Këtë javë u përmbyllën aktivitetet e Javes së Kulturës Evropiane e cila hapi ciklin e Javëve Kulturore. Në vijim, një shkrim mbi historinë mitike të emrit që kontinenti i vjetër mban, origjinën e tij hyjnore dhe natyrën mbinjerëzore që ka me vete që në zanafillë
Europa në mitologjinë e grekëve të lashtë ishte e bija e mbretit fenikas, Agenorit, pas së cilës u dashurua Zeusi. Ai mori formën e një demi të bardhë e të bukur dhe, përkëdhelisht, e grabiti, për të lundruar pastaj, me të në kurriz, në Kretë. Atje Europa pati tre djem nga Zeusi: Minosin, Sarpedonin dhe Radamantis-in. (Graves,1957:187-189)
Nëse për Krijimin e botës kemi një paratekst, motërzimet e të cilit, në pjesën më të madhe të kulturave botërore dhe europiane, i gjejmë të shprehura në mitet e rrëfimet mbi Krijimin; parateksti i prejardhjes së Europës, është miti i përmendur më sipër. Kuptohet, këtu dallohen qartë edhe marrëdhëniet zanafillore: Azia-Europa, fenikasit – kretasit, Lindja – Perëndimi. Greqia e lashtë apo qytetërimi helen, – siç po vendosim ta quajmë, prej nga edhe e kemi marrë mitin përkatës, shumëkulturalizmi i të cilit as që vihet në dyshim, – është produkt jo i të njëjtit mit, por i interpretimit dhe kuptimit të tij.
Në të vërtetë, ajo që sot perceptojmë, në një largësi shumë të madhe kohore nga rrëfimi mitik është rezultat i zhvillimeve të panumërta “…gjeo-ekonomike, gjeo-politike dhe kulturore-religjioze, disa prej të cilave kanë fillimet e tyre në mijëvjeçarët e së shkuarës e të tjerë në të shkuarën e afërt, me ndarje të brendshme të cilat vënë në dukje, si pasojë, krijimin e një kulture të dallimit dhe të shumëllojshmërisë në Europë.” (Rietbergen,1998:Prologue,XVI.)
Peter Rietbergen në Europa: Një histori kulturore ndërsa përligj dhe motivon një identitet historik europian, shtrirjen e emërtimit Europë e nis që në shekullin e shtatë para Krishtit, kohë kur popullsia greqishtfolëse në lindje të Mesdheut filloi të përdorte këtë emër për të treguar një rajon gjeografik – megjithëse të vetëm dhe të papërcaktuar qartë – i cili përfshinte vendbanimin e tyre dhe që ata i referoheshin si “Hellas”. Miti i Europës, sipas tij, i rrëfyer që tek Homeri, (L.14, vv. 312-351) kishte në thelb një kuptim kulturor të gjithë hapësirës gjeografike të paemër më parë. Prandaj, popujt e hershëm e ‘personalizuan’, i dhanë asaj një emër, origjinë duke vijuar kështu, qoftë me përshkrimin e detajuar të familjes, vendin e origjinës, fenikinë aziatike, atin Agenor dhe nënën Telefasa: historinë klasike të rrëmbimit nga Zeusi, kryezoti i perëndive në Olimp, gjë që sugjeronte se bota e grekëve kishte marrë diçka thelbësore nga bota tjetër armiqësore, gjoja barbare e Azisë. (Rietbergen,2021:Prologue,XXV.)
Një gjë tjetër që na “zbulon” miti është se Perëndimi dhe Lindja nuk duhen parë të ndarë në kulturë dhe në përfytyrim. Vetë miti i Europës si bijë e Azisë, që grabitet nga Zeusi dhe sillet në Kretë, (Roman, Luke&Monica. 2009:167) paraqet një vazhdimësi dhe lidhje. Për më tepër, historikisht që në fillimet, njihen lëvizjet e popujve, zhvendosjet dhe përtakimet, të cilat kanë shënuar jo pak në shumëkulturalizmin, si edhe mbivendosjen dhe nuancimin e kulturës perëndimore me atë lindore.
Studimet kanë treguar se Europa ishte fillimisht një perëndeshë e hënës së Kretës, duke ruajtur edhe këtu cilësitë e kulturës prej nga vinte. Madje ajo u përfshi në mitologjinë greke pikërisht si një princeshë e virgjër fenikase. Prej këndej miti i Europës mund të lexohet sot si tregues i ndikimit që popujt e kulturat e Lindjes së Mesme, përfshi edhe qytetërimin mesopotamas, patën fillimisht në qytetërimin helen dhe më pas në kulturën kontinentit të ri. Përgjithësisht theksohet se kjo kulturë nuk është përvetësuar apo pranuar, nga grekët e lashtë, por disa ide kanë pasur një ndikim të madh në këtë qytetërim. (Leeming, 2004: 199)
…ajo që tregohet nëpërmjet këtij hulumtimi të paraleleve,- shkruan Charles Penglase, –është se në himnet homerike dhe në veprat e Hesiodit, të cilat, përgjithësisht, i përkasin epokës së hershme arkaike, ekziston ndikimi i gjerë nga Mesopotamia. Ndikimi duket së është i natyrës thelbësore, përderisa idetë dhe motivet janë baza për pjesën më të madhe të ngjarjeve e veprimeve të zotave në mite. Ajo që vihet re nga studimi i këtyre pjesëve të letërsisë është se grekët duhet të kenë pasur një dije të brendshme të shumë ideve dhe koncepteve qëndrore të mitologjisë mesopotamase si edhe të motiveve që e shprehin atë. (Penglase, 2005: 199)
Martin. L. West-i në librin e tij Pjesa lindore e Helikonit, ndërsa synon të sjellë një studim mbi origjinat dhe zhvillimin e traditës së epikës greke,(West, 1997:2) përfshi edhe Homerin dhe poezinë parahomerike, i ndalur gjithashtu si edhe Ch. Penglase, tek tradita poetike arkaike, vëren se kulturat e Egjeut dhe ato të Azisë perëndimore, patën një ndikim të konsiderueshëm në traditën poetike të grekëve të lashtë. (West, 1997: 1, 2) Po ky autor, më herët, në botimin special të Teogonisë së Hesiodit (1966), kish pohuar se:
Greqia është pjesë e Azisë; letërsia greke është një letërsi e Lindjes së Mesme. (Powell, 2000:31)
Duke pohuar ndërmjet kësaj se miti i Europës si bijë e Azisë, në ndërliksjen e tij simboliko-mitike shtresëzon edhe ndikimin e fuqishëm kulturor në origjinë të tij.
Një variant mitik i Europës, shtyhet më tej, ai thellohet edhe më në përligjien e këtij rrëmbimi dhe emërtimit të tokave në skajin perëndimor të Azisë, duke pasur kujdes të vërë në dukje, se lidhjen e Zeusit me Europën, Hera, bashkëshortja dhe motra idhnake e Zeusit, nuk e mësoi kurrë, prandaj edhe mbi bijën e grabitur fenikase nuk ra mallkim as dënim i saj, e për rrjedhojë, Europa vetë dhe të bijtë do të bëjnë një jetë të patrazuar prej saj e do të ndjekin rrugëtimin e tyre në qytetërimin e ri, që pat atë si nënë.
Rrëfimi mitik këtu ndalet tek nata para rrëmbimit, tek një ëndërr fatthënëse që vetë princesha fenikase, Europë, pa. Në ëndërr shfaqen dy kontinente, që kishin marrë formën e grave po grindeshin për të. Asia, një kontinent me emër, histori e bëma heronjsh thoshte se meqenëse princesha fenikase Europë kishte lindur në Azi, ajo i përkiste asaj. Por kontinenti tjetër, pa emër atëherë, i përgjigjet se lindja e vajzës nuk ishte e rëndësishme dhe se qe Zeusi ai që do t’i jepte Europën gruas pa emër.
Zgjimi i ankthshëm i vajzës së re në orët e para të mëngjesit, sepse pas një ëndrre të tillë gjumi arratiset; pritja, e pastaj me të zbardhur dita; thirrja e shoqeve – bija vërsinike fisnikësh të vendit – për të shkuar buzë detit në Sidon dhe për të mbledhur lule, në atë ditë aq të bukur; ardhja pastaj e një demi të bardhë, erëmirë e të bukur, që të joshte ta përkëdhelje, është e ditur për ne nga variante të tjera mitike. Ato janë preludi i një rrëmbimi mitik, të cilit ia dimë vazhdimin. Vetë Zeusi kur e zbret në Kretë, vend ku ishte rritur, do ta qetësojë vajzën e rrëmbyer e të tmerruar duke i dhënë dhurata dhe premtuar se do ta bëjë nënë të djemve të famshëm.
Në fillim Homeri, do të përmendë në Iliadë bijtë e famshëm të saj, pastaj Hesiodi, Herodoti, Euripidi, Apollodori, Ovidi e të tjerë do të jenë rrugëtimi letrar i përfytyrimit mitik deri në ditët tona. Kortezhi me Nereidët hipur mbi delfinë, Tritoni që i bie borisë dhe Poseidoni shoqërues i lundrimit/fluturim në shpinë të demit/shqiponjë vijojnë të ilustrojnë ende sot një histori rrëmbimi të vajzës-nuse, për në pallatin e një burri hijerëndë olimpik. (Graves 1957: 189)
Kjo endje mitike rrëmbimesh dhe sidomos ëndrra e Europës na tregojnë jo vetëm një tronditje vajzërore për pritjen e princit fatlum, histori mëtuesish që trokasin në derën e mbretit Agenor, për bijën fytyrëbardhë e rrezatuese, por rivalitete mbretërish, lëvizje popujsh, prirje për zotërime tokash të reja dhe sidomos, vështrimin e vajzës, gruas si plaçkë. Vetë kontinenti pa emër, të cilin Europa do të emërtojë në përfytyrimin e tij mitik nuk kishte një zot olimpik si Zeusi a Kronosi.
Në fakt, “Europa e lashtë (apo toka pa emër në skajin perëndimor të Azisë) nuk kishte zota, perëndesha e madhe shihej si e pavdekshme, e pandryshueshme, e gjithëfuqishme, prej nga, koncepti i atësisë, nuk kishte vend në mendimin e tyre fetar. Ajo kishte të dashur, por për qëllime kënaqësie dhe jo për të sjellë në jetë fëmijë me atë at. Burrat i frikësoheshin, e adhuronin dhe i bindeshin matriarkes; vatrës që ajo drejtonte në një shpellë ose kasolle, duke qenë qendra e tyre më e hershme dhe mëmësia, misteri i tyre i parë.” (Graves.1957:8)
Nga fenikasit erdhi Europa, e bija e Agenorit, mbretit fenikas. Miti i Europës, përveçse flet për një bijë të Lindjes, është në vetvete një mit lindor dhe si i tillë nuk është lindor vetëm në veprimin e heronjve mitikë, por edhe në gjuhën e tij simboliko-mitike, në kulturën që ngulmon të na transmetojë. Kështu, Robert Graves në veprën e tij “Mitet greke” (1957) vëren se emri Europë do të thotë “fytyrë e gjerë” dhe është sinonim i hënës së plotë: ai është titull i perëndeshës së hënës, Demetrës, në Lebadeia dhe ai i Astrates në Sidon. Një kuptim tjetër i saj është “e mirëujitur”, kuptim që lidhet me ritet e pjellorisë në muajin e pestë, maj dhe, prapë nënkupton, hënën e plotë. (Graves.1957:188)
Sipas rrëfimit mitik, ajo bartet në shpinë të një demi (Zeusit), prapë edhe ky një kult lindor. Gerold Dommermuth-Gudrich në veprën e tij “Mitet më të famshme të lashtësisë “ (2006) duke iu referuar mitit të Europës vëren se “Historia e rrëmbimit të Europës është në vetvete një legjendë lindore dhe Europa është mishërimi i Ishtarit, Astarates, perëndeshë e dashurisë babilonase-siriane, që grekët e përqasën me Afroditën.” (Dommermuth-Gudrich,2006:110)
Europa, bija e Agenorit, mbretit fenikas, e mbartur në kurrizin e demit-Zeus për në Kretë, do t’i japë jetë tre bijve të saj, nipër fenikas: Radamantisit, Sarpendonit dhe Minosit.
Vetë Rhadamantis sipas rrëfimeve do të jetë ligjshkruesi i Kretës, mençuria dhe urtësia e të cili i jep atij të drejtën për t’u ulur si gjykatës i shpirtrave në nënbotë, së bashku me Minosin dhe Aekun. (Yves Bonnefoy, 1992: 210)Biri tjetër,Minosi do të pasojë Asteriusin si mbret i Kretës, atin birësues të tyre. Minosi njihet në historitë mitike, jo vetëm për urtësinë dhe drejtësinë, por edhe për armiqësinë ndaj athinasve, mbretin Egeus të së cilës e fajësonte për vrasjen e djalit, Androgeus. Armiqësia mbërrin deri aty sa pas pushtimit të Athinës ai do të kërkojë që shtatë të rinj dhe shtatë vajza të dërgoheshin në Kretë çdo vit (ose çdo nëntë vjet) për t’iu dorëzuar si fli Minotaurit. Minosi do të jetë ai që burgosi Dedalusin dhe të birin në labirint dhe po ai i tërbuar nga arratisja e heroit do ta kërkojë këtë në gjithë Mesdheun. E njohur është edhe vdekja e tij nga Dedalusi, i cili do ta vrasë, duke derdhur ujë të përvëluar ose katran mbi të, ndërsa ai shtrihej në banjën e përgaditur për të. Zeusi megjithatë, me gjithë egërsinë që shoqëroi veprimet e tij tokësore e bëri Minosin një nga tre gjykatësit e shpirtrave në Tartar, duke mbajtur fjalën e dhënë princeshës së rrëmbyer, nënës së tij. Në disa versione mitologjike, koka e Minosit, që thuhet se vepronte si një orakull, u dërgua në Skandinavi nga perëndia norvegjeze, Odin, duke lidhur ndikimin kretan me popullsitë në veri të kontinentit që mban emrin e nënës së tij. (Coleman, 2007:702) Sarpedonidjali i madh i Europës me Zeusin, at i Evanderit, nuk do të jetë aq i famshëm sa Minosi, as bëmat e tij megjithëse të njohura në historitë mitologjike nuk do të kenë zë. Nga sa na thonë rrëfimet mitike ai është humbës nga përplasja me vëllanë më të vogël Minos dhe u dëbua nga Kreta. E dhëna tjetër se pasi kësaj grindjeje dhe dëbimi ai pushtoi dhe u bë mbret i asaj që më vonë u quajt Licia, dëshmon të paktën pjesërisht se karakteri i kësaj grindjeje, ka në qendër pushtetin dhe zotërimin. Thuhej se ai për tre breza jetoi në formën e një gjarpri dhe ishte i nderuar në disa faltore. (Coleman, 2007:908) Fakt mitik i cili e lidh Sarpedonin me përfytyrimin mitik të popullsisë parahelene dhe vetë heroin e kthen në kthonius, të tokës.
Nga fenikasit, europianët nuk morën vetëm mitin e Europës. Në fillim kretasit, pastaj mikenët, morën nga ata edhe shkrimin, i cili qe një hap shumë i madh në qytetërimin që trashëgojmë.
Vëllezërit Kadëm, Fenix, Siliks, Thasus dhe Pineus, bij të Agenorit dhe vëllezër të Europës, të nisur fill pas grabitjes së saj, në tokat e panjohura, në skaj të Azisë, për ta gjetur dhe kthyer motrën e grabitur, do të ndalen në Tebë, Libi, Sicili, në Thynia, (një gadishull që ndan Detin e Marmara nga Deti i Zi), Thasus dhe ndjekësit e tij, duke bërë fillimisht për Olimpia, i kushtuan një statujë bronzi atje Herakliut Tyrian duke mbajtur një shkop dhe një hark, por më pas u nisën për të kolonizuar ishullin e Thasos dhe për të punuar minierat e tij të pasura të arit, ku do t’i japin jetë qytetërimesh të reja, më i mirënjohuri nga të cilët është Kadmi dhe Teba qyteti që ai themeloi. Po t’i referohemi David Sacks në zërin për Tebën për Enciklopedinë e Botës së Lashtë Greke, ai shkruan:
“Teba, (nga greqishtja: Thēbai). Ky qytet i madh i qendrës së Greqisë është i vendosur në rrafshirën lindore të Beotisë. Teba shtatëportash gëzon toka të gjera bujqësore dhe kontrollon rrugët tokësore të veriut dhe të jugut. Tani qyteti i lashtë i fortesës qendrore, Cadmea (i emërtuar sipas themeluesit legjendar të Tebës, mbretit Kadëm) shtrihet i varrosur direkt nën qytetin modern grek të Thivai-t. Teba ndodhet në pjesën kontinentale të Greqisë, në një territor që ndan Atikën nga Beotia.” (Sacks. 2005: 340)
Vetë Kadmi, – sipas Herodotit – është sjellësi i alfabetit fenikas grekëve. Ndërkohë, një studiues i mëvonshëm, Steven R. Fischer, në “Një histori e shkrimit”, – gjithnjë duke iu referuar Herodotit – shton se:
“Fenikasit, që erdhën me Kadmin,’në shekullin e pestë p.e.s., princit legjendar fenikas të Tyre-s dhe vëlla i Europës, ‘(…) përhapën në Greqi, pas vendosjes së tyre në vend, një numër mjeshtërish, prej të cilave më e rëndësishmja është ajo e shkrimit, art i cili, besoj, ka qenë i panjohur në Greqi deri atëherë.” (Fischer. 2001: 121)
Kadmi na intereson edhe për diçka tjetër. Nëse Sarpedonin e përmendëm për një simbolikë mitike, mbijetojë e gjallë ende sot në territorin ballkanik, atë të gjarprit. Kadmi është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë figurë që e plotëson dhe karakterizon edhe shndërrimin e këtij të fundit nga të ardhur, në kthonius (vendas). Kadmi do të shndërrohet në tokat Ilire në Iliri, në gjarpër bashkë me të shoqen Harmoninë. Vetë Iliri, biri i Kadmit do të përshkruhet nga dokumentetet mitike si gjarpër.
Prej këtyre historive dhe interpretimeve mitike më vonë, Athina dhe Roma, janë qendrat politike dhe administrative të një qytetërimi shumëkulturor, i cili farat i hodhi në Kretë dhe në Tebë.
Përveç historive mitike që formësojnë ende sot folklorin e përfytyrimin europian, edhe emërtimi Europë, gjatë më shumë se 2,500 viteve të fundit, filloi të shtrihej gjithnjë e më shumë në të gjitha rajonet në veri dhe në perëndim të ‹Helladës’, duke përshkruar të gjithë pjesën perëndimore të tokës Euroaziatike. Në të vërtetë, ndonëse nga pikëpamja gjeografike, Europa nuk ishte një kontinent, ai u prezantua si i tillë – si një botë me një identitet specifik. Sepse banorët e tij “mbushnin” kontinentin e tyre me përmbajtje, me nocione për kulturën e tyre, megjithëse këto nocione ndryshuan e vazhdojnë të ndryshojnë. Sepse çdo identitet, qoftë personal apo kolektiv, formësohet nga kontrastet me personat apo grupet e tjera kulturore në Europë. Nëse marrëdhënia me këta persona ose grupe ndryshon, identitetet e tyre, në mënyrë të pashmangshme, do të ndryshojnë. Për ta thënë ndryshe, çdo identitet është më i rrjedhshëm dhe jo i fiksuar: një ndërtim që përshtatet me konstelacionin ku ai ekziston. (Heinrich, 2018: 105-10)
Mirëpo, për lexuesin e sotëm ka rëndësi, të dimë nëpërmjet të dhënash rolin e rëndësishëm që patën në këtë kohë Kreta dhe Teba, jo si histori mitike, por si qytetërime e kulturë paraprijëse të qytetërimit helen e atij romak. Gjithmonë duke iu referuar David Sacks theksojmë se:
“Pjesërisht, në sajë të një pozite mbizotëruese, në rrugët detare që lidhin Egjeun me botët egjiptiane dhe ato të Lindjes së Mesme, në fund të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. Kreta i dha jetë kulturës së Epokës së ndritshme të Bronzit, qytetërimit minoan. Minoanët nuk ishin grekë, por përfillen si ata që shënuan nisjen e parahistorisë greke, përderisa ndikuan fort në daljen në kontinent të qytetërimit minoan grek.” (Sacks. 2005: 93-94).
Bashkë me fqinjët dhe rivalët e saj Teba Orkomenos, duket se ka qenë e dalluar ndër shekujt më të hershëm të qytetërimit miken, rreth viteve 1600-1350 p.e.s. Gërmimet arkeologjike në Tebë, të penguar nga nga pjesa moderne e qytetit, kanë shfaqur pjesë të një pallati miken ashtu si edhe pllaka të shkrimit linear B, se edhe gurë vule të Lindjes së Mesme (të cilat mund t’i shtojnë besueshmërinë legjendës që mbreti Kadëm, fillimisht erdhi nga Levant-i). (Sacks. 2005: 340)
Kështu, nëse miti i origjinës së Europës tregonte lidhjen e kulturës europiane me qytetërime më të hershme të Azisë Perëndimore, por edhe të Afrikës Veriore, në rradhë të parë, qasja ndaj tyre si mitologji dhe kulturë poetike, tashmë në qytetërimin e ri, është pjesë e një vazhdimësie.
Kështu, përtej përcaktimit të saj gjeografik, bota me emrin Europa është rezultat i shpresave të njerëzve për një botë humane dhe nëpërmjet atyre shpresave, që janë shprehur në mënyrë metaforike në imazhe dhe fjalë që kodojnë koncepte dhe emocione, është bërë, në një farë mënyre, realitet: Europa nuk është një hapësirë e përcaktuar, por një hapësirë që e ka përcaktuar veten. (Brague, 1992:187) Prandaj, Europa tani është një lidhje pak a shumë e ndjerë e fortë mes atyre që jetojnë në të. Ajo është e vendosur në atë sferë tensioni që lidh ëndrrën me veprën, të menduarit me të bërët. (Rietbergen, 2021: Prologue, XXV.)
Literatura:
(Ed.), Yves Bonnefoy (1992). Greek and Egyptian Mythologies. Chicago: Chicago Press.
Coleman, J. A. (2007). The Dictionary of Mythology, An A-Z of Themes, Legends and Heroes. London: Arcturus.
Leeming, D. A. (2004). Jealous gods and chosen people: the mythology of the Middle East. New York: Oxford University Press.
Leeming, D. A. (2010). The Creation Myths of the World, An Encyclopedia, LLC (second edition ed., Vol. II). ABC-CLIO.
March, J. R. (2015). Dictionary of Classical Mythology. Oxford & Philadelphia: Oxbow books.
Penglase, C. (2005). Greek Myths and Mesopotamia: Parallels and Influence in the Homeric Hymns and Hesiod. New York: Routledge, Taylor & Francis e-Library.
Powell, B. (2000). Review on M. L. West, The East Face of Helicon. West Asiatic Elements in Greek Poetry. Oxford: Bryn Mawr Classical Review.
West, M. (1997). The East Face of Helicon. West Asiatic Elements in Greek Poetry and Myth. Oxford: Clarendon Press.
Graves, Robert. The Greek Myths, Volumes 1-2, London, Penguin, 1957.
Rietbergen, Peter. Europe: A Cultural History, Routledge, London, 2021. Nga Prologue, f. XVI.
Roman, Luke. Roman, Monica. Encyclopedia of Greek and Roman Mythology, Fact on File, N.Y. 2009.
Dommermuth-Gudrich, Gerold: 50 të pashmangshmit: Mitet më të famshmet e lashtësisë, përktheu Nasi Lera, botimet “Max”, Spektër, Tiranë, 2006.
Sacks, David. Encyclopedia of the Ancient Greek World, Revised Edition, Fact on File, N.Y. 2005.
Fischer, Steven Roger. A History of Writing, Reaction Books, London, 2001.
N. Heinrich, Ce que n’est pas l’identité, Paris 2018.
R. Brague, Europe: la voie romaine, Paris 1992.