rimin e saj në kuzhinë dhe në shërim. Por kur rritet pranë varrezave, ajo nuk është më thjesht një gjeth i gjelbër; ajo bëhet një dëgjim i heshtur, një frymë që zbret me rrënjët në dhe dhe ngrihet me aromën drejt qiellit. Në poezinë e Odise Kotes : “Selino, selino” ajo nuk është një bimë si të tjerat, por një qenie që ndjen, që mbart, që ruan dhe që përcjell atë çka njeriu nuk guxon t’ia thotë as vetes. Ajo nuk është thjesht një bimë, por një frymë që rritet pranë heshtjes
Në mitologji dhe rite të lashta, ajo i përkiste nëntokës dhe të vdekurve, kështu: në Greqinë e lashtë, ajo ishte e shenjtë për Hadesin, zotin e nëntokës, prandaj nuk përdorej në gëzime, por vetëm në rite mortore. I zbukuronin të vdekurit me kurora selinoje, i vendosnin mbi varre për t’i shoqëruar në heshtjen e tyre të fundit. Nuk ishte thjesht zbukurim, por një gjuhë tjetër, ajo e bimëve që flasin me nëntokën, ajo e kujtesës që nuk shprehet me fjalë, por me aromë, gjelbërim dhe durim. Madje në disa lojëra antike, si ato të Nemeas, kurora me selino i jepej fitimtarëve si përkujtim për ata që nuk janë më. Fitorja, në këtë rast, nuk ishte festë, por një kujtim mbi dhembjen.
Edhe në traditën tonë popullore, ajo ka qenë pjesë e vajtimit dhe e riteve të ndjesës pasi selinoja mbillej ose vendosej mbi varre. Në disa anë, ajo përdorej për të pastruar shtëpinë pas vdekjes së një të afërmi, si një shenjë që dhembja është përjetuar, por jeta duhet të vazhdojë. Aroma e saj, që është e fortë dhe therëse, ndoshta ngjan me mallin; e gjallë, e mprehtë, e paharrueshme.
1. Në vargjet e Odise Kotës, selinoja është më shumë se simbol, është bashkëbisedue-se. Ajo është porta e vetme që mbetet hapur midis poetit dhe nënës së tij të ikur nga kjo jetë. Selinoja nuk flet me zë, por me gjethin që lëkundet mbi varr, me lagështirën që e mbart dhimbjen si vesë, me rrënjën që futet në kujtesë. Ato që s’i thotë dot njeriu, e flet bimësia me durim. Dhe kështu, poezia e ngre këtë bimë të zakonshme në një lartësi tjetër, e bën frymë të ndërmjetme mes të gjallëve dhe të heshturve.
2. Në vend që të përfaqësojë harresën, selinoja është bima që mbron kujtesën. Poeti i kërkon: “lësho lëngun shërimtar / që zbret ndënë dhe”. Ky lëng nuk është ilaç për trupin, por për shpirtin. Është ai balsami i padukshëm që na lejon të qëndrojmë pak më gjatë pranë një varri pa u thyer krejt. Madje në fund, selinoja bëhet polen i dhimbjes, një ëndërr që nuk tretet, një aromë që s’të lë të harrosh. Ajo është shenja që kujtesa mbin, edhe kur gjithçka tjetër është kalbur.
3. Selinoja, në këtë poezi, nuk është një dekor i vajtimit, por vetë trupi i vajtimit. Është gjethi që nuk e mbulon dhimbjen, por e mban. Në çdo varg ku përmendet, ajo është klithmë e përmbajtur, lutje e heshtur, kujtesë e gjelbër që nuk zverdhet. Dhe poeti, si çdo bir që kërkon nënën, nuk ka më për kë të flasë, veçse përmes një bime. Dhe kjo bimë, e rritur në heshtje, është më njerëzore se çdo fjalë.
I
Kjo poezi është një vajtim, por jo ai tradicional që shpërthen me klithma dhe zë, por një vajtim i përmbajtur, i brendshëm, i derdhur në gjuhën e artit poetik. Poeti vajton në heshtje për nënën, por nuk e bën me lot, por me fjalë që peshon si dheu mbi varr, me imazhe që dridhen si fletë selinoje, me heshtje që flasin më shumë se një britmë.
Vajtimi i tij është derdhur në formë poezie, dhe kjo poezi është forma më e lartë dhe më fisnike e shprehjes së dhimbjes. Struktura e poezisë ndjek rrugën e ligjërimit mortor pasi nuk është ndërtuar si një tekst poetik me një temë të dhimbshme, por si një ritual i heshtur mortor, ku çdo varg është një përkulje ndaj të shkuarës dhe çdo përsëritje një klithmë e përmbajtur. Struktura e saj është e përngjashme me ligjërimin e të afërmve në të nëntat e të dyzetat, ku ndjenja nuk ka nevojë për metafora të larta, sepse ajo vetë është poezi. Kështu, elementet e poezisë janë “të huazuar” nga ligjërimi mortor dhe konkretisht:
1. Përsëritja shfaqet si thirrje, si lutje, si vajtim, pasi fjalët që kthehen, “Selino, selino…” janë forma ligjëruese e një vajtimi mortor, që rikthehet si një valë e dhimbjes që nuk resht. Kjo strukturë përsëritëse , në fillim, në mes e në fund të poezisë, përforcon ndjesinë e një vajtimi të ngjashëm me ritualet e moçme, ku emri i të ndjerit apo një objekt simbolik përsëritet me zë të dridhur.
2. Shpesh, në ritualet mortore, të afërmit “i flasin” me ligjërim, me vajtim të ndjerit si të ishte aty, e në këtë frymë janë thurur edhe disa vargje të poezisë: “Të pyeta për nënën time, mos e ke takuar?” është një nga ato pyetje që nuk kërkon përgjigje, por është formë e dhimbjes që bën zë. Vargu:“Shpon, më dhëmb kjo ikja jote…” është një rrëfim i thjeshtë, por i thellë si dheu që mbulon të dashurit tanë.Vargu: “Dil nga varri, arratisu, moj frymë e frymës së lirë…” nuk është vetëm një lutje, por një klithmë që e dëgjon shpesh në varreza në ligjërime dhe përmban dëshirën e pamundur për rikthim, një formulim tipik i përmallimit të njeriut për të ikurin. Vargu: “I kam sjellë fustan të bardhë, le ta lerë pak zinë” të mbush sytë me lot për dashurinë e madhe për nënën dhe thjeshtësinë e shprehjes së saj nga i biri dhe tingëllon si një dhuratë e fundit, një ndërrim i përkohshëm i zisë me bardhësinë e shpresës. Vargu “T’u bëfsha ëndërr e vjetër…” është një amanet i poetit për t’i mbetur pranë nënës në atë gjumin e saj të përjetshëm, duke ja bërë të bukur atë gjumë. I ke shkruar edhe për ne e për nënat tona këto vargje o Odise Kote, ndaj të falnderoj me sy të rrëmbushur.
3. Nga ritmi i vargjeve, nga përsëritjet, nga thirrjet, nga mënyra si i drejtohet një bime simbolike si selinoja, kjo poezi nuk ndërtohet për t’u interpretuar, por për t’u ligjëruar, për tu ndjerë si një vajtim që nuk do të ndalë, sepse dhimbja e vërtetë nuk e njeh heshtjen. Në të vërtetë, ajo që ka bërë poeti është ta shndërrojë ritin e vdekjes në art të jetës, duke e bërë vargun një mënyrë për të mbajtur pranë ata që mungojnë.
Në këtë poezi, çdo përsëritje është një këmbanë për të shkuarën, çdo thirrje është një kapje pas së pamundurës, dhe çdo varg është frymë që i jep jetë një kujtimi. Dhe kështu,këtu “Selino” nuk është më një bimë, por ajo portë përmes së cilës poeti i flet nënës së tij për herë të fundit, ose për herë të parë pas vdekjes. Ose së paku një monument i heshtur mortor.
Poeti i jep shpirt asaj që nuk është më, duke i dhënë formë mungesës së saj. Dhe në këtë formë, vdekja nuk është fundi, por bëhet fillimi i një bisede tjetër, ajo që zhvillohet përmes simbolesh, përmes tokës, përmes bimës që rritet mbi varr. Dhe këtu, lexuesi nuk është vetëm dëshmitar i dhimbjes së poetit, por pjesëmarrës i heshtur në një rit përkujtimi.
II
Në poezinë e Odise Kotës, selinos i jepet një rol shumëplanësh, mitik, shpirtëror dhe njerëzor njëkohësisht. Ajo nuk është thjesht një bimë, por:
1. Një ndërmjetëse midis botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve ndaj dhe poeti e quan “bimë e zotit të nëntokës”, duke i dhënë asaj një funksion të ngjashëm me atë të figurave mitologjike që ruajnë portat e botës tjetër. Ajo bëhet lidhja e vetme me nënën e humbur, ura që mund të çojë fjalët dhe dhimbjen përtej. Në këtë mënyrë, selinoja merr përmasat e një shpirti që përcjell shpirtra, por në këtë rast, përcjell mallin.
2. Një dëgjues i heshtur, por i mëshirshëm dhe kjo duket në vargjet “ki mëshirë e më thuaj / kujtimit që fle”, ku poeti i kërkon asaj të flasë, të dëshmojë, të përgjigjet. Selinoja është bërë shënjuesi i vetmuar i dhimbjes, dëshmitari që mund të japë një përgjigje atje ku njeriu s’mund. Ajo është dëgjuesi ideal i një vajtimi.
3. Një shërues i thellë dhe i ngadaltë i dhimbjes ndaj poeti i kërkon; “lësho lëngun shërimtar / që zbret ndënë dhe”. Kjo nuk është vetëm metaforë bimore, por një lutje për shërim të brendshëm, një shërim që nuk vjen nga ilaçet, por nga lidhja me të vdekurit, me dheun, me kujtesën. Lëngu i selinos bëhet një formë simbolike e balsamit për shpirtin.
4. Një lajmëtare me fuqi mitike dhe në vargjet “shko me vrap mes rreke lotësh / e ma lajmëro”, ajo merr rolin e një lajmëtares të dhimbjes, një fryme të gjelbër që ecën mbi varre për të sjellë fjalën tek e ndjera. Kjo ngjan me figurat antike që përcillnin mesazhe nga bota e të gjallëve tek e përtejshmja.
5. Një simbol i kujtesës së përjetshme ndaj më në fund, selinoja bëhet polen i dhimbjes, ëndërr e vjetër, pra kujtesë që nuk shuhet. Në vend që të kalbet, e zhduket ajo mbin. Është pikërisht selinoja që përfaqëson kujtesën që mbin mbi varr, kujtesën që s’lejon dhimbjen të harrohet, por as të na përmbysë plotësisht.
Poeti i jep selinos rolin e qenies më të gjallë në vendin më të vdekur. Ajo është fryma që lidh, dëgjon, shëron, dërgon mesazhe, dhe mbart kujtesën. Në këtë mënyrë, ajo bëhet një figurë poetike e jashtëzakonshme që bashkon mitin, natyrën dhe dhimbjen njerëzore në një trup të vetëm.
III-
Poezia “Selino” në thelb përçon një vajtim zë ulët dhe të përhimtë, që si një valë e heshtur zgjatet nëpër vargje, duke u shndërruar në një lutje vajtimorr ndaj një bime mitike; selinod. Poeti e shndërron poezinë në portë e në urë, drejt nënës së ikur, ndërsa shpirti kërkon prehje përmes një melodie vajtimore që s’ka nevojë për nota, por mbështetet në zëra, përsëritje, ritëm dhe dhimbje.
1. Rënkimi vajtimor poetik mbështetet mbi strukturën përsëritëse si tingull i një psherëtime. Fjala “Selino, selino…” që hap çdo strofë është më shumë se thirrje; është një britmë e shuar, një jehonë e mbështjellë me heshtje që ngjason me klithjet vajtimore në mort kur vajtorja klith emrin e të ndjerës me një peshë shpirtërore të dhimblshme. Përsëritja jo vetëm e fjalës, por edhe e strukturave sintaksore, krijon efektin e një ligjërimi vajtimor në qasje me një lutje të përsëritur, ku poeti i drejtohet një entiteti që s’ka zë, por që është në vendin ku flet vetëm dhimbja. Ky refren tingëllon si një rënkim i heshtur që e përshkon të gjithë poezinë.
2. Vargjet rrjedhin si lotë, duke krijuar një ritëm të përngjashëm me ligjërimet mortore. Poezia nuk ka një ritëm të ashpër apo të përforcuar nga rima. Përkundrazi, tingulli rrjedh në mënyrë të lirë dhe të zgjatur, si vajtim i sinqertë dhe i ngadalshëm, me ndalesa që lënë hapësirë për frymëmarrje, pikëllim, kujtesë. Kjo rrjedhje e ngadaltë përforcohet nga përdorimi i pasthirrmave si “ooo…” apo përsëritjet e përzgjatura si “selinoooo…”, që nuk janë zbukurime tingullore, por tinguj shpirti, që ngjajnë me të klithmën vajtimore në mort në shtëpi, ose në varreza.
3. Elementët fonetikë, zanoret, pasthirrmat dhe fryma e shtruar i japin poezisë tingullin e një psherëtime dhimbjeje që tingëllon di këngë. Poeti zgjedh fjalë me zanore të hapura: “ooo”, “a”, “e”, që zgjerojnë tingullin dhe e bëjnë të notojë në ajër. Nuk është një melodi në kuptimin tradicional, por një melodicitet i brendshëm, që përftohet nga vetë fryma e vargut. Fjalitë shpesh janë të zgjatura, me pauza të nënkuptuara, me një ngarkesë emocionale që i përngjan frymëmarrjes së vështirë të dikujt që qan në heshtje.
4. Lënda e figurshme përforcon dhimbjen dhe ndihmon formimin e një melodie si ligjërimi mortor. Metaforat si “hiri i dhimbjes është polen” dhe “ëndërr shtegëto” nuk janë zbukurime, por pjesë e ndërtimit emocional të melodisë. Dhimbja është hije, polen, fjalë e përkundur. Ëndrra është lëvizje, udhëtim, arratisje nga ndalimi i vdekjes. I gjithë ky pejzazh figurativ ushqen një ndjesi muzikore që vjen jo nga instrumenti, por nga trupi – një melodi që buron nga barku e ngjitet në fyt si vajtim.
5. Vajtimi në këtë poezi është një melodi që s’ka nevojë për dëgjues, por vetëm për bashkëvajtues. Është një vajtim i brendshëm që shndrohet në zë ( poetik)vetëm pse dhimbja nuk mund të heshtë. Por edhe për faktin se gjithmon ligjërimet mortore janë shndruar në këngë me tekstin e vajtimit. Në këtë rast ky vajtim i Kotes bëhet ‘bashkbisedim” me një bimë të thjeshtë që rritet nëpër varreza, ashtu si dhe në ligjërimin mortor vajtoret ‘bashkbisedojnë” me njëra tjetrën nëpërmjet ligjërimit.
Poezia në thelb është një vajtim, një ligjërim mortor i derdhur në formatin e një poezie modern, por unë dua t’ju them se kur ka shkruar këtë poezi Odise Kote nuk ka qenë i frymëzuar, ai ka qenë i trishtuar, i helmuar (i themi ne) ndaj unë nuk mund t’i them: “urime” për këtë poezi. Unë vetëm mund të zgjat këto rradhë si duart e mia e t’a përqafoj vëllazërisht dhe më pas, të ulemi bashkë diku te ndonjë varg e të ndezim në heshtje një cigare. Kaq, dhe i thamë të gjitha me heshtjen tonë.
Sarandë, më 2 gusht 2025