More
    KreuOpinionVetëkënaqësi dhe mbijetesë

    Vetëkënaqësi dhe mbijetesë

    Nga Edison Çeraj

    Për nomadin e sotëm koha është një kamxhik automatik që i disiplinon në lidhje me “vonesën”. Kurse për nomadin e dikurshëm koha ishte çelnaja ku ushtrohej liria dhe “vonesa” nuk ekzistonte në fjalorin e tyre nomadisht-nomadisht. Shtëpitë braktisen gjithnjë e më shumë, duke u shndërruar në dhoma hoteli, kurse aeroportet, metrotë, stacionet e trenave dhe autobusëve banohen përherë e më shumë nga individë të ngarkuar me vetmi, që duan vetëm të ikin. Me të mbërritur diku, sërish duan të ikin.

    Ky mund të ishte një përcaktim për jetën nomade, pse jo për vetë nomadin. Jo për nomadin e dikurshëm, që e kontrollonte në një mënyrë mahnitëse lirinë duke ruajtur përbrenda pothuajse pa vetëdije “qytetarin e botës”, por për nomadin e kësaj kohe, që njerëzit të cilët e rrethojnë dhe vendi amë i flet gjithnjë e më pak, ose i kujtojnë gjithnjë e më shumë ferrin; ndaj dhe e vetmja mënyrë për të thyer “monotoninë”, domethënë për të rikthyer lirinë, është lëvizja, zhvendosjet e vazhdueshme ose udhëtimet. Lajtmotivi i tij është i tmerrshëm: peshkimi i përvojave të reja.
    E megjithatë, është diç më shumë se kaq, pavarësisht se shumë syresh janë të pavetëdijshëm për këtë “më shumë”.
    Kështu, gjendja nomade ngjan me labirintin, pasi asnjë nga nomadët e sotëm nuk ushtron lirinë në shtegtimet e tij, por kërkimin për ta rigjetur atë, dhe i gjithë ky kërkim vetëmohues (çanta shpine më të rënda se vetë udhëtari) bëhet përherë e më i pacak.
    Duke perifrazuar Jacques Attali-in, Bauman-i shkruan se labirinti bëhet imazhi parësor i gjendjes njerëzore – dhe labirint do të thotë “vend i errët, ku planimetria e rrugëve nuk i bindet asnjë ligji. Në labirint sundon rasti dhe befasia, gjë që sinjalizon disfatën e arsyes së kulluar”.
    Arsyeja e kulluar jo vetëm që nuk është më busull, por po synohet arratia prej saj, si të ishte një egërsirë që nuk njeh ngopje.
    Miti i arsyes së kulluar ushtron akoma njëfarë efekti vetëm në vendet ish-komuniste, por kjo është një tjetër temë.
    Sërish sipas Bauman-it, “nomadët, duke u përpjekur të mbijetojnë në botën e nomadëve, duhet të mësohen me gjendjen e çorientimit konstant, e udhëtimit nëpër rrugë me drejtim dhe gjatësi të panjohur, duke parë rrallë matanë kthesës apo kryqëzimit tjetër; atyre u duhet ta përqendrojnë të gjithë vëmendjen në atë copë të vogël rruge që shtrihet përpara tyre, së cilës duhet t’ia dalin në krye para perëndimit të diellit”.
    Për nomadin e sotëm koha është një kamxhik automatik që i disiplinon në lidhje me “vonesën”. Kurse për nomadin e dikurshëm koha ishte çelnaja ku ushtrohej liria dhe “vonesa” nuk ekzistonte në fjalorin e tyre nomadisht-nomadisht.
    Shtëpitë braktisen gjithnjë e më shumë, duke u shndërruar në dhoma hoteli, kurse aeroportet, metrotë, stacionet e trenave dhe autobusëve banohen përherë e më shumë nga individë të ngarkuar me vetmi, që duan vetëm të ikin. Me të mbërritur diku, sërish duan të ikin. Destinacioni për ta është vetëm një justifikim, ose një maskë për atë që s’janë në gjendje ta tregojnë.
    Në të njëjtën kohë, kjo është edhe një përpjekje për ta veshur mbijetesën me (vetë) kënaqësi – “Lidhjet e tipit “gjersa vdekja të na ndajë” bëhen kontrata të llojit “sa të jetojë kënaqësia”, të përkohshme dhe kalimtare për nga përkufizimi, nga natyra dhe impakti i vet pragmatik, dhe të bëra kësisoj për t’u prishur në mënyrë të njëanshme, sapo njëri nga partnerët nuhat më shumë mundësi dhe vlerë më të mirë në mundësinë e shkëputjes nga partneriteti, në vend se të përpiqet ta shpëtojë lidhjen me çdo çmim, sado i pallogaritshëm. Me fjalë të tjera, lidhjet dhe partneritetet priren të shihen dhe të trajtohen si gjëra që duhen konsumuar, jo prodhuar; ato janë subjekte të të njëjtit kriter vlerësimi, si të gjitha sendet e tjera të konsumit”. (Bauman, 2017), – sepse udhëtimi është një mohim i butë i sistemit, domethënë i realitetit të marrë peng nga sistemi aktual, përballë të cilit individi është çdo ditë më i pafuqishëm; pak rëndësi ka pastaj se si quhet ky sistem e se si mund të përkufizohet. (Një rast ku shënjuesi mund të paralizojë marrëdhënien tonë me atë që shënjon. Përballë të shënjuarës jemi të gjithë të barabartë.)
    Po ashtu, kemi të bëjmë edhe me një braktisje të festës, pra të spektaklit që mbahet ndezur nga aleanca e pushteteve politiko-ekonomikë me median, në veçanti me televizionin dhe internetin.
    Mosbesimi ndaj çdo gjëje që ofron kjo aleancë është aq i madh, saqë e panjohura është bërë një subjekt magjik ku sublimohet shpresa; por çështja është se kemi të bëjmë me një lloj shprese nga halli, ngaqë s’kemi ç’bëjmë tjetër; një shpresë që nuk na garanton asgjë, që të mban “gjallë e për gazep”.
    Sidoqoftë, udhëtimi është kërkim dhe kërkimi është shpresë, sepse është shpresa ajo që na nxit të kërkojmë. Kërkimi është rezistencë ndaj mungesës së kuptimit – është vetë kuptimi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË