More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Kujtesa, libri dhe interneti

    Xhevair Lleshi: Kujtesa, libri dhe interneti

    1

    Dihet: mundësia e vetme për të zgjeruar kujtesën tonë varet nga teknologjia. Pastaj zë të studiosh pjesët e tjera që mbeten prej saj. Duket se kujtesa është e kënaqur dhe e rrëmbyer nga kurioziteti veskeq drejt internetit. Kjo mund të çudiste këdo që shprehte interes. Doemos gjithçka lidhej me librin, ndonëse shpesh me pamje të hutuar dhe tronditëse. Si një fëmijë. Si një vajzë që fillon të rritet, e cila zbulon nëpërmjet internetit (teknologjisë) pubertetin e saj. Me ngadalë kushdo të jetë, sidomos lexuesi, hap krahët për të mbështjellë përreth vetes në mënyrë të shëndetshme, për të vrojtuar përpara dhe prapa, patjetër duke u ndalur në profil për të parë çdo gjë. Dhe e përfundon kënaqësinë e tij me një lojë të çuditshme kujtese, e cila ka filluar të transformohet në një kohë me librin dhe vetë internetin, në të njëjtën kohë në mënyrë të rrezikshme dhe magjepsëse. Ky trekëndësh magjik e trondit së pari kujtesën, i ndan mendjet tona me internetin që sa vjen dhe bëhet i paqartë e që rrotullohet pranë me fërgëllima të vazhdueshme.

    Mes nesh ka zënë vend përshtypja sikur i dimë të gjitha ato që mund të gjejmë në google. Ja, dikush i ulur, sodit dhe kërkon të verifikojë në telefonin e tij celular. E pastaj kap me sqepin e mendjes së tij ‘peshkun’ e duhur, cironkën e panjohur. Ajo i fut frikën. Telefoni celular i rrëshqet nga dora. Në atë çast sheh veten ashtu siç është dhe edhe ajo i pështiroset. Ja si erdhën punët: brenda tre muajve, dijet dhe informacioni nëpërmjet librit dhe internetit ia kanë bastarduar jetën dhe tani ai ndihet i prishur e i zvetënuar deri në palcë, prej atyre gjërave që as do t’i kishte menduar ndonjëherë më parë. Gjithçka ishte e destinuar të kalbej brenda tij, në këto momente.

    2

    Wegner, një social-psikolog mjaft i dëgjuar kohët e fundit, pas viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e deri sot, profesor në Universitetin e Harvardit, duke u marrë me themelin e teorisë së tij të kujtesës transaktive, mendon ku të gjejmë informacione konkrete e të rëndësishme, ndoshta të pagdhendura në kujtesë, por duke zgjeruar kufijtë e territorit tonë mendor. Sipas tij ne jo vetëm magazinojmë të dhëna në trurin tonë, por gjithashtu këtë e bëjmë duke përdoruar edhe ato të njerëzve të tjerë. Ai nënvizon se asnjëri s’i mban dot mend të gjitha. Informacionet nga të tjerët (mendjet e tyre) ne mund t’i marrim duke pyetur nëpër libra dhe në kiber-memorien gjigante. Dhe nënvizon se shpikja e alfabetit është akoma më revolucionare se interneti, sepse ky ndërtoi së pari e mbi të gjitha kujtesën e përbashkët të përhapur e të arritshme nga të gjithë. As dìjen dhe as të gjithë letërsinë nuk mund ta nxërë një mendje e vetme, por falë librave secili prej nesh i gjen dyert e hapura për të gjitha rrëfenjat dhe tërë njohuritë ekzistuese…

    Lexuesi ka një çast kthjellimi të ndërgjegjes për ta parë të keqen në sy dhe vë re çrregullimin që ka sjellë ky fermentim: ai është shkatërruar, një pozicion shoqëror që thyhet e vithiset. Dhe, pa mundur t’i shkëpusë sytë prej të vërtetave, që ai i vështron ngultas, duke u përpjekur të imponojë veten që të mbushet me neveri, sepse nuk është një punë e lehtë. Lexuesi i di edhe përparësitë që shter kujtesa në kohët moderne të internetit.

    Dhe vjen një çast që kujtesa rëndon mbi librin, që është produkt i shkrimtarit dhe jo vetëm. Kushdo e sheh këtë edhe me sytë mbyllur, e shpreh me gojën pak të hapur, me fytyrën e kredhur në një qeshje të trembur; kurse, më pas, hedh vështrime të reja, duke ndërtuar situata të pabesueshme ndonëse në dukje të kapshme dhe konkrete. Edhe libri hyn i përkulur dhe me ije të tendosura, madje ngjan me zotërimet amazonike, me një gjoks të fortë prej luftëtari të paepur dhe të epuar, me muskuj të fuqishëm nën lëkurën e rënduar nga mjedisi. Pastaj, një linjë e hollë e delikate, me një valëzim i butë zbret nga shpatullat, te gjoksi e deri poshtë te këmbët… 

    Libri në kohët moderne ndjek këtë profil kaq të bukur, ato linja që kthehen në rreze të praruara, ato forma të rrumbullta ku flaka e diturisë hedh reflekse mëndafshi.

    Libri, tek ne i pranguar nga pushteti, na sjell ndërmend frikën e tij të vjetër për bibliotekat e munguara, për libraritë (ato pak që janë!) të ngopura e të mbingarkuara, duke e lënë çdo gjë ashtu në gjendje të egër njëkohësisht.

    Libri ka me vete misterin tronditës e sugjestionues, në gjithë vagëllinë e tij. Kjo duket e pavetëdijshme si forcë, që vetëm me aromën e saj shkatërron botën.

    Libri vështron e vështron, i fiksuar, i turbulluar, gjersa mbyll qepallat, që të mos shohë më, atë që del përsëri në thellësinë e hijeve të trurit njerëzor dhe kibernetik, si një gjë e fuqishme, e tmerrshme, sugjestionuese në qëndrimin e tij dhe ai e kupton qartë se tani është aty, përpara syve të monstrës së modernizmit indiferent dhe kështu, duke munguar kujdesi i shtetit për ta çuar librin tek bibliotekat në shërbim të njerëzve, mbetet përgjithmonë i uritur…

    3

    Në kushtet e sotme libri shqip po kruspulloset në vetvete. Shoqëruar me një fërgëllimë dhembshurie që duket se kalon nëpër gjymtyrët e tij. Sytë i ka të lagur, mblidhet e zvogëlohet, si për t’u ndier më mirë ashtu. Pastaj, i lëshon duart, duke i rrëshqitur lehtazi gjatë faqeve të tij, të cilat i shtyp me një shtrëngim tërë nervozizëm. Pastaj tretet në një vetë-përkëdhelje, i pakënaqur. Goja e tij shfryn mbi këdo vetëm dëshirë të përqeshur, tallëse. S’duron dot, zgjat të qeshurën pakuptim, që, edhe ajo, i shfaqet në pasqyrë. 

    Pra, libri shqip i tronditur në themel, psherëtin ngadalë, gjatë. Kjo ‘kënaqësi’ vetëm sa ia merr shpirtin. Papritur, të gjitha zgjidhjet që janë menduar, rrëmbehen e flaken përjashta shoqërisë, si nga një erë e fortë. Vrulli i një pasioni të paparë, të egër, të çuditshëm e mban ende gjallë, ndërsa për ironi të fatit të tij shteti bërtet me të madhe ‘gjoja për ta ndihmuar’ madje e bën që të kërcejë dhe të sulet drejt saj, e mbërthen dhe e shtrëngon fort lexuesin e parë që kap rob dhe e shtrin në tapet.

    A thua se libri shqip është i ndërgjegjshëm për disfatën, për shkatërrimin e tij? Ai, megjithatë, e shikon marrëzinë, hipokrizinë, poshtërsinë dhe gënjeshtrën, por prapë e kërkon, të mbijetojë, të mbetet në jetë falë punës së shkrimtarëve shqiptarë, një punë heroike, e papaguar, e pa vënë re, madje edhe e tallur dhe pa pikën e vlerësimit.

    Sidoqoftë, ne shpresojmë që libri ta mbledhë veten. Interneti nuk është kundërshtar i librit, sepse ai e ka pjesë të tijën si teknologji. Po edhe si inteligjencë artificiale. Madje ky është pozicioni i tij i preferuar, ndonëse të përgjigjet turbull-turbull, ngaqë s’ia ka qejfi që të ndodhë ndonjë skenë e pakëndshme, pikërisht tani. Nga ana tjetër, shoqëria pohon se di edhe ndonjë pikë të dobët të vetë librit. Pas kësaj, siç ndodh para syve tanë, bie një heshtje e gjatë mes librit dhe shoqërisë, madje kjo e fundit duke e parë vëngër, ndonëse është shoqëri sipërane e spektaklit.

    Libri do të kishte dashur të gjente një mënyrë të pranueshme, sepse ishte gjithmonë në një pozitë jo të mirë, padyshim i mërzitur shumë kur lëndon ndonjë element tjetër.

    4

    Mund të mendojmë ashtu siç parathoshte Sokrati se jemi kthyer në një grup injorantësh mburravecë. Apo që, falë shkronjave, jemi pjesë e trurit më të madh e më të zgjuar që ka ekzistuar kurrë ndonjëherë. Koha moderne e internetit e përmban këtë fakt, nga frika se mos po flet tepër, ndaj dhe merr një pamje kryelartë, superiore, e kënaqur me mendimin e vetë se është mrekullia e ditës. Ka zëra gjithashtu që thonë se interneti mbetet gjithnjë i gjorë, por që, sidoqoftë, duhet trajtuar me respekt. Për rrjedhojë edhe libri.

    Borhesi, që bën pjesë në grupin e mendimtarëve të mëdhenj, thotë: “Nga mjetet e ndryshme të njeriut, më i habitshmi është, pa dyshim, libri. Të tjerat janë zgjatime të trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatime të shikimit të tij, telefoni si zgjatim i zërit, pastaj kemi parmendën dhe shpatën – zgjatime të krahut të tij… Por LIBRI është tjetër gjë: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës.

    Shkrep kështu një ide e këndshme që të bën të vësh buzën në gaz, duke e parë çdo gjë me vëmendje. Dhe duke qeshur edhe më fort, e lë këmbën të rrëshqasë dhe vete nëpër tym drejt ditëve tona, kohës, duke menduar thellë në përqafim të internetit si shpikësi i madh, por megjithatë si shkatërrues po aq i madh i kujtesës. Nuk mësohet më tabela e shumëzimit sepse para syve tanë kemi makinën llogaritëse, telefonin celular, kujtesën artificiale. Por ja që s’ka kujtesë artificiale në botë të përkthejë tregimet e Gorkit, apo Turgenjevin etj., si Mitrush Kuteli i madh, me një shqipe të përsosur. Vdiq Mitrushi, por shqipja kërkon Mitrushë të tjerë, të rinj, që ta mbajë gjallë në kujtesë fjalën e bukur. 

    Mirëpo historia zhvillohet gjatë një epoke të errët dhe në një vend ku praktikisht është e ndaluar të lexosh (jo me dekret, as me urdhra, por duke e lënë vendin pa BIBLIOTEKA ! Vetëm Tirana duhet medoemos të ketë mbi dymijë biblioteka të  niveleve të ndryshme.) Zjarrfikësit nuk merren më me shuarjen e zjarreve, por me … indiferencën ndaj librit, ndonëse pushteti deklaron që gjithë njerëzit të jenë të lumtur. Nuk thuhet, por nënkuptohet që gjithë librat qenkan të dëmshëm, ose përplot ide të dëmshme, dhe, përveç kësaj, leximi në vetmi të shpie në melankoli. Për rrjedhojë shoqëria duhet të jetë e mbrojtur nga shkrimtarët, të cilët e infektojnë me mendime të liga.

    Shkrimi dhe kujtesa nuk janë kundërshtarë. Në fakt, gjatë historisë njëri ka shpëtuar tjetrën dhe anasjelltas: shkronjat ruajnë të kaluarën, po ashtu edhe kujtesa ruan librat e persekutuar.

    Ne na shoqëron kurdoherë epoka e madhe e librit. Ato flasin për tallazin e ditëve të afërta e të largëta, kapen fort pas ndjesive që përjetojnë njerëzit. Ndërkohë ato lidhen me fjalë të pabindura, të parespektueshme, që herë-herë përplasen me vlerat e epokës që jetojmë. Që nga koha e Arkilokut kështu ka qenë. Megjithatë libri e ruan pozicionin në fushën e betejës, pa u tërhequr dhe pa ua mbathur këmbëve. Libri bart sinqeritetin sfidues. Nganjëherë i hap derën edhe një shkrimi arrogant, bën të kundërtën e dëshirave, jep frymën e fundit kur nuk duhet…

    Nëse bota është kriptike, e fshehtë, atëherë edhe gjuha e përshtatshme për ta paraqitur atë do të jetë e paqartë, misterioze dhe e vështirë për t’u deshifruar…

    5

    Realiteti i librave shpjegohet si një tension i përhershëm, luftë mes të kundërtave. Dita dhe nata, qëndrimi zgjuar dhe gjumi, jeta dhe vdekja që shndërrohen në njëra-tjetrën dhe ekzistojnë vetëm në të kundërtën e tyre. Libri ndërkaq është edhe mister, sepse sëmundja ta bën të dashur shëndetin dhe mbi të gjitha libri, dija, thotë duke nënvizuar fort se çelësi i gjithçkaje është NDRYSHIMI. Asgjë nuk rri. Gjithçka rrjedh.

    Ky ndryshim e bombardon me pyetje, duke e pyetur për gjithçka, duke i kërkuar edhe hollësitë më të imëta. Dhe pastaj natyrisht shkulet së qeshuri, me ca shpërthime të papritura që e bëjnë të përdridhet nga drita dhe zjarri i madh që djeg shpirtrat, ndërkohë që e lë mënjanë ndrojtjen dhe të rrëfen rrugën e duhur.

    Ndryshimi nuk ndien më asnjë lloj shqetësimi, madje ka filluar të argëtohet disi, teksa flet e tregon histori njerëzore. Vetëm se ai i zgjedh fjalët, pasi ende nuk ndihet i çliruar plotësisht nga droja e kohës që kalojmë. Kështu që e përfundon rrëfimin e tij sipas shprehjes së përshtatshme ‘për të bërë gjëra të mëdha’! Ndryshimi që buron nga librat, tashmë i gjallëruar, zë e pyet për çdo gjë, si të ishte një krijesë e mrekullueshme. Mirëpo ekzibicionizmi me çdo lloj mënyre nuk është një fenomen ekskluzivisht bashkëkohës.

    Sido, ne në Shqipëri jemi mbërthyer nga ethet e librave.

    Maj 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË