More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhavit Beqiri: Libri i jetës i studiuesit Fatmir Toçi

    Xhavit Beqiri: Libri i jetës i studiuesit Fatmir Toçi

    Hyrja

    Sado që më shumë e parapëlqej shtegun e gjuhësisë së tekstit, që na orienton kah studimi i tekstit si një njësi e plotë e komunikimit, me përqendrim të fortë veçmas në kohezionin dhe koherencën e tekstit, kur është fjala për librin që po e përurojmë sot, Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë të autorit Fatmir Toçi, propozoj një qasje që më tepër anon kah kritika gjenetike, e cila, në vend që ta analizojë veprën si një tekst të mbyllur, sugjeron të hetohet si është shkruar ajo vepër, cila ka qenë rruga që ka përshkuar autori nga ideja fillestare deri te versioni i botimit.

    Natyrisht, nuk them se ky tip leximi është më i miri apo më i përshtatshmi, por besoj se vetë vepra e Fatmir Toçit, me informacionet, me dokumentet arkivore, me fotografitë, tabelat, hartat dhe të dhënat e tjera të pafundme që përmban, është ajo që na e imponon këtë qasje leximi, këtë tip interpretimi.

    Për ta lexuar dhe për ta kuptur mirë këtë vepër kapitale, besoj se është shumë e dobishme të shikohen dhe të dëgjohen edhe intervistat që ky studies ka dhënë për televizionet dhe mediat e tjera të informimit, në të cilat ai me duresë, saktësi dhe argumente të shumta flet për botën arbëreshe që nga fillet e saja të para deri në ditët e sotme.

    Strukutura e librit

    Vështruar nga aspekti shkencor, libri i ka të gjitha parametrat e duhur për t’u cilësuar një monografi e mirëfilltë shkencore. Duke e analizuar me kujdes strukturën, metodologjinë dhe diskursin e Toçit, mund të thuhet pa asnjë hezitim se kjo vepër dëshmon përgatitje e kompetencë të lartë teorike të tij si në raport me objektin e temës, ashtu edhe me konceptet dhe rezultatet që synon një tip i tillë hulumtimi. Për më tepër, nëse tani na lejohet me u kthye sërish te parimet e gjuhësisë së tekstit,  autori ka arritur me elegancë ta zotërojë organizimin e tekstit të temës, pasi që tregon siguri e maturi, si kur është fjala për koherencën gjuhësore-sintaksore (topikën/rendin e fjalëve në fjali), ashtu edhe për atë teorike e aplikative.

    Po e spikas këtë tipar, këtë veçori të kësaj vepre të Toçit, sepse vërtet duhet shumë shkathtësi (edhe gjuhësore), shumë punë e këmbëngulje për ta zontue e për ta shtrue rrjedhshëm, me qartësinë kumtuese e me akribinë  e domosdoshme shkencore një material kaq voluminoz, që është hartuar pas hulumtimeve të gjata nëpër arkivat dhe bibliotekat e të gjithë Italisë.

    Sa i përket strukturës, përveç pjesëve të ashtuquajtura paratekstuale, si: Parathënie, Falënderime, Bibliografia, Treguesi i emrave të përveçëm dhe Treguesi i emërvendeve, libri përman një Hyrje: Arbëreshët – Një histori mbijetese, si dhe një Shtojcë, në të cilën janë përfshirë pesë tabela me të dhëna të detajuara për vendbanimet e arbëreshëve të Italisë, emigracionin shqiptar në shek. XII–XVIII sipas rendit kronologjik, famullitë dhe kishat e ritit bizantin në Eparkinë e Ungrës (Lungros) në Kalabri, në Eparkinë e Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe famullitë e kishat arbëreshe që kanë kaluar nga riti bizantin në ritin latin. 

    Ndërsa, tetëmbëdhjetë kapitujt janë sistemuar sipas këtij rendi: I. Krahina e Abrucos, II. Krahina e Bazilikatës, III. Krahina e Emilia-Romanjës, IV. Krahina e Kalabrisë, V.  Krahina e Kampanjës, VI. Krahina e Lacios, VII. Krahina e Liguries, VIII. Krahina e Lombardisë, IX. Krahina e Markes, X. Krahina e Molizes, XI. Krahina e Piemontit, XII. Krahina e Puljes, XIII. Krahina e Sardenjës, XIV. Krahina e Sicilisë, XV. Krahina e Toskanës, XVI. Krahina e Umbries, XVII. Krahina e Venetos, dhe XVIII. Ndarja kishtare. Kisha bizantine arbëreshe.

    Në botëkuptimin e përgjithshëm, po edhe në qarqet shkencore, dekada me radhë është vlerësuar si i mirëqenë fakti se shpërngulja e arbëreshëve drejt brigjeve të Italisë nisi në kohën e Skënderbeut, sidomos pas pushtimit osman. Mirëpo, kjo monografi argumenton se shpërngulja drejt Italisë, sigurisht me intenstitetit më të ulët, kishte filluar edhe më parë. Dhe, emigrantët e parë nuk u pritën me lule. Ata kaluan nëpër vështirësi të shumta, janë asimiluar dhe kanë lënë pak gjurmë kur janë zhvensour, ku kanë vajtur etj.

    Libri i Fatmir Toçit e përfshin edhe linjën historike të Shqipërisë/Arbërisë para sundimit osman. Ai në mënyrë enciklopedike trajton mbi 100 vendbanime arbëreshe në mbarë Italinë duke përfshirë të gjitha elementet që e karakterizojnë atë komunitet në jetën e përditshme. Siç shihet që në përmbajtje, në libër janë përfshirë 17 krahina (regione it.); ka edhe një hartë të Italisë me vendbanimet e arbëreshëve, duke përfshirë edhe Torinon, qendrën e Piemontit, ku është formuar një komunitet arbëresh – shqiptar (italianët u thonë albanezi edhe arbëreshëve, edhe shqiptarëve), sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të zhvillimit ekonomik të këtij rajoni (Piemont) me të shpërngulur nga krahinat e Jugut, si Sicilia dhe Kalabria.

    Shumë emigrantë u vendosën në vendbanime që ishin tërësisht të braktisura, qoftë për shkak të tërmeteve, qoftë për shkak të epidemive, si kolera, që binin sistematikisht dhe kishin pasoja të tmerrshme. Shumë të tjerë krijuan vendbanime të reja, që nuk kishin ekzistuar më parë. Të dhënat që sjell libri i Toçit e vërtetojnë se arbëreshët e Italisë, si në vendbanimet që ekzistojnë dhe cilësohen ende si arbëreshe, si në ato që kanë ekzistuar më parë, por që tash janë shuar, kanë qenë gjatë tërë këtyre shekujve pjesë e njohur dhe e rëndësishme e kulturës dhe historisë së Italisë. Madje, edhe në ato vendbanime që tashmë nuk quhen arbëreshe dhe janë asimiluar para dyqind-treqind vjetësh, gjenden ende elemente të rëndësishme të tyre, pallatet e pronarëve arbëreshë, kështjella, rrugë, sheshe që i ruajnë sot e kësaj dite emërtimet arbëreshe.

    Libri ka rreth 100 foto kishash, disa prej të cilave kanë qenë arbëreshe, por në kohë të ndryshme kanë ndërruar ritin, për arsye nga më të ndryshmet, në rend të parë për shkak të “luftës” në mes të dy riteve katolik – ortodoks, pastaj interesave ekonomike etj. Arsye tjetër e rëndësishme e kalimit nga riti bizantin në atë katolik ka qenë pamundësia e arbëreshëve për ta ruajtur komunikimin me Arbërinë, e cila tashmë ishte pushtuar nga otomanët dhe mungesa e priftërinjve të rinj të ritit bizantin. Si pasojë, dalëndgadalë, shumë kisha u kthyen në katolicizëm dhe filluan ndryshime edhe në performancë, edhe në ikonografi etj. Në shumë raste, arbëreshët që nuk pranonin të kalonin në ritin katolik, shpërnguleshin drejt vendbanimeve që ende e kishin ruajtur ritin bizantin.

    Sipas dokumentacionit që ka arritur të sigurojë studiuesi Toçi, janë evidentuar 558 vendbanime arbëreshe. Arbërorët në Itali sollën edhe kulturën e tyre, sollën mënyrën e tyre të jetesës. Nga aspekti arkitektonik, të gjitha vendbanimet arbëreshe e kanë në qendër një kishë, (njësoj si në vjershat e Çajupit). Kurse, nga aspekti i kulturës materiale të veshjes, ndër arbëreshët gjenden ende kostume që janë 200 deri në 300-vjeçare, që kanë një vlerë të pallogaritshme. Sa i përket origjinës së veshjeve arbëreshe, në përgjithësi ndihet aroma e veshjeve të Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme. Toçi lë të kuptohet se kjo është edhe pasojë e pushtimit të Greqisë nga Turqia. Nga e gjithë pjesa e Poleponezit, e ishujve të Jonit, ndoshta edhe më tutje brenda në territorin e Greqisë, pati një dyndje jashtëzakonisht të madhe të arvanitasve. Arvanitasit erdhën në Itali, u vendosën dhe u shtuan, duke i dhënë një nxitje, një rigjallërim gjuhës arbëreshe, zakoneve, traditave, ritit fetar.   

    Sipas studiuesit Toçi, autoizolimi apo vendosja e arbëreshëve larg qendrave urbane ka qenë një element që u ka ndihmuar atyre t’i ruajnë zakonet, traditën dhe gjuhën, sepse ka ndodhur që në qendrat më të urbanizuara e më të zhvilluara, sidomos në ato bregdetare që kishin kontakte e komunikim më të ngjeshur me vendësit italianë, edhe asimilimi është bërë më shpejt. Nuk është e rastësishme që braktisja ose shpopullimi ka marrë hov me fillimin e kohëve moderne, atëherë kur nisën komunikimet më të mëdha me vendësit, kur fëmijët u bënë të shkonin nëpër shkolla më të larta jashtë vendbanimit të tyre, kur filloi radioja, gazeta dhe televizioni si mënyra më dinamike të komunikimit. Të gjitha këto janë elemente që e kanë përshpejtuar shumë asimilimin apo shpërbërjen e identitetit arbëresh.

    Në fund të librit ka disa tabela/pasqyra, të bëra duke u mbështetur në burime arkivore për vendbanimet arbëreshe, madje që nga vitet 1300-1400, për vendbanimet që ende cilësohen arbëreshe, por që janë në prag të shuarjes/asimilimit, si dhe për ato që tashmë cilësohen si ish-vendbanime arbëreshe që e kanë humbur statusin e tyre, për arsye se ose janë bërë pakicë në atë vendbanim, ose janë asimiluar, ose kanë ndërruar fenë.

    Përfundim

    Libri monografik Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë i autorit Fatmir Toçi është studimi më i plotë që është bërë deri më sot për arbëreshët – shqiptarët e Italisë, për vendbanimet, historinë, kulturën, ritet dhe objektet e tyre të kultit. Është libri i jetës i autorit, të cilin ai me shumë dashuri e devocion ua kushton arbëreshëve.

    Krejt ky kalvar disashekullor, kjo përpjekje e madhe për ruajtjen e traditave, gjuhës, kulturës dhe identitetit arbëresh, me rëniet dhe ngritjet e kuptueshme, janë shtjelluar me përpikëri kronologjike, me përkushtim e pasion të rrallë nga studiuesi Fatmir Toçi, i cili po na e dëshmon sërishmi se në këtë botën tonë arbërore-shqiptare punët e mëdha, punët e mira që duhet t’i bëjnë institucionet, zakonisht i bëjnë individët, individët që përtej skemave, rregullave e pengesave burokratike udhëhiqen nga dashuria, nga humanizmi, nga nderimi dhe dëshira për njohje e vetënjohje në këtë ecje të rrufeshme kah kultura e fshatit global, që, me forcën dhe shkëlqimin e kulturës së konsumit, nuk tregohet aspak e mëshirshme për “kulturat e vogla”, të cilat i asimilon e i gëlltit lehtë, ashtu si pa të keq, e pa u vërejtur. 

    Sado që, më 1999, Italia e miratoi Ligjin për të drejtat e pakicave gjuhësore dhearbëreshët për nga numri janë të tretët ndër 16 minoritetet që ka sot shteti italian, gjuha e tyre e gjallë, ligjërimi i folur po i nënshtrohet rrezikut të madh, shuarjes nëpërmjet integrimit/globalizimit.

    Paradoksalisht, rrezik më s’është mbyllja, por hapja! /

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË