More
    KreuLetërsiDritëro Agolli dhe e bukura e dheut

    Dritëro Agolli dhe e bukura e dheut

    Nga REXHEP FERRI

    Rexhep Ferri

    1.

    Puna e famës është magji.
    Ka shumë ëndrra, pamje, mundësi…
    Dritëro Agolli si shkrimtar i kulturuar e kishte këtë fat.
    Me tipare të veçanta, i afërt.
    Për biseda me miq, në rendin e parë – nuk kishte personalitet të dytë.
    Nga kambana e madhe e poezisë dhe e personalitetit kishte lindur me fat.
    Zoti dhe natyra nuk kishin kursyer asgjë për të.
    Kjo përshtypje reale për Dritëro Agollin më ka shoqëruar prej kohës që kishte ardhur në Prishtinë me rastin e Njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
    Ato ditë e net dhe ato pak takime që i kalova me Dritëro Agollin nuk do t’i harroj kurrë.
    Jo se isha i verbuar nga iluzioni, por edhe për baltën e Tiranës kisha mall e nostalgji.
    Poema e tij “Nëna Shqipëri” shpesh më thërriste për ta lexuar.
    Edhe atëherë, edhe tani për atë poemë mendoj se ka shumë besim që ta shton besimin e që t’i largon dhimbjet.
    Me pamjen e peizazhit të Maleve të Shqipërisë e të Lisave të Gjatë të Naim Frashërit edhe tash më mbushet syri dhe me shprehjen epike të këngëve kreshnike më bën të ndihem krenar…

    2.

    Për të mos u larguar nga ideja se kush është Dritëro Agolli, si njeri e si poet.
    Mes të bardhës tek e zeza.
    Nga thashethemet e njerëzve pa karakter kurrkush nuk e dinte se ku fillon një luftë, ku mbaron një luftë dhe pse bëhet një luftë…
    Nga kjo histori e pashkruar vetëm ata që ishin Lisa të rrallë si Dritëro Agolli, nga terri i mendjes mashtruese e nga bisedat enigmatike kanë pasur fatin e rrallë të shpëtojnë.
    Unë atëherë mendoja se në Shqipëri të gjithë jetojnë shqip.
    Të gjithë flasin shqip.
    Të gjithë mendojnë shqip.
    Dhe, nga gëzimi, të gjithë fluturojnë shqip.

    3.

    Më 12 prill 1973, i ftuar nga Lidhja e Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë, shkova në Shqipëri.
    Për herë të parë në Tiranë.
    Ditën e tretë në Tiranë, Dritëro Agollit i thashë:

    Dritëro, nuk po mund të duroj më shumë pa shkuar për ta parë babën në Durrës. Ju e dini se atje im atë me vite e vite jeton vetëm. Kanë kaluar më shumë se tridhjetë vjet që nuk e kam parë… Dritëro, ju e dini se unë nuk kam zbritur nga Hëna, por kam ardhur si shqiptar nga Kosova për një vizitë në Atdheun tim.
    Dritëroi, pasi e ndezi një cigare, më shikoi.
    Ashtu siç ishim duke e pirë nga një gotë raki me një shprehje të peshuar vëllazërore më tha:

    Rexhep, qetësoje edhe këtë ditë. Ju kisha lutur të prisni edhe pak. Nesër do të shkoni në Durrës e do ta takoni babën…

    4.

    Pas një vizite që unë për herë të parë pashë Krujën, Durrësin…
    Pas tridhjetë viteve babanë.
    Apoloninë.
    Vlorën.
    Gjirokastrën.
    Butrintin dhe Beratin e Bariut të Onufrit, u ktheva në Tiranë.
    Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë prapë u takova me Dritëro Agollin.
    Kur më pa, buzëqeshi dhe më pyeti:

    Si e kishe plakun?!
    Mirë, por ishte plakur.

    Po përshtypjet nga Shqipëria si i ke?
    Çka të them.
    Qytetet.
    Peizazhet.
    Fushat.
    Malet.
    Lumenjtë.
    Deti.
    Të gjitha më të bukura se ato që i kisha parë në ëndrrat e mia gjatë shumë viteve.
    A të them a mos të them diçka nga përshtypja e parë te kufiri, te Qafa e Thanës, për një ushtar që më priti. Ai si të ishte rritur pa nënë, me grushtin e ngritur lart të komunistëve më përshëndeti.
    Pushka që e kishte në krah e që ishte më e gjatë se ai dhe që i shkonte zhag për tokë e me një fytyrë të rrënuar më shqetësoi.
    Kisha frikë se mund ta merrte edhe era…
    Këtë shqetësim njëherë nuk desha t’ia them Dritëro Agollit. Por nga e vërteta që nuk ma mbushi syrin, si për çudi, pa një pa dy më erdhi ta them.
    Dritëroi, pasi më dëgjoi, tha:

    Rexhep, fajin e kanë legjendat…
    Dhe prapë e ndezi cigaren.
    Piktori që më shoqëroi gjatë atyre ditëve shpejt si pushkë e mbushur ia krisi:

    Shoku Rexhep, ai shqiptari që të ka pritur te pika e kufirit është nga Jugu. Besnik…
    Pasi e dëgjova piktorin, nga e papritura më krisi kapaku i kokës dhe piktorit që më shoqëronte i thashë:

    Çka po flet!? Kujt po i flet?! A vetëm shqiptarët e Jugut qenkan besnikë?!
    Por për të mos e vazhduar më shqetësimin tim, Dritëroi i matur e i menduar më shikoi.
    Piktorit që më kishte shoqëruar gjatë atyre ditëve i tha:

    Pusho! Mjaft! Mos na e prish muhabetin. Ti ende mendon se Kosova është sa Lushnja apo sa Tropoja…

    5.

    Atëherë në Tiranë ecja rrugës kalohej shpejt.
    Nuk kishte ndalesa, as semaforë.
    Më shumë frikësohej vetura nga njeriu se njeriu nga vetura.
    Unë atëherë pa e njohur Shqipërinë e kisha Nënë.
    Kryeqytetin tim Tiranën pikë të dobët.
    Për ta ruajtur drejtpeshimin prapë e lexova poemën “Nëna Shqipëri” të Agollit.
    Ai besim historik ma shtonte besimin.
    Me një pjekuri.
    Me një mrekulli artistike kur fjala merr dhenë.
    Dritëro Agolli që kishte lindur poet, shkruante poezi për t’ua larguar të tjerëve dhembjet e për të bërë diçka më të madhe se mundësitë.
    Edhe kur heshtja brenda botës së vet ka diçka më të fshehur se heshtja, Dritëro Agolli shpesh e ka lutur fatin të jetojë me faqe të bardhë.
    Nuk i pëlqente jeta me përulje.

    6.

    Një ditë pasi e pimë nga një gotë raki në Hotel Tirana, Dritëroi me besë e si në besë më tha:

    Rexhep, mos u shqetëso! Përpiqu të mos mendosh gjë për thashethemet e shqiptarëve kudo që janë. Edhe unë shpesh kam frikë nga frika ta them atë që mendoj.
    Pas një heshtjeje, më shikoi.
    E porositëm edhe nga një gotë.
    Unë pak si i humbur fillova të mendoj se si mund të jetë një tokë pa qiell.
    Mendim i çuditshëm për të cilin qielli nuk ekziston.
    Në hapësirë çdo gjë më kishte humbur.
    Për ëndrrat e mia nuk e dija a ka më kohë.
    Ik!… Ku? O Zot, ku ta di pse?!
    Si në pasqyrë, si në thirrje, o Zot, më fal.
    Edhe Dritëro Agollit, si njeri e si poet, nëse pa dashje ka lënë farë dyshimi nga keqkuptimi, falja o Zot!
    Si njeri e si poet, tik-tak, tik-tak, është përpjekur të mbetet i qartë. Konkret. Drejt një ëndrre të madhe e të paharruar…

    7.

    Për hir të së vërtetës, që Dritëro Agolli na ka lënë në poemën “Nëna Shqipëri”, si kod:

    Lem të bie në prehrin tënd të ngrohtë.
    O hallmadhja ime shekullore!
    Të puthi duart e tua më të mira të botës
    Duart e tua që u regjën nga puna
    Dhe gishtrinjtë që zunë kallo
    Nga këmbëzat e dyfekëve.

    Për të lëvizur përpara gjatë rrugës nga Prishtina për në Tiranë, u rrëzova. Nuk e theva këmbën. I humba shpresat.
    Para pasqyrës kush jam? – autoportretin tim e pyeta.
    Gurët kilometrikë të rrugëve gjatë natës pa qiell kishin humbur.
    O Zot, mos na harro!
    Kur bie zjarri shpëton kush shpëton.
    Shuajeni zjarrin!
    Mos mbani zi!
    Vajtoni të gjallët.
    Dhe, e dyta: për poezinë e Dritëro Agollit çdo shqiptar e ka rrëfimin e vet.
    Çdo gjë që mund ta bënte një poet i madh për popullin e vet, e ka bërë Dritëro Agolli.

    Për jetën e shumë brezave na ka lënë një fjalë të shkruar e të vizatuar.
    Pas kohës provokuese, pse mërzitesh, pleqësisë i tha. Arrita ta shoh edhe gjysmën tjetër të Shqipërisë – Kosovën, që u bë shtet i pavarur.
    Agolli, po të ishte tani në mesin tonë, kur edhe Kosova u bë me ushtri, zemra do t’i bëhej mal.
    Dhe krejt në fund, një natë, vite e vite më parë, pasi dolëm nga Hotel Dajti, Dritëro më tha:

    Rexhep, jeta është sekret, sekret i madh, i pakuptueshëm, aq më shumë kur jetojmë në kohën e provokimeve. Dhe, vazhdoi, duhet të jesh burrë i burrave, po ku t’i gjesh sot ata burra. Unë nuk fola. Heshta. Për një arsye më shumë shpirti i tij ndoshta më dëgjon.

    Dhjetor 2018

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË