Plaku ishte tetëdhjetë vjeç kur u frikësua së pari nga vdekja. Çudi që s’ishte frikësuar më parë. Më bëri be që jo. Kaq më mjaftoi. Nejse në ato çaste, pasi më vonë fillova të dyshoj që kjo ishte e vërtetë.
Përpëlitesha brenda çarçafëve të bardhë si bora. Ai po endej në korridor, herë hynte në banjë e herë dilte, gjumi s’po e merrte. As mua. U mata të hap derën e ta pyes se a kishte nevojë për një çaj kamomile me xhenxhefil e limon se edhe mua me pihej, a një verë të nxehtë me kanellë, vetitë qetësuese të të dyjave po më ngacmonin.
E mbaja dorezën e derës me dorë po assesi ta hapja atë. Si po e mendonte vdekjen. Nëse i ka ardhur kaq vonë të frikësohet prej saj mos intensiteti i madh i frikës do ta mundojë. Tashmë po shqetësohesha për gjendjen mendore të tij. Gëëëërrc u dëgjua edhe njëherë dera. Hyri në banjë. Uji po rridhte më të madhe. Thua ta ketë harruar lëshuar. Do na marrë uji pas pak dhe pastaj frika nga vdekja merr fund. Prapë s’pata guxim ta hap derën. U ula në tokë dhe nuk e di çfarë po prisja, vdekjen e tij apo timen. Ajo kishte ardhur te unë në trajta të çuditshme, po më merrte gjithë fuqinë e trupit, këmbët po më ligështoheshin.
Ai fillikat me frikën e tij, unë fillikat me timen.
E mori dikë në telefon dhe po fliste me gjysmë zëri. Se pata të qartë ai tjetri që po fliste me të a pësoi ndonjë atak në zemër pasi kishte kaluar gjysma e natës. Po vazhdonte të fliste mirë ishte puna. Për pak e mora guximin e hapa derën dhe natyrshëm, pa asnjë prishje fytyre po qëndronte para derës sime.
-Desha të të thërrisja – më tha qetë, qetë.
-Edhe unë ka më shumë se dy orë që s’po e merrja guximin të dal nga dera, – i thashë.
-Për të njëjtat arsye, – ma bëri krejt i sigurt.
-Jo, – i thashë. Në këtë rast më shumë se për ta bindur atë kisha nevojë ta bindja vetën.
-Ka vdekur ai djali i ri te cepi i rrugës, më tha.
-Cili?
-Ai që sillte qumështin nga fshati.
-Kush të tha?
Ndjeva se po më ngushtohej shpirti, më kapi temperaturë të cilën po e ndija në gjithë trupin.
-S’ka kush ma sjell më qumështin, – tha i nervozuar. – Ai qumësht me mbante gjallë, është i dhive të bjeshkëve, e di sa shumë e lëvdojnë qumështin e dhisë?
Më erdhi një forcë e tejnatyrshme, ia futa një shpullë fytyrës dhe e qita për toke. Më pa nga poshtë dhe po shtrëngonte dhëmbët. – Kot shtrëngon dhëmbët, – i thashë, – nuk mund të bësh asgjë, nuk ke fuqi më.