More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin

    Visar Zhiti: Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin

    Iris Halili, “Eleganca e lotëve:
    Fryma e një gruaje që nuk u mposht

    Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga… Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë?

    Sipas rrëfimit, ajo vogëlushe shkonte me mamin dhe gjyshen për të parë dajën, që ta përqafonte, qoftë edhe përmes hekurave të burgut.

    Buqeta metaforike e luleve rritej me vezullime lotësh përsipër si pikla vese, ndërsa burgu s’mbaronte e s’mbaronte… Mund të shkruhej një poezi kështu? Atëherë ishte e ndaluar!

    Shqipëria tmerrësisht e varfër dhe e egër, me halle dhe çështje të rënda ekzistenciale, si lule kishte plagët, ndërsa rrugë ishin edhe rrugët e lotëve faqeve të saj.

    Tre breza, dy zonja dhe një vogëlushe, zonjushëz, nga një familje, në epokën kur s’lejohej të përdorej fjala “zonjë” ose shihej me përçim a si fjalë armiqësore dhe familja ndërkaq po tronditej, në një rrugëtim infernal. Po përse e merrnin me vete atë vogëlushe? Përveç ngushëllimit që sillte, por edhe gëzimit, çfarë tjetër parandihej?

    * * *

    Besoj është një dukuri e rrallë, a vetëm e letrave shqipe, që sot bij dhe bija shkruajnë për prindërit e tyre, për t’i ribërë ata, kam thënë, sepse ishte një kohë e keqe dhe me absurd mizor – diktatura, thënë qartë – që donte t’i zhbënte duke i përndjekur, duke i dënuar me internime e burgje, por edhe duke ua marrë jetën fare, vetëm pse s’mendonin siç do të donin sundimtarët dhe ishin kundër regjimit të tyre, shpesh edhe duke vepruar, sepse kishin një ëndërr, një ideal të lartë, duke e dashur atdheun si një familje të madhe etj.

     Nënat e të dënuarve, motrat dhe bashkëshortet e tyre, edhe fëmijët, ndiheshin të dënuar dhe ashtu ishin. Kalvari i tyre ishte po aq i rëndë, edhe më shumë i pabesueshëm. Ndërkaq rropateshin në punërat më të rëndomta, nën stres dhe përndjekje, për të nxjerrë bukën e gojës, mbanin familjen e mbetur dhe nderin, rendnin burgjeve për tek ata, të burgosurit e tyre, iu gjendeshin për t’u çuar ca ushqime, shpresë e dashuri, duke përfunduar edhe vetë ndonjëherë po aq keq në prishje të familjeve, çmendinave, brenda telave me gjemba dhe hekurave. Por shpesh e më shpesh ato janë përballur dhe kanë qëndruar me dinjitet.

    Edhe qëndresa për të qenë grua është një epikë e mreku-llueshme, ndër faqet më të bukura në historinë tonë, nëse do të kishim një histori të moralit dhe të dhembjes.

    Kur kështjellat tona binin një nga një dhe pllakoste nata shumëshekullore e pushtimit, teksa burrat dhe djemtë që rriteshin i merrnin nizamë a shkonin maleve për të ndezur një kryengritje të re skënderbeiane, ishin gratë ato që mbanin shtëpinë dhe gjuhën. Dhëmbët e rënë të plakave u bënë më të fortë se bedenat/ pirgjet e kështjellave. Nina-nanat, lutjet e tyre para qirinjve, këngët dhe vajet, përrallat, qëndismat, veshjet, vallet ndër dasma, shamia si pëllumb, lotët si brilantet, ruajtën vatrën dhe gjuhën, familjen dhe atdheun.

    Kur u desh, edhe gratë rrëmbyen armët dhe dolën malit për liri, komite e partizane, edhe mësuese, dhe krijonin parti, shkruanin libra, përballuan edhe gjyqe duke qëndruar si heroina, duruan ndarje dhe burgje, të denja, duke mbetur gra dhe çudia, duke ruajtur mirësinë, por edhe delikatesën dhe duke u përpjekur të jenë të bukura. Pse jo? Edhe me bukuri sfidohej shëmtia, e keqja dhe diktaturat e tyre.

    Me t’u rrëzuar Muri i Berlinit shembet edhe perandoria komuniste, po kështu edhe diktatura në Shqipëri. Edhe vendi ynë hapet dhe merr rrugën e demokracisë, duke iu bashkuar kulturës perëndimore, të ndërprera aq gjatë… dhe vjen edhe një letërsi tjetër, krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist, e cila s’ishte as realiste dhe as social-iste. Letërsi sirtarësh e quan kritika letrare në botë dhe studimet, por ata që e lëvruan te ne rëndom nuk kishin as sirtarë, as shtëpi, as jetët e tyre.

    Nga vuajtja dhe dhembjet, nga burgjet dhe internimet, bashkë me ata që u liruan, u lirua edhe ajo, letërsia tjetër, me poezitë, tregimet, me dramat e romanet, me memuaret, të vetës së parë të gjitha, që sollën – e kemi thënë shpesh – atë që mungonte: të vërtetat dhe moralin, aq sa i duhen çdo letërsie.

    Dhe vazhdon lëvrimi edhe sot e kësaj dite. Ajo u begatua artistikisht dhe me anën tjetër tonën, me dëshmitë e atyre që kishin shkuar burgjeve për të takuar njeriun e tyre. Po shkruanin edhe ata kalvarin e tyre, traumën, sfilitjet, keqtrajtimin, mirësitë e befta që s’duhet të jenë befasi, shpresën etj. Në këtë prurje trallisëse si një mrekulli janë librat e grave, rrëfimet e tyre, me poezinë dhe muzikën brenda që e kanë vetëm ato.

    Së fundmi, na vjen edhe libri risi Eleganca e lotëve, me autoren Iris Halili, pedagoge, e njohur për artikujt dhe studimet letraro-psikologjike apo të lidershipit. Kësaj here ajo kujton, por nuk bën thjesht autobiografi a një monografi. Libri i saj në formën më sqimatare është edhe një analizë e kohës totalitariste, kur kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ajo vazhdon Requirem për gjyshen time të mirë që shkroi në vitin 2017, atë ngrohtësi, por edhe shqetësimet e kohës dhe të rritjes, analiza apo psikanaliza sociale, që autorja arrin t’i ndërlidhë edhe artistikisht, duke u dhënë zërin e saj prej fëmije, përzier me zërin e gjyshes e të familjarëve apo tashmë me zërin e gruas dhe të epokës që do të vinte duke na çuar atje në kohë reale.

    Rrëfimi çelet me njeriun e parë që autorja ka në kujtesën e saj dhe vazhdon me detaje fëmijërore, në dukje të thjeshta, por që kanë çiltërsinë e duhur për të kuptuar dhe hapet me dëshmitë e burgut, përballë atyre dyerve të hekurta e mizore, të para me habinë e një fëmije, që në kujtesë do t’i mbeteshin telat me gjemba, rojat me armë, oficerët dhe turmat e të burgosurve, kokat e tyre të qethura si copa shkretëtire.

    Irisin e vogël e merrnin me vete mamaja dhe gjyshja për të takuar dajën. Irisit i janë ngulitur në irisin e kujtesës ato udhëtime çudane, që për atë merrnin edhe ngazëllim jete, me stacione, trena, biseda të rriturish, ofshama, peiza-zhe malore, lumenj, lot, çanta të rënda, pritje, shfaqjen tronditëse të të burgosurit të tyre që dukej sikur dilte nga nëntoka, nga galeritë e ferrit.

    Në dukje një akt i thjeshtë: ca udhëtime familjare për të takuar një të dashur në rrethana të pamëshirshme. Por, në thelb, është një akt i mbushur me një domethënie të thellë psikologjike dhe historike. Siç thotë Judith Herman, trauma nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një realitet që jeton dhe frymëzon brenda familjeve dhe breznive.

    Gjyshja, duke marrë me vete mbesën e vogël, përpiqej, pa e ditur, të mbante gjallë kujtesën e vuajtjes, duke e bërë atë pjesë të përditshmërisë së fëmijës, në mënyrë që plagët të mos mbesnin pa u parë nga e ardhmja, të kishin dëshmitar dhe të mos shuheshin në harresë. Kështu do të mund të përçohej jo vetëm dhembja, por edhe shpresa dhe forca për të përballuar realitetin e egër. Kishte ardhur një kohë dhe po donin ta gjithmonëzonin duke trumbetuar si humanizëm barazinë, por, në fakt, kjo kishte sjellë ndarjen më humnerore mes njerëzve:

    Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të.

    Është përmbajtja e asaj që thoshte gjyshja dhe Irisi na e tregon sa me fjalët e saj aq edhe me të vetat.

    Në pasurim të librave të kujtesës, siç po duan ta quajnë dhe ta ndajnë letërsinë me temë burgjet, internimet, traumat dhe pasojat e tyre, Iris Halili kërkon të sjellë edhe delikatesën e gruas në atë kohë të vrazhdë, me luftë klasash – luftë civile në kohë paqeje, sipas meje.

    Nëna e saj i përket asaj fisnikërie të klasave të përmby-sura, siç i quanin, familje atdhetare dhe e pasur, një pasuri e vënë me punë e dije, pa shfrytëzuar të tjerë, siç do të akuzoheshin nga fitimtarët pas Luftës së Dytë Botërore, që do të sillnin një realitet më të pashpresë se pushtimi dhe luftërat. Nënës bashkëshorti i merr arratinë jo vetëm për t’i shpëtuar ndëshkimit kapital nga pushteti i ri shtypës dhe i hakmarrjeve me gjak, por si të gjithë ata patriotë që u ndien të mundur, pra, që e humbën atë betejë, por jo luftën dhe shkuan nëpër Europë e Amerikë të vazhdonin përpjekjet atdhetare. Jeta e tyre kaloi nën zhgënjime në luftën e ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes.

    Ndërsa në atdhe, kur kësaj nëne i rritet djali, jetim me babain gjallë dhe arrin të bëhet inxhinier ndërtimi, dukshëm i talentuar, por edhe qytetar i hijshëm dhe këto ishin “pengesa”, fëmijët e armiqve s’duhej të ishin as të aftë e as të bukur, e arrestojnë dhe e burgosin. Në gjyq do ta akuzonin për sabotim dhe agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe shtetit, më saktë Partisë-shtet, diktaturës së saj.

    Është simbolike në libër kur njëri nga dëshmitarët në gjyq është pikërisht njëri nga shokët e djalit, tashmë të pandehur, që nëna e kishte pritur sa e sa herë në shtëpi duke shtruar tryezën me gatime të shijshme që dinin t’i bënin vetëm duart e saj. Autorja na tregon se kishin edhe një fletore me recetat e gatimeve të nënës. Kulinaria është edhe kulturë dhe ka studiues në botë që zhvillimet e historisë së njerëzimit i kanë parë nëpërmjet ndryshimit të pjatave të ngrënies. Dhe rrëfimi vazhdon se dëshmitari në gjyq kishte ardhur me xhaketën që ia kishte dhuruar ai që ishte në bankën e të akuzuarit dhe po e dënonin pa mëshirë.

    Nëna bënte ecejake në sallën e gjyqit, në kujtesën e së ardhmes. Dhe do të vinte një ditë e t’i thoshte së mbesës:

    Kjo ishte shoqëria ku individi përdor shtetin për t’u hakmarrë ndaj shokut të fëmijërisë që kishte qenë më i kamur a më i mençur se ai, apo më i edukuar se ai. Kjo ishte shoqëria ku artisti apo shkrimtari përdorte shtetin për të dënuar një artist që i bënte hije krijimtarisë së tij. Kjo ishte shoqëria ku dënoheshe pa folur fare, vetëm se dikush të donte të varrosur pa vdekur ende. Kjo ishte epoka kur Partia Komuniste shqiptare krijoi njeriun e ri të idealit komunist.

    Autorja ndan bindjen e saj se sistemi komunist aktivizoi ligësitë te njerëzit dhe ishte një provë e madhe karakteri për çdo njeri.

    Historia vetjake dhe ajo sociale lidhen, na kujton Maurice Halbwachs, ku memoria kolektive është një rrjet i ndërlikuar vuajtjesh dhe shpresash. Gjyshja nuk do të donte të ndante vuajtjen me brezin e ardhshëm, por po përbashkonte atë që do të bëhej e kaluar me atë që do të vinte si ardhmëri.

    Ura e heshtur po ngrihej, jo nga inxhinieri i ndërtimit tashmë i dënuar, por nga mbesa vogëlushe. Dhe si lëndë do të kishte kujtimet, dhembjen.

    Çikago, verë 2025

    (Pjesë nga parathënia)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË