkuar shpesh në shtëpinë e Muahrrem Fejzos… Ajo është në të njëjtën vend, me të njejtën ngjyrë dhe me të njejtën mikpritje…

    Derën ta hap jo më nëna e Muharremit, nje grua fisnike me origjinë nga Leskoviku, por e shoqja e tij, Nadi… Unë qendroj në koridorin e katit të parë pa lëvizur… E di. Është ora kur plaku i bardhë Ali zbret shkallët e shkon të ulet në kashtoren pranë luleve dhe gjelbërimit. Plaku i bardhë Ali vërtetë zbret shkallët. Pastaj i heshtur kalon para meje dhe herë – herë më duket sikur dëgjoj vargjet:

    “Engjëll që m’u qase pranë…”

    Pastaj Nadi më thotë se Muharremi është lart duke punuar. Dhe unë ngjis shkallët për të takuar mikun tim, gjithmonë të qeshur e të ri Muharrem Fejzo. Shoh portretin e plakut të bardhë Ali në mur, sytë e zgjuar të tij dhe nuk e di pse më duket se Muharremi mërmërit vargun “Engjëll që m’u qase pranë… “

    NË VEND TË MBYLLJES

     Këto vlerësime në formë kujtimesh për regjisorin Muharrem Fejzo, i kam hedhur shumë vite më parë, atëhere kur në fund të rrugës “Siri Kodra”, ishte një shtëpi dy katëshe, që binte në sy për ngjyrën e kuqe shegë. Tashmë ajo shtëpi nuk është më. Në vend të saj është ngritur një pallat shumëkatësh… Nuk janë më disa nga kinematë e kryeqytetit, rrugica apo shtëpi të vjetra tiranase. Nuk është më stacioni i trenit dhe nuk dëgjohen sirenat e lokomotivave, që çelnin e mbyllnin ditët e Tiranës, duke sjellë qindra udhëtarë, që vinin nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Tiranës i mungojnë edhe disa kujtesa të tjera, që në ca kohëra gri na e bënin më të bukur jetën, kur i shihnim së largu, ose dhe kur i përshëndesnim, siç ishin çiftet Ismail dhe Elena Kadare, Dritëro dhe Sadie Agolli, Feim dhe Vera Ibrahimi etj. Kanë shkuar edhe disa kujtesa të tjera, personalitete të shquara të letërsisë, artit, shkencës, duke i lënë kryeqytetit ca hone të zbrazëta dhe një mall të dukshëm, si mjegullat, që vinë e ikin në malin e Dajtit, vjeshtrave, apo fillimit të pranverës. Tirana është zgjeruar e madhuar në hapësira, por tkurrur në kujtesën e saj.

     Muharrem Fejzo jeton mes Shqipërisë dhe Italisë. Me kalimin e viteve ka mbetur po ai që kam njohur disa dekada më parë. Ka botuar një libër shumë të mirë “Të pathënat” dhe një tjetër me kujtime për rrënjët e familjes dhe jetën e tij, që kam patur fatin të jem redaktor.

    Ai mbetet, siç shkruan poeti dhe prozatori Roland Gjoza “poet i vërtetë i ekranit”. Do të shtoja, që ai ka qënë dhe vazhdon të mbetet një njeri me zemër të madhe, që rrezaton mirësi dhe fisnikëri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË