More
    KreuLetërsiBibliotekë"Burgu i zemrës", poezi nga Timo Flloko

    “Burgu i zemrës”, poezi nga Timo Flloko

    1.

    Ra një yll

                          V-së

    Endem në univers, nëpër yjësi…
    përtej fantazisë.
    Në mend të kam ty.
    Zbres në Hënë,
    te Det’ i Qetësisë
    atje një shenjë lë,
    për hir të dashurisë,
    inicialin tënd “V”,
    që koha kurrë s’e fshin.

    (E di ti të fshehtën: Erë në Hënë s’fryn.) 

    E pazakontë duket, sublime…
    Në Hënë, si në ëndërr, 
    ngadalësohet ritmi i fluturimit. 
    Sendet e humbasin peshën, 
    por jo esencën.

    Ëndrra, si një balonë ajri, 
    më merr në largësi…

    Endem qiellit si eremit,
    gjashtë herë më i lehtë se trupi im, 
    i çliruar nga rëndesa e vetes,
    nga çdo paradigmë.
    Dashuria përherë enigmë,
    gravitacion biblik.
    E di nga Ajnshtajni, ekuacioni magjik: V-ja afron dy skaje në një pikë 
    dhe i çon ato në infinit.

    Nga shkëlqimi i përkohtë një meteor u fik. 
    Teksa shkrihet në rënie, terri e përpin.
    E fal trupin, jo dritën e tij!

    Mendoj për ty.
    Nesër, sa të lindë dielli, 
    krahët të m’i shkrijë,
    si meteor, në s’u djegsha, 
    a mbetsha qiellit varur, 
    do të vij.
    Në ekuinoks.

    prej largësisë ekuivalente mes nesh, 
    në ditën baras me natën,
    nga koha kur ishim aq larg 
    dhe po aq pafundësisht afër.

    Largësisë dashuria humb, 
    nëse s’mbërrin në fund.
    (Për dashurinë, në këtë botë, 
    Sa pak është një jetë, o Zot!)

    Të kujtohet?
    Ekuinoks… ‘81,
    21 mars.
    Në kohën pas, 
    Si oazë.


    2.

    Loti

    U këput një lot,
    Ra syrit rrëke,
    U rrit u bë lumë 
    Dhe u derdh në det.

    Nga dhimbja në shpirt, 
    Pa fund e pa anë, 
    Lumi u bë det,
    Deti oqean.


    3.

    Lejleku misterioz

    (Kujtimit të nënës)

    Kur pyeta njëherë nënën si erdha në botë, 
    “Të ka sjellë, – më tha, – mbi krahë një lejlek”. 
    Shtegtar ëndërrova të bëhem atëherë, 
    Udhën e lejlekëve qiejve të ndjek.

    I parritur ende s’e rrokja kuptimin,
    Qiellor të jem, bëja habi me vete, 
    Mbi krahë shpendi ardhur se nga ku, Ndoshta nga hiçi, përtej kësaj jete.

    Në zgrip të gjumit një natë beft u çova, 
    U nisa për rrugë misterin të prek,
    Të fshehtën të zbuloj, folenë misterioze, 
    Nga ku më kish sjellë në jetë ai lejlek.

    Humbi sensi i kohës, kufijtë, largësitë, U enda botës, m’u duk sa për dy jetë,
    Por kurrë nuk e gjeta ku fshihej enigma, 
    Miti i krijimit, Grali im i Shenjtë..!

    Largësitë braktisa, endjet horizontesh,
    Kur shpresat i humba, m’u shfaq një vegim, 
    Ai imazh hyjnor që më pat thënë nëna, 
    Lejleku shtegtar qiejve në kthim…-

    Në kulm të natës më çuçuriti në veshë,
    Disa fjalë të një gjuhe që s’kuptohej lehtë, 
    Mbi krahë të solla, me krahë po të marr, 
    Si shpirtra njerëzit, vijn’-e-ikin në jetë!


    4.

    Manekinet

    Nëpër vitrina pozojnë manekinet. Syshkruara,
    të brishta,
    sensuale,
    të trishta,
    qafëgjata si pata.
    Seksit i bëjnë fetish! 
    Oh, Krisht!

    Të përkryera,
    pa moshë,
    as plaken as vdesin. 
    Nuk e përfillin as e shpërfillin, 
    virtytin dhe vesin.
    S’njohin braktisje, 
    ndarja s’u dhimbset. 
    Detit të shpresave
    as notojnë as mbyten.
    Sajohen, stolisen, vitrinash veniten. Hidhen e priten, eshtrat s’u vriten.

    (Për statistikë, 
    në jo pak raste,
    Adhuruesë të marrë,
    Për to kryejnë vetvrasje).

    E ftohta manekinë që feks në vitrinë, 
    Unë s’mund të të ngjall, të të jap frymë.
    Ik nga ky burg, ti s’je një robinë, 
    Shtegëto, dashuro… jeto lirinë!

    Por zemër ti s’ke, bukuri e ngrirë, ndryshe do të kërceje, 
    do merrje arratinë, 
    pozat do braktisje, për t’u ndier femër, sikur copë ta bëje, 
    xhamin dhe zemrën.


    5.

    Xhelozi e detit

    Det, sa duheshim atëherë,
    Kurrë s’e kuptova 
    pse më ngrije kurth 
    kur zhytesha thellë teje,
    me dallgë përpirëse në furtunë frymën ma merrje, 
    pastaj bregut më përkëdhelje,
    me ledha valësh më dehje.
    S’munde dot, për hir të së vërtetës,
    të ma merrje jetën, se t’i dija hiletë.

    Në vite nga ajo kohë u ftohëm, 
    si dy dashnorë të largët mbetëm, 
    kufij vendosëm mes njëri-tjetrit 
    dhe u ndamë heshtur.

    Mbrëmë, për inate të vjetra, meskine, fundose një imazh në bregun e syve, gjithë fotot e kaltërsive i përpive, 
    i fshehe, i fshive…
    inatçor, me dallgë zemërimi
    ndaj qiellit plot yje.

    Ti s’e ndien fajin, hakmarrjen primitive,
    por unë kam një vend të shenjtë në zemër ku i ruaj kujtimet. 
    Sa të bjerë stuhia, do të vish në vete.
    Ti m’i mbylle përngaherë portat e të fshehtave.
    (Kurrë nuk e mendoja se ajo urrejtja jote ataviste, dashurinë do ta vriste.)

    Si i harrove netët
    kur sytë i mbyllja si i verbër,
    shpërfillja yjet feksës, mahnitës mbi vete, 
    gjithësinë,
    teksa shihja poshtë, i harruar, thellësitë?
    Ty ta falja, det, jo qiellit, dashurinë. 

    E fundit fjalë:
    Kush dashuron fal, 
    unë prapë të dua.
    Xhelozia vret,
    kush dashuron vuan.


    6.

    Miqtë

    Falini gjithmonë armiqtë. Asgjë s’i mërzit më shumë.
    Mark Twain

    Kot e ke, më tha vetëdija, 
    Njerëzit s’janë përherë miq, 
    Ti pandeh se ata të duan, 
    Por, në fakt, i ke armiq.

    I them vetes, pse, s’kanë shkak, S’kam pushtet, as ofiq,
    Nuk urrej askënd në jetë, 
    S’ndaj të mirë dhe të ligj.

    S’ka të bëjë, ata s’të duan, 
    Udhës shko, pas mos i ndiq. 
    (Dashuri ti s’fal, thotë Krishti, 
    Po s’i deshe dhe armiqtë!)

    S’është çudi, në këtë jetë 
    Mes armiqsh ka të tillë “miq” 
    Helm i egos i ngërthen
    Dhe i bën, oh, sa të ligj!

    Mos u lig, mos u mpak, 
    Thotë vetvetja, je një hiç, 
    I pavlerë në këtë botë, 
    Po nuk pate dhe “armiq”.

    Veç një jetë, njerëz, kemi,
    Si të mirë edhe të ligj,
    Në pusí një ditë në rënça,
    Mos qoftë thënë ta kem nga miqtë!


    7.

    Bisedë me Ajnshtajnin

    Pse nguten njerëzit në jetë pa pushim
    kur i pret fundi fatal?
    A ka formulë që kohën ta zgjasë,
    ta kthejë mbrapsht, 
    ta ngrijë e ta ndalë? 
    Përgjigjja e Ajnshtajnit, 
    profetike, 
    e saktë,
    si një lëvizje në shah,
    pyetjes time pa takt, 
    shpërfillshëm i bën mat:

    “Lëvizja kohën zgjat!”

    Pyes veten:
    Ka një kufi shkenca,… 
    sensi i saj, fuqia,
    teksa … Ajnshtajni thotë:
     “Imagjinata është më sublime se dija.”?!

    Ndoshta, më kot, nga dobësia,
    pasiguria në vete,
    rrekem të kuptoj ç’fsheh sekreti,
    koncepti vrasës
    i relativitetit:
    Kjo jetë e brishtë, e përkohtë,
    e shkurtër si një shi veror, 
    një ditë ndal, si gjethi këputet,
    (Për shpëtim as Zoti s’na i dëgjon lutjet.. )
    Pse vdekja mizore
    të jetë e përhershme, 
    kur relative është çdo gjë absolute?

    Duket se Ajnshtajni, këtu m’i mbyll shtigjet,
    I ngurosur në mur, hesht e s’jep përgjigje.
    Ç’të thotë tek e fundit,
    S’mund të flasë së koti,
    Jeta, përjetësia,
    Janë domen i zotit!


    8.

    Burgu i zemrës

    Për rebelim e burgosën zemrën,
    Jo në Alkatras, as në kështjellën If a të Uindsorit,
    Ngase rrihte fort dhe ishte e paepur,
    E mbyllën në burgun e kraharorit.
     
    E ngujuan në asht, pas eshtrash me jetë,
    Me burgim të përjetshëm e dënuan,
    Në tortura e vunë, nga më mesjetaret,
    Por rrahjet dhe zjarrin dot nuk ia shuan.


    9.

    Treni imagjinar

    Sa herë matem me kohën që rend,
    në çdo rast ndihem i humbur.
    S’i kam jetuar, i kam shpenzuar më kot, 
    mijëra ditë e net të ikura,
    nga shkujdesja, në të shkuarën…

    Shpesh
    më bëhet në ëndërr se pres,
    në një stacion të shkretë
    një tren imagjinar,
    për kthim në të shkuarën.

    Sado që rend të mos humb një sekondë, 
    përherë mbërrij vonë,
    tepër vonë, në stacion.
    Por s’e humb shpresën, pres. 
    Një tren tjetër do të vijë, 
    treni i fundit me ndalesë,
    që mbledh të vonuarit.

    S’dua ta humb atë tren, 
    i vetëm të mbes,
    si Mohikani i fundit, 
    në mes të askundit…

    Ndoshta, më mirë të harrohesh, shkujdesur,
    në pakohë,
    nëpër vagonë vitesh, 
    pa e ditur
    se në ç’stacion të largët 
    ndal treni që ke pritur…


    10.

    Shkallë për qiell

    Ngrita sytë, qiellin pashë,
    Ku është skaji i tij, thashë.
    A i soset fundi vallë?
    Ndoshta duhen shpikur shkallë.
    Të padukshme, pa dyshim,
    Shkallë që zgjaten pambarim,
    Që takojnë fund e fillim,
    Prej këtej në askund,
    Gjithësisë pa anë e fund.
     
    Fantazova të shkoj larg,
    Botën poshtë ta shoh nga lart,
    Gjithë ç’pata pas ta lë,  
    Historitë një nga një,
    Dashuritë pa shpirt në të,
    Miq, të afërt që s’janë më,
    Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë.
     
    Sa ngjita shkallën e parë,
    Ndjeva frikë, të jem i marrë?
    N’atë udhë katrahurë,
    Humb përjetë, s’kthehesh kurrë.
    Nëse ndodh atje të mbes,
    Zbrazëtisë, në univers,
    Fillikat e i pashpresë,
    Kush kujtohet të më presë?
    Nëna la një det me lot,
    Iku herët nga kjo botë.
    (Kthehem s’kthehem, çfarë pastaj,
    Fatin tim mbi shpinë e mbaj)
     
    U enda vite të tërë,
    Jeta – një kështjellë në rërë.  
    Në çdo skaj me stërmund,
    Fundin prekja por s’kish fund,
    Ishte fund sa ish fillim,
    Hapësirës pa mbarim.

    (S’ka fillim as fund ky bosh,
    Nis e sos ku ta mendosh.)

                            *
    Rrugëtova aq kohë qiellit,
    Mend sa preka yjet, diellin.
    Rënie ngjitje na shkon jeta, 
    Që nga lindja gjer te vdekja.

                            *
    Mbërrin koha që të zbres,
    Yjet fikur një mëngjes…

    Këmbën ula kur, për djall,
    Mend u vara, s’kishte shkallë (!)
    Udha çonte veç për lart
    (Kurth qiellor, thirra në çart).
    Pas në tokë kthim s’kish më,
    Shkallët shpinin në mosgjë,
    Me shigjetën Udhë pa Kthim,
    Gjithësisë pa mbarim,

    Zbrazëtisë së askundit,
    Shkalla ime ish e fundit.
     
    Por u zgjova atë çast,
    Çfarë vjen pas, ska përmasë,
    Askund qiellit s’është e shkruar,
    Portë e hyrjes në parajsë.

    Kurrë s’e dimë se ç’të fshehta, 
    Na i ngre fati më pas..!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË