SONET
Natyra është një tempull me kolona të gjalla
që të lënë ngandonjëherë diç të belbëzosh.
Aty kalon njeriu në pyjet e simboleve
të cilat e shikojnë, me sy familjar.
Si ekot e gjata që nga larg përzihen
në një unitet të errët dhe po aq të thellë,
gjerë sa nata, qartë si dita,
njëri-tjetrit i përgjigjen
parfumet, ngjyrat, tingujt.
Ka parfume të freskëta, si mish i njomë fëmije,
Të buta si obojë, jeshile si preritë,
– të tjerë – të korruptuar, të pasur, triumfues,
që kanë ekspansionin mbi gjëra të pafundme,
ashtu si rrëshirnat, myshqet, temjanet balsamike,
që këndojnë përçimin e shpitit, prej fryme.
ARMIKU
Rinia ime nuk qe, veç një shtrëngatë tenebr
përshkuar tej e tej me diamante diejsh.
Rrufe dhe shi, aty kanë bërë kërdi…
E pak kokrra të kuqe lanë në kopshtin tim.
Ja ku sapo preka vjeshtën e ideve
që i duhet të përdorë shatën dhe lopatën
për të rimbledhur tokat e përmbytura…
ku uji gërryen gropa të mëdha, si varre.
Dhe kush e di, lulet e reja që ëndërroj
a do të gjejnë dot vallë, në këtë lug të larë dheu,
mistkën ushqyese, që t’u japë fuqi?
O dhimbje, o dhimbje! Koha i ha jetët –
rritet, forcohet, armiku obskur
që na bren zemrën e gjakut që humbasim.
MACJA
Eja, macja ime e bekuar,
mbi zemrën time të dashuruar –
mblidhi kthetrat e putrave të tua
e më lër të zhytem në sytë e tu të bukur
me metal dhe me agatë të shkruar.
Ndërsa ta gëdhel kokën dhe shpinën e epërme
me gishtërinj, në kohë të lirë,
dora ime dehet kënaqësie
duke zbuluar trupin tënd, elektrik.
Shoh femrën time në shpirtin tënd – vështrimi i saj
si yti – bishë e bukur –
i thellë dhe i ftohtë, goditës e ndarës, si shigjetë.
Dhe nga këmbët deri te koka
shikimi subtil, i një parfumi të rrezikshëm
që noton, rrotull trupit brun.
…
Asaj që është shumë e gëzuar
Kryet tënd, gjesti yt, ajri yt,
të bukur janë, si një peizazh i bukur;
loz qeshja në fytyrën tënde
si era brisk-në një qiell të qartë.
Pikëllohet kalimtar’ i rastit –
pranë ujëvarës së shëndetit tënd
që kullon me pahitje gushe
përkundrejt shpatullave tua.
Ngjyrat feksëse të rrobës që mban veshur
banjojnë tualetin që ke bërë,
duke hedhur në mendjet e poetëve
imazhin e një baleti lulesh.
Këto veshje të çmendura janë emblema
të shpirtit tënd ujëra-ujëra;
marrosur jam, duke u marrosur,
ndërsa të urrej, sa më fort të dua!
Ndonjëherë tërhiqem ngadalë,
në një kopsht vetmie
dhe për ironi e ndiej diellin
si ma shqyen gjoksin e valë.
Dhe pranvera, edhe mugullimi
zemrën veç po ma poshtërojnë,
sepse unë u skllavërova nga një lule –
Oh, çfarë pabesi kjo, ndaj natyrës!
Do të doja shumë, një nate epshatare,
kur të thërrasë etja e kënaqësive
për thesaret e trupit tënd,
të të braktis pa zhurmë, si burracak.
Për të ndëshkuar mishin tënd të lumtur,
për të shtypur gjoksin tënd të butë,
Për ta çmeritur krejt fytyrën tënde –
me një plagë të gjerë dhe të uritur.
Dhe ëmbëlsi’ e ngjitjes sime!
prej buzëve të reja që do puth –
më të shkëlqyeshme, më të bukura se tuat,
do ma ushqejë helmin, o motërza ime!
ALKIMIA E DHIMBJES
Dikush të ndriçon me afshin e tij –
një tjetër të sterros – Natyrë –
Ai që thotë te njëra – je e vdekur,
thotë tek tjetra: je jetë dhe shkëlqim.
Hermes i panjohur, ti që më ndihmon
e që gjithmonë më intimidon,
Ti më bën të ndihem Midas –
më e trishta kjo, e alkimive.
Prej teje e ndryshoj arin në hekur
dhe parajsën në ferr unë e kthej,
në fletën e ershme të reve
po zbuloj një kufomë të dashur
dhe mbi brigjet qiellore po ndërtoj
një qivur masiv.
LEXUESIT
Marrëzia, gabimi, mëkati, paskrupullsia…
Mendjet tona pushtojnë, trupat tanë i punojnë
dhe ne ushqejmë për veten keqardhjen e qullët
si lypsët ushqejnë – morrat e tyre.
Mëkatet tona vazhdojnë, pendimet i kemi prej frike,
paguajmë shtrenjtë te vetja, për pranimet,
dhe me gëzim shkojmë në shteg të ndyrë,
duke besuar se me njomje sysh, shpëlajmë mëkatet.
Në jastëkun e së keqes pështetet Satan Trismegistus
mban shpirtrat tanë të magjepsur prej shumë kohësh
dhe metali i pasur i vullnetit tonë
bëhet avull, nga ky alkimist i zoti.
Është Djalli që mban, na drejton me tela,
në lidhjet e neveritshme – gjejmë diçka tërheqëse.
Çdo ditë bëjmë një hap më shumë drejt Ferrit,
pa u tmerruar, përmes zymtësisë së nxirë.
Si një i sëmurë mjeran që qin edhe han
në gjirin e martirizuar të një buzëqeshjeje të lashtë –
ne vjedhim ku mundim një kënaqësi fshehtazi,
që e shtrydhim fort, si portokall të vjetër.
Të ngjeshur, të spërdredhur, si miliona krimba –
një popullim Demonësh mbahet në trurin tonë.
E, kur marrim frymë, vdekja në mushkëri
na shkon poshtë, në lumin e padukshëm të ankimeve.
Nëse përdhunimi, helmi, kama edhe zjarri
ende s’e kanë përfunduar dizenjimin e tyre
kë kanavacin përsëritës të destinave tona gjynahqare,
është se shpirti ynë, medet, është i dobët!
Por midis çakejve, panterave, gjahtarëve të buçeve,
majmunëve, akrepave, gjarpërinjve, grepave,
mes ulërimave monstruoze, kërcimeve, zvarritjeve,
ngjitjeve,
në ndërmarrjen famëkeqe të veseve tona…
Është një, më i shëmtuari, më i dobëti, më gërryesi!
Megjithëse nuk bën gjeste të mëdha, as thirrje zëlarta –
me qejf do ta bënte tokën një plehrë
dhe botën një kafshatë, e ha me një kullufi.
Është mërzitja – syri i mbushur me mosdëshirë për jetën
që ëndërron mbarimin duke pirë duhan.
Ti lexues e njeh këtë përbindësh delikat,
lexues hipokrit, shoku im, vëllai im.