More
    KreuLetërsiBibliotekëYu Hua: Histori dashurie (tregim)

    Yu Hua: Histori dashurie (tregim)

    Përktheu nga anglishtja Kadia Dedja

    Vjeshta e vitit 1977 la gjurmë te dy të rinj. Një ditë kur dielli po shkëlqente, ata hipën në një autobus rrapëllitës dhe udhëtuan për në një qytet njëzet kilometra larg. Djali bleu biletat, ndërsa vajza u struk pas një shtylle betoni pak larg stacionit. Pluhur dhe gjethe që binin fërfëllinin rreth saj dhe uturima e telave elektrikë mbyste mizërinë e zhurmave në rrugë. Emocionet e vajzës në atë moment ishin aq shterpë sa një faqe në një nga librat e saj shkollorë. Ajo hidhte sytë herë pas here te dera e ngushtë e stacionit të autobusit, me një shprehje të patrazuar në fytyrë.

    Djali u shfaq, me një çehre të prishur e të zbehtë. Edhe pse e dinte shumë mirë se ku fshihej vajza, ai e shmangu vështrimin nga ajo dhe në vend të kësaj, eci në drejtim të lumit, duke hedhur sytë me nervozizëm majtas-djathtas. Pas pak ai arriti tek ura dhe ngurroi i hutuar përpara se, më në fund, t’i ngulte sytë në drejtim të vajzës. Kur vuri re se ajo po e shikonte, ai i hodhi një vështrim hakërrues, por kjo u duk se nuk pati asnjë efekt. Ai u kthye me neveri dhe qëndroi aty ku ishte, duke e injoruar atë. Por ishte i sigurt që ajo po e shikonte gjatë gjithë kohës dhe ky mendim e alarmoi. Vetëm kur u sigurua që nuk kishte njeri përreth, u kthye.

    Ajo nuk e kishte idenë që ai ishte në një gjendje kaq të frikshme mendore; në vend të kësaj, u ndie e prekur nga pamja i djalit të zbehtë që ecte drejt saj në diell. Atë e pushtoi një regëtimë ngazëllimi dhe iu shfaq një buzëqeshje në fytyrë. Por kur mbërriti pranë saj, ai ishte bërë tym. “Ende të vjen të qeshësh?” – i foli harbutërisht.

    Buzëqeshja e saj e ëmbël u shua që në vezë. Pamja e tij ishte aq e rreptë, sa ajo e pa me ankth, duke shpresuar të sqarohej.

    “Sa herë duhet të ta them?” – tha ai. – “Mos më shiko. Bëj sikur nuk më njeh. Pse vazhdon të shikosh? Ti më luan mendsh”.

    Ajo nuk kundërshtoi dhe thjesht u kthye prapa. Shikoi te një pirg me gjethe të verdha të vyshkura në tokë dhe dëgjoi teksa tingujt dilnin nga goja e tij.

    “Pasi të hipim në autobus, gjej një ndenjëse dhe ulu. Nëse nuk shohim asnjë që njohim, do të ulem pranë teje. Nëse është ndonjë që njohim, do të qëndroj te dera. Mbaj mend të mos më flasësh”.

    Ai i dha asaj një biletë dhe u largua – përsëri drejt urës, jo te salla e pritjes.

    * * *

    Rreth dhjetë vjet më vonë, vajza – tani në fund të të njëzetave – u ul përballë meje teksa binte muzgu jashtë apartamentit tonë dhe perdet e hapura kornizonin dritën e diellit që po venitej. Po thurte një shall ngjyrëqielli. Shalli ishte më i gjatë se ajo, por vazhdonte ende ta thurte. Isha unë që e kisha shoqëruar vjeshtën e vitit 1977 në atë qytet njëzet kilometra larg. Ishim pesë vjeç kur u takuam për herë të parë dhe kjo njohje, më në fund, na shpuri – pas një procesi të gjatë e rraskapitës – në institucionin e martesës. Ne patëm përvojën e parë seksuale afër fundit të të gjashtëmbëdhjetave dhe shtatzënia e saj e parë ndodhi gjithashtu në atë kohë. Qëndrimi i saj ulur ishte përsëritur pafundësisht për pesë vjet, kështu që si mund të kishte pasion në vështrimin tim kur e shikoja? Për një kohë të gjatë, do të më ndiqte pas kudo që shkoja, dhe kjo më futi në një depresion të thellë. Gabimi im më i madh ishte se në vigjilje të dasmës sonë nuk e kisha kuptuar se gjithë jetën do ta kisha si bisht nga pas, dhe kjo ishte arsyeja pse kisha ngecur në një rutinë të tillë. Tashmë, teksa ajo thurte shallin, mbaja në dorë një letër nga autori Hong Feng. Karriera e tij e shkëlqyer ishte një frymëzim për mua dhe ndjeva se nuk kisha më arsye të vazhdoja një jetë aq bajate sa një gazetë e vjetër.

    Kështu, ashtu siç po e riciklonte ajo pozicionin e saj ulur, unë riciklova fjalët që i kisha thënë më parë, duke i përsëdytur se njohja e dikujt në fëmijëri ishte diçka e tmerrshme. “A nuk mendon se kemi krijuar shumë familjaritet?” – e pyeta prapë.

    Por ajo vazhdonte të m’i ngulte sytë pakuptueshmërisht.

    “Jemi njohur që kur ishim pesë vjeç”, – vazhdova. – “Njëzet e ca vjet më vonë, jemi ende bashkë. Si mundet ndonjëri nga ne të presë nga tjetri që të jetë në gjendje ta frymëzojë për ndonjë ndryshim?”

    Në momente të tilla ajo do të dukej gjithmonë e dërrmuar.

    “Për mua, me kohë ke qenë si një copë letër e bardhë që mund të lexohet me një shikim. Dhe për ty, a nuk jam njëlloj?”

    Kur lotët filluan t’i rridhnin në fytyrë, mendova se dukej thjesht qesharake.

    “E vetmja gjë që na mbetet, – vazhdova, – janë kujtimet e së kaluarës, por shumë kujtime e bëjnë të kaluarën tonë të duket si mëngjes – gjithmonë e parashikueshme”.

    Përvoja jonë e parë seksuale, siç thashë, ndodhi afër fundit të të gjashtëmbëdhjetave tona. Atë natë pa hënë, ne ishim shtrirë të ngërthyer në një përqafim në barin e fushës sportive të shkollës, të paralizuar nga frika. Në një rruginë jo shumë larg që aty, njerëzit ecnin me fenerë në duar, zërat e tyre të mprehtë si kama në ajrin e natës, dhe disa herë ishim bërë gati të largoheshim të panikosur. Kur e kujtoj atë skenë sot, e përfytyroj se kjo ndodhi sepse ajo më përqafonte aq fort, sa tani nuk mund ta kuptoj sa patetik mund të kem qenë dukur atëherë.

    Sa herë që mendoj për atë natë, ndiej lagështinë e pikave të vesës në bar. Kur ia rrëshqita dorën brenda pantallonave, nxehtësia e trupit të saj më futi të dridhurat. Gishtat e mi u zhytën më thellë, dhe unë fillova të ndiej një lagështirë pikërisht si ajo në bar. Në fillim nuk kisha ndonjë qëllim të veçantë në mendje dhe thjesht doja ta ledhatoja pak. Më vonë ndjeva një dëshirë të fortë për të hedhur një vështrim – doja të dija se si dukeshin gjërat. Por atë natë pa hënë, ajo që nuhata kur u epova më afër ishte thjesht një aromë e lehtë. Aroma që përhapej nga ai vend i errët dhe i lagësht nuk ngjante me asgjë që kisha nuhatur më parë, por nuk ishte as aq ndjellëse sa e kisha imagjinuar. Megjithatë, nuk më ndaloi të vazhdoja përpara dhe ta kryeja atë veprim. Dëshira ishte nginjur, për të më lënë veçse të tronditur nga ankthi, dhe në ditët që pasuan mendova për forma të ndryshme vetëvrasjeje ose arratisjeje. Kur shtatzënia filloi t’i binte në sy, dëshpërimi im u bashkua me zemërimin që kisha shijuar vetëm disa minuta lumturi marramendëse. Atë ditë vjeshte të vitit 1977 e shoqërova në atë qytet njëzet kilometra larg me shpresën se gjithçka do të rezultonte të ishte një alarm i rremë.

    Frika e saj nuk ishte aq therëse sa imja. Kur i rekomandova të bënte një kontroll, ishte ajo që sugjeroi atë spital të posaçëm dhe qetësia e gjakftohtësia e saj më stepën disi. Mua ajo godinë më joshte thjesht për faktin se përfaqësonte një nivel minimal sigurie që do të na lejonte ta mbanim të fshehtë çështjen. Por ajo vazhdoi të entuziazmohej për vizitën në atë qytet pesë vjet më parë dhe unë u xhindosa nga përshkrimet për rrugët e tij dhe nga shpjegimet e saj lirike rreth anijes së çarmatosur që ishte ankoruar në breg. Nuk po shkonim atje për t’u argëtuar, i thashë, por për një kontroll të mallkuar, një analizë që do të përcaktonte nëse do të mund të vazhdonim të jetonim apo jo. Nëse analiza vërtetonte se ajo ishte vërtet shtatzënë, thashë, do të na përjashtonin nga shkolla dhe prindërit e secilit nga ne do të na nxirrnin nga shtëpitë. Thashethemet rreth nesh do të përhapeshin si pluhuri që shtillej në rrugë. Në fund nuk do të mbetej gjë tjetër veçse… “Të kryejmë vetëvrasje”. 

    Ai kërcënim me siguri e shkurajoi atë. Çehrja ime, më tha ajo vite më vonë, ishte mjaft e llahtarshme dhe parashikimi im për të ardhmen tonë të zymtë e tronditi. Por edhe në këtë gjendje të paqetë ajo nuk ishte kurrë vërtet e dëshpëruar. Të paktën prindërit e saj nuk do ta dëbonin nga shtëpia, besonte ajo, edhe pse pajtohej që do ta ndëshkonin. “Ndëshkimi është më mirë sesa vetëvrasja”, – më tha ajo përdëllueshëm.

    Atë ditë isha personi i fundit që hipi në autobus. E pashë nga larg teksa ngjitej në autobus, dhe ajo vazhdonte të kthehej e të më shikonte. I kisha thënë të mos vepronte kështu, por paralajmërimet e mia të vazhdueshme kishin rënë në vesh të shurdhër. Autobusi ishte gati duke u nisur kur hipa unë. Nuk u drejtova menjëherë për te ndenjësja pranë saj, por qëndrova te dera, sytë e mi hetonin fytyrat njërën pas tjetrës dhe duhet të kenë qenë të paktën njëzet njerëz që i kisha parë përpara. Kështu që qëndrova i mbërthyer në vendin tim, ndërsa autostrada me gropa luante pambarimisht me autobusin tonë. Ndihesha sikur isha kallur brenda një shisheje që tundej vazhdimisht. Më vonë e dëgjova atë të më thërriste – një zë që më kalli frikën. I indinjuar nga mungesa e taktit, e injorova vendosmërisht, duke shpresuar se do ta qepte gojën. Por, pavarësisht kësaj, përpjekjet e saj të lodhshme për të më tërhequr vëmendjen vazhduan. Gjithçka që mund të bëja ishte të ktheja kokën në anën tjetër, duke e ditur që ngërdheshja ime duhej të ishte po aq e shëmtuar sa shkurret e dendura anës rrugës.

    Por fytyra e saj ishte e tejmbushur me naivitet teksa hiqej sikur ishte e habitur që kishte rastisur që ne të dy të merrnim të njëjtin autobus. Kur më ftoi të ulesha në ndenjësen boshe pranë saj, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të bindesha. Sapo u ula ndjeva trupin e saj të ngjishej pas meje. Ajo kishte shumë për të thënë, por unë nuk ia vura veshin fare dhe m’u desh të vazhdoja të pohoja me kokë për të dhënë përshtypjen që po e ndiqja çfarë po thoshte. E gjithë kjo më pezmatoi dhe kur ajo qetësisht e mblodhi dorën rreth gishtave të mi, ia shtyva tutje. Më marrosi fakti që vazhdonte ende kështu. Vetëm atëherë e kuptoi sa i xhindosur isha. Ajo ndaloi së foluri dhe natyrisht, hoqi dorë edhe nga përpjekjet për kontakt fizik. U kthye në anën tjetër, duke u ndier si e keqtrajtuar dhe filloi të vëzhgonte peizazhin e zhveshur. Por nuk heshti për shumë gjatë, sepse kur autobusi u drodh teksa kaloi mbi një gungë, ajo ia dha një të kakarisure dhe më mërmëriti te veshi: “Bebushi e ndjeu këtë.”

    Shakaja e saj vetëm më nxiti edhe më shumë. “Mbylle gojën”, – murmurita, me dhëmbët shtrënguar.

    Më vonë pashë një radhë anijesh të ankoruara në breg. Dy prej tyre ishin çmontuar dhe dukeshin si guaska të mjerueshme dhe vetëm njëra ishte e pacenuar dhe e padëmtuar. Disa zogj gri luhateshin mbi algat e detit në breg.

    * * *

    Sapo autobusi mbërriti në stacion, dy të rinjtë dolën jashtë. Trupat e tyre u mbuluan nga pluhuri që ngriti një kamion kur kaloi aty.

    Djali, i irnuar, bënte përpara pa thënë një fjalë. Vajza e ndiqte nga pas, duke ia hedhur sytë me frikë profilit të tij. Në vend që të drejtohej direkt për në spital, djali u kthye në një rruginë dhe vajza bëri të njëjtën gjë. Ai nuk ndaloi deri në gjysmë të rrugës. Atje ata panë një mesogrua teksa afrohej dhe pastaj doli në rrugë.

    “Pse më thirre?” – ulëriti djali.

    Vajza, e lënduar, e shikoi. “Kisha frikë se do të lodheshe duke qëndruar gjatë gjithë rrugës në këmbë”.

    “Sa herë të kam thënë: mos më shiko!” – briti ai. – “Por ti vazhdoje të më shikoje, të më thërrisje në emër dhe të më shtrëngoje dorën”.

    Dy burra iu qasën nga fundi i rruginës. Djali nuk tha më asgjë dhe vajza s’bëri asnjë përpjekje për të mbrojtur veten. Burrat i shikuan me kureshtje teksa kalonin. Djali u nis drejt fundit të rruginës dhe pasi ngurroi paksa, vajza e ndoqi pas.

    Ata ecën në heshtje përgjatë rrugës. Edhe pse nuk ishte më i mllefosur, djali dukej gjithnjë e më nervoz teksa i afroheshin spitalit. Ai i hodhi një vështrim vajzës, e cila tashmë po shikonte drejt përpara dhe nga shprehja e hezitimit në sytë e saj kuptoi që spitali duhej të ishte shumë afër.

    Ata arritën në hollin e spitalit, ku gjetën zyrën boshe dhe shkretane të regjistrimit. Djalin tashmë e lëshuan nervat aq keq, sa marshoi jashtë drejt e në oborr. I mbërthyer nga frika se mund të mbahej për t’u marrë në pyetje, ai thjesht nuk ishte i përgatitur të rrezikonte. Asaj do t’i duhej të përballej e vetme me rreziqet, tek e la atë të lirë t’ia mbathte. Në momentin që vajza iu bashkua, ai ia kishte dalë të fshihte dobësitë e tij. Do të ishte shumë e rrezikshme për atë të qëndronte me të, tha ia: njerëzit e tjerë do të ishin në gjendje të kuptonin në çast se çfarë kishin bërë ata. “Shko më mirë vetëm”, – i tha asaj.

    Ajo nuk kundërshtoi dhe pasi i dha një nojmë, u kthye brenda. Ai e pa teksa u ngjit te sporteli i zyrës së regjistrimit dhe kur nxori paratë nga xhepi, ajo nuk tregoi ndonjë stres të dukshëm. Ai e dëgjoi teksa po jepte emrin dhe moshën – të dyja ishin të rreme. Këto bishtnime nuk ishin gjëra që ai i kishte planifikuar më parë.

    “Gjinekologjia”, – e dëgjoi të thoshte.

    Kjo fjalë e bëri të rrëqethej. Ai pikasi një lodhje në zërin e saj. Teksa largohej nga sporteli, ajo u kthye ta shihte dhe kartela mjekësore i fërgëllonte në dorë ndërsa ngjiste shkallët.

    Djali e vëzhgoi derisa silueta e saj u zhduk shkallëve; vetëm atëherë e ktheu vështrimin gjetkë. Ai ndjeu se po i prishej humori dhe po i vështirësohej frymëmarrja. Tek po priste, shikonte i shpërqendruar njerëzit në rrugë, pastaj u hodhi një sy pacientëve teksa zbrisnin shkallët. Ende asnjë shenjë prej saj. E kaploi tmerri, një frikë se sekreti i tij po zbulohej atje sipër. Ky mendim iu bë gjithnjë e më real, derisa nuk mundi të qëndronte as edhe një çast më shumë në spital. Kaloi rrugën dhe pa e ndalur hapin kur arriti në anën tjetër, vazhdoi drejt një dyqani.

    Aty shiteshin pajisje shtëpiake esenciale dhe prapa banakut qëndronte një grua e re lapangjoze, me një çehre të lodhur. Në cepin tjetër dy burra po prisnin fletë qelqi. Ai u afrua të shihte, njëkohësisht duke hedhur herë pas here një vështrim nga spitali matanë rrugës. Burrat tymosnin teksa punonin dhe pirgje të vogla hiri ishin grumbulluar mbi xhamin e gjelbër të errët. Fytyrat e tyre pa shprehje e ngrysën edhe më shumë atë. Teksa maja prej diamanti e pajisjes prerëse rrëshqiti mbi xham, u shfaq një gërvishtje e bardhë dhe një zhurmë çjerrëse tingëlloi në veshët e tij.

    Pas pak vajza u shfaq në rrugën përballë. Ajo qëndronte pranë një rrapi, e përhumbur. Ai e pa kalimthi përmes vitrinës së pluhurosur të dyqanit dhe nuk doli jashtë derisa vërtetoi se atë nuk po e ndiqte njeri. Ajo e pa tek kalonte rrugën dhe i dha një buzëqeshje të trishtuar ndërsa ai iu afrua.

    “Jam shtatzënë”, – tha ajo qetësisht.

    Djali mbeti si pemë. Shpresa e madhe që ai kishte ushqyer tashmë ishte shkërmoqur plotësisht. Ai e shikoi vajzën e pikëlluar. “Çfarë do të bëjmë?”

    “Nuk e di”, – murmuriti ajo.

    “Çfarë të bëjmë?” – përsëdyti ai.

    “Le të mos mendojmë për këtë”, – tha ajo përdëllueshëm. – “Le të hedhim një sy nëpër dyqane”.

    Ai tundi kokën. “Nuk ma ka ëndja”.

    Ajo nuk tha asgjë dhe thjesht shikoi qarkullimin rrugor që lëvizte lart e poshtë nëpër rrugë. Njerëzit vinin në drejtim të tyre në trotuar, duke qeshur me të madhe. Pasi ata kaluan, ajo e provoi sërish. “Le të hedhim një sy nëpër dyqane”.

    “Nuk dua”, – përsëriti ai.

    Ata qëndruan atje për ca kohë dhe më në fund, djali tha mefshtas: “Le të kthehemi.”

    Vajza pohoi me kokë.

    Kështu ata u kthyen nga rruga që kishin ardhur. Përpara se të shkonin shumë larg, vajza ndaloi para një vitrine. Ajo e tërhoqi djalin për mënge. “Le të hedhim një sy në këtë dyqan”, – tha.

    Pasi ngurroi pak, djali hyri me të. Ata qëndruan për njëfarë kohe përpara një fundi të bardhë dakroni. Vajza nuk mund t’ia shqiste sytë. “Më pëlqen shumë ky fund”, – i tha djalit.

    * * *

    Zëri i saj tanimë kishte hedhur rrënjë kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Gjatë rreth dhjetë viteve që pasuan, zëri i saj do të më mbetej në vesh pothuajse çdo ditë, dhe ky tingull i stërnjohur kishte gërryer gjithë pasionin tim. Dhe kështu, teksa mugëtira binte dhe unë vështroja gruan time e cila ishte ulur përballë meje, ndihesha gjithnjë e më i lëshuar. Ajo ende po thurte shallin ngjyrëqielli dhe fytyra e saj ishte e njëjta fytyrë e njëhershme, përveçqë kishte humbur disi elasticitetin. Rrudhat e saj ishin thelluar nën shikimet e mia dhe tashmë i njihja në pëllëmbë të dorës. Ajo kishte filluar të mbante vesh.

    “E kuptoj se çfarë do të thuash, madje pa e hapur gojën. Në orën njëmbëdhjetë e gjysmë çdo mëngjes dhe në orën pesë çdo pasdite e di që do të jesh në shtëpi së shpejti. Në një turmë prej njëqind grash, mund t’i njoh sakaq hapat e tu. Dhe sa të përket ty, a nuk jam edhe unë po aq i parashikueshëm?”

    Ajo ndaloi së thururi dhe më shikoi mendueshëm.

    “Kështu që asnjëri nga ne nuk mund ta surprizojë tjetrin”, – vazhdova unë. – “E gjitha që mund të bëjmë është që t’i falim njëri-tjetrit pak kënaqësi, por atë lloj kënaqësie që është e arritshme kudo në qytet”.

    Tani ajo filloi të fliste. “E kuptoj çfarë po thua”.

    “Je e sigurt?” Nuk dija si t’i përgjigjesha, kështu që kjo ishte e gjitha që më erdhi të thosha.

    “E kuptoj”, – përsëdyti. Lotët filluan t’i shkisnin në fytyrë. “Do të më lësh”, – tha ajo.

    Nuk u përpoqa ta mohoja. “Kjo ngjan shumë e papjekur”, – ishte e gjitha që thashë.

    “Do të më lësh”, – tha ajo përsëri. Më shumë lot.

    “Nuk është mënyra e duhur për ta thënë”, – thashë unë. – “Le të mendojmë për të gjitha gjërat që kemi bërë së bashku”.

    “A është kjo hera e fundit?” – pyeti ajo.

    I bëra bisht pyetjes. “Nga të fillojmë?” – vazhdova.

    “A është kjo hera e fundit?” – përsëdyti ajo.

    “Si thua t’ia fillojmë nga ajo vjeshtë, në vitin 1977?” – thashë unë. – “Ne morëm atë autobus rrapëllitës gjatë gjithë atyre njëzet kilometrave për të zbuluar nëse ishe shtatzënë. Çfarë rrëzalli isha atë ditë!”

    “Jo, nuk ishe”, – tha ajo.

    “Mos u përpiq të më bësh të ndihem më mirë. Isha vërtet një rrëzall”.

    “Jo, nuk ishe”, – përsëriti ajo. – “Gjatë gjithë kohës që të kam njohur, vetëm një herë je treguar rrëzall”.

    “Kur ka ndodhur kjo?”

    “Tani”.

    Marrë nga libri “Aksidenti i datës 3 prill”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË