Vazhdon paraqitja e veprës së Besnik Mustafajt në arabisht. Ditët e fundit u botua edhe eseja e tij e mirënjohur “Midis krimeve dhe mirazheve”. Kjo është vepra e katërt e Mustafajt në këtë gjuhë të madhe të kulturës së njerëzimit. Libri është përkthyer nga origjinali shqip nga Profesor Muhamed Mufaku dhe është botuar nga Alaan Publishers, një shtëpi botuese arabe shumë e njohur, me seli në Amman, Jordani, dhe shpërndarje të gjerë, në mbarë botën arabe. Qysh në fillim të daljes së tij nga shtypi, botimi është paraqitur në disa nga panairet më të mëdha të librit në Lindjen e Mesme. Këto ditë ai është i ekspozuar në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Doha.
Me këtë botim, Alaan Publishers i rikthehet letërsisë së Besnik Mustafaj. Ai është botuesi i parë i shkrimtarit shqiptar në gjuhën arabe. Alaan Publishers ka botuar, në vitin 2021, një tjetër vepër të shkrimtarit tonë, romanin “Një sagë e vogël”, edhe ai i përkthyer nga origjinali shqip. Në fakt, romani “Një sagë e vogël” shënon edhe tërheqjen e vëmendjes së botës kulturore arabe, të kritikës dhe lexuesit ndaj veprës letrare të Besnik Mustafajt. Në vazhdim, te botues të tjerë, janë përkthyer edhe romanet “Daullja prej letre” dhe “Në emër të nënës e të birit”. Këto dy romane janë përkthyer nga frëngjishtja.
Arabishtja është gjuha e pestë, në të cilën përkthehet dhe botohet eseja “Midis krimeve dhe mirazheve”. Më parë është përkthyer në frëngjisht, në gjermanisht, në italisht dhe në turqisht, te botues nga më të rëndësishmit në këto gjuhë. Në shqip, e shoqëruar me një parathënie nga Sali Berisha, kjo ese gjendet e botuar tek “Onufri”.