More
    KreuLetërsiBibliotekëVehbi Miftari: “Shêjzat” - monument kulture e atdhedashurie

    Vehbi Miftari: “Shêjzat” – monument kulture e atdhedashurie

    Më datë 20 maj 2025, në ambientet pranë katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, te biblioteka që mban emrin e Ernest Koliqit, u përkujtua ditëlindja e këtij të fundit, në një aktivitet ku folën don Lush Gjergji, studiuesi dhe diplomati Vehbi Miftari si dhe, në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Andreas Dushi. Me këtë rast, u realizua edhe aktiviteti i parë i përbashkët mes Bibliotekës Kombëtare dhe Bibliotekës “Ernest Koliqi”, pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi pak ditë më parë. Ky aktivitet ishte ekspozita, për herë të parë, e një pjese të koleksionit të revistës “Shêjzat”, ekspozitë e cila qendroi e hapur për dy ditë me radhë.


    Në historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar të shekullit XX, revista Shêjzat zë një vend të veçantë, si platformë kulturore dhe intelektuale e shqiptarëve në mërgim. E themeluar në Romë më 1957, e botuar deri më 1975 dhe rishtas më pas nga viti 2016 deri më 2023, ajo shërbeu si platformë e fuqishme letrare, kulturore e politike.

    Malli për Shqipninë e humbun, dëshira për ta ruajtur gjuhën shqipe si akt qëndrestarie kundër zhbërjes kulturore; nevoja për një forum të lirë intelektual, ku shkrimtarët dhe studiuesit shqiptarë në diasporë do të mund t’i shprehnin lirshëm idetë e tyre; dëshira për ta vazhduar traditën e kulturës shqiptare në gjirin e kulturës perëndimore, të lidhur me frymën e krishterë, klasiken dhe frymën europiane të dijes; mundësia për t’i bashkuar intelektualët shqiptarë në mërgim dhe shpresa që përmes kësaj reviste të mund të mbillej një farë për brezat e ardhshëm, duke mbajtur të ndezur dritën e kulturës shqiptare në errësirën e kohës, i shtynë Koliqin dhe bashkëkohanikë të tjerë ta themelonin revistën “Shêjzat”, një metaforë poetike për yjet që ndriçojnë në errësirë. Simbolika: ta ndriçonte rrugën e shqiptarëve në mërgim, si dritë shprese, dijeje dhe kujtese kombëtare.

    1. Konteksti historik

    Revista u themelua në një kohë kur shumë intelektualë shqiptarë, të dëbuar ose të larguar për arsye politike, kërkonin një mënyrë për të vazhduar veprimtarinë e tyre kulturore dhe për ta mbajtur të gjallë gjuhën, traditat dhe mendimin e lirë. Vetë redaksia, në numrin e parë të saj, në gusht të vitit 1957, nënvizonte se revista po botohej për t’i shërbyer kombit në një kohë rreziqesh të mëdha:

    Botimi i kësaj së përkohëshmje ka per qellim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdheut shi në kohë kur në kuadrantin e historis grepat po shënjojnë nji ças rreziku jetëshues.[1]

    Synimi i “Shêjzave” qe, pra, ta nxirrte popullin shqiptar nga një varfëri shpirtnore, që e kishte pllakosur atë nën kthetrat e ideologjisë rrafshuese komuniste (“nji tyrani, djallëzisht të maskueme me ngjyrat ma terhjekse”), e cila, duke e varfëruar atë ekonomikisht po e bënte të varur politikisht e të nënështruar shoqërisht. Si çdo të nënshtruari pastaj po ia varfëronte edhe shpirtin, doket e zakonet, duke e tjetërsuar atë në jë qenie të paidentitet:

    Shqiptarizmi kercnohet në palcë nga nji robni dermuese, deri tashti e panjohun, e cila i rrëmben Shqiptarit lirit fillore të njeriut…: të drejten me besue në Zotin dhe me rritë fmijt në hir të dokeve stërgjyshore.[2]

    Në këtë kuptim, Shêjzat ishin si një “Shqipëri e vogël e lirë” letrare e kulturore. Ato lidhen me një njeri, Ernest Koliqin, e me një mall, atë për Shqypninë. Sikur dihet, poetika e Koliqit qe poetika e mallit dhe këtë ai e monumentalizoi në revistën që e themeloi vetë. Koliqi i konceptoi Shêjzat si një revistë kulturore kombëtare e si alternativë të lirë kundër izolimit ideologjik, në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur nën regjimin komunist dhe liria e mendimit ishte e shtypur. Koliqi e mbikëqyri personalisht çd   o numër të revistës, duke përzgjedhur dorëshkrimet, redaktuar tekstet dhe vendosur tonin e saj intelektual.

    Revista ishte, prandaj, pasqyrim i shpirtit të Ernest Koliqit: një përzierje e erudicionit klasik, ndjeshmërisë artistike, katolicizmit të butë, dashurisë për gjuhën shqipe dhe një qëndrimi të përmbajtur por të qëndrueshëm antikomunist. Koliqi nuk qe vetëm redaktor. Ai ishte arkitekti i frymës së revistës, e cila në çdo faqe mbante gjurmën e stilit, vlerave dhe vizionit të tij.

    Revista shërbeu si një urë lidhëse mes intelektualëve shqiptarë të diasporës dhe atdheut të tyre të izoluar. Ajo botoi artikuj historikë, ese mbi gjuhën shqipe, studime folklorike, analiza letrare dhe poezi. Nëpërmjet saj, u përçuan ide të rëndësishme për identitetin shqiptar, për lidhjen me rrënjët, por edhe për hapjen ndaj botës moderne. Revista botoi krijime letrare të autorëve më të shquar shqiptarë të kohës, veçanërisht të atyre që jetonin jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, iu krijua hapësirë analizave të thella mbi klasikët e letërsisë shqipe, si edhe përkthimeve të autorëve evropianë, duke kontribuar kështu në ndërlidhjen e letërsisë shqipe me atë botërore.

    Përmbajtja e saj përfshinte kryesisht ese dhe studime letrare (për autorë shqiptarë dhe të huaj); poezi (të reja dhe përkthime); prozë artistike (tregime, novela, fragmente romanesh); studime historike dhe albanologjike; kritikë letrare; përkthime nga letërsia botërore; kronikë kulturore (informacione për ngjarje në diasporën shqiptare dhe zhvillime kulturore); shkrime politike (shpesh kundër regjimit komunist të kohës në Shqipëri)

    Çështjet kryesore qw shtronte revsita  qenworigjina e shqiptarëve dhe teoritë ilire; vepra dhe roli i Skënderbeut; historia e Kishës Katolike në Shqipëri; Rilindja Kombëtare shqiptare; gjuha shqipe dhe dialektet; folklori dhe epika shqiptare.

    2. Ndikimi i “Shêjzave” në mendimin kulturor dhe politik shqiptar

    Qëndrimet e Koliqit dhe të rrethit të tij kulturor qenë qartësisht kundërshtuese, si në planin ideologjik, ashtu edhe në atë kulturor. Rrethi i “Shêjzave”, me në krye Koliqin, u pozicionua fuqimisht kundër shtypjes së mendimit të lirë dhe kontrollit të rreptë ideologjik që regjimi komunist imponoi mbi artin dhe letërsinë, dënoi falsifikimin e historisë kombëtare nga regjimi dhe metodat e dhunshme me të cilat u përndoqën intelektualët dhe kleri dhe kundërshtoi interpretimet ideologjike të kulturës shqiptare dhe përpiqeshin ta ruanin autenticitetin kombëtar. Ata theksonin rëndësinë e fesë, traditës dhe identitetit të thellë kulturor shqiptar. Kwsisoj, “Shêjzat” shërbyen si një platformë kulturore ku mërgimtarët shqiptarë ruajtën dhe zhvilluan identitetin kombëtar në liri, veçanërisht në Itali. Asaj i atribuohet roli i rëndësishëm i afirmimit të letërsisë shqiptare moderne në mjedisin kulturor europian.

    Prandaj, sot kur shënojmë përvjetorin e Koliqit dhe “Ditën e Bibliotekës”, e cila mban emrin e tij, e themi pa ndrojtje: ndikimi i “Shêjzave” në mendimin kulturor dhe politik shqiptar ka qenë i thellë dhe shumëplanësh. Në rrafshin kulturor ajo ndikoi veçanërisht në: ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgim dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare përmes letërsisë, historisë, folklorit dhe kritikës letrare; ofrimin e hapësirës për shkrimtarë dhe studiues të mërgatës, si: Martin Camaj, Arshi Pipa, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi etj.; lidhjen me qarqet kulturore italiane dhe europiane dhe ruajtjen e gjuhës dhe pasurisë letrare shqipe, duke e kultivuar shqipen standarde por edhe dialektet, duke respektuar shumëllojshmërinë dhe pasurinë gjuhësore të kombit.

    Ndikimi i “Shêjzave” nw mendimin politik shqiptar qe po kwshtu i dukshwm. Pa qenë organ politik në vetvete, “Shêjzat” arritwn tw përçonin refuzimin e  qartë ndaj ideologjisë përmes një qasjeje kulturore dhe shpirtërore që nënkuptonte lirinë, fenë, dhe individualitetin. Anwtarwt e saj arritwn qw ta krijonin një “Shqipëri tjetër” në diasporë, duke ofruar alternativë ideore ndaj propagandës së regjimit. Revista ndikoi në vetëdijen politike të shqiptarëve në mërgim, duke mbajtur gjallë kujtesën historike, identitetin kombëtar dhe idenë e një Shqipërie të lirë. Megjithëse nuk promovonte një ideologji të caktuar politike, fryma e “Shêjzave” ishte thellësisht pluraliste dhe antitotalitare, duke u bërë një bërthamë për mendimin demokratik shqiptar në perëndim.

    Në këtë mënyrë, “Shêjzat” mbetën një urë mes trashëgimisë shqiptare tradicionale, kulturës europiane dhe aspiratës për një Shqipëri të lirë e demokratike, një monument kulture e atdhedashurie e rrallë, e krahasueshme ndoshta vetëm me “Hyllin e Dritës”. Ajonuk ishte thjesht një revistë letrare; por një mision kulturor, një platformë për ruajtjen e shpirtit shqiptar në mërgim, dhe një shembull i shkëlqyer se si kultura mund të mbijetojë dhe të lulëzojë edhe në kushte të vështira politike.

    __________________

    [1]  Shih tekstin paraprijës: Mbas udhëhekjes së Shêjzave, nr. 1., 1957, fq. 1-2.

    [2]  Po aty.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË