More
    KreuIntervistaXhoina Salaj: Fuqia e padukshme e klubeve të leximit

    Xhoina Salaj: Fuqia e padukshme e klubeve të leximit

    Leximi është si kafeja:
    ka shije tjetër kur e ndan me një mik.

    Në një kohë kur zhurma e mbyt fjalën dhe nxitimi ka zëvendësuar durimin, klubi i leximit është bërë një prej vendeve të pakta ku ende mbretëron qetësia e shfletimit të faqeve. Një tryezë e rrethuar me libra, disa zëra që ndërthuren, e një faqe që hapet njësoj për të gjithë. Lexues të panjohur takohen për të ndarë jo vetëm përshtypjet për një roman, por edhe pjesë të vetes. Dhe aty, mes faqeve të një libri, lind ajo që mungon më shumë në botën moderne: bashkësia.

    Leximi ka qenë gjithmonë një akt vetmitar, një bisedë e brendshme mes lexuesit dhe tekstit. Por klubet e leximit e përmbysin këtë marrëdhënie intime, duke e kthyer në një përvojë kolektive. Në një realitet ku ekrani ka zëvendësuar librin, këto bashkësi të vogla janë një mënyrë për t’u kthyer te ngadalësia, te fjala e menduar dhe dëgjimi i vërtetë. Duket sikur i rikthejnë librit funksionin e tij më të vjetër: të afrojë njerëzit përmes rrëfimit.

    Në pamje të parë, një klub leximi është thjesht një grup njerëzish që takohen për të diskutuar rreth librave. Por në thelb, mbetet një pasqyrë e kulturës sonë të leximit. Brenda tij, librat bëhen sebep për të folur për jetën, për dashurinë, për marrëdhëniet, për plagët e përbashkëta. Diskutimet për personazhet, për mënyrën si përkthehet një fjali apo si përjetohet fundi i një romani, shndërrohen në një lloj dialogu shoqëror. Leximi i përbashkët nuk është më vetëm për qëmtimin e tekstit, por për të kuptuar shoshoqin.

    Këto klube kanë filluar të marrin forma të ndryshme: disa mblidhen në librari, të tjerë nëpër biblioteka apo kafene. Disa ndjekin linjën e autorëve klasikë, të tjerë zgjedhin bashkëkohësinë, ndërsa shumë kërkojnë libra që nxisin pyetje e jo përgjigje. Ajo që i bashkon është dëshira për të ndarë përvojën e leximit, për ta zgjatur jetën e një libri përtej faqeve të tij. Sepse kur një histori përjetohet në grup, ajo fiton një lumë dritash dhe interpretimesh.

    Në çdo takim, mes faqeve dhe bisedave, mbetet përherë një emërues i përbashkët: ndjeshmëria.  Një roman bëhet arsye për të kuptuar një ndjenjë, për të ndarë një kujtim, për të dëgjuar një histori tjetër. Për shumë pjesëmarrës, këto klube janë shumë më shumë se një pasion letrar. Janë si një formë shërimi. Një mënyrë për të gjetur veten nëpërmjet historive të të tjerëve, për të ndier se nuk je vetëm në pyetjet apo pasiguritë e tua.

    Në këtë kuptim, klubet e leximit janë një akt i heshtur rezistence kulturore, të cilat mbijetojnë përballë një epoke të rrjetëzuar, ku gjithçka matet me shpejtësinë e klikimeve. Në vend të komenteve të menjëhershme, ato kërkojnë kohë. Në vend të pëlqimeve nëpër rrjete sociale, ato ofrojnë dialog. Në vend të garës për të folur, krijojnë hapësira për të dëgjuar. Dhe në një shoqëri që rrallë e ka luksin e reflektimit, kjo është një formë e re qytetarie kulturore. Një klub leximi nuk është as pasion, as risi, por veç një ballafaqim i pyetjes shekspiriane “pse lexojmë”. Një libër që lexohet vetëm, jeton në kujtesën e një njeriu, por një libër që lexohet e interpretohet me të tjerët, merr frymë në shumë mendje e zemra njëherësh. Në këtë bashkëbisedim të qetë, në këtë kthim te zukama e fjalëve, fshihet ndoshta përgjigjja më e bukur për kohën tonë të zhurmshme: librat na bashkojnë, në mënyrën më njerëzore të mundshme.

    Kam pasur kënaqësinë t’u bashkohem shpeshherë disa klubeve leximi dhe të përfshihem në qetësinë dhe bombën me sahat që ofrojnë. Fundja, a do të flisnim siç duhej për letërsinë, nëse do t’i përmbaheshim vetëm një linje interpretimi?! Më poshtë do të lexoni një bashkëbisedim me disa anëtarë të klubeve të ndryshme të leximit, qoftë në Shqipëri apo Kosovë. Nekije Shahinasi, nismëtare dhe koordinatore e librarisë dhe e klubit “Onufri”; Rozi Mullaj, nismëtare dhe koordinatore e librarisë dhe e klubit “Albas”; Elvin Baklaj, nismëtar dhe koordinator i librarisë dhe i klubit “Dukagjini”; Xhensila Dautllari, nismëtare e klubit “Lartësi të Stuhishme”; Luan Muja, nismëtar dhe koordinator i librarisë dhe i klubit “Prizreni”.

    Xhoina: Do të doja t’ia nisim që nga zanafilla. Si lindi ideja për të krijuar klubin e leximit? Ishte diçka që erdhi natyrshëm mes miqsh e lexuesish apo një projekt i menduar që në fillim, për të afruar njerëzit me librin?

    Klubi “Onufri”: Ideja për klubin ka qëndruar pezull mes nesh për një kohë të gjatë, derisa u finalizua një pasdite pranvere gjatë një bisede me Enxhi Hudhrin. Ideja ka ardhur natyrshëm pas një sërë diskutimesh me lexues të librarisë “Onufri”, për titujt që na linin mbresa. Donim të krijonim një hapësirë ku secili të shprehte veten pa kurrfarë druajtjeje. Me pas kemi konstatuar se do të ishte një mundësi e artë për të afruar më tepër lexuesin me librin.

    Klubi “Albas”: Ideja për krijimin e klubit lindi në mënyrë krejt organike, si nevojë dhe dëshirë, si nga ne që punojmë me librin, ashtu dhe nga vetë lexuesit që shfaqin shpesh interes për të qenë pjesë e aktiviteteve letrare. Gjatë bisedave me kolegët dhe në komunikimin e përditshëm me lexuesit e librarisë “Albas”, kuptuam se ekzistonte një dëshirë kolektive për të krijuar dhe ofruar një hapësirë të përbashkët reflektimi, diskutimi dhe ndarjeje rreth librave. Kështu që, edhe pse ideja nisi si një mendim i thjeshtë mes nesh, mori formën e një projekti dhe angazhimi, për të krijuar një komunitet të gjallëruar lexuesish, të cilët, jo vetëm e duan librin, por edhe ndajnë me ne jetësimin dhe emocionin nga leximi i librit.

    Klubi “Dukagjini”: Disa vite para se të fillonim me klubin e brendshëm të leximit, së bashku me librarinë “Dukagjini”, provuam të krijonim një klub leximi onlajn. Megjithatë, ai nuk pati jetë të gjatë, pasi kërkonte goxha kohë për t’u organizuar. Kjo gjë më solli një ide tjetër, bashkë me një koleg timin në librari: të merrnim përsipër klubin dhe ta riorganizonim si një grup të brendshëm, pasi kishim kohë dhe mundësi ta bënim siç duhej. Ideja erdhi krejt natyrshëm, sepse edhe ne vetë dëshironim një vend ku të diskutonim pasionin tonë për leximin me bashkëmendimtarët, dhe libraria dukej vendi më i përsosur për një organizim të tillë.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Para një viti, bashkë me time motër themeluam një faqe artistike kulturore të quajtur “Udhë Shkronje”, në të cilën jemi përqendruar në sjelljen e kritikave, historive, artikujve e leximeve të vlefshme, të ndara në pesë rubrika: teatër, artikuj, libra, letërsi, arte pamore. Klubi “Lartësitë e stuhishme” erdhi si fryt i këtij projekti të mëparshëm më të madh. Lindi më tepër nga nevoja dhe dëshira për të diskutuar më gjerë rreth librave që lexonim, si dhe për ta mbajtur pak veten shtrënguar për të përfunduar atë listën e leximit që vetëm shtohet e shtohet.

    Klubi “Prizreni”: Aktivitetet kulturore në qytetin e Prizrenit janë shumë të njohura, duke filluar prej festivalit të filmave, aktivitete kreative e sportive, festivale të instalacioneve të ndryshme, por mungon shprehia dhe kultura e të lexuarit në publik, mungon kontakti me librin, mungojnë bibliotekat nëpër shtëpi. Ndërkohë, dashamirësit e leximit e mbajnë shumë private shprehinë e tyre, duke mos u kuptuar asnjëherë se kush lexon e kush jo. Prandaj, klubi i leximit është aktiviteti i vetëm që është gjithëpërfshirës, aty ku nuk mund të kufizohesh vetëm me letërsi, por mund të ketë edhe zhanre nga psikologjia, biznesi dhe të ftuarit mund të jenë nga profesione të ndryshme. Në kuadër të qytetit, ky klub është aktiviteti që i bashkon të gjitha kategoritë drejt një qëllimi të vetëm: leximi të jetë kulturë dhe shfaqje publike.

    Xhoina: Çdo klub leximi ka një histori të vetën, një moment të parë, një pasion që e ndez. A mund të na tregoni pak për grupin e parë që u mblodh, për mënyrën si u njohët dhe si u krijua kjo frymë bashkësie që sot e bën klubin të ndihet si një familje letrare?

    Klubi “Onufri”: Në takimin e parë kemi trajtuar librin “Lepurushi i mallkuar” nga Bora Çang, ku patëm vetëm 4 të pranishëm. Ishte e pritshme, por dhe takimi shkoi mjaft mirë. Për takimin e dytë vendosëm të diskutojmë “Kambana e qelqtë” nga Silvia Plath dhe ishte takimi që më la të kuptoja se vazhdimësia e klubit do të ishte e gjatë. Arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët menjëherë, gjë që ndodh rrallë.

    Klubi “Albas”: Takimi i parë mbetet një kujtim i këndshëm, pasi për herë të parë u njohëm nga afër me lexuesit që do të bëheshin pjesë e vazhdueshme e kësaj nisme dhe, së bashku, prej një viti, jemi përpjekur ta kthejmë në një komunitet të mirëfilltë letrar. Mikpritja e botueses, Rita Petros, ishte e ngrohtë dhe e veçantë në takimin e parë dhe një tregues i qartë i frymës pozitive dhe edukative për të rinjtë. Atmosfera ishte e bukur, një brunch miqësor dhe diskutime për librin, të cilat na treguan që nuk do të ishte thjesht një mbledhje rreth leximit, por një hapësirë ku ndahen ide, emocione dhe përjetime. Që nga dita e parë, klubi ka vazhduar të rritet dhe çdo anëtar përjeton mikpritjen e çdo takimi.

    Klubi “Dukagjini”: E mbaj mend sikur të ishte dje momenti kur klubi i leximit të librarisë sonë u çel dhe u bë ai çka është sot. Kishim për diskutim librin fenomenal të Mark Aurelit “Meditimet”, dhe pjesëmarrja ishte e madhe, pasi është një libër që ofron shumë aspekte interesante për t’u diskutuar. Frika jonë ishte se diskutimi do të shuhej pas fjalëve të para, pasi shumë nga pjesëmarrësit e klubit kishin dëshirë vetëm të dëgjonin, jo domosdoshmërisht të flisnin. Bashkë me kolegun e pamë gjatë se si ta shmangnim atë problem të mundshëm, veçanërisht gjatë hapjes së diskutimit.

    Por nuk ndodhi. Jo vetëm që patëm një diskutim të bukur, të gjatë dhe plot pyetje interesante e pika të veçanta, por u pa qartë se pjesëmarrësit u ndjenë rehat me veten dhe me librarinë. Në atë çast u bindëm se klubi do të kishte jetë të gjatë, sepse diskutimi tregoi që aty nuk kishim vetëm pjesëmarrës, por miq të librit; diçka që me kohën vetëm sa u kultivua më tej.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Kur na lindi ideja për të hapur një klub leximi, nuk prisnim që në takimin e parë do të vinte ndokush tjetër veç nesh. Megjithatë, u krijua një grup i vogël dhe shumë entuziast, u dhanë shumë mendime dhe u diskutua gjatë. Aty u ndjeva se klubi ishte një ide e mirë, jo vetëm për ne, por edhe për libradashësit që na u bashkuan rrugës, të cilët kishin qenë prej kohësh në kërkim të një hapësire të tillë.

    Klubi “Prizreni”: Gjithçka filloi me një njoftim në rrjete sociale. Ideja fillestare ishte diskutuar vetëm me profesorin tim, përveç atij, nuk kisha konfirmime dhe as kontakte me të tjerë, gjithçka varej nga njoftimi i lartpërmendur. Por ata që erdhën ishin më të mirët e qytetit, duke i kaluar të gjitha pritshmëritë e mia. Me pak fjalë, filloi shfaqja!

    Xhoina: Keni kaluar tashmë disa kohë aktivitetesh, takimesh e librash të diskutuar. Si ka përparuar ky komunitet? Si ka ndryshuar atmosfera dhe mënyra si njerëzit e përjetojnë leximin në grup?

    Klubi “Onufri”: Nga takimet e para e deri më tani klubi dukshëm ka një ndryshim rrënjësor. Nëse në fillimet tona duhej me patjetër moderimi im, tashmë zhytemi në bisedë pa qenë nevoja për drejtime a pyetje. Ndikon shumë dhe familjarizimi me njëri-tjetrin. Një pjesë e mirë e anëtarëve nuk humbasin asnjë takim dhe e bën më të lehtë komunikimin mes nesh.

    Klubi “Albas”: Klubi ka njohur një rritje të qëndrueshme dhe të bukur gjatë kësaj periudhe. Me kalimin e kohës, janë shtuar anëtarë të rinj kureshtarë, duke sjellë perspektiva të reja, me energji dhe komunikim miqësor. Atmosfera është bërë e ngrohtë, bashkëbiseduese dhe pjesëmarrësit e përjetojnë leximin jo më si një akt individual, por si një përvojë të ndarë mes lexuesve, faktor që krijon marrëdhënie dhe thellon kuptimin e leximit të asaj që quhet letërsi.

    Klubi “Dukagjini”: Evolucioni i klubit është pa dyshim pika më interesante që kam parë prej një kohe të gjatë. Diçka unike që vihet re është konsistenca e lexuesve: kemi një bërthamë pjesëmarrësish që janë të pranishëm në çdo mbledhje, dhe ata (tani) konsiderohen miq të shoshoqit. Jo vetëm tanët dhe të “Dukagjinit”, por kanë krijuar një lidhje me klubin si me një vend ku mund të diskutojnë, të pushojnë dhe të mendojnë për librat, edhe përtej atij që lexojmë në muajin aktual. Me fjalë të tjera, kemi krijuar një atmosferë tërësisht miqësore, dhe ky është pa dyshim një ndryshim që nuk e prisja të ndodhte në këtë mënyrë.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Klubi ynë ka hyrë në muajin e tretë, që është ende pak për të pasur një ndryshim të dukshëm qysh nga themelimi. Megjithatë, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër na shtohen idetë dhe përkushtimi, e pse jo, për të ndërtuar së bashku me ta një hapësirë mikpritëse.

    Klubi “Prizreni”: Takimet zyrtare mujore janë vetëm për t’u njohur e për t’u përafruar me njerëzit. Pastaj, kjo kalon në miqësi dhe takimet të tjera më të shpeshta, me biseda shumë frymëzuese. Praktikisht, klubi ka filluar të ketë një ndikim të konsiderueshëm drejt qëllimeve të veta.

    Xhoina: Zgjedhja e librit për muajin e radhës duket gjithmonë si një moment i veçantë për çdo klub leximi. Si e vendosni se cili do të jetë libri që do të diskutohet? Ju udhëheqin temat, autorët, rastësitë apo ka një proces tjetër më të strukturuar?

    Klubi “Onufri”: Njëri takim nuk i ngjan tjetrit, por gjithmonë e vendosim duke e diskutuar me njëri-tjetrin. Sugjerojmë libra që i kemi lexuar, që duam t’i lexojmë ose sipas eventeve a ngjarjeve të muajit. Po mund të them se është qershia mbi tortë e çdo takimi.

    Klubi “Albas”: Zgjedhja e librit është një kuriozitet dhe vëmendje e shtuar, pasi gjithmonë është një provë që realizojmë së bashku me anëtarët e klubit. Diskutojmë për autorët, temat, sugjerimet që sjell secili dhe me pak vështirësi arrijmë të vendosim, pasi ka libra shumë të mirë dhe kjo na ndodh me botimet “Albas”. S’dimë kë të lexojmë më parë! Ama kjo e bën përvojën më të bukur, sepse çdo anëtar ndihet i pranishëm dhe përfshihet më thellë në lexim.

    Klubi “Dukagjini”: Procesi i përzgjedhjes së librit është shumë i thjeshtë dhe ka dy faza. E para, është e brendshme, ku bashkë me kolegët shikojmë se cilët libra mund të jenë tërheqës për klubin, në bazë të disa faktorëve; e dyta, është rëndësia e librit, impakti i mëparshëm i temës së diskutimit, koha që kemi për ta lexuar etj. Të gjitha këto pika krijojnë një listë potenciale librash për klubin. Më pas, këta libra diskutohen në fund të çdo takimi me pjesëmarrësit, të cilët kanë të drejtë të shtojnë libra të tjerë në listë. Pastaj zgjedhim një libër që do të jetë leximi i muajit të ardhshëm. E konsideroj një sistem hibrid mes nesh, si librari, dhe mes tyre, si pjesëmarrës, ndaj besoj se kjo është mënyra më e mirë për të arritur te libri që jo vetëm do të ndezë diskutim, por gjithashtu do të jetë interesant për të gjithë klubin.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Zgjedhja e librit të muajit është gjithmonë e vështirë, pasi ka kaq shumë libra dhe vetëm një mundësi në muaj. Ne përpiqemi të zgjedhim letërsi të mirë, libra që mendojmë se duhen lexuar të paktën një herë nga të gjithë, por njëkohësisht libra të cilat të shijojnë dhe pëlqehen. Përpiqemi t’i përshtatemi kohës dhe tematikave. P.sh.: libri i muajit tetor qe “Frankenshtajni” i Meri Shellit, sepse përkon me festën e Hallouinit. Libri për muajin nëntor do të jetë nga një autor shqiptar, libri për muajin dhjetor do të ketë në qendër fundvitin etj. Ndonjëherë ndikon edhe përshtatja e energjisë së librit me energjinë që kemi në të vërtetë.

    Klubi “Prizreni”: Një prej qëllimeve kryesore të klubit është promovimi i autorëve të rinj. Fillimisht, mundohemi ta gjejmë hapësirën e duhur për ta. Pastaj, pavarësisht nga propozimet dhe zhanret që i pëlqejnë pjesëmarrësit, mundohemi ta formojmë listën e duhur. Këtë vit, në listë kemi gjashtë autorë shqiptarë dhe gjashtë të huaj.

    Xhoina: Jam e sigurt që jo çdo diskutim është i qetë. Librat shpesh ndezin debate, emocione, madje edhe mosmarrëveshje të bukura. A ju kujtohet ndonjë takim që ka mbetur në mendje për vrullin e emocioneve, apo për mënyrën si një libër i ndau dhe i bashkoi njëkohësisht anëtarët?

    Klubi “Onufri”: Ka qenë takimi për librin “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve”. Ka qenë një nga takimet më të zjarrta të klubit. Përveçse na ndau në dy kampe, diskutimi arriti në një pikë saqë me siguri kalimtarët do të kenë menduar se po ziheshim. Patjetër që kjo mbetet në kuadër të librit, pra diskutimi nis dhe përfundon gjatë klubit, por për ne ka qenë dhe një ndër takimet më të bukura. Do të veçoja dhe takimet për librat “Vegjetariania” dhe “Njeriu që shet gjak”, pasi dhe diskutimet për ta ishin me po të njëjtin intensitet emocionesh. Së fundmi, “Dueli” i Agron Tufas na la mbresa shumë të mira, teksa bashkoheshim dhe ndaheshim në mendime në të njëjtën kohë.

    Klubi “Albas”: Është e vërtetë që librat sjellin me vete emocione të forta dhe diskutime të thelluara, e kjo është pikërisht ajo që e bën këtë klub të zhurmshëm. Ka pasur takime që më kanë mbetur në mendje, kur kemi diskutuar për romanet: “Kënga e Profetit”, “Zonja Osmond”, “Kësulëkuqja përrallë për të rritur” etj. Secili prej librave ngjalli emocione dhe interpretime të ndryshme, duke sjellë diskutime të pasura dhe shpesh edhe ndasi mendimesh, por gjithmonë në respekt dhe dëshirë për të kuptuar njëri-tjetrin. Janë pikërisht këto momente që na kujtojnë se libri, kur ndan përjetime në komunitet të tillë, bëhet dhe më i dashur.

    Klubi “Dukagjini”: Po! Pa dyshim kemi pasur libra që kanë ndezur diskutime të thella, shpesh emocionale, por gjithmonë të bukura. Një që më ka mbetur në mendje dhe, gjithashtu, një që nuk e prisja aspak, ishte diskutimi i zjarrtë për librin e autorit turk Hakan Menguç, “Asnjë takim nuk është i rastësishëm”. Mendimet krejtësisht të kundërta për rëndësinë e librit krijuan dy kampe: njëri që shihte thellësi në mendimet e autorit, dhe tjetri që mendonte se bëhej fjalë për një iluzion të fjalëve të thata që ai shtjellonte brenda librit. Kështu, u krijua një metadiskutim për rëndësinë e librave të tillë (pra, vetëndihmës), duke qenë vetë bartës dhe fokus i diskutimit të tyre. Ishte një vrull emocional, fantastik dhe gjithashtu i thellë, pasi pozicionet e mendimeve ishin të forta dhe analizat bëheshin me dinjitet nga të dyja anët. Ishte një natë që nuk do ta harrojmë lehtë.

    Klubi Dukagjini

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Takimi ynë i parë, ku në qendër kemi pasur “Lartësitë e stuhishme” nga Emili Brontë, ka qenë një nga takimet më emocionuese. Ndoshta këtë e shkaktoi edhe vetë libri me energjinë mistike e personazhet kontradiktore. Gjatë këtij takimi u shpreh shumë mllef për secilin nga personazhet e aq më tepër për veprimet e tyre, por nga ana tjetër, te secili prej nesh kishte një anë të mbushur me mirëkuptim, madje edhe me dashuri e keqardhje. Dukej sikur binim në kundërshti me veten, por edhe pajtoheshim në të njëjtën kohë. Vetëm Emili Brontë mund ta bëjë diçka të tillë.

    Klubi “Prizreni”: Në takimet tona kemi të ftuar të ndryshëm, prej tyre edhe profesorë. Aty nuk dallohen diskutime të theksuara. Ndërsa në takimet pak më miqësore, diskutimet theksohen më shumë, por në fund mundohemi ta mbyllim bisedën me një konkluzion të përbashkët.

    Xhoina: Leximi shpesh është një përvojë e vetmuar, një botë që e përjeton vetëm me veten. Si ndryshon për ju, kur kjo botë hapet në një tryezë me njerëz të tjerë, që e kanë përjetuar librin ndryshe? Çfarë jep leximi kolektiv që nuk mund ta japë leximi vetëm?

    Klubi “Onufri”: Secili prej nesh ka mënyrën e vet të leximit dhe perceptimit të një libri, por klubi na ka bërë të jemi më pranues, si edhe të arrijmë ta shohim një libër në dimensione që nuk mund t’i çonim nëpër mend. Ka libra, që vetëm prej takimeve të klubit, kam dashur t’i lexoj për herë të dytë, për ta përjetuar dhe njëherë sipas këndvështrimeve të reja.

    Klubi “Albas”: E bukura dhe e veçanta e leximit është pa dyshim përvoja intime, por kur e ndan me të tjerët, ajo përvojë zgjerohet. Gjatë takimeve na ka ndodhur shpesh të ndajmë përjetimet tona sipas këndvështrimeve të gjithsecilit dhe ndjesia e përkatësisë na tregon se libri jetësohet në biseda, mendime dhe ndjesitë që ndajnë lexuesit me njëri-tjetrin.

    Klubi “Dukagjini”: Siç e thua edhe ti, leximi është një akt i vetmuar, i cili ndodh shpesh mes vetes dhe mendjes. Vetja nuk mund të ndryshojë, por mund të ndryshojë qasja ndaj këtij akti, dhe këtu grupet e leximit mund të bëjnë mrekulli. Për mua, si lexues teknik në natyrë, vendi ku mund të diskutohet letërsia jep dy përfitime të menjëhershme. E para, është një vend që konfirmon se nuk je vetëm dhe që ka lexues që besojnë në bukurinë e librit po ashtu si ti; një shtysë e bukur dhe e mirë për të vazhduar kryqëzatën personale të leximit. E dyta, mund të përkufizohet me frazën shumë të njohur latine: repetitio est mater studiorum (përsëritja është nëna e dijes), me të cilën kuptojmë se sa më shumë të mendosh (në mënyra alternative) për një tematikë, aq më shumë do ta kuptosh në fund. Klubi i leximit të fal një vend ku mund të dëgjosh dhjetëra perspektiva alternative, që të mundësojnë të ekzaminosh librin që ke lexuar nga kënde që nuk do t’i prisje, duke e forcuar atë brenda mendjes dhe duke e mbajtur mend gjatë. Përtej pikave teknike, ekziston edhe përfitimi emocional, ai i konfirmimit që të jep një klub leximi. Të kesh një ditë në muaj ku takohesh me njerëz që besojnë në bukurinë artistike të fjalës së shkruar është një përfitim emocional që çdo bibliofil duhet ta ketë në jetën e vet dhe që nuk zëvendësohet me asgjë tjetër.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Ne themi shpesh se një libër është një botë e tërë. Mirëpo këto mbledhjet kolektive të bëjnë të kuptosh se një libër nuk përbën vetëm një botë. Përkundrazi, një libër përbën aq botë sa ka lexues. Kur mblidhemi për të diskutuar rreth një libri, njihemi me botët e secilit prej nesh, të cilat sa janë të ngjashme, aq edhe ndryshojnë, ndonjëherë edhe në mënyra të habitshme. Është magjike të kuptosh se si vetëm disa fjalë të shtypura në letër, krijojnë botë tjetër për mua e botë tjetër për miken time. Leximi vetjak të kufizon në botën tënde, ndërkohë që duke u bërë pjesë e diskutimeve, i hap vetes dyert për të vizituar më tej shtigje që nuk e kishe menduar se ekzistonin.

    Klubi “Prizreni”: Përjetimet e një libri, mbi të gjitha janë emocione që duhet të mbesin të tilla për secilin. Por elementin që mund ta kemi si përfitim, nga njohësit e fushës përkatëse, është forma analitike e një libri.

    Xhoina: Keni përballë çdo muaj lexues të moshave e profesioneve të ndryshme. Si e përshkruani lexuesin shqiptar të sotëm, bazuar në atë që shihni në klub? Çfarë kërkon ai më shumë nga një libër: ngushëllim, reflektim, arratisje, apo thjesht një zë që i ngjan?

    Klubi “Onufri”: Asnjë lexues nuk është i njëjtë me tjetrin, por do t’i ndaja në dy grupe: ata të arratisjes dhe ata të reflektimit. Bazuar në atë çka shoh, lexuesi është i etur për më tepër, do të eksperimentojë, të shohë dimensione të tjera nga letërsia që shpeshherë lexon dhe së fundmi, një arratisje të vogël nga përditshmëria.

    Klubi Albas

    Klubi “Albas”: Ajo që më ka bërë përshtypje në klub është larmia e lexuesve: profesione, mosha dhe përvoja të ndryshme, por që i bashkon dashuria për librin. Bazuar në këto takime, mund të them se lexuesi shqiptar i sotëm është kërkues emocional. Kërkon nga libri shumë gjëra, ndonjëherë arratisje, reflektim, ngushëllim dhe, jo rrallë, një zë që i flet drejtpërdrejt, që i ngjan apo e sfidon. Në thelb, lexuesi shqiptar kërkon ndjeshmërinë. Për shembull, këtë e kam vënë re në takimin për librin “Komediania”, sepse personazhi të rebelon me naivitetin e vet.

    Klubi “Dukagjini”: Është e pamundur të definojmë lexuesit e përgjithshëm nga ata që vijnë në grup, pasi praktikisht kemi çdolloj lexuesi brenda klubit. Ajo që mund të themi në përgjithësi për ta, është dëshira për të dëgjuar mendimet e tjetrit, shpesh edhe më shumë sesa për të shprehur mendimet e veta, por dhe besimi se mund të kuptojnë librin më mirë brenda grupit është mbresëlënës. Personalisht, kjo më pëlqen shumë, pasi tregon se personat aty besojnë te ne si librari për t’i afruar me ato shpjegime, pa marrë parasysh se cili libër diskutohet atë muaj. Përtej kësaj, nuk mund të bëjmë gjeneralizime të tjera: kemi lexues të çdo lloji dhe nga çdo gjeneratë: nga studentët deri te më të moshuarit, nga lexuesit e pasionuar deri tek ata që sapo kanë filluar rrugëtimin e leximit falë klubit tonë. Gjeneralizimi i vetëm që mund të bëj është se nuk ka gjeneralizim, dhe kjo është një nga pikat kyçe të bukurisë së grupit që kemi krijuar.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Është një përzierje e të gjithave. Mendoj se, në thelb, lexuesi kërkon atë lloj ndjesie që nuk e gjen në përditshmëri. Çfarë më bën përshtypje nga lexuesit e klubit tonë, është vullneti i tyre për të mësuar, për t’u vetedukuar përmes librave e për të filozofuar për mesazhet që shkojnë përtej letrës e shkronjave. Por ndonjëherë, leximi duhet vetëm të të çlodhë, ndaj te lexuesi shqiptar gjejmë edhe konsumatorin e veprave të lehta, që përfundohen brenda një dite e që të lënë një kënaqësi më të përkohshme se disa të tjerë.

    Klubi “Prizreni”: Ne jemi bazuar në 3 zhanre kryesore: letërsi, psikologji, biznes. Nga një pyetësor i rastësishëm në profilin tonë, lexuesit janë të dhënë më shumë pas letërsisë, pastaj pas psikologjisë dhe në fund biznesi, një përqindje shumë e vogël. Në një botë shumë materialiste dhe në një vend të kategorisë së tretë, edukimi i lartë për financa dhe biznes do të kishte efekt shumë të madh, që të mos bëhemi personalitete që kërkojnë ngushëllim.

    Xhoina: Në një kohë kur leximi shpesh konkurron me ekranet, rrjetet dhe ritmin e jetës, mendoni se klubet e tilla mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë në mënyrën si njerëzit lidhen me librat? Çfarë e bën një komunitet leximi të jetë më shumë sesa një rreth njerëzish që flasin për libra?

    Klubi “Onufri”: Po, besoj se klubet e leximit mund të bëjnë vërtet ndryshim, sepse e kthejnë leximin nga një akt vetmitar në një përvojë të përbashkët. Në një kohë kur jeta është e shpejtë dhe vëmendja shpërndahet nëpër ekrane, një komunitet i tillë krijon hapësirë për reflektim, ndarje emocionesh dhe dialog të vërtetë. Ajo që e bën një klub leximi të jetë më shumë sesa një grup njerëzish që flasin për libra është lidhja që krijohet përtej tekstit, ndjesia e përkatësisë, dëgjimi aktiv, mënyra si një histori e përbashkët bëhet pretekst për të kuptuar më mirë veten dhe botën. Në fund, libri bëhet urë, jo qëllim.

    Klubi “Albas”: Ne jemi një grup lexuesish që kohën e ndajmë midis punës dhe pasioneve tona, siç është dhe leximi i librave. Duke qenë se jemi një grup lexuesish të rritur, ndonëse nuk jemi të lidhur ngushtë me rrjetet sociale, i përdorim ato me qëllim për të ndarë përshtypjet tona dhe dashurinë për libra dhe autorë. Nuk jemi aty për të qëndruar gjatë, por për të përcjellë çdo mesazh libri, çdo ndjesi të mirë. Klubi ynë krijon një hapësirë të vërtetë, ku leximi nuk konkurron me ekranet, por i tejkalon ato duke u kthyer në një përvojë të sinqertë, qe na afron me njëri-tjetrin, me librin dhe me mënyrën më të natyrshme të mundur.

    Klubi “Dukagjini”: Nuk e mendoj, Xhoina, e di! Vendet ku mblidhen njerëzit me dëshira të ngjashme shumë shpesh krijojnë hapësira të sigurta, safe haven, ku ata mund të shprehen lirisht për diçka që në ditët e tyre të zakonshme nuk kanë domosdoshmërisht mundësi ta bëjnë. Pra, vendi që lejon një gjë të tillë bëhet shumë i vlefshëm për personat që angazhohen brenda tij. Edhe pse nuk ndodh shpesh, vetëm një ditë në muaj, pasditen e asaj dite, personat që dëshirojnë librin dhe diskutimin rreth tij e gjejnë plotësisht veten, dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për ata që e kërkojnë një gjë të tillë. Po flas si pjesëmarrës dhe si koordinator në të njëjtën kohë, pasi kam qenë në të dyja rolet. Ne nuk pretendojmë se mund të konkurrojmë me botën e shpejtë të ekraneve; ajo që duam është të krijojmë një hapësirë për ata që duan të ndryshojnë diçka për veten e tyre, dhe aty klubi i leximit është një panacea.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Libri dhe ekrani nuk janë armiq, madje ata mund të bashkëjetojnë. Mund të marrim shembull faktin që klubi ynë nisi onlajn, e më pas u bë fizik. Në këtë kohë dixhitale duhet t’i përdorim mjetet dhe teknologjitë e reja në dobinë tonë, për të shpërndarë sa më shumë sugjerime, kritika, këshilla, mendime e për të afruar libradashësit me njëri-tjetrin. Punë të tillë e bëjnë më së miri klubet letrare, të cilat gjithashtu vijnë si njëfarë kujtese se duhet ta marrim më shtruar, të ulim ritmin, të marrim një libër në dorë dhe të lexojmë qoftë edhe veç disa faqe në ditë. Një komunitet leximi mbledh njerëz të ditur, njerëz të formuar, të kulturuar, një rini me vlera që e çon përpara vendin e nuk bie pre e grackave politike e propagandistike.

    Klubi “Prizreni”: Ata që lexojnë nuk janë njerëz të zakonshëm. Ata e kanë manualin se si ta lëvizin botën. Komuniteti i leximit bën pjesë te shoqëritë elitare që përfaqësojnë një vend të caktuar. Shembull konkret është viti 1989, kur në Kosovë u formua për herë të parë Partia Demokratike nga Lidhja e Shkrimtarëve, e cila e shënjoi historinë e vendit me arritje sublime.

    Xhoina: Cilat janë disa nga librat që kanë ngjallur reagimet më të forta në takimet tuaja? Ka pasur ndonjë libër që i ka befasuar të gjithë, për mirë apo për keq, ndoshta një që nuk e prisnit të prekte kaq shumë njerëz?

    Klubi “Onufri”: Thuajse çdo libër ka dalë jashtë pritshmërive të lexuesve (kryesisht për mirë). Do të përmendja librat “Kukulla” nga Ismail Kadare, “Simfonia Pastorale” nga Andre Gide, “Pavijoni 6” nga Çehovi, “Horla” nga Mopasani, “Kambana e qelqtë” nga Silvia Plath. Janë tituj që besoj asnjëri prej nesh nuk e priste që të ngjallnin aq polemika në klub. Besoj se secili na ka habitur dhe prekur njëkohësisht.

    Klubi “Albas”: Gjatë takimeve, kemi pasur shumë libra që kanë ngjallur reagime të forta, emocione të papritura, diskutime etj. Një nga librat që na ka befasuar në diskutim të bukur e plot feminilitet ishte “Lindur së Prapthi” nga Rita Petro, libri i takimit të parë. Po njësoj diskutime të forta ka pasur edhe “Bija e Varrmihësit”, “Macja dhe Miu”, “Fizika e Trishtimit”, “Gjinj dhe vezë”. Libra që i kemi zgjedhur herë me ngurrim, herë me ndrojtje, e herë me ngazëllim, por që kanë lënë gjurmë te ne.

    Klubi “Dukagjini”:Përmenda më sipër librin e Menguçit, i cili ngjalli një debat të zjarrtë dhe që tejkaloi edhe hapësirën e librit vetë, por nuk ishte i vetmi që më tërhoqi më shumë te klubi i leximit që kemi në librarinë “Dukagjini”. Nderi i përket librave të historianit Juval Noa Harari, të cilët i kemi diskutuar disa herë dhe që kanë ngjallur debate të veçanta, jo vetëm nga aspekti shkencor dhe historik, por edhe për nga botëkuptimi universal i ekzistencës. Diskutimi shkoi deri tek ekzistenca e Zotit, një hapësirë e jashtëzakonshme diskursi që ishte krejtësisht unike, magjepsëse dhe e papritur për një libër historik në thelb. Pa dyshim, ishte një diskutim që nuk e prisja, por një që nuk do ta harroj sa të jem gjallë.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Duke qenë se klubi ynë ka mbajtur deri më sot dy takime mujore, nuk kemi pasur ende një mori librash apo lexuesish, nga të cilët mund të veçojmë ndjesitë e lartpërmendura.

    Klubi “Prizreni”: Duke qenë se shumë nga ne janë të përqendruar në zhanre të ndryshme, kemi qëllim që të prekin sa më shumë zhanrin e njëri-tjetrit. Kjo ka ndodhur gjithmonë dhe gati-gati çdo sugjerim, rezulton me përshtypje të mira.

    Xhoina: Përkthimet kanë një rol thelbësor në mënyrën si lexuesi shqiptar e përjeton letërsinë botërore. A e vini re këtë gjë gjatë diskutimeve? A ndikon cilësia e përkthimit në mënyrën si pritet një libër në klub?

    Klubi “Onufri”: Është një nga pyetjet tona më të shpeshta kur zgjedhim librin e radhës. Na ka ndodhur me disa tituj që kanë përkthime të ndryshme në shqip, ku dashur pa dashur, jemi ndarë në dy grupe përkundrejt librit, se cilin do të zgjidhnim.

    Klubi “Albas”: Duke qenë se përkthimi ka pa dyshim rol kyç në mënyrë si e përjetojmë një libër që lexojmë nga letërsia e huaj, këtë e kemi ndier gjatë diskutimeve. Për shembull, kur kemi zhvilluar takimet për romanin “Kafsha e zemrës” ku përkthyesja Anna Kove ishte e pranishme dhe na reflektoi edhe botëkuptimin e Mylerit, po njësoj ndodhi edhe me përkthyesin Granit Zela, për tetralogjinë “Lepuri” nga Xhon Apdajk, si dhe “Zonja Osmond” nga Xhon Banvill. Duke pasur fatin të ftojmë përkthyesit, kjo e ka pasuruar përvojën tonë të leximit në grup, dhe jo vetëm. Kur lexojmë autorë shqiptarë, ftojmë vetë autorin dhe kjo e bën edhe më të bukur lidhjen tonë me librin, ndaj e vlerësojmë punën tonë të heshtur, por të bukur për lexuesit edhe jashtë klubit të leximit.

    Klubi “Dukagjini”: Pa asnjë dyshim, përkthimi është një nga pikat kyçe të diskutimeve tona, veçanërisht atëherë kur vërehen ndryshime në cilësinë e përkthimeve nga një gjuhë në tjetrën (veçanërisht nga anglishtja në shqip). Duke qenë se shumica e anëtarëve të klubit lexojnë libra në gjuhën angleze, krahasimet me përkthimet në gjuhën shqipe bëhen edhe më të theksuara, veçanërisht te letërsia që ekziston në të dyja gjuhët dhe që na bie në dorë gjatë diskutimit. Ka pasur raste sikurse me: Mark Aurelin dhe Franc Kafkan, ku përkthimet ishin pika kyçe të diskutimit. Disa nga librat janë lexuar disa herë (në disa gjuhë) nga pjesëmarrësit e klubit, dhe aty dallimet në cilësinë e përkthimit bëheshin qartazi pika e parë e vëmendjes, veçanërisht nëse përkthimi ishte i mangët, gjë që ndodhte herë pas here. Por përgjithësisht, lexuesit tanë lexojnë në gjuhën angleze, ku përkthimi është problem shumë herë më i vogël.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Përkthimi në rastin e leximit të letërsisë së huaj ka rëndësi thuajse sa vetë libri i shkruar. Ne, për të shmangur braktisjen e një libri vetëm për shkak të përkthimit, përpiqemi që të gjejmë e të sugjerojmë përkthyes që bëjnë punë të mirë e që mund t’u zihet besë.

    Klubi “Prizreni”: Ne kemi këtë parim: “Përkthimet janë gjuha e përkthyesit dhe jo e autorit”. Prandaj, përkthyesit duhet të jenë shumë profesionistë që lexuesit ta përjetojnë si duhet një libër të caktuar.

    Xhoina: Ka njerëz që duan të lexojnë, por ndihen disi jashtë kësaj bote, ose nuk e dinë ku ta nisin. Çfarë do t’u thoshit atyre: pse ia vlen të ulesh në një tryezë leximi, të ndash ndjesitë për një libër, të bëhesh pjesë e këtij klubi që krijon miqësi përmes fjalës?

    Klubi “Onufri”: Së pari, klubi të nxit që të lexosh. Libri që zgjedhim është si një detyrë shtëpie që duhet ta përfundojmë, ndaj nëse dikujt i mungon kjo konsistencë, mund ta gjejë në një klub. Së dyti, librat që zgjedhim janë nga më të ndryshmit, andaj mund të zbulosh veten dhe letërsinë që të pëlqen më tepër. Së treti, klubi të ndihmon të dalësh nga flluska jote dhe të krijosh marrëdhënie të reja që secili prej nesh i mban pranë zemrës. Leximi është si kafeja: ka shije tjetër kur e ndan me një mik.

    Klubi “Albas”: Do t’u drejtohesha që nuk ka kohë të gabuar për të nisur të lexosh apo për t’u bërë pjesë e një klubi leximi. Ne jemi të mirëpritur për çdo anëtar të ri dhe madje ndihemi mirë kur kemi vazhdimisht kërkesa të tilla. Klubi i leximit nuk është një tryezë e lexuesve të përsosur, por për njerëz që duan të dëgjojnë, të ndajnë dhe të ndihen pjesë e një bisede të sinqertë. Është një vend ku fjalët na afrojnë, librat na bëjnë të shkëputemi nga rutina, dhe është qoshku më i bukur i diskutimeve në çdo muaj që takohemi dhe ndajmë përvojat tona. Mjafton një hap i vogël, një libër, një karrige bosh që pret lexues të na shtohen me dëshirën e mirë për të qenë pjesë e klubit.

    Klubi “Dukagjini”: Gjëja e parë që do të doja t’u thosha personave të tillë është të mos frikësohen nga diskutimi, pasi leximi do t’i shtyjë të dashurohen me grupin, ashtu siç u dashuruan me librin vetë. Të krijosh miq për një gjë që e do, është gjithmonë diçka e mirë, dhe klubi i leximit është një nga mënyrat e përsosura për të krijuar miq, sidomos për ata që dëshirojnë të lexojnë. E dyta është se vlera e një tryeze të tillë është e madhe, por ndryshon për secilin lexues. Me fjalë të tjera, secili do të nxjerrë diçka tjetër prej saj, dhe pa e provuar vetë, nuk do ta dish. Prandaj, provoje dhe kënaqu me atë që do të fitosh nga takimet tona, qofshin miqësi të jetës, diskutime unike apo perspektiva të papritura rreth temave që mendoje se i njihje. Klubi i leximit ia ofron të gjitha këto një bibliofili, por edhe pafundësisht më shumë.

    Klubi “Lartësi të stuhishme”: Për të gjithë lexuesit e rinj, kryesorja është të nisen nga diku, nuk ka rëndësi se ku. Le të jetë diçka tërësisht e lehtë për t’u kapërdirë e për t’u shijuar, pasi në çastin që ke nisur të lexosh rregullisht, shija në lexim përmirësohet me kohën. Leximi ka dobi afatgjata dhe është i domosdoshëm për të pasur një shoqëri të shëndoshë. Ndihmon në përmirësimin e komunikimit, zhvillimin e imagjinatës, pasurimin e fjalorit, por dhe shumë më tepër. Përmes librave edukohesh, bëhesh më njerëzor, njihesh me histori, njerëz, vende të largëta por që ndihen aq të afërta, si dhe përjeton një katarsis të plotë shpirtëror.

    Klubi “Prizreni”: E mira e parë që vjen nga leximi është përqendrimi, kudo dhe te gjithçka. Në momentin që krijohet bindja për të lexuar, çdo gjë është më e lehtë. Kjo duhet të vijë natyrshëm në privatësinë e tyre, pastaj klubi është një hap tjetër më i madh. Ne kemi menduar që klubi duhet t’i ofrojë hapësirë të veçantë edhe atyre që duan të vijnë vetëm për të dëgjuar, pa u bërë pjesë e diskutimeve, në mënyrë që ta gjejnë frymëzimin për të lexuar librin e duhur, qoftë edhe në shtëpinë e vet.

    Ndërkohë që po shkruaja këtë artikull, mora një ftesë për t’iu bashkëngjitur klubit më të ri në Tiranë, i krijuar nga studentët e Departamentit të Letërsisë, në Universitetin e Tiranës. M’u ndërmendën orët e Teorisë dhe Kritikës, me profesoreshë Dhurata Shehrin dhe Persida Asllanin, të cilat i mëshonin pafund njohjes me autorët dhe përkthyesit e letrave shqipe, të cilët konsideroheshin mali kryesor që duhet të ngjisnin studentët e letërsisë. Noel Boci, një nga nismëtarët dhe koordinatorët e këtij klubi, shprehet:

    Klubi i Leximit dhe Kritikës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u themelua rreth pesë vjet më parë, por vitet e fundit aktivitetet nuk zhvilloheshin aq shpesh dhe nuk kishte pjesëmarrje të madhe nga studentët. Kështu, së bashku me tre studentë të tjerë të fakultetit, dhe me mbështetjen e pedagoges sonë Prof. Dr. Dhurata Shehrit, vendosëm të rinisim me veprimtaritë e klubit. Kemi planifikuar takime të përmuajshme ku do të diskutojmë për librin e përzgjedhur të muajit dhe synojmë që në këto takime të jenë të pranishëm edhe autorë/e, përkthyes/e, redaktor/e apo botues/e. Kemi menduar që përgjatë vitit të përzgjedhim libra dhe autorë fitues apo të nominuar për çmime të ndryshme. Konkretisht, takimi i parë i klubit, që do të zhvillohet në nëntor, do të jetë për romanin “Pallati i dëshpërimit”, me pjesëmarrjen e autores së romanit, Ena Bulkun, fituese e çmimit të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Më tej synojmë të vijojmë me: Romeo Çollakun, nominuar për Çmimin Europian të Letërsisë, për romanin e tij “Mjaltë në teh”; me Astrit Beqirajn, përkthyesin e romanit “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve” nga Olga Tokarczuk, fituese e Çmimit Nobel; me Diana Kastratin, përkthyese e romanit “Mosha e brishtë” nga Donatela Di Pietrantonio, fituese e Çmimit Strega dhe shumë të tjerë, në varësi të librave apo autorëve të tjerë që do të vlerësohen me çmime gjatë kësaj periudhe, duke forcuar edhe më tepër raportin mes autorit, përkthyesit dhe lexuesit të sotëm. Pjesëmarrës do jenë kryesisht studentë të Baçelorit dhe të Masterit në FHF, por të ftuar do të jenë edhe studentë Alumni të këtij fakulteti.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË