More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSonila Strakosha: “Aventurat e Jung Xhoshit: Kalabashi i artë” i autorit Constant...

    Sonila Strakosha: “Aventurat e Jung Xhoshit: Kalabashi i artë” i autorit Constant Van Graan

    Përktheu Sidita Dano, Ombra GVG

    Sapo nis të lexosh faqet e para kupton që librin do ta mbash në dorë sepse që në hyrje të tij gjuha dhe rrëfimi i rrjedhshëm por dhe përshkrimet e gjalla të mbajnë ngulitur dhe faqe pas faqeje një intuitë e çuditshme të flet duke thënë se asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe në fakt kjo ndodh.

    Kalabashi i artë është një histori ku lexuesi nuk arrin dot të shuajë kureshtjen; edhe pse në çdo rresht dëshiron të zgjidhë enigmën e radhës, rreshti tjetër hap një dritare të re kurioziteti dhe magjepseje.

    Nëse në faqet e para kupton menjëherë faktin se historia e Xhoshit të ka përpirë në botën e magjisë së rrëfimit, në vazhdim e ke të qartë se ky nuk është veçse fillimi dhe çfarë vijon më tej del jashtë çdo parashikimi.

    Duke ecur me djaloshin përmes një natyre sa të rrezikshme aq të mrekullueshme në luginën e egër dhe në të njëjtën kohë mahnitëse të Kalimbulës pa dashur e gjen veten në vendin e personazhit dhe kupton se po provon të njëjtat ndjesi të tij; frikën, dëshpërimin, zhgënjimin si dhe shpresën, forcën, kurajën, kënaqësinë, dashurinë por dhe dëshirën e fortë për të zgjidhur enigmat e mëdha që paprimtas i kanë rrethuar jetën, për të zbuluar pse-të dhe pikëpyetjet të cilat si bimë të çuditshme kanë mbirë papritmas rreth tij.

    Shumë interesant është fakti se si në rrëfimin real ndërthuret aq natyrshëm ai imagjinar; duket sikur dy botët janë bërë bashkë të gërshetuara dhe gjithë personazhet mpleksen me këtë magji duke marrë me vete edhe atë që e lexon.

    Libri të rrëmben brenda florës dhe faunës, botës së egër, xhunglës afrikane dhe ndërsa shfleton të ngjan se ke përballë totujkun, hutën, hipopotamin, zogjtë e larmishëm, lumin, perëndimin, tingujt që dëgjohen befas e të gjitha këto i ndjen dhe i përjeton nën Iëkurë duke hyrë vetvetiu brenda kësaj natyre të egër e duke u bërë si pa kuptuar pjesë e saj. Por kjo nuk mjafton, në disa raste vetë personazhi i krahason njerëzit me koalën apo kastorin duke i bashkuar më shumë dy dimensione dhe duke i ngatërruar në një rrëfim magjepsës. Mitologjia shkrihet herë herë me jetën reale, me shkencën, duke dhënë edhe mesazhe të rëndësishme. Lexuesi ndërkohë, nëpërmjet aventurave shpesh të pabesueshme e të rrezikshme të Xhoshit, kupton sa e ligë dhe e pamëshirshme mund të jetë ndjenja e lakmisë dhe e etjes për pushtet. Nuk është sigurisht vetëm aventura në natyrë që të habit e rrëmben. Në rrëfim vijne sa rrjedhshëm e natyrshëm aq dhe mrekullisht burri i urtë Ngandu në prezantimin e të cilit mjeshtëria e autorit nuk zhgënjen. Ngandu është në njëfarë mënyre edhe një mbështetje, forcë dhe udhëheqje shpirtërore për Xhoshin.

    Përfaqëson mirësinë dhe urtësinë e megjithatë i drejpërdrejtë, e vë djalin përballë të vërtetave e rreziqeve të paevitueshme, sepse jeta është e tillë dhe djalit i duhet të zbulojë e sfidojë ato vetë.

    Shumë interesante dhe enigmatike shfaqet Nxheri e cila herë duket një vajzë fare e zakonshme e më pas ngjan një krijesë e çuditshme që flet me kafshë dhe njeh xhunglën si të qe padrone e saj. Të njëjtin përjetim të lë Masheba që me prezantimin, sjelljen dhe qëllimet të cilat do të realizojë transmeton jo vetëm te Xhoshi por dhe te lexuesi mesazhe të rëndësishme.

    Kush mban librin në dorë kurthëzohet i pushtuar nga shumë emocione e ndjesi njëherësh: dhembshuria për djaloshin, mahnitja për natyrën e përshkruar si dhe fantazinë e pasur, trembja mbi rrezikun e radhës, ankthi për fatin e djaloshit Xhosh është  më e rëndësishmja kureshtja që nuk gjen fund e s arrin të zbehet.

    Ky libër kujton letërsinë e realizmit magjik por këtu misteret që mbajnë pezull pa gjetur zgjidhje përfundimtare vijnë me një vrull e intensitet të jashtëzakonshëm. Aventura, misteri, përshkrimet e pasura, fantazia pa kufi dhe mitet të cilat i ngjeshen normales të detyrojnë ta mbash librin të hapur për të zbuluar çka fsheh kapitulli i radhës. Kalabashi është pjesë e mitologjisë në Afrikë, simbol i jetës, i botëkuptimit, vazhdimësisë së saj. Pra ndërsa Xhoshi vihet dëshpërimisht në kërkim të nënës e të këtij objekti, kërkon pandashmërisht të gjejë vetveten, të kuptojë përkatësinë e vërtetë të tij e të familjes. Autori e vë adoleshentin lexues në këtë histori përballë emocioneve të forta, e trajton atë njëlloj si të rritur kur i tregon rrezikun e vdekjes, forcën për të zbuluar të vërteta të dhimbshme, përballjen me frikën dhe njohjen e shpirtit njerëzor në gjitha dimensionet.

    Meritë e tij është se përveç udhëtimit brenda një aventure fantastike Ië vend dhe për shumë ndjeshmëri, emocion, dhembshuri. Kush mban në dorë librin mezi pret ta shohe Xhoshin të qetë, duke ngrënë një vakt të ngrohtë ashtu siç ai e sheh në ëndërr, por çuditë me sa duket nuk mbarojnë kurrë sepse deri në fjalën e fundit historia është një befasi më vete dhe kur e mbyll, ende lexuesi është duke mbajtur frymën në pritje për të shfletuar librin e dytë.

    Kush do të lexojë këto faqe do të hyjë brenda një aventure sa të bukur e të mrekullueshme po aq të fortë e të egër. Do të njohë e kuptojë më shumë natyrën, zakonet, folklorin, mitet, gjuhën, bestytnitë, kulturën e një vendi. Do duket se bisedon e ka afër kafshë të cilat nuk i njeh apo nuk ka dëgjuar ndonjëherë dhe mbi të gjitha do të mbajë gjallë e pezull e do të zhvillojë, kureshtjen dhe fantazinë.

    Një libër ku rrëfimi magjik, mitologjia, aventura, forca e natyrës, emocioni, imagjinata shkrihen bashkë  te personazhet duke kaluar shpesh te ta kufijtë e reales e duke ditur në të njëjtën kohë prezantojnë tërësisht njerëzorë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË