More
    KreuArte pamoreSuzana Varvarica Kuka: Pasioni dhe dashuria për skulpturën (Në 90-të vjetorin e...

    Suzana Varvarica Kuka: Pasioni dhe dashuria për skulpturën (Në 90-të vjetorin e lindjes së artistit të shquar, Thoma Thomai)

    Në shtator të vitin 1974 autobuzët ishin rrjeshtuar para shkallëve të hapësirës hyrëse në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve, në Tiranë. Në grupe qëndronin hareshëm studentët artistë, të cilët niseshin për në aksion ose në muajin e punës vullnetare për ndërtimin e socializmit, që nuk e ndërtuam kurrsesi. U dha sinjali që duhet të niseshim. Në autobuzin e studentëve të arteve figurative, sot pamore, u ngjit dikush dhe shqiptoi emrat Agim Rada, student i vitit të dytë dhe Suzana Varvarica, studente e vitit të parë të zbresin, pasi nuk do të nisen në aksion. Zbrita e tronditur nga padija, e dërgova çantën e udhëtimit tek dy prindërit e mi të mrekullueshëm, që kishin ardhur të më përcillnin dhe iu thashë se: “Nuk e di. Nuk do nisem për aksion. Ju lutem më prisni këtu se do tu njoftoj.” Njëherazi, me të ndjerin, skulptorin e talentuar ekspresiv e plot humor Agim Radën, të cilin e njoha aty për herë të parë, shkuam në zyrën e kryetarit të degës së arteve figurative. Aty na priste profesor Thoma Thomai Dhamo. E takova për herë të parë. Unë e ndrojtur, Agimi i gëzuar, profesor Thomai i kujdeshëm dhe i sjellshëm. Ai na tregoi se do të punonim për pllakën përkujtore të aktorit të madh Naim Frashëri (1923-1975), e cila do të vendosej në varrin e tij, në ditën e një vjetorit të vdekjes. Nga ky bashkëpunim njoha mënyrën se si krijonte qetësisht dhe mendueshëm profesor Thomai, ndjeshmërinë skulpturore dhe kërkimin e saktësisë, respektin, korrektesën dhe disiplinën. Më caktoi të modeloja gërmat e shkruara mbi pllakë, Agimit modelimin e draperisë dhe vet punoi portretin e aktorit. Më pas unifikoi të gjithë sipërfaqen me procesin e tij krijues.

    Gjergj Kastriot Skënderbeu, Shkup

    Familja Dhamo, mbiemrin e së cilës e mban profesor Thomai, e ka origjinën në Barmash të Kolonjës, në Ersekë. Nga Barmashi, në fillim të Luftës së Dytë Botërore e deri në Tiranën e ditëve të sotme, të vitit 2026, bëhën 90-të vite jetë aktive dhe skulpturë e mrekullueshme, së cilës profesor Thomai, kështu siç të gjithë ne studentët e thërrasim, i ka kushtuar jetën dhe siç ai shprehet, në një intervistë, mësojmë se: “…Natyra e artistit ka shumë rëndësi, jam munduar të shpreh veten. Kam punuar me pasion dhe dashuri. Dhe këto dy cilësi janë pjesë e natyrës sime…”. Të gjithë artistët, që u kthyen në kapërxyell të viteve `60 nga studimet në shkollat e artit të Bashkimit Sovjetik dhe nga ato të vendeve të Lindjes europiane me krijimtarinë e tyre, kanë krijuar shkollat vetanake. Kjo do të thotë se edhe pse u formuan në shkolla realiste dhe të realizmit socialist, përsëri përbashkësia e krijimtarisë individuale, për secilin prej tyre, flet me një gjuhë autoriale. Dhe, absolutisht krijimtaria e skulptorit Thoma Dhamo është unike dhe ka gjuhën e saj të veçantë figurative. Vetëm një vështrim lundrues e kërkues, njohës dhe i kujdeshshëm në thellësi të skulpturës së tij, si një krijimtari më shumë se 60-të vjeçare, arrin të shoh vendin e rëndësishëm që zë emri i skulptorit Thoma Thomai Dhamo në historinë e artit shqiptar e më gjerë, në sistemin ekspozues e vlerësues të kritikës, si dhe në pedagogjinë e shkollës së lartë të artit. Janë këto tri fusha të jetës shoqërore dhe artistike, ku Thoma Thomai Dhamo meriton vendin e nderit dhe të mirënjohjes. Në ditët e sotme krijimtaria e tij është ekspozuar me konsiderata të larta në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në galeri e muze të tjerë, brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse i dhënë pas skulpturës me përmasa të vogla, skulptura monumentale është pjesë e krijimtarisë së tij. Ata janë të vendosur në sheshe historik, si brenda dhe jashtë vendit, duke i kthyer këto vende në qytete të rëndësishëm të historisë dhe të kulturës. Skulpturat e tij si: “Nënë Tereza”, e vendosur në aeroportin e Tiranës, që mban emrin e shenjtores, shprehet e dashur, mikëpritëse dhe e përkorë, ashtu siç artistit i kishte bërë përshtypje biseda e saj brilante në Akademinë e Arteve, në fillim të viteve `90. Një replikë e saj në 2016 u vendos në parkun e Katedrales Shen Sebastian në Rio de Janeiro, Brazil. Shtatorja “Thofan Stilian Noli”, prift orthodoks, politikan, shkrimtar, muzikant e diplomat, e vendosur në Tiranë, është një nga monumentet që do të shënohet si pikë kthese në skulpturën shqiptare. Ajo, deri në vitet `90, ishte një skulpturë e motiveve të propagandës ideo-politike. Me ekspozimin në shesh të shtatores së Nolit u dhanë shenjat e një skulpture krejt të ndryshme, njerëzore, moderne dhe të shprehjes së lirisë artistike. Ekuestri “Skënderbeu”, i vendosur në Shkup, të cilin skulptori e ka trajtuar si një kryetrim, i cili sëbashku me kalin e tij ballëlart kthehen me fitore. Skulptori thotë se ka pasë gjithmonë parasysh e në mendje thënien e poetit të madh të Rilindjes, Naim Frashërin, që këndonte në vargjet e tij se: “Hingëllin e s`mbahet kali që sjell Mbretin e Shqipërisë…”. Monumenti “Prita e Barmashit” është një monument ekspresiv e tipik, i porositur në periudhën komuniste, për të dëshmuar një akt historik brenda temës së madhe të Luftës Nacionalçlirimtare. Gjinia e relievit për skulptorin Thoma Thomai Dhamo, është një botkuptim skulpturor që e tërheq shumë, si asaj kohe ashtu edhe në ditët e sotme. Relievi, i llojit përmendore i vendosur në Zidoll, Krujë në 1968, në 500 vjetorin e jetës së Skënderbeut, ishte një nga relievet më të bukur, cilësor të ekspozuar deri asaj kohe, i realizuar me një ide të shkëlqyer e të shprehur përmes një stilizimi plot elegancë. Ai kishte në qendër Skënderbeun mbi kalë, përgjithësonte figurën heroike, simbolet e kryetrimit, të armëve dhe shqiponjën. Nga fatkeqësitë e humbjes, shkatërrimit dhe vjedhjes së monumenteve të artit në Shqipëri është edhe zhdukja e këtij relievi. Një nga monumentet më mbresëlënëse është ai i Borovës, vendosur në një pikë të rëndësishme të fshatit Borovë. Ai transmeton qëllimin krijues që janë emocionet e dhimbjes e të ankthit, të cilët kanë pushtuar viktimat.

    Të gjitha veprat e tij sëbashku, si skulptura me përmasa të vogla, për të cilat artisti na trashëgon thënien e profesorit të tij në Pragë, i cili e kuptonte që studenti i tij ishte i lidhur më të, është shprehur se: “Është shumë e shëndetshme të krijosh skulpturën e vogël”, ashtu dhe ajo me përmasa monumentale, kanë një emrues fillestar – gjuhën specifike dhe individuale skulpturore të artistit. Gjuha skulpturore e Thoma Thomai Dhamos dallohet nga inteligjenca kompozicionale e përdorimit të elementeve të veçantë të artit të skulpturës, organizimi i tyre tredimensional si një trup në hapësirë, por edhe tredimensional nga thelbi i thellësisë së volumit e deri në sipërfaqen e modeluar të këtij thelbi. Inteligjenca kompozicionale u pasurua gjatë njohjes me elementet zhvillues të drejtimeve apo lëvizjeve artistike të mesit të shekullit XIX dhe gjatë gjithë atij të shekullit XX. Kjo peridhë fantastike zhvillimi me shembuj më të spikatur të skulpturës moderne botërore, u kthye për artistin shqiptar Thoma Thomai Dhamo në një tërësi kulturore. Duhet theksuar se që në ekspozimin e punimeve të para, pas diplomimit, dallohej qartë se skulptori ishte tërhequr prej artit modern, gjë të cilën e kishte aplikuar edhe në periudhën e shkollës së lartë në Pragë. Duke u nisur nga këto këndvështrime artistike, duke njohur zhvillimet e krijimtarisë europiane e më gjerë, si dhe duke hyrë në marrëdhënie me veprat e skulptorit Thoma Thomai Dhamos, arrihet që ai të cilësohet një artist modern nga fillesat e deri në ditët e sotme. Ky vlerësim ka zënë pozicionin e vet të qëndrueshëm. 

    Inteligjenca konceptuale e artistit është një rrugëtim i gjatë, serioz dhe i kujdeshëm, që është formuar ndërvite dhe ku marrin rëndësi: origjina dhe edukata familjare, vitet e shkollës, fryma e vetdukimit me librin e artit, atë filozofik dhe kritik, si dhe mendja e hapur ndaj shoqërisë ku jeton. Duke ndjekur jetën e artistit zbulon, se të gjitha e në nivele të dashura, i ka trupëzuar në brendësi të ndjesive të veta unike, të cilat skulptori Thoma Thomai Dhamo, i ka pasë gjithmonë parësore. Rrugëtimi i lirë krijues i nisur, i kultivuar dhe i pasuruar me elemente të realizmit, që shfaqen në periudhën e parë të krijimtarisë si tek punimi “Portret punëtores”, e vitit 1964, pronë e GKA-së, Tiranë; vijon me elemente të realizmit socialist, të cilat shfaqen në madhësinë e përmasave gjatë kërkimit kompozicional të monumenteve me temë njeriun e punës apo të Luftës Nacionalçlirimtare, siç është “Saldatori”, pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë; ndiqet me elemente të impresionizmit në dhjetëra vepra befasuese, por veçoj relievet “Vasil Laçi ose Atentatori”, vendosur në Rrugën e Durrësit, në Tiranë dhe “Vinsent van Gogh”. Portreti i piktorit postimpresionist hollandez u realizua në 1989 dhe skulptori shkruan se: “…më ishte shfaqur me vështrimin e tij gjurmëlënës…”. Në këto elemente përfshihen edhe elemente moderne të minimalizmit, që e “zhduk” figurën e lexueshme në kujfijtë e mosekzistencës, gjë e cila thekson shkathësinë e vëmendshme të ndjeshmërisë së lartë të prekjes së formës, butësinë dhe delikatesën në krijimin e teksturës tejet dridhëruese të skulptorit. Këto cilësi abstraguese, të përdorura prej tij edhe në ditët që jetojmë, e kanë shtyrë Thoma Thomai Dhamon të krijoj, gjithmonë sipas mendimit tim, fondin më të bukur të skulpturave të tij. Gjithashtu, nuk mund të anashkalohen disa elemente të ekspresivizmit tek disa relieve në bronz dhe në allçi, ku pasqyrohen figurat e brishta femrore dhe jo vetëm, po ku tingëllon në epërsi figura e djaloshit që i bije fyellit. Në mënyrë të natyrshme, konceptualizmi i përbërjes së formës gjeometrike dhe kubiste me format abstrakte organike, ka krijuar një skulpturë konçize, që përfaqësohet nga dhjetëra skulptura të modeluara në këtë frymë e që ndodhen në studion e tij. Ai i ka cilësuar me titullin “Tempuj e shenjtorë” dhe i ka ekspozuar jashtë vendit, së bashku me piktorin Edi Hila. Në skulpturën e vet, Thoma Thomai Dhamo, ka implementuar elemente të formës së abstraguar e të pastër dhe, ka realizuar dhe realizon skulptura gjeometrike trepërmasore, ku forma cclirohet nga intonacionet figurative të dukshme dhe të cilësuara. Por ato gjenden si frymëmarrje në tërësinë e volumeve gjeometrike. Vepra të tilla janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Elemente të një neoklasicizmi modern, do ta quaja atë ç`ka shihet tek nudot e tij të mermerta e të bardha. Artisti thekson atë se: “Klasika greke është e pavdekshme dhe se nudot e bardha në mermer janë iniciuar nga fenomenet e sotme, që përfshijnë ekspozimin ekstrem femror në jetën e përditshme. Dhe jo pa qëllim e kam cilësuar këtë cikël `Pa ndrojtje`”. Të gjitha këto elemente të drejtimeve artistike të lartpërmendura kanë përfaqësi modelimi në veprat e artistit. Veprat janë unike e korrekte dhe përzgjedhja e elemente figurativ apo të abstraguar kushtëzohet nga ideja, qendrueshmëria e mendimit, imazhi, ngjeshja e volumeve, modelimi i teksturave dhe mbi të gjitha ekselenca e ndjesisë së brendshme delikate, e akumuluar në çdo çast të krijimit e deri në përfundim të marrëdhënies krijuese për skulpturën përkatëse. Kjo ekselencë është frymëmarrja e skulpturës së tij. Rrugëtimi i tij krijues shprehet qartë rreth evoluimit të tij artistik e organik. Nga një skulpturë korrekte e ndjeshme e realizmit dhe e realizmit socialist ai tejkalon si valë deti, dhe jo me thikë e me zigzake procesin e tij krijues, duke mos e dëmtuar aspak zanafillën e vet, e cila flet për një skulpturë me formë të butë, të ngrohtë, të ndjeshme e delikate. Dhe kur ajo tenton të provokojë është drithruese dhe emocionuese. Ai e ka pastruar mëvetësisht formën figurative, e ka pasurar mjeshtërisht me elemente të krijimit skulpturor modern, e ka bërë ekselencë në artin bashkëkohor dhe një nga shembujt e skulpturës më të mirë shqiptare.

    Borova

    Profesor Thoma Thomai Dhamo, Uroj të kesh jetë të gjatë, plot shëndet e krijimtari pasur!

    Thoma Thomai Dhamo ka lindur në 1 shkurt të 1936 në Barmash. Gjyshi i tij, Thomai, latonte mjeshtërisht gurin për ndërtimin e shtëpive. Në familje ishin 6 fëmijë. Disa muaj të vitit të parë të shkollës fillore në 1942 i bëri në fshatin e lindjes. Më pas, babai e mori të vazhdonte shkollën në Korçë, pasi ai kishte nisur punën si shegert në një këpucar. Jeta dhe frymëzimi artistik nis kur u përball me monumentet e Odhise Paskalit, skulptorit të parë e të madh shqiptar, në sheshet e Korçës. Liceu Artistik “Jordan Misja”, ku mësohej dhe skulpturë, ishte në favor të ëndërrës së tij. Ai konkuroi dhe, me këmbëngulje që të zgjidhte vetëm një degë e jo dy, fitoi të drejtën të studionte gjatë viteve 1950-1955 në ateljenë e skulpturës që drejtonte skulptori i shquar Janaq Paço. U diplomua për skulpturë të aplikuar – qeramikë, pasi përfundoi studimet në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajner-it në Pragë, Çeki, gjatë viteve 1955-1961. U edukua në ateljenë e profesorit dhe skulptorit Otto Eckert. Në Tiranë punoi si modelist në fabrikën e Porcelanit. Nga viti 1968 u bë pjesë e stafit akademik në Institutin e Lartë të Arteve dhe pedagogu i parë i ateliesë së qeramikës, e cila u hap me iniciativë dhe programe të hartuara prej tij. Ai ka kryer detyrën e Shefit të Katedrës së Arteve të Aplikuara dhe më pas atë të Dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura. Pas viteve `90, Thoma Thomai Dhamo punoi në ateljetë e artit dhe të dizajnit në Universitetin POLIS, në Tiranë. Ai ka ekspozuar në Bienalen Euroaziatike në Ankara, në Bienalen e Mesdheut në Aleksandri (Egjipt), në ekspozitat e artit bashkëkohor shqiptar në Francë, në Romë, etj.

    Janar 2026 

    Foto e Thoma Thomait nga Roland Tasho

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË