1.
Patriotët, u bënë botë në vete. Një rrëmujë e vërtetë për interesa personale.
Blejnë çdo gjë. Shesin çdo gjë.
Ka njerëz që ende e duan lirinë për ta parë nga larg.
Bota reale s’ka kohë shtesë.
Koha shtesë e ka humbur orientimin.
Unë po mendoj se dëgjova diçka.
Kjo pritje është një premtim.
O Zot, prite Njeriun!
Prite dhe kuptoje Njeriun.
Nuk e ka ende të qartë pse jeton.
Në rregull.
Ditën e mirë.
Shihemi kur të del hëna e re.
E kur poetit i kujtohet gjysma e hënës së humbur, prandaj njeriu me njeriun kurrë nuk e ka të sigurt.
Do të kalojë.
Ishte e padrejtë.
Mendova se dëgjova diçka.
Ky qëllim është një premtim.
Bota reale nuk e kupton.
2.
Tani e kaluara nuk e ka asnjë vlerë.
Ëndrra dhe fotoja e Evës me gjarpër në dorë e me kërthizë të humbur, për një puthje të vërtetë ka edhe shumë gjëra të tjera, për të cilat më shpijnë të mendoj, por edhe fjalët më kanë humbur.
Mjegulla dhe unë dhe fotografia artistike e Evës me gjarpër në dorë, jemi si moskuptim që vjen nga keqkuptimi.
Si jemi bërë njerëz publik.
Patriotë e të famshëm.
Janë edhe shumë gjëra të tjera për t’i thënë, por nuk dua t’i them dhe nuk po mund të gjej njeri që t’ia them të gjitha.
Para kësaj befasie nuk mjafton bota e kësaj befasie.
Kalimi nga lufta në luftë për ngjarjet e panjohura na dolën më shumë se fjala dekorative.
Duhet të mësohemi dhe të qeshim.
Mjaft kemi qarë.
Historinë nuk e dua, sepse në emër të Zotit njeriun e ka keqtrajtuar.
Gjithçka e panjohur përsëritet.
Nuk kemi se ku të shkojmë më larg.
Çmenduria është bërë mesele.
Për të kaluar krizën kaq!
Sa për çështjen që na doli pas veshi, prapë keq!
Çaraveshja po ashtu po na pengon.
Oj çikë, prit pak!
Ndalu!
Çka je hapë si bretkosë?!
3.
Në oborrin mbretëror ka shumë fjalë të mërzitshme, të tepërta.
Pamjet e panjohura ilustrojnë shfrenimin e patriotizmit mashtrues.
Më në fund besohet se do të bëhet mirë.
Sipas traditës mungon vetëm plumbi i gjuetarit.
Mbretin e ulur në fronin e mbretit e ka kapur shqetësimi.
Kësaj radhe të gjithë shpresuam më shumë, por liria na erdhi si vizion i egër.
Po ku je nisur, më pyeti një plak.
S’e di babush. Jam nisur. Vetëm jam nisur.
Nuk të pyeta ty, po këtë që po thotë se ka ardhur nga lufta.
Nga na doli kjo fjalë më shumë se fjalë.
Asgjë tjetër e mirë nuk po më kujtohet.
Realiteti emocional nuk ofron asgjë.
Mos po harrojmë se kush jemi.
Historisë nuk i besoj.
Edhe në emër të Zotit na ka keqtrajtuar me vite e shekuj.
Në oborrin mbretëror ka shumë fjalë mashtruese.
Më në fund besohet se do të bëhet mirë.
Mungon vetëm figura e gjuetarit.
Prit o njeri!
Ku po shkojmë?
Unë nuk e kam nëpër mend për të shkuar kurrkund, as për të bërë diçka,
Gabimi njerëzor është i pafalshëm.
Mos i tregoni askujt.
Kur ta gjeni një njeri, një njeri me fat, kur të gjithë jemi pak të çmendur.
Nuk po e dimë si shkohet në luftë pas luftës së humbur?
Unë i thashë besoj se po. Jo, ma kthen pas luftës ajo duke u ndalur pak në degën e muzikës kur shkoj pak më larg çfarë pëlqimi për ëndrra që i vizatova.
4.
Për të kaluar krizën përtej mitologjisë, fytyra e maskës ndërrohet gjatë çdo lufte e pas çdo lufte. Me kufij e pa kufij. Po thonë se kanë kaluar 6000 vjet qytetërim.
Të gjithë e tradhtuam vetveten.
Liria është zogu i natës.
Gjithkujt iu dha mundësia: të çelë gojën, ta mbyll gojën.
Pse nuk na ecën fati, nuk e di.
Pas gjithë këtyre poshtërsive nuk vlejnë asgjë…
Pashë se po mendohet.
Pa ndarje në ideologji. Miti për lirinë i takon mikut dhe armikut.
I mungon figura e gjahtarit.
Pas luftës i mungon figura e gjarprit, kjo shpresë na erdhi si e panjohur, me shikim të egër.
Ajo që del në shpinë të pasqyrës ndoshta e di.
Kur del në shpinë të pasqyrës sigurisht se e di.
Më larg se largësia e kohës së tashme.
Çdo kohë e ka djallin e vet.
Pse e kemi të vështirë ta kuptojmë qetësinë e jetën në “Farmën” e Orvellit.
Mjegulla e një rrumpalle të panjohur na e ka ndryshuar besimin më shumë se besimi i çmendur i hazreti Hitlerit, hazreti Leninit dhe hazreti Stalinit.
Krijimi i iluzioneve mori kohën e vet dhe jetën e qorrfermanit të njerëzve.
S’ka mbetur gjë tjetër veç lotët e nënave dhe baballarëve dhe i grave për burrat e humbur.
Ka edhe lot zhgënjimi.
Kush e di përgjigjen?
Për lakuriqësinë e moralit nuk po na vjen keq.
E kush e ka shkruan, pyeta, këtë histori që nuk po e pëlqen.
Prapë pyeta: djalli. Kush tjetër pos djallit.
5.
Ku do të shkojmë.
Çka kemi humbur e çka kemi fituar.
Nuk kemi përgjigje!
Para se ta shohim fytyrën e njeriut, para syve e kemi një boshllëk.
Në çdo hap mund të zbulohet jeta e çmendurisë.
Nga drita në terr e nga terri në dritë, e vetmja dritë që shihet është drita në dritë nga e cila dritë nuk shihet asgjë.
Nga çaraveshja për nesër ndoshta na mjafton bota e kësaj bote.
S’kemi ku shkojmë më larg.
Në këngë e kemi më shumë vdekjen se jetën.
E vetmja gjë që mbeti prej legjendave janë Bjeshkët e Nemuna.
6.
Nga syri frontal në profil kam shumë kujtime me faraonët e Piramidave të Egjiptit.
Bashkë me diellin kush e ka përgjigjen?
Si ta shohim realitetin?
E kemi harruar realitetin.
Zgjasim duart dhe presim të na vie edhe e panjohura.
Ato mite që i kemi ruajtur, me një mjegull të kaltër i mbyllim sytë dhe i harrojmë.
Mjegulla e një civilizimi botëror e njohur si Lufta e Dytë Botërore e ka ndryshuar botën.
Tani nuk kemi asgjë për të parë, ashtu siç ka qenë.
Më në fund historia u shpall fajtore.
Lufta u bë e nevojshme për çdo gjë.
Nuk më pëlqen të flas nëse nuk ka kush të të dëgjojë.
Jeta nuk ka pse të fshihet.
Kush do ta mbrojë njeriun.
Me ndihmën e Zotit duhet të bëjmë diçka.
Njeriu i fundit.
Dhimbja e fundit.
Po kthejnë diçka që dihet se ka humbur.
Prapë më vie mos ta them.
E kam të qartë.
Nuk kam pse të shqetësohem.
Çdo gjë më e bardhë se e bardha; më e zezë se e zeza.
Pa zbukurime artificiale.
7.
Të shohim përsëri se sa jemi larg.
Tani jemi vetëm.
Nuk kemi as kthetra, as gëzof e as miq…
Si do të jetojmë e mbijetojmë nuk e dimë.
Vetëm Zoti që është larg nesh e di.
Biri im, shumë gjëra kanë ndryshuar.
Për të shpëtuar ëngjujt nga ëngjujt, jemi ku jemi.
Për të gjetur një kuptim.
Edhe gjysma tjetër e jona, që nuk e dimë ku ka shkuar, ndoshta do të mbetet gabim që do të na përcjellë edhe gjatë kohës së ardhshme.
Amanet, o amanet!…
Ndoshta po më kupton.
Me kohë e kanë ndryshuar pamjen edhe majat e maleve.
Prandaj mbaje distancën dhe prit.
Fati më ka ndihmuar dhe më ka nderuar.
Ujku që këndon këngën e jetës, ku dreqin shkoi?
Çdo errësirë ka një dritë.
Sot e tutje çdo ditë ndryshe.
Çdo drekë ndryshe.
Çdo darkë ndryshe.
Po jetojmë si ëngjuj.
Kjo është e ardhmja.
8.
Përveç meje Zoti do ta dijë të bëjmë punë të çmendur për të shkuar në anën tjetër të botës.
Duhet të kalojmë nëpër rrezet iks.
Mbaroi gjithçka…
Filloi gjithçka.
Të flasim edhe pak.
Ky është fati ynë.
Nga kjo anë flitet për rrëmujë.
Për ata që e dinë fort mirë për çka jemi duke folur nuk kanë nevojë për famë.
A ka njerëz të famshëm e të panjohur.
Pas luftës ka më shumë se shumë.
Në fund të tunelit njeriu e pa një dritë për një kërthizë që di të luajë.
Ku po i di të gjitha këto marifete? – Eva me gjarprin pyeti.
Mos e ngatërro gjuhën.
Kështu e kupton më mirë.
9.
Do të përballemi.
Për pak harrova.
Do të harrojmë dhe do të harrojmë.
O njeri, u vonove shumë.
Mjaft me kaq.
Mos e gënje veten.
E humbe edhe fillimin.
Nuk jemi më për terapi artistike.
A nuk po i sheh lotët mes nesh?
S’ka rëndësi sa do të zgjasë.
Rruga më e gjatë që na kujtohet.
Të shohim deri ku mund të shkojmë me këto çmenduri.
Mirë që është sëmundje kaluese.
Kur na lëshon, na lëshon.
Me hijen e rëndë të Zotit u tremba dhe u frikësova si ujku nga vetëtima…
Nëntor, 2021