Fatmir Hysi, Helena Kadare, Robert Prendushi, Eno Koço, Namik Dokle, Blerina Shalari, Denis Bizhga, Gëzim Hoxha, Stefan Çapaliku, Armand Broshka, Jetmir Zaganjori flasin për simfoninë “Albanoi”
Përgatiti Andreas Dushi
Pas një përvoje të gjatë, kompozitori Vasil Sofokli Tole i ofroi publikut një simfoni me ashtë tërësisht shqiptar. Premiera botërore e “Albanoi” u luajt me datë 9 maj, 2025, në Ditën e Evropës, nga orkestra simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e Maestro Eno Koços.
Kjo orkestër e themeluar më 16 maj të vitit 1962, rrënjët i ka, në fakt, në vitin 1938, kohë kur u krijua Radio Tirana dhe, pranë saj, u vendos një formacion orkestral që quhej Orkestra e Radio Tiranës, fillimisht nën dirigjimin e dirigjentit italian Umberto Rampi e pastaj, pas ’44-ës, nën dirigjimin e Mustafa Krantjës, Bojan Adamiçit etj.
Krijues si Kristo Kono, Pjetër Dungu, Dhora Leka etj ishin ndër të parët që u interpretuan. Pas tyre orkestra simfonike e RTSH ka interpretuar krijimtarinë e pothuajse gjithë kompozitorëve shqiptarë prej At Martin Gjokës, At Fan S. Nolit, Murat Shehut, Çesk Zadejës, Tish Daisë, Tonin Harapit, Kozma Larës, Pjetër Gacit, Feim Ibrahimit, Limoz Dizdarit, Shpëtim Kushtës, Kujtim Laros, Thoma Gaqit, Hajg Zaharianit, Spartak Tilit, Gazmend Mullahit, Thomas Simakut, David Tukiqit, Josif Mingës, Zef Çobës, Aleksandër Peçit, Sokol Shupos, Ermir Dergjinit, Fatos Qerimit, Endri Sinës etj, e deri tek brezat më të rinj. Po ashtu krijimtarinë e krijuesve shqiptarë të Kosovës Rexho Mulliqi, Lorenc Antoni, Rauf Dhomi, Zeqirja Ballata, Fahri Beqiri etj.
Ndërkohë, për t’u rikthyer te premiera e “Albanoit”. Të pranishmit, mes të cilëve kisha fatin të jem edhe unë, shprehën konsidereatën e tyre për këtë vepër të jashtëzakonshme, prandaj edhe vendosa që, nëpërmjet fjalëve të tyre, të tejçoja tek lexuesi i “ExLibris” një shije, sado të zbehtë, të kësaj ngjarjeje madhore jo vetëm në jetën e kompozitorit, por në vetë jetën artistike të botës shqiptare, brenda e përtej vetë Shqipërisë.
Një bisedë që pata fatin të zhvilloja me prof. Vason pak kohë më parë (ExLibris, nr. 304), e mbyllëm me fjalinë “Se si do të jetë kjo simfoni shqiptare e shek. XXI, besoj do të flasim përsëri, pas premierës së saj!” Dhe, meqë tani jemi përnjëmend pas premierës, po flasim për të, ama jo me kompozitorin, por me disa personalitete, të fushës ose jo, që e vlerësuan së tepërmi!
Prof. Dr. Fatmir Hysi, Muzikolog
Pas një periudhe të gjatë stagnimi dhe dominimi të muzikës komerciale, arti simfonik — dhe simfonia në veçanti — po rikthehet me një gjallëri të re. Vepra më e fundit e Vasil S. Toles, simfonia ALBANOI, është një shembull mbresëlënës i këtij rilindjeje, duke e vendosur zhanrin në një dritë të re dhe bashkëkohore.
Simfonia të surprizon që në momentin e parë me tingujt e saj kompleksë dhe të papritur, si dhe me qartësinë e konceptit. Ajo digjet nga një zjarr i brendshëm, duke u frymëzuar nga dhe duke iu kushtuar kompozitorëve dhe figurave të rëndësishme kulturore. Megjithatë, ajo shkon përtej thjesht homazhit. Në vend që të ndjekë format tradicionale epike apo rrëfimtare, ALBANOI sfidon audiencën të kalojë nga dëgjimi pasiv në përfshirje emocionale aktive — duke ftuar çdo dëgjues ta përjetojë muzikën si një udhëtim personal e bashkëkohor.
Forma e disiplinuar e simfonisë, gjuha e freskët harmonike — e ndërtuar në ndërthurjen midis teknikës profesionale të kompozimit dhe idiomave folklorike — dhe orkestracioni i kthjellët dhe kuptimplotë, i japin veprës një energji të gjallë dhe në zhvillim. Ngjyrat dhe teksturat e ndryshme timbrike shtojnë praninë dinamike dhe fuqinë shprehëse të saj.
Me ALBANOI-n, Vasil S. Tole hap një rrugë të re për muzikën simfonike shqiptare — një rrugë që përqafon traditën dhe risinë, dhe riafirmon simfoninë si një medium të gjallë të shprehjes artistike bashkëkohore.
Helena Kadare, shkrimtare
Simfonia “Albanoi” e kompozitorit të shquar Vasil Tole ishte një surprizë tejet e bukur për gjithë artëdashësit e muzikës klasike. E ndërtuar në katër kohë, ajo shtjellonte një udhëtim të tipareve të shqiptarëve të të gjitha kohërava, nga ilirët deri në ditët tona.
Salla e mrekullueshme e koncerteve në Katedralen Orthodhokse, ku u dha premiera, përcolli mrekullisht tek spektatoret fatlumë gamën e fuqishme të tingujve muzikorë të kësaj simfonie, të interpretuar mjeshtërisht nga orkestra simfonike e RTSH, nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço.
Mbrëmje artisike të këtij niveli, i vijnë jo shpesh publikut artëdashës të Tiranës. Ata morën me vete emocione të jashtëzakonshme plot dritë, që nuk do t’i harrojnë për një kohë të gjatë.
Prof. Robert Prendushi, muzikolog
Urime, urime. Tashma kemi dhe nji sinfoni që flet me gjuhën e shekullit tonë. Konfrontimi, – venia ngjitur në nji koncert me Shostakoviçin (kompozitor i madh i nji vendi të madh) , me Komp. Tole, kompozitor gjithnji në rritje, ishte nji guxim artistik që u përballue me sukses nga autori, dirigjenti dhe orkestra që e futi ndigjuesin shpejt në nji botë të re. Arti ynë ka hy në Europë prej sa kohësh. Simfonia e V. S. Tole asht nji tjetër dëshmi bindëse. Të përpiqemi që edhe publiku i gjanë të ndjekë gjithnji e ma shumë. gjinitë e mëdha të muzikës. E kjo fillon nga shkolla.
Ju lumtë.
Maestro Eno Koço, dirigjenti i simfonisë “Albanoi”
“Albanoi”, është një simfoni me përmasa të mëdha, shkon tek 45 minuta, me kohë të fuqishme. Një vepër, që është udhëtimi i Shqipërisë në këto 2 mijë vjetët e fundit. Vërtet, që nga koha e hershme, se kështu është, është me katër kohë, me katër etapa: I.EPOS, II. ISO, III.KTHESA, IV. Heng
Dhe mbërrin në etapën e sotme. Ka gjendje të ndryshme emocionale; gjendja e kohës së I, shumëkush mund të thoshte ilirët, shqiptarët, arbërorët, pastaj dhe si transformohet dhe mbërrin tek koha e fundit që është shumë dinamike, e sotshme, që është një aheng, le të themi, është një gjendje shpirtërore e lartësuar. Interpretimi mua më hap shumë punë se kam shumë punë për të bërë me Orkestrën dhe në çdo moment e kam mendjen që si u zgjidh kjo e ajo, por kemi fatin që kemi Blertën e kemi Vason që na mbështesin në këtë punë dhe do të bëjmë më të mirën.
Namik Dokle, shkrimtar, politikan
Në Tiranën tonë mund të ketë shumëçka, por koncertet sinfonike janë të rralla. Prandaj, kur të vjen një ftesë për një koncert të tillë, ndjen ngazëllim. Kështu më ndodhi edhe mua kur mora ftesën e kompozitorit Vaso Tole për të marrë pjesë në shfaqjen e Sinfonisë Nr. 1 të tij.
Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Shijuam një muzikë serioze dhe shumë emocionuese, përjetuam disa nga momentet kulmore të historisë përmes tingujve të muzikës shumë të bukur, njëherësh edhe tronditse të Vaso Toles… Rropama e luftës, alarmi dhe thirrja për liri, beteja të humbura dhe beteja të fituara, elegjitë epike për të rënët dhe lirizmi i jetës së përditëshme; tragjikja dhe heroikja, epikja dhe lirikja, të ndërthurura në mënyrë harmonike; të gjitha këto të shprehura me gjuhën e muzikës.Dhe të përcjellura aq bukur nga Orkestra Sinfonike e RTSH, e drejtuar me profesionalizëm të nivelit të lartë dhe pasion emocionues nga dirigjenti i shquar Eno Koço.
Në përfundim të shfaqjes thua me vete dhe me miqtë: Sa bukur! Dhe pyet: Pse kaq rrallë?!
Dr. Blerina Shalari, kompozitore, muzikologe
Kompozitori Vasil Tole zgjoi simfonizmin shqiptar, dhe pikërisht në ditën kuptimplote të nëntë majit-2025. Përmes udhës së vështirë simfonike, një vepër e re arriti në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, vend, i cili ka shuguruar shumë koncerte të vlera këtyre anëve.
Një simfoni mbetet ngjarje për jetën e një vendi, sidomos kur ai gërryhet përbrenda nga pezulltira jo vetëm kulturore, e ka të nevojshëm një kat’harsis aristotelian, i cili mund të mbruhet e gatuhet hojësisht prej duarve bletore të kompozitorit, ashtu si në këtë rast me profesor Vasil Tolen.
Duke qenë se kompozitorët janë shpirtra që e njohin kodin e njëri-tjetrit, nuk ka se si të mos e lexojnë veprën e një miku dhe kolegu, i cili përmes saj, ndodh që të gjallon edhe ty vetë, e të jep flatra të ulesh e të shkruash frymëzimshëm.
Njëjtë ngjau edhe me simfoninë e kompozitorit Vasil Tole. Titulli i saj programatik “Albanoi”, është një dëshirë më tepër për ta dëgjuar me kërshëri, kjo sepse nuk e di pse, por si krijuese kam etje të shfrenuar për këtë fjalën Albania, Albani, Albanoi, si simfonia, nuk di sepse kam etje të pi pafund detin e motiveve vallësore shqiptare, të jugut e të veriut, të Tiranës e të Konispolit, dhe natyrshëm i dëgjoj dhe i ridëgjoj katër kohët e simfonisë “Albanoi”.
Në to gjej:-Katër-kohëshin klasik të simfonizmit, programatizmin muzikor që vjen në një të përgjithshme të grimcuar në përveçmëri brenda kohëve, dhe kështu ma behin hap pas hapi, episod pas episodi, tablo pas tabloje motivet atdhesore, vallësore, epike, labe, isojake, fluturake, si temperamenti shqiptaro-ballkanik, dhe me këto ngjyra tabloide, e përforcoj bindjen e një mozaiku kryeneç , të krijuar prej një dore që ka vite që shkruan muzikë.
Simfonia “Albanoi” e Vasil Toles, vjen e kuadratuar me katër-kohëshin ciklik, i cili për nga përmasat e orkestrës, e përballon karakterin simfonik. Njëjtë ndodh edhe me konceptimin kompozicional, ku shkrihen pa u ndjerë, sidomos në kohën e parë “Epos”, gjithë vlimet e motiveve kombëtare shqiptare, pa ndonjë veçanti të gjaktë melodike, por gjithsesi filozofike në shfaqjen e vet, sa konvencionale, po aq edhe universale.
Mund të pretendohej më tepër qartësim tematik, më dramatikisht shtrydhje emocionale të motiveve, të cilat do të nxirrnin në pah më tepër mjeshtëri të burimit krijues.
Koha e parë gjithashtu, mund të ishte më e shkurtër dhe më e prerë, sipas stofit të karakterit shqiptar, por ndoshta kjo mund të ketë ngjarë të zgjatet si ndonjë pasojë e brendshme e kompozitorit Tole, për t’i përngjarë ndoshta Malerit në pasqyrimet e tij të gjera në orkestër, gjë që justifikohet.
Koha e parë e simfonisë “Albanoi” përmbante efekte, ton psikologjik, ritme të njohura, por edhe poliritme. Mendoj se vlen të shkruajmë këtu se shkrirja formale mes temave, dhe parteve lidhëse dhe mbyllëse është diçka e vlerë, gjë që u duk në gjithë veprën.
Pra simfonia në këtë rast tenton bukur t’i largohet klisheve sonateske, të ndikuara ndonjëherë dhunshëm nga striktizmi i formave fanatike të shekullit të tetëmbëdhjetë. Jo formë për hir të formës, por formë për hir të veprës, për hir të mjeshtërisë krijuese.
Koha e dytë e simfonisë “Albanoi”, e quajtur “Iso”, është në fakt një eeee, moderne dhe jo siç e prisja, një eee tipike labe. Këtu kompozitori nuk ka rënë në kurthin e këngëve labe. Edhe sikur të binte, nuk do të ishte mëkat, por shijuesit duhet ta dinë se krijuesi, artisti nuk i tregon të gjithë sekretet. Mbetet diçka për ta zbuluar ai vetë, dëgjonjësi i sprovuar me filozofi tingullore.
Kjo iso, që e mban kohën e dytë të simfonisë në një “arratisje pengmarrëse”, e shtrydh vehten deri në pikën e vlimit, në këtë rast po shënojmë se vlen si shembull krijimi modelimi, isojak modern. Nëse do ta shkruaja unë këtë formë orkestrale me iso, pa frikë do t’jua kisha grabitur këngëve labe, qoftë atë, pra eee-në, qoftë harmoninë e atyre këngëve, që i bëjnë edhe malet të dridhen, por nuk është e tepërt ta pohojmë, se krijimtaria është edhe çështje subjektive, thellësisht individuale, ashtu siç u prir edhe në këtë rast për kompozitorin Vasil Tole.
Koha e tretë,- është një gërshetim burimor vallesh, prej hijes së ullirit të Bilbil Vlorës, që vazhdon tek kadencimet e valles së zileve, e deri tek gjetja shumë e bukur e sfondit të këmborëve të imituara nga perkusioni.
Mendojmë se kjo është koha më e arrirë e simfonisë, aty ku tema të grish me qartësinë, jo vetëm sepse është e njohur, por edhe sepse njerëzit kanë dëshirë, etje, ta gjejnë vehten këngërisht, edhe tek simfonitë. Sa më e këndueshme vepra, aq më jetëgjatë do të jetë. Kjo më ngjau me kohën e tretë, të vërtetën të simfonisë “Albanoi”.
Koha e katërt; e ul perden e rëndë të dritares simfonike, aty ku orkestra, edhe pa luajtur të detyron si krijues të ndjesh një përgjegjësi të madhe. Ke përpara 52 lojtarë, instrumentistë, aktorë, që duan nektar prej teje, që të mbijetojnë emocionalisht në skenë. Këtë pretendim e pati edhe koha e katërt e veprës “Albanoi”, por sa ia ka dalë, kjo i mbetet kohës.
Pata rast ta dëgjoj në dy versione këtë vepër, në sallë dhe e luajtur virtualisht, dhe kjo virtualja që diskutohet shpesh e goditet keq, nuk ma prishi sprovën që më duhet të kaloja përmes dëgjimit të mprehtë. Thuhet nën zë, se nëse vepra tingëllon, e “robotisur” prej kompiuterit, ajo e ka kaluar tashmë sprovën për në skenë.
Zhurmat për mua nuk janë moderne. Dizonancat e shfrenuara për mua nuk janë bashkëkohore. Në modë, bashkëkohore, është ajo vepër që të rri bukur në shpirt, njësoj si një aromë luksoze, mbi një veshje të denjë.
Githashtu, jemi të mendimit se do të gjenden mundësi të reja kërkimore të kompozitorit, këmbëngulja tek kërkimtaria në harmoni, sepse melosin, ne shqiptarët e gjejmë me tepri tek nektari i çdo krahine. Të gjithë krijuesit, si dhe kompozitori në fjalë, edhe në të ardhmen, nuk duhet të kenë drojë nga zhbirimi më i thellë i temave, të mos trembemi nga një kompleks i krijuar prej shkollës së kompozimit, sipas së cilët i duhet shmangur tonalitetit, se “na del i vjetëruar”, apo i duhet shmangur formës, se na “ duhet novacioni”…
Me akademizëm muzikor, le të merren kryesisht teoricienët e muzikës, ose inxhinierët e akustikës. Plani krijues shpirtëror, idilik, pasional, pse jo, sakral, i takon vetëm kompozitorit, dhe ai duhet me patjetër ta përmbushë këtë mision.
Besojmë, se edhe në të ardhmen kompozitori Vasil Tole, do të tentojë përsëri të shkruajë simfoni, sepse është një barrë që mund ta përballojë si krijues, madje edhe ta tejkalojë me forma më demokratike, siç mund të jetë koncerti një kohësh për instrument e orkestër, ose rapsodia, ose muzikali apo sop-opera.
Vlera më e vërtetë e simfonisë “Albanoi” është se ajo foli shqipërisht.
Profesori i shumë brezave, Vasil Tole, me këtë vepër na dha kurajon, se të shkruash simfoni, nuk është një mision i pamundur, edhe pse na duhet të kalojmë shpirtërisht, por edhe trupërisht, përmes kalvarit të Golgotës së krijimit!
Dr. Denis Bizhga, muzikolog
Në datë 9 maj, nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, u vu në skenë premiera botërore e simfonisë “Albanoi” e kompozitorit Vasil S. Tole, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Eno Koço. Në këtë ditë të shënuar, që përkon me themelimin e Bashkimit Europian, Prof. Tole i dhuroi publikut artdashes, si dhe repertorit te muzikës së kultivuar shqiptare, një vepër të përmasave të mëdha. Në fjalën hyrëse Maestro Eno Koço e vlerësoi veprën si monumentale për nga aspekti kompozicional duke cilësuar rëndësinë që krijime të tilla mbartin. Simfonia “Albanoi” ishte e ndërtuar në katër kohë, të cilat krijonin një strukturë të mirëmenduar. Përkatësisht ato quheshin: Epos, Iso, Kthesa dhe Heng. Ishin një përgjithësim i tipareve dhe gjuhës muzikore shqiptare . Secila kohë i dedikohej disa personaliteteve të artit dhe kulturës shqiptare. Koha e parë i dedikohej shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.
Koha e dytë i dedikohet profesorit Gjerman, Wolfgang Hufschmidt. Koha e tretë i dedikohet Maestros Eno Koco dhe koha e katërt i dedikohet Prof. Çesk Zadesë. Salla e qendrës kulturore të Katedrales Ortodokse ishte e tejmbushur me një publik të kultivuar vendas dhe të huaj, të cilët prisnin me interes premierën e mbrëmjes. Vepra, nga aspekti kompozicional, ishte shkrim bashkëkohor i mbështetur në idioma folklorike ku shpeshherë evidentohej timbrika epike nga harqet dhe formacionet e tunxhit. Autori shprehte disa momente solistike me instrumentet e violinçelit dhe fagotit, si për t’i dhënë një ngjyrim emocional dhe komunikues veprës. Sigurisht që zhanri i simfonisë është një nga më të vështirët në krijimtarinë e nje kompozitori, sepse ka kompleksitet në shkrimin muzikor, por duhet thënë që simfonia “Albanoi” ështe vepër e një niveli europian me karakter dhe formë. Kjo simfoni shfaq dëshirën për të forcuar identitetin kombëtar dhe për të glorifikuar historinë dhe kulturën shqiptare, si një homazh i fuqishëm për vendin dhe popullin tonë. Simfonia “Albanoi” është jo vetëm një vepër artistike, por edhe një mesazh shpresëdhënës për brezat e ardhshëm, duke kujtuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar përmes artit dhe muzikës. Kjo pjesë është një dëshmi e përkushtimit të kompozitorit Vasil S. Tole ndaj kulturës shqiptare dhe një thirrje për përbashkim dhe ruajtje të vlerave tradicionale. Me një strukturë të guximshme dhe dinamikë të veçantë, “Albanoi” përçon emocione të thella patriotike, duke përdorur orkestër të gjerë dhe motive melankolike e të ngazëllyera. Prof. Vasil S. Tole e ka ndërtuar këtë vepër me dashuri dhe pasion, duke shprehur krenarinë dhe unitetin kombëtar nëpërmjet muzikës instrumentale.
Akademik Gëzim Hoxha, Kryetar i Sesionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Akademia e Shkencave
Vepra muzikore simfonike “Albanoi” ishte tërheqëse për mua që nga titulli simbolik i saj që të drejtonte menjëherë drejt rrënjëve historike.
Nuk kisha gabuar. Tingujt e harmonizuar të pjesës Epos të fusnin në fantazinë e thellë të fillimeve historike. Pjesa “Iso” formëson me tinguj avancimin drejt formacioneve antike.
Vazhdimi me “Kthesa-Valle” është një frymëzim që përputhet me “Rilindjen Ilire” dhe kristalizimin e një bashkësie etnike kompakte me gjuhë, territor, tradita, zakone, folklor dhe muzikë.
Kurorëzimi i simfonisë me kohën e katërt “Heng-Finale” shënon kulmin e një vepre muzikore të mbështetur fort në histori.
Ekzekutimi profesional i kësaj simfonie të V. Toles nga instrumentisët virtuozë të drejtuar nga dirigjenti ynë i dashur Eno Koço, më dha një kënaqësi të veçantë shpirtërore, një ndjenjë të veçantë estetike dhe një lesim ndryshe të historisë “Albanoi” nëpërmjet një vepre shumë të denjë muzikore.
Akademik Stefan Çapaliku, shkrimtar, dramaturg, Drejtor i Qendrës se Studimit të Arteve
Shkrimi një simfonie duhet konsideruar si një ngjarje e madhe kulturore dhe ekzekutimi i saj edhe më e madhe.
Rasti i simfonisë së parë të kompozitorit të mirënjohur Vasil Tole është një shenjë e fortë se muzika serioze shqiptare nuk ka vdekë. Ajo është një yll shprese në qiellin e botës muzikore, që ecën denjësisht në gjurmët më të mira të profesorit të vet Çesk Zadeja.
Ekzekutimi i saj prej filarmonisë së shtetit ndën drejtimin e maestro Eno Koços më nxori mallin e kohës kur muzika serioze shqiptare kishte stinët e veta të begata dhe më dha shpresë se një eksperiencë e tillë mund të rifillojë në dritën e estetikave të reja.
Armand Broshka, instrumentist
Simfonia “Albanoi” me katër kohë e kompozitorit Vasil Tole erdhi me një simbolikë të fortë më 9 maj, në ditën e Europës!
Njësoj si arkeologët, historianët dhe gjuhëtarët tanë, në faktet e tyre mbi vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare të popullit tonë, na kanë renditur mes fjalëve të shumta indo-evropiane shqipe edhe fjalët latine, greke, kelte, slave e osmane, të këtyre perandorive e dyndjeve të mëdha të popujve që kanë shkelur në trojet tona, si fakt i pakundërshtueshëm që ne kemi qenë e vazhdojmë të jemi këtu, po ashtu edhe kompozitori Vasil Tole na rendit si një etno-muzikolog hap pas hapi në të katërta kohët e simfonisë së tij, karakteristikat muzikore e folklorike te popullit shqiptar, si p.r.sh “Iso”-n, “Polifoni”-në apo septimën e vogël, e cila simbolizon vajtimin apo mallin dhe është kaq unikale e identitare në popullin tonë. Gjithashtu kompozitori udhëton me tinguj nga kohët e lashta deri në ditët e sotme, duke na renditur si fakte të lashtësisë dhe vazhdimësisë kulturore iliro-arbërore-shqiptare, sistemet modale e tonale të shkallëve specifike muzikore, të gjymta apo të plota, duke nisur nga “Pentatonika” e lashtë, “Diatonika” mesjetare, “Hixhazi” osman, e deri tek “Dodekafonizmi” modern. Fakte muzikore këto po aq të forta e të ngjashme si ato të arkeologëve, historianëve e gjuhëtarëve, të cilat na tregojnë hap pas hapi rrugëtimin kulturor të “Albanoi”-ve nga errësira në dritë, nga vajtimi (dhimbja) në gëzim.
Kohën e parë kompozitori Tole e quan “Epos” dhe ia dedikon shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Ky dedikim vjen si një simbiozë midis Kadaresë dhe eposit shqiptar nga ku ai është frymëzuar për të shkruar të gjitha veprat e tij të mëdha të cilat i ndërthur me mitologjitë e përbashkëta të popujve antikë të këtij gadishulli, për të na treguar ne edhe botës se ky popull i vogël në mes të Europës nuk ka ardhur deri në ditët e sotme si një rastësi, por si një bashkëudhëtar i moçëm i qytetërimeve të vjetra evropiane. Gjuha muzikore në këtë kohë është e thjeshtë por heroike, duke i përngjarë “monodisë” si për të na treguar zanafillën, veriun, aty nga ku rrënojat e ashpra të Zgërdheshit na dëshmojnë jetesën e ashpër të kohërave antike nga ku gegët këndojnë edhe sot e kësaj dite në mënyrë monodike eposin e tyre.
Koha e dytë quhet “Iso”. Në këtë kohë dallohet menjëherë jugu, polifonia e shoqëruar me iso dhe vajtimi i cili vjen nëpërmjet septimës së vogël (“lamentit”), karakteristikë e këndimit toskë dhe glisandove të vazhdueshme tek harqet. Kjo gjendje bën që koha e dytë të ketë një tonalitet të theksuar minor e disi dramatik, sikur do të na tregojë se po kalojmë në kohë të vështira, nga lashtësia në mesjetë, aty ku identiteti i Albanoive nis e merr formë të fortë identitare. Rastësi apo e bërë qellimisht, kompozitori këtë kohë ia dedikon profesorit të tij gjerman Ëolfgang Hufschmidt, si për të luajtur me simbolikën e polifonisë, e cila në muzikën serioze klasike pasohet nga profesorët tek studentët si pjesë shumë e rëndësishme e kurrikulave të çdo akademie muzikore në botë, e ku majat e perfeksionimit të saj i përkasin një tjetër gjermani, Johann Sebastian Bach.
Koha e tretë titullohet “Kthesa-Valle”. Në këtë kohë ndjehet ndryshimi i tonaliteteve, nga minore në mazhore, pra nisim të dalim nga dhimbja e të shkojmë në hare, gëzim. Këtë kohë kompozitori ia dedikon maestros Eno Koço (Nderi i kombit). Edhe këtu kompozitori luan me simbolikat, duke qenë se origjina e tij toske përmetare është e njejtë me atë të nënës së maestros, sopranoja e shquar shqiptare Tefta Tashko Koço, e cila rridhte nga një familje përmetare me origjinë nga Frashëri. Kur bën këtë lidhje dhe dëgjon kohën e tretë, dëgjuesi profesionist por edhe i thjeshtë menjëherë shquan shkallën e pentatonikës, karakteristikë kjo e kombeve të vjetra, e cila vjen nëpërmjet tipologjisë së valles “Pogonishte” të ndërthurur hera-herës edhe me iso. Këto valle kanë një karakter të hareshëm por që nuk janë as në tonalitete minore e as në ato mazhore, pikërisht ashtu siç nis “kthesa” historike, gradualisht!
Koha e katërt titullohet “Heng-Finale” dhe i dedikohet kompozitorit tonë më shquar të shek.XX, Çesk Zadeja (Artist i popullit). Në këtë kohë ndjehet hareja, ahengu. Kompozitori Tole në këtë kohë përdor një gjuhë muzikore karakteristike orientale të makamit “Hixhaz”, me copëza fuge me ornamente të këngës popullore qytetare tironse “Lake pupulake”. Këto copëza të shpejta e të fuqishme fugale ngjasojnë disi me ato kërcimet e Sheherzades në përpjekjet për të shpëtuar jetën e saj nga princi, paralelizëm ky i shqiptarëve ndaj perandorisë osmane. Më pas vjen drita, gëzimi, ku gjuha harmonike e melodike ndryshon duke u futur në modernitet (“Dodekafonizëm”), si ribashkim pas shumë motesh i ilirëve Albanoi me Europën.
Si pjesëtar i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, kryesisht violinave të para në premierën e kësaj simfonie, mund të them se vështirësitë teknike që hasëm ishin sfidante për ne, sepse kompozitori përdor një shkrim të ngjeshur që i përket gjuhës bashkëkohore muzikore, plot me figura ritmike, pasazhe të shpejta e kapërcime të befta, të cilat të përfshira shpesh herë edhe në poliritëm bënin që vëmendja dhe predispozita e çdo instrumentisti të ishte e lartë e të përfshiheshin në muzikë nga fillimi e deri në përfundim të saj. Natyrisht që këtyre sfidave u shtohet edhe faktori premierë i veprës së re e të padëgjuar më parë, e megjithatë, instrumentistët profesionistë të orkestrës sonë u impenjuan maksimalisht që kjo simfoni të merrte formën e saj përfundimtare, atë formë që shpesh herë kompozitori Vasil Tole, i ulur në pianon e sallës “Ferdinand Deda” me partiturën përpara, na e konfirmonte me buzëqeshje dhe aprovim çdo ditë e më shumë. Në ditët e sotme, në një botë teknologjike që nxiton në çdo drejtim e që konsumi e krijimi i shpejtë “fast” duket sikur mbizotëron kudo, është sfidë më vete gjetja e kohës, durimi dhe krijimi i veprave të mëdha siç janë simfonitë, akoma edhe më tepër kur ato kanë karakter kombëtar. Kjo gjini muzikore kërkon shumë orë pune dhe bagazh profesional, duke i shtuar këtyre gjithashtu edhe mbështetjen shpirtërore e kryesisht incentivat, porositjet (komisionimet) e shpërblimet financiare në mënyrë që vepra të tilla të mëdha t’i shtohen skenës serioze shqiptare. Gjithsesi, kompozitori Vasil Tole ia doli edhe këtë herë të sjellë një vepër tjetër të madhe në repertorin shqiptar e që u duartrokit fort nga publiku në sallën e mbushur plot të Katedrales Orthodhokse, gjë që e ka dëshmuar edhe në të shkuarën e afërt me operan solemne “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kryezot i Arbërit” dhe koncertin për violinë dhe orkestër simfonike, duke dëshmuar se mbetet një krijues aktiv i skenës serioze shqiptar.
Jetmir Zaganjori, kompozitor
Më 9 maj, në Ditën e Europës, në sallën madhështore të Kishës Ortodokse në Tiranë, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar solli një program të veçantë, duke përfshirë Koncertin Nr. 2 për Piano dhe Orkestër të Dmitri Shostakoviçit dhe premierën e shumëpritur të simfonisë “Albanoi,” një vepër monumentale nga akademiku dhe kompozitori i njohur shqiptar Vasil S. Tole.
Pas më shumë se dy vite pune intensive me emocion, profesor Tole dhe Orkestra e RTSH-së sollën në jetë këtë simfoni në katër kohë, ku klasikja dhe modernja bashkohen në një rrjedhë muzikore të përpunuar me mjeshtëri. Në këtë vepër, profesor Tole ka ndërthurur formën klasike të simfonisë me elemente të muzikës tradicionale shqiptare, duke krijuar një gjuhë muzikore ku notat flasin shqip. Vepra është dedikuar personaliteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë pasur një ndikim të veçantë në rrugëtimin artistik të kompozitorit.
Koha e parë, “Epos,” është një homazh dhe dedikim për shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare, e ndërtuar në formën klasike të sonatës, ku janë të shprehura qartë dhe dy temat. Ajo nis me një hyrje të furishme, ku orkestra luan në fortissimo (FF), duke krijuar një peizazh muzikor të fuqishëm dhe dramatik, të ndërtuar mbi motive të muzikës tradicionale të veriut të Shqipërisë, siç dhe emërtohet “Epos.” Është një mjeshtëri kompozicionale dhe orkestrale, ku ngjyrat e larmishme dhe shpërndarja e tingullit në të gjithë diapazonin orkestral i japin kësaj kohe një dimension të veçantë. Këtë e shohim më qartë tek soloja e cellos (në minutën e 6-të të veprës), ku kemi një ndërtim tematik të thelluar dhe një moment kontrastues brenda kësaj kohe, duke e bërë muzikën të depërtojë qartë dhe fuqishëm në çdo detaj të saj.
Koha e dytë, “Iso,” i dedikohet profesor Ëolfgang Hufschmidt, një figurë që la gjurmë në formimin muzikor të kompozitorit gjatë studimeve në Gjermani. Është një kohë më e shtruar (Largo), ku, siç e ka emërtuar dhe autori, “Iso” jep një peizazh dhe një ndjesi të gjallë të isos shqiptare. Elementet folklorike zënë një vend të rëndësishëm në ndërtimin e saj harmonik dhe kompozicional, duke krijuar një atmosferë që përçon qartësisht frymën e muzikës tradicionale.
Koha e tretë është një nderim për maestro Eno Koço, i cili gjithashtu drejtoi orkestrën gjatë kësaj premiere. Siç e quan dhe profesor Tole këtë kohë, “Kthesa-Valle,” është ndërtuar si një valle simfonike, ku elementet e muzikës tradicionale shqiptare janë të shkrira dhe ndjehen qartazi në çdo moment. Me një fillim energjik në instrumentin e timpanit dhe me pizzicato-t në harqe, që duke u shkrirë së bashku krijojnë një ndjesi ritmike që evokon instrumentet folklorike, kjo kohë shfaq një shkrirje të suksesshme të simfonizimit dhe muzikës tradicionale shqiptare. Elementet tematike ndihen qartë edhe në instrumentet e drunjta, duke krijuar një strukturë të gjallë dhe elektrizuese nga nota e parë deri në të fundit.
Koha e katërt, një finale monumentale, është një dedikim për Çesk Zadejën, të quajtur “profesori i profesorëve” ose ndryshe “babai i muzikës shqiptare,” siç shkruan edhe Akademik Tole në librin e tij “Çesk Zadeja, Jeta dhe Vepra.” Kjo kohë fillon me një tutti të orkestrës dhe zhvillohet në formë pyetje-përgjigje mes seksioneve orkestrale. Duke ndërthurur muzikën tradicionale shqiptare, veçanërisht modet tradicionale, me strukturën klasike, kjo kohë kulmon me një tutti të fuqishëm që përfaqëson një shpërthim emocional dhe muzikor, duke i dhënë veprës një përfundim dramatik dhe një homazh të thellë ndaj figurës së Çesk Zadejës.
Kjo simfoni e shkruar nga Akademiku Tole është një vepër që flet shqip – një trashëgimi e gjallë e muzikës tradicionale dhe simfonike shqiptare, një dialog i fuqishëm mes së shkuarës dhe së tashmes muzikore.