More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Ylli Pango

    Dy tregime nga Ylli Pango

    NGJARJE NË URINORE

    Rastisi që u ndodhëm krah për krah tue urinue. Në një urinore universitare. Mu në qendër të Universitetit privat “ Gulçima”.  Dikur, diku, në hapsirën e përbashkët privato-universitare Kosovë-Shqypni…

    …Unë nuk e përshëndeta urinuesin që urinonte krah për krah me mua.

    Se si mu duk t’i thosha “ Mirëdita, si jini”, …duke urinuar.

    Urinuam ca, ashtu, heshturazi, paralelisht…

    …As ai nuk më foli

    ..Mesa duket ndanim të njejtin mendim…

    Me gjasë, burra esnaf…të dy…me takt…e namuz…

    …Por nuk më foli as përshëndeti as me kokë në koridor, tek dolëm pas urinimit…

    …Ishte  sa gjysma e moshës time. Merrej me ndërtimtari. Natyrisht ishte para. E kishte ba a ble dhe ate “univerzitetin”( me “z” zukatëse) privat me ca nga ato pare ( mos më thoni “e ça pastaj se kishte pare?”… e të bëni indiferentin a kinse sfidantin që synon qëllime të larta ideale…Se e di, që e kini bindje që “parja e bo ujin mullar”

    …Jepja leksione a ndryshe ligjerata aty. Dhe e pata ndihmuar para do muajsh, pronarin e asaj mësonjtoreje të lartë, Pata bisedu per akreditimin e atij universitetit me ndoca specialiste të huaj.  I para pyetë në emër tê pronarit: “Si e qysh me ja ba…Me si e me sa”

    Pedagogët që përdorte për ligjërata, nuk para i ngisnin gjuhët e huaja. Me gjasë, kishin ende probleme me gjuhën …

    “Shyqyr që na erdhe pri Tirane”, më pat thënë ky, pronari, atherë “ me ja kuptu gjuhën e menjen ktyne t’hujve…se këta gjytrymat e mi, nuk ja thojn hiq(ç).”…

    E mora soje me takt e ja dhashe zotit të mësonjtores univerzitare, ate informacion që m’kerkoi…

    …E meqë, qe po ky, që mirë krah për krah në urinore, por nuk më foli as në koridor, po i them paksa i prekun “A nuk po m’njifni ma zotni? Kaq shpejt më keni harru?”

    …“ Më paske harru ti mu, or shoq, më duket” po ma pret ai, “ti pse nuk përshnet…jam pronari i univerzitetit un’”…

    …Shkova në shtëpi, krreva nga sirtaret, diplomat, titujt, gradat, librat, revistat, deshmite…shkula nga koka gjuhët e huaja, volla gjithë ç’më mbante truri e barku, e mezi i mblodha…më në fund…të gjitha…

    …Mos më pyesni ç’bëra mbi to…

    …Se po më kutërbon rrëfenja, urinore universitare, po më kutërbon…


    UNË E GJETA KUFOMËN TIME

    —Vjen një si era përç. Kakërdhi. Si dhën. Si dhi…

    “E mo janë ata barinjtë që zbresin nga lart, nga mali, me bagëti…Kanë qenë për verim…ja po kalojnë…do shkojnë në vend të tyre…Kaq ishte…”

    —Ore se ç’po digjet. Erë “e djegur” tym dynjaja. Kena dalë për ajër të pastër… a si?

    “Jo mo nuk ka problem…ka ndezë ndonjë zjarr ndonjoni.

    —Po mos merr gjë zjarr pylli?

    Jo,mo jo…Do shuhet me siguri…se nuk është djegur ndonjëherë ky pyll…”

    —Ore e ndjeni apo jo…po bie si era m…

    “E mo e, se ashtu të duket se ishim pa hale fare në qytet…Tani u bëmë me disa… e ka shtuar e shumuar bashkia numrin e WC-ve publike. Të atyre inekzistente. E ka qarë fare. Distanca e afërt nga njera WC te tjetra mjafton për ta mbajtur në hundë erën…konstante gjatë gjithë xhiros..Janë të shpeshta. Dhe goxha tê frekuentuara. Nuk keni më gojë për ankesa…besoj

    —Po mirë mo mirë…po nuk durohet era…

    “Epo tani…unë dhe u a sqarova shkencërisht…është konstante, Konstantja M. Duket si një WC…por është një tërësi…WC-ri e vijueshme…por nuk është era m…është vijimësia e pandêrprerë e nevojtoreve. Duhet me qenë mirënjohes…

    -Ore po ku e kini mendjen? A i kini sytë a jo? Veshët?Po na bombardon Jarani. Ka hudhë nga lart, nga larg…lëndë kimike. Pas atij sulmit kibernetik…Përshkallëzim…

    “Ku mo ku? Mos ja fut kot. Përhap panik…”

    …I ze besë, kyç gojën e ze eci mes njerëzve që baresin me sy pêrdhe…Seç kërkojnë mes kufomave…

    …Bie, jo për çudi, era kadavër…Shikoj mos më del ndonjë i njohur përpara  t’i them.. . ta pyes: “Ç’bëhet? Nga vini? Ku shkoni? A gjetët gjë?”

    Asnjë i njohur për be…

    …Oh…Ja më në fund njëri, i njohur…

    “Hej …hë mo vlla…ç’bëhet? A po sheh gjë më në fund? A kanë sy me pa, veshë…hundë për të nuhatur, ky milet“

    …“Vllai” mban mbi njerin sup një trup njeriu… nuk merret vesh të gjallë a të vdekur. Krahët e koka e atij trupit, i varen mbi shpatull. Këmbët e atij i lëkunden mbi bark.:                      

      “Nuk di gjë për të tjerët o vlla” më gjegjet me një zë të dalë shpirti, “unë për vete…e gjeta kufomën time…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË