More
    KreuÇmimeDrita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

    Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

    nga Rafia Zakaria (CNN)

    “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë aziatike. Dhe pa ne do të hanit ende me duar”. Kështu deklaron një personazh që mbron serbët (dhe masakrat e tyre) në dramën e luftës së shkrimtarit Peter Handke, “Voyage by Dugout”. Megjithëse këto janë fjalët e një personazhi, krijuesi i tij, Handke, bëri bujë kur foli në funeralin e vitit 2006 të diktatorit dhe kriminelit serb të luftës, Slobodan Milosevic, dhe tashmë i është dhënë Çmimi Nobel 2019 për Letërsinë, duke shqetësuar shumë njerëz.

    Ai nuk është i vetmi fitues. Këtë çmim e ndan me autoren polake, Olga Tokarczuk, e cila mori çmimin për vitin 2018, dhe vitin e kaluar ishte fituese edhe e Çmimit Man Booker International. Vepra e Tokarczuk-ut, e cila ka fituar plot çmime të tjera (si Nike, çmimi më i lartë në letërsi që jep shteti i Polonisë) përqendrohet në sfidimin e mbulesave nacionaliste për tiranitë historike. Të dy çmimet u dhanë njëkohësisht, pasi Nobeli në letërsi për vitin 2018, u shty pas një skandali seksual dhe financiar.

    Vepra e të dy shkrimtarëve është një studim kontrastesh, duke përshkruar përçarjet që përndjekin Europën në këto ditë grindjesh ideologjike midis nacionalistëve të ekstremit të djathtë, neo-nazistëve, antifashistëve dhe kozmopolitëve, pjesërisht nëse të gjitha bindjet morale janë vërtet të barabarta dhe gati njësoj të lavdërueshme. Përhapja “e të dy palëve” me të cilën amerikanët fatkeqësisht janë mësuar kaq shumë prej politikës së presidentit të tyre, tani duket se ka infektuar edhe Komitetin e Çmimit Nobel për Letërsinë. Duke ofruar versionin e “të dy palëve” për Çmimin, mesa duket, anëtarët e zgjedhur përjetë, kanë refuzuar të bëjnë gjykimin moral që kërkon letërsia e mirë.

    Vepra e Tokarczuk-ut është një pranim i ndërtimit të urës letrare dhe e eksplorimit të kufijve. Ajo ka qenë një psikologe, dhe romani i saj i vitit 2014, “Librat e Jakobit”, zhvillohet në kufirin polako-ukrainas dhe tregon për një udhëheqës fetar hebre të shekullit të 18-të, i cili detyroi hebrenjtë të ktheheshin në katolikë. Në stilin karakteristik të Tokarczuk-ut, ky roman trajton imazhin e polakëve për veten e tyre, si vendi i shtypur moralisht i Europës, duke theksuar ato që Tokarczuk ka përshkruar në një intervistë televizive si “akte të tmerrshme” kolonizimi, të cilat ata i kryenin vetë. Për këtë akt të egër të letërsisë, i cili shkonte kundër narracionit nacionalist të historisë polake, Tokarczuk u shpall menjëherë një tradhtare nga shumë njerëz të së djathtës ekstreme polake. Pastaj filluan kërcënimet me vdekje, të cilat e bënë botuesin e saj polak të punësonte truproja për të.

    Projekti politik i Handke-s në veprën e tij letrare është më i lig, duke ia kushtuar mjeshtërinë e tij errësimit të kategorive morale në atë që një komentues gjerman në vitin 2006 e quajti “një relativizim lozonjar” të përfshirjes morale të serbëve në masakrën e drejtuar nga Milloshevic-i ku humbën jetën gati 200,000 njerëz në Bosnjë. Guximi i tij i solli mbështetje Handke-s në radhët e elitës letrare serbe, dhe censurim nga pothuajse kushdo tjetër (mendimtarja amerikane Susan Sontag, e deklaroi atë “të mbaruar” në New York pasi u vu në skenë “Udhëtimi nga Dugout”).

    Nga ana e tij, Handke e mbrojti veten në një intervistë në 2006 duke thënë se Milloshevic-i “nuk ishte një hero dhe një qenie njerëzore tragjike”, dhe se ai “ishte shkrimtar e jo gjykatës”. Ishte lloji i deklaratës dredharake që mund të bëjë një njeri me talentin e tij të jashtëzakonshëm letrar. Edhe nëse dikush do ta pranonte hipotezën e tij se shkrimtarët nuk kanë kontroll mbi kornizat morale në të cilat vendosin krijimet e tyre imagjinare, kjo nuk e eliminon faktin se kur aleatët perëndimorë filluan bombardimet për të ndaluar masakrën që po vazhdonte, ai shkroi një letër të hapur ku me zemërim i dënonte si “kasapë që falen në altarët e perëndive të luftës”.

    Midis të dyve, Tokarczuk është më e preferuar për çmimet letrare, ndërsa Handke është famëkeq për faktin se çmimet që ka fituar (siç ai Heinrich-Heine), i janë tërhequr mbrapsht. Qëndrimi i tij i lartë ndaj gjërave të tilla është i dukshëm; ai iu përgjigj humbjes së Heinrich-Heine duke thënë se kishte ndërmend ta refuzonte këtë çmim.

    Ndoshta në mënyrë jo të habitshme, edhe pse është ironike tani, Handke në vitin 2014 kërkoi publikisht që Çmimi Nobel për Letërsinë të hiqet për “kanonizim të rremë të letërsisë” dhe dënoi dhënien e tij të rëndomtë si “një moment vëmendjeje dhe gjashtë faqe në gazetë”.

    Mund të përfytyrohet se Handke ndihet ndryshe tani që është kurorëzuar mbret, se ndoshta me gjeninë e tij, po shfajëson politikat e tij keqdashëse, të paktën në sytë e Komitetit të Çmimit Nobel. Mungesa e lidhjes së njërës me tjetrën mund të jetë vërtet racionalizimi i Komitetit të Nobelit që i dha Handkes këtë çmim, por kjo mendësi nuk e mbulon erën e keqe të nderimit të një njeriu i cili ka mbështetur një kriminel lufte me një eulogji. Për të mbrojtur përzgjedhjen e tyre, Mats Malm, sekretari i përhershëm, tha që komiteti zgjodhi mbi bazën letrare dhe estetike dhe se “nuk është në autoritetin e akademisë që të balancojë cilësinë letrare kundrejt konsideratave politike”.

    Faji i akademisë nuk është te limitet e autoritetit të tyre, por te refuzimi i dukshëm për të marrë parasysh faktin se cilësia letrare në vetvete është e lidhur në thelb me konsideratat morale. Është e vërtetë se Komiteti i Nobelit zgjodhi të nderonte një grua këtë vit, ajo që është quajtur “autorja e gjallë më e mirë për të cilën nuk keni dëgjuar kurrë”. Gjithsesi gati duket sikur ata nuk mund ta duronin të nderonin vetëm Tokarczukun, gruan e pesëmbëdhjetë me fat, kundrejt 113 burrave që kanë fituar Çmimin Nobel.

    Puna e Handkes përfaqëson kaq mirë krahun e djathtë të ndarjes politike në Europë, atë që kërkon të rigjallërojë një të shkuar të imagjinuar dhe e percepton të tashmen si një moment viktimizimi duke shkelur të tjerët, gratë, minoritetet dhe veçanërisht emigrantët acarues. Puna e Tokarczukut është një rebelim kundër këtij nacionalizmi kufijsh; libri i saj i vitit 2007, “Fluturimet”, botuar në anglisht në vitin 2017, pasqyron jetët nomade të njerëzve që jetojnë në të tashmen. Zgjedhja e saj nga juria e përhershme e Nobelit duket si një anim kundrejt të majtës që sheh përpara.

    Në refuzimin për të zgjedhur midis Handke dhe Tokarczukut, komiteti u dha të dyve barazi morale të pamerituar. Është një hile nga libri i lojërave të Handkes – 200,000 njerëzit që u vranë në duart e diktatorit serb Slobodan Miloshevic mes viteve 1993-1996, ishin viktima të një lufte të cilën në 2006 Handke e konsideroi si “të tmerrshme nga të gjitha anët”. Edhe pse të gjithë shkrimtarët kanë të drejtë të thonë atë që duan, ajo çfarë ata thonë ka një lidhje të madhe me respektin që u jepet.

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË