More
    KreuIntervistaVisar Zhiti: Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar? Kam një...

    Visar Zhiti: Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar? Kam një romancier që më dhimbet, Astrit Delvina.

    PYETËSORI “LIBRAT E JETËS SIME”

    Libri që po lexoj ndërkohë:

    Rileximet janë leximi më i mirë, sipas Borges-it dhe, edhe mua, po më ndodh po kjo gjë, madje kam në dorë pikërisht Borges-in, të gjithë tregimet e tij, po i shijoj ngadalë, këtë radhë me përkthimin mjeshtëror të shkrimtarit Bashkim Shehu. Ndërkaq lexoj disa libra njëherësh, ka kohë që veproj kësht, jam duke mbaruar një vepër të kozmologut, shkencëtarit.Stephen Hawking dhe iu ktheva romanit të Lev Tolstoit “Haxhi Murati”, e solli rasti, s’do ta besoja që do të më pëlqente aq shumë tani, sa klasik, m’u duk dhe modern. Në botimin e parë, të “para çlirimit”, siç thuhej atëhere, mbaja mend përshkrimin e vrasjes së çeçenit Haxhi Murati, ngrihej toka dhe i binte në ballë, më kishte tronditur, kurse në botimin e ri me përkthim të ri, Haxhi Murati, teksa rrëzohej, i binte me ballë tokës. Trille përkthimesh a të kujtesës?

    Poezinë e mbaj vazhdimisht ndër duar, në çdo moshë dhe kudo, nxënës, rrugëve, mësues, në burg, në stacione, hoteleve.Lexova poezitë e Atë Pjetër Meshkallës, do të dalin në një libër më vete dhe po shoh poezitë e një poeti amerikan, Robert Frost, “signature  edition”,  ku mes poezive ka disa fletë të bardha, mund të shkruash dhe vetë, një botim i veçantë. Te vargu “Write on the sole of my shoe” (Shkruaj në shuallin e këpucëve të mia) desha të shtoj, që unë kam shkruar mbi paketa cigaresh, …    

    Libri që më ka ndryshuar jetën

    Mua realisht më ka ndryshuar jeta prej librave, do të thosha si fat, sepse unë jam dënuar prej tyre. Në akuzë, krahas poezive të mia, kam dhe librat që kisha lexuar. Dhe u dënova me 10 vjet burg. Rashë në ferr. Pra, do të kujtoj nga ata libra armiqësore, siç i quanin, kur libri vetëm armik s’mund të jetë. Do të veçoja Dostojevskin, shkrimtar i ndaluar, kur në shqip ai kishte veç një libër, atë të parin e tij, “Netë të bardha”. Kisha gjetur romanin “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, e lexova fshehurazi, mësues në fshat, por kisha shkruar në ditar për të. Eshtë libri që më ka ndihmuar shumë të kuptoj burgun dhe kur kupton, di të qendrosh. Pati rëndësi të dorës së parë për mua.

    Kisha lexuar At’ Gjergj Fishtën e ndaluar dhe Kanunin e Lek Dukagjinit, me parathënie të Fishtës dhe të Konicës. Akuzohesha që pse kisha lexuar librin “Jabloko” (Molla) të poetit revisionist Evgeni Jevtushenko, madje më bërtitej që pse  kisha përkthyer poezi të tij, po kështu dhe për një poet japonez, Isikava Takuboku, kishte vdekur 27 vjeç nga tuberkulozi si Migjeni ynë, e kisha përkthyer të gjithë librin e tij nga rusishtja me shokun tim student, poetin Skënder Rusi. Prokurori në gjyq Takubokut  i thoshte hapur “Taketukja”.. Po kështu në hetuesi jam pyetur për poetin francez Zhak Prever, etj.

    Ndërsa në burg, kur ende nuk ishte botuar në shqip, lexova të 7 tragjeditë e Sofokliut, U mahnita. Nga fati dhe fataliteti. I kopjova. Franc Kafkën e mora gojarisht së pari. E njihte shkëlqyer një bashkëvuajtës imi, Inxhinieri Ismail Farka, ishte diplomuar në Sankt Petërsburg, ma tregonte me pathos, parabola, tregimet.  Nuk po zgjatem. Librat bëhen me jetë dhe jeta bëhet me libra. Duan liri dhe japin liri.

    Libri që do të doja të kisha shkruar

    Shkruajmë atë që do të donim të shkruanim…. Nëse është fjala për librat e të tjerëve, janë shumë, shumë, të shkëlqyer, libra jete, dhe i dua ashtu, me autorët që kanë, si një pasuri e përbashkët..

    Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

    Në gjeneratën time, duke qenë një Shqipëri e mbyllur, hermetikisht, me letërsinë hermetike të ndaluar, ka ndikuar letërsia e Kadaresë, më së shumti poezia e tij atëhere, mendoj, edhe pse me Kadarenë koha bëri një romancier shqiptar të përbotshëm, me kryevepra si “Kronikë në gur”, “Viti i mbrapshtë”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Pallati i ëndrrave”, që habiti dhe burgjet se si u lejua, etj, e deri te romani i fundit i tij, “Kukulla” . 

    Unë kisha një trini poetësh timen, Esenin, Uitman, secili me nga një libër, të ndaluar më pas, dhe Lorka, ende pa libër poetik atëhere, me drama po. Edhe nga poeti francez Pol Eluar duhet të jem ndikuar, e doja dhembjen dhe paqen e tij. Bofleri me “Lulet e së keqes” ishte një përmbysje për mirë. Dhe poezia që vinte nga Kosova, në koncept, sipas meje, ishte më modern se poezia jonë këtej kufirit.  Sigurisht duhet të ngjaj me të tjerë të brezit tim në zgjedhje, se kishim të njëjtin realitet përballë dhe na jepej e njëjta letërsi. Vështirësitë e rreziqet për të gjetur libra, që s’ishin në qarkullim, në treg, më saktë, ishin të shumta, por arrihej me ndihmën e njëri-tjetrit, po kështu dhe denoncimet. Romanet e Heminguejit dhe të Remarkut, brezi i humbur, paten një ndikim të madh. Edhe Tolstoi me romanet e tij epope, edhe Gollsuorthi me “Saga e Forsajtëve”..

    Ishim me fat që Imzot Fan Noli na kishte dhënë Shekspirin dhe Servantesin. Ne ishim copra Hamletësh e copra Don Kishotësh.   

    Libri që më ndryshoi mendjen

    S’e di saktësisht. Ata ia arrijnë të të ndryshojnë mendjen, besoj,  pa u kuptuar, jo menjëherë, me kujdes, me dashuri, me art mbi të gjitha. Natysisht ka befasira estetike, të vetëtimta.

    Do të thosha se Realizmi Socialist që u përpoq ta bënte këtë, s’e di se sa ia doli. Prishi shijet dhe moralin e leximit. Se dhe leximi ka moral ashtu sit ë shkruarit, raporti me të vërteën u prish. Mund të botohej një roman atëhere për një kënetë, tharjen e së cilës e kishin sabotuar (?) inxhinierë dhe intelektualë, që i pushkatojnë, kur e vërteta ishte ndryshe apo tregohej për partizanë që vriteshin me emrin e Enver Hoxhës në gojë, kur ai gjatë luftës ka qenë ilegal, i padëgjuar. Letërsia jonë mbante anën e sundimtarëve. Por, ndërkaq, na vinte në ndihmë një Shvejk, që të mund të talleshim apo një Bertold Brehti q:e të mësonim të mendoheshim.

    Fëmininë na i shpëtoi “Pinoku”, Hamleti i fëmijëve dhe më pas “Princi i vogël” i Ekzyperisë.

    Pas viteve ’90 për mua Ernesto Sabato, Markezi, Kortasar, Roberto Bolanjo,

    realizmi i tyre magjik, kanë qenë një mrekulli. Sollzhenicin  tregoi atë që s’e kishim treguar ende. Shallamov më ashpër. Ernest Koliqi, jo vetëm me tregimet, por me dramën “Rrajët lëvizin” duhej të ishte ndikues më shumë për mendimin tonë. Musine Kokalari ka zë nënë, plakash letrare ashtu si Mitrush Kuteli që ka zërin e të treguarit shqip. Riardhja e 7 tragjedive të Et’hem Haxhiademit është ngjarje, po kështu dhe ndoshta jo vetëm për mua, edhe zbulimi i 7 komedive  tragjike të tim eti, Hekuran Zhiti.

    Poetët e pushkatuar Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, i varuri Havzi Nelaj, qoftë dhe me një poezi e ndryshojnë botën përreth. Ato që i kam quajtur burgologji, “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit apo libri i vogël studimor “Letërsia e pame ndryshe” e Dom Zef Simonit, botimet e tjera të kësaj hullie, besoj ta kenë ndryshuar ndjeshëm mendjen e popullit që lexon..

    Do të thosha se tek ne ka ndodhur një dukuri e çuditëshme, që s’e kanë lexuesit e letërsive të tjera në botë. Unë dhe të tjerë të gjeneratës time u formuam më shumë me letërsinë që mungonte, atë të ndaluarën, se sa më atë që lejohej e na jepej, shpesh me dhunë psikologjike, propaganda, me programet në shkolla, etj, që ende kanë një inertësi të dëmshme.

    Libri i fundit që më bëri të qaj

    “Kështjella” e Franc Kafkës.

    Libri i fundit që më bëri të qesh

    “Kështjella” e Franc Kafkës sërish. Ai ka një humor tragjik, që ngjason me atë të burgjeve…

    Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende

    Të shumtë janë librat që do të doja t’i kisha lexuar. Që të më vijë turp, do të  duhet ta lexoj më parë, që ta di, por po e lexova, ai s’është më te të pa lexuarit.

    Tani që ra pandemia e Covid-19, shumë veta thoshin që po lexonin “Murtajën” e Kamysë, sa keq që nuk e kishin lexuar më pare. Pra, ka vonesa. Dhe shumë. Ne jemi popull i vonuar.

    Më keq do të ishte nëse do të na vinte turp për çfarë lexuam

    Librat që kam dhuruar

    Po, kam dhuruar me dëshirë, më kanë dhuruar dhe i çmoj. Së pari gjestin. Është bukur të dhurosh libra ashtu siç më pëlqejnë dhe radhët nëpër librarira, i kam parë metropoleve. Unë më shumë do kem dhuruar, nga librat e mi, se kam patur më të lehtë nga ana etike, nga që kam të drejtën e autorit mbi to. 

    Nuk ka rëndësi sa e shtrenjtë është dhurata, thoshte Shenjtja Nënë Terezë, por sa dashuri ke vënë në të. Libri shkruhet nga dashuria dhe është dashuri. 

    Libri me të cilin dua të mbahem mend

    Nga që nuk kam shkruar vetëm një libër, nuk e di kë të zgjedh, vërtet. Dhe pse? E di lexuesi…

    Leximi që me jep rehati

    Ndoshta leximi më emblematik është ai pranë zjarrit në një kolltuk, ka dhe romantizëm, familjaritet, etj, Më pëlqejnë shumë kur shoh që lexojnë në tren, në metro, më duket vagoni si një bibliotekë lëvizëse. Vetë kam lexuar dhe parqeve, në ballkon, dhe në këmbë, në rreshtat e burgut, në sale biblioteke. Më pëlqen të lexoj herët në mëngjes, edhe pas mesnate është qetësi.

    Kur lexon, je në një tjetër jetë. Ti shton jetët e tua me leximin. Gjithsesi të lexuarit është një nga punët më të rëndësishme në botë, më dobibukura.

    Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar

    Kam një romancier që më dhimbet, Astrit Delvina. Po ne kemi një letërsi të gjithën, që duket si e nënvlerësuar,  zyrtarisht të paktën, padrejtësiht, atë që erdhi nga burgjet dhe internimet si një letërsi tjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË