Besimi në utopinë socialiste e çoi fillimisht Kinmasa Katsunon (1901 – 1983) në Paris, pastaj në Moskë, e më pas në Siberi si i burgosur pa asnjë të drejtë. Ndryshe nga dhjetëra mijëra të burgosur të tjerë të Gulagut, Katsuno mbijetoi dhe u bë ndër të parët që i tregoi botës për tmerrin e makinës staliniste të represionit.
Nga Oleg Jegorov
Represioni shtetëror në Bashkimin Sovjetik gjatë sundimit të Stalinit në vitet 1930-1950 pati një ndikim të madh mbi shoqërinë sovjetike: sipas vlerësimeve më modeste, mbi 786 mijë persona u bënë viktima të terrorit shtetëror, ndërsa rreth 3.8 milionë kaluan nëpër burgje dhe kampe.
Çuditërisht, një ndër njerëzit e parë që publikuan libra me dëshmi dokumentare për Gulagun ishte japonezi Kinmasa Katsuno. Librat e tij, «Permafrost – Shënime nga kampet e përqendrimit stalinist» dhe «Ditari i arratisjes nga Rusia komuniste», u botuan në Japoni gjatë viteve 1930, pasi Katsuno, i mbijetuar nga vite të tëra punë skllavëruese në kushte çnjerëzore, u kthye në atdheun e tij. Por si përfundoi ai në Bashkimin Sovjetik?
«I çmenduri» nga prefektura Nagano
Katsuno, i lindur në vitin 1901 në prefekturën Nagano, që në moshë të re mbrojti interesat e njerëzve të thjeshtë. Qysh në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare mbajti në klubin e fshatit një fjalim mbi padrejtësitë e sistemit shtetëror. «Dy ditë më vonë më arrestoi policia dhe kalova dy ditë në qeli. Historia u bë e njohur në fshatin tonë – doli një artikull në gazetën lokale, ku më quanin “i çmendur”», – kujtonte ai në «Autobiografinë» e shkruar në vitin 1934 në një kamp sovjetik.
Natyrisht, i riu nuk ishte i çmendur, por më shumë një entuziast me një ndjenjë të fortë drejtësie, i magjepsur nga idetë marksiste. Katsuno refuzonte çdo kompromis, çka bëri që ai të gjendej vazhdimisht në situata të pakëndshme. Për shembull, në vitin 1918 e përjashtuan nga universiteti «Nihon» pasi shkroi një artikull ku kërkonte demokratizimin e arsimit.
Studenti këmbëngulës dhe i talentuar u regjistrua në një universitet tjetër, «Waseda». Atje ai gjeti bashkëmendimtarë, me të cilët botoi revista të afërta me partitë e majta, mori pjesë në protesta dhe u arrestua dy herë. Ndërsa Japonia militarizohej gjithnjë e më shumë, qeveria bëhej gjithnjë e më e pamëshirshme ndaj të majtëve. Kështu, në vitin 1924, Katsuno largohet nga Japonia për në Francë.
Drejt shokëve jashtë atdheut
Në Paris, për aktivistin japonez gjithçka filloi nga e para: jetesa në varfëri, studimet (këtë herë në Sorbonë), njohjet me komunistët vendas, protestat. «Në Paris shpesh zhvilloheshin demonstrata. Një herë një vajzë komuniste më kapi për dore duke më thënë: “Hej japonez, hajde edhe ti!” Ende e kujtoj entuziazmin që ndjeva atë çast. Pas hyrjes në Partinë Komuniste Franceze mora pjesë në organizimin e grevave të punëtorëve. Kishim ndjenjën se revolucioni botëror do të ndodhte së shpejti,» – kujtonte më vonë Katsuno.
Ashtu si në Japoni, as autoritetet vendase nuk ishin entuziaste për aktivitetin e Katsunos: në vitin 1928 ai u dëbua. «Revolucioni mund të bëhet kudo, por jo në Francë,» – shënoi Katsuno fjalët e policëve francezë. Nëpërmjet Gjermanisë, me ndihmën e Kominternit – lëvizjes ndërkombëtare të komunistëve – ai u nis drejt Bashkimit Sovjetik. Dukej se aty një aktivist i majtë nuk do të kishte kurrfarë problemi.
Kurthi i Moskës
Gjithçka filloi mirë: në Moskë, Katsunos i dha mbështetje Sen Katayama, veteran i luftës politike në Japoni dhe figurë e rëndësishme e Kominternit. Katsuno punonte si sekretar i Katayama-s, jepte mësim në Institutin e Orientalistikës, shkruante shumë – si në gazetat sovjetike, ashtu edhe në botimet ilegale japoneze që shtypeshin me ndihmën e Kominternit.
Me sa duket, Katsuno kishte ndërmend seriozisht të qëndronte në «vendin e punëtorëve dhe fshatarëve»: ai mësoi gjuhën, mori shtetësinë sovjetike dhe madje një pseudonim rus – Aleksandër Ivanoviç. Por shumë shpejt, këtë emër iu desh ta nënshkruante në procesverbalet e arrestimit të tij.
Sipas shpjegimit të punonjësve të Muzeut të Historisë së Gulagut në Moskë, Katsuno ra në vështirësi për shkak të konfliktit të brendshëm në seksionin japonez të Kominternit: kundërshtarët politikë të mësuesit të tij, Katayama-s, akuzuan fraksionin e tij për tradhti, dhe shumë komunistë japonezë, përfshirë edhe Katsunon, përfunduan pas hekurave.
«Në fund të tetorit 1930, po qëndroja në një stacion tramvaji. Fytyrën ma përkëdhelnin butësisht flokët e ftohtë të borës që binin. Pikërisht atë çast, dikush më kapi fuqishëm prej krahu. E pashë veten të shtrënguar mes dy burrash trupmëdhenj me kapele. Më dërguan në godinën qendrore të OGPU-së (Drejtoria e Bashkuar Politike Shtetërore) në Lubjankë,» – përshkruante Katsuno ditën e arrestimit të tij. Atij iu ngrit akuza për spiunazh në favor të një shteti të huaj.
Në kantierin e madh stalinist
OGPU-ja nuk kishte asnjë provë për fajësinë e Katsunos: siç tregojnë protokollet e marrjes në pyetje, ai pyetej pse komunikonte me shkencëtarë dhe ushtarakë, duke u akuzuar pa prova për dërgimin e të dhënave në Japoni. «E konfirmoj kategorikisht absurditetin e plotë të akuzës ndaj meje për spiunazh», shkruante punonjësi i Kominternit. Gjatë tetëmbëdhjetë muajve që kaloi në burg, ai shpalli dy herë grevë urie, duke kërkuar ose ekzekutimin, ose lirimin e tij.
Në vend të kësaj, ai u dënua me pesë vjet punë të detyruar dhe fillimisht u dërgua në një kamp siberian pranë Mariinskut në rajonin e Kemerovës, ndërsa më vonë – në ndërtimin e kanalit të Detit të Bardhë–Detit Baltik. Ishte ky një projekt i përmasave gjigante dhe çnjerëzore i epokës staliniste – mbi njëqind mijë të burgosur duhej të hapnin një kanal 227 kilometra të gjatë mes Detit të Bardhë dhe liqenit Onega, brenda njëzet muajsh, pa përdorur asnjë mjet teknike, vetëm me lopata dhe karroca dore.
«Ishte qetësi që të kallte tmerrin. Pas horizontit të netëve të bardha zgjatej një ditë e turbullt, pa dritë. Këtu u dërguan turma njerëzish. Të gjithë këta njerëz ishin skllevër», kujtonte kampin Katsuno. Çdo ditë, nga ora 5 e mëngjesit deri në mesnatë, ata duhej të thyenin gurë dhe të transportonin dhera. Nuk kishte asnjë ditë pushimi, asnjë moment pushimi; atyre që nuk realizonin normën ditore, u shkurtohej racioni i ushqimit.
Katsuno mbijetoi në mënyrë të mrekullueshme – pas një dëmtimi serioz që pësoi gjatë punës, u transferua në qendrën mjekësore, ku mbeti deri në fund të dënimit, duke ndihmuar mjekët. Ky ishte një fat i rrallë për të burgosurit e kampit BelBaltlag – sipas të dhënave të ndryshme, gjatë ndërtimit të kanalit humbën jetën nga 12 deri në 50 mijë persona.
Lamtumirë, Bashkimi Sovjetik
Në qershor të vitit 1934, Katsuno u lirua para kohe. Pas asaj që kishte parë dhe provuar në kampet e përqendrimit, ish-aktivisti ishte zhgënjyer qartë nga komunizmi. Në Moskë, pa pritur arrestimin e radhës, ai u drejtua menjëherë në ambasadën japoneze dhe prej andej u kthye në atdhe.
”
Që në verën e vitit 1934, në gazetat japoneze u botuan artikuj mbi «iluzionet e humbura» ndaj «Rusisë së kuqe», me dëshmi të Katsunos mbi përvojat e tij në kampet sovjetike; qeveria i përdori këto për propagandë antikomuniste. Megjithatë, Katsuno – të cilin e quajtën «Solzhenicini japonez», në analogji me shkrimtarin rus që tregoi për Gulagun në prozën e tij – preferoi të qëndronte larg politikës. Ai botoi kujtimet e tij, u mor me biznesin familjar në industrinë e drurit dhe bamirësinë, dhe pati një jetë të gjatë. Ai vdiq në vitin 1983, trembëdhjetë vite përpara se qeveria ruse ta rehabilitonte plotësisht «Aleksandër Ivanoviçin», qytetarin japonez të Bashkimit Sovjetik.