Përktheu: Roland Gjoza
KLITHMË
Oh, ka sy të tjerë që ai mund të shohë
dhe duar të tjera që mund t’i gëzojë
por unë për të dashurin tim duhet të jem
vetëm një zë
Oh, ka gjinj ku kokën mund të mbështesë
dhe buzë ku mund të gënjejnë buzët e tij
por duhet të jem gjersa të vdes
vetëm një klithmë
POR JO PËR MUA
Nata e prillit ende është e ëmbël, blu
pemët plot me lule
paqja shkon drejt tyre me këmbët si pupla
por jo për mua
Në gjoksin e tij fshihet paqja ime
aty ku nuk do të jem kurrë
dashuria vjen çdo natë për të tjerët
por jo për mua
TRËNDAFILA NË DERIÇKËN E PASME TË KOPSHTIT
Unë vij nga i njëjti shteg
në të njëjtën deriçkë kopshti të hapur
prej vitesh trëndafilat janë atje
dhe digjen si më parë
Ndërsa i shoh të lulëzojnë në erë
lot të nxehtë më dalin papritur
Një flakëz e tyre shpërthen
zjarrin në zemër.
DYSHIMI
Shpirti jeton në shtëpinë e trupit tim
ti i ke të dyja; trupin dhe shpirtin
po nganjëherë shpirti s’është yti gjer në fund
e josh një i ri, një aventurier i krisur
Jam e shqetësuar me këtë që po ndodh
madje e zemëruar, të shpjegohem s’di
ndonëse jam e sigurtë te besimi i trupit tim
te besimi i shpirtit kam frikë
MUZG QERSHORI
Muzg dhe të gjithë zogjtë
ne një kor tingujsh diamantinë
kaq thjeshtësisht përhapin gëzim
në këtë vis të botës
Ajri është blu dhe i ëmbël
dhe yjet e parë janë të bardhë
O, më lini si zogjtë të këndoj
para se të vijë nata
DITË DHE NATË
Varshava në Poloni
është gjysmë bote larg
ai që doja më shumë se të gjithë
mendjen ma ka marrë
atje shkoj ditë dhe natë
si një zog që rreh krahët
në erën e furishme, të acartë
zërin ia dëgjoj, të ëmbël mjaltë
krahët ia ndiej në krahë.
Në një pyll të zi, të frikshëm
unë pashë në një pellg;
mos ish fytyra e tij
por tani është natë
dhe yjet e ftohtë më thonë;
Varshava në Poloni
është gjysmë bote larg.
MINUET NGA MOZARTI
Dhomën e ndriçonin drita të zbehta
violina tërhiqte tingujt si gërsheta
i shthurte dhe i thurte me dhimbje
dhe ari luftonte kundër errësirës
Pashë errësirën kur u kthye në dritë
dhe kur harku ndali, humbi ari
rrjeti elektrik u dogj dhe shkëlqimi
u mbyt në valët e natës
VESA
Si vesa që rrëshqet nga cergë e merimangës
mbushur me yje
dhe rubinë shpërndan mbi gardh
dhe mbi hunjtë e kullotave
si vesa shndritëse që le barin e thatë
dhe barërat e këqija, të pleksura
dhe shpik nga një perlë ylberi
në secilën nga farat e tyre
kështu dhe dashuria jote, i dashuri im
e freskët si agimi
më hap një rrugë të ndritshme
të udhëtoj drejt teje
dhe le po ato peizazhe
druri dhe guri
me kaq ndezullime delikate
vetëm për mua
LILA BLU
Sa miliona prille kanë ardhur
para se të lindja unë
sa e bardhë mund të jetë një degë qershie
një tufë me lila, sa blu?
Dhe sa shumë kanë vallëzuar në prill
kur jeta për mua kishte marrë fund
luleve do t’ua heq flakën blu
dhe flakën e bardhë drurëve
Me bukurinë tuaj më digjni për së gjalli
lule dhe drurë më bëni hi
që më në fund vdekja të mos marrë
këtë orë shkëlqimi
O, lule në erë, o dritë nëpër drurë
o, diell i së bardhës dhe blusë
më vrisni, që në gjumin e pafund
të ruaj kujtimin tuaj
NJE VARR PËR DASHURINË
Një varr për dashurinë
atje larg nën një dru
në pyllin e madh dhe të zi
që të mos e shoh askush
Në kokën e saj s’do vë lule
as gur në këmbët e saj
por gojën e kam dashur shumë
ishte mjaltë
Dhe s’do t’i shkoj në varr
se pyjet janë të ftohtë
gëzim do mbaj në duar
aq sa mund të mbaj
Ditën në diell do rri
nën puhinë e kaltër
por, ah, do qaj natën
KAMBANAT
Në muzgun e vjeshtës, në orën gjashtë fiks
në perëndimin e gjatë të diellit kuq si gjaku
bien kambanat e manastirit poshtë në luginë
dhe unë qaj trishtëm për ditën që ka vdekur
Ylli i parë pret ajrin blu me dritën e mprehtë si thikë
po unë pse shpirtin e ndiej kaq të ftohtë?
Tri kambana, secila me tingullin e vet mistik
luginën e lodhur trandin prej kumbeve të fortë
Kambana në Venecia, kambana në det
Kambana në luginë, të rënda, për meshë
Nuk ka vend në botën e mbushur me njerëz
ku mund të harroj se dita vdes
EJA
Eja kur hëna e zbehtë si petale
pluskon në muzgun e perltë të marsit
eja me krahët e shtrirë të më marrësh
me buzët e mbledhura që puthja t’i hapë
Eja, sepse jeta fluturon si flutur nate
kapur në rrjetën e viteve që kthim s›kanë
eja, sepse të dy, të ngrohtë dhe të etur
shpejt do jemi si gurët gri në bar
PELLGU NË SHKRETËTIRË
Të dua shumë; jam lumë
ngrihem me pranverën dhe kërkoj detin
jam një dhuruese shumë bujare
dashuria s’pushon duke pirë tek unë
Po këmbët e tij kthehen në shkretëtirë
pa hije, shira, vesë
ku yjet vështrojnë tmerrësisht qartë
nga një qiell blu i pamëshirshëm
Dhe në mesnatën me zheg përvëlues
i lodhur dhe i etur për vdekje
shikon një pellg, mbi të përkulet
pi ujin e ndenjur me shumë etje
PAQJA
Paqja vërshon tek unë
si batica që le në breg një pellg
është imi ai pellg, si deti
s’bën baticë kurrë
Jam pellgu ngjyrë blu
që adhuron qiellin e madh
një palë flatra për shpresën
i gjej atje lart
Jam pellgu ngjyrë ari
kur perëndimi digjet në flakë
qielli, thellësia ime,
më jep yjet në duar t’i mbaj
PREJ ANDEJ PO
VJEN NJË SHI I BUTË
Prej andej po vjen një shi i butë, një aromë e ëmbël toke
dhe dallëndyshet rrotullohen në qiellin vezullimhollë
dhe bretkosat në pellgje kuakin nëpër natë
dhe kumbulla e egër tundet, veshur me të bardha
Gushëkuqët ndezin zjarre me pendët e tyre të kuqe
plot ledhe e teka dashurie mbi një tel gardhi të përkulur
dhe askush s’do t’ia dijë për luftën, askush
askush nuk pyet se kur do të marrë fund
Askush nuk e ka mendjen në vend, as zogu, as lulet
nëse njerëzimi një dite do të zhduket
pranvera kur të zgjohet në agim
s’do kujtohet për ata që ikën pa kthim.
UNË I NJOH YJET
Unë i njoh yjet nga emrat që kanë
Alyair, Aldebaran
dhe e di shtegun që ndjekin
në pafundësinë e qiellit të kaltër
I di dhe sekretet e burrave
nga vështrimi i tyre i çuditshëm
mendimet ua njoh, mendimet gri
që më kanë bërë të mënçur dhe të trishtë
Dhe sytë e tu janë të errët për mua
megjithëse duken se flasin pa cak
nuk mund të them se më duan
dhe ndoshta s’më duan aspak
Unë di shumë gjëra, por druhem
dhe vitet shkojnë e vijnë
unë mund të vdes duke mos njohur
atë që kam dëshirë të di
PUTHJA
Kam shpresë se ai më do
ngaqë më puthi në buzë
por unë jam një zog i plagosur
që s’mbërrita dot në jug
Me mendje e di që më do
po zemrën e kam te trishtuar
puthja e tij s’është aq e bukur
sa ç’e kam ëndërruar
MISTERI
Sytë e tu pinë të mitë
dashuria i bën me shkëlqim
sytë e tu më rrinë ngjitur
me qepallë e me qerpik
Ne dashnorë jemi prej kohësh
shpirti- lumë që vërshon
ai shpesh ndryshon ngjyrë
ne s’e dimë se si ndryshon
Dhe kur shihemi në sy
njeri-tjetrin të kuptojmë
pyesim si me turbullim
dimë shumë a pak dimë
Po dhe shpirti bën dredhira
ne të ndrojtur dhe të lirë
kur do të më njohësh ti mua
kur do të njoh unë ty?
UNE S’KAM SI
TË KUJDESEM PËR TY
Kur të vdes dhe prilli i ndritshëm
do shkund mbi mua flokët e lagur nga shiu
mbi trup do më biesh zemërthyer
por unë s’kam si të kujdesem për ty.
Në paqe, si pemët me fletë, në paqe të përjetshme
kur shiu përkul degët nën yje
fillikate, e heshtur, me zemrën që s’ndjen më
unë s’kam si të kujdesem për ty
NË MESNATË
Më në fund kam vendosur të gjykoj se ç’është jeta
asgjë nuk ka mbaruar, çdo gjë vetëm ka filluar
dhe fitoret e vështira që duken kaq të shkëlqyera
kurrë nuk janë fituar
Dhe dashuria, së cilës i ndërtova shtëpinë e shpirtit
vjen si klloçitje apo si mysafir i hutuar
dhe muzika, simpatia për meshkujt, të qeshurat
nuk janë më të mira se të rrish pa punë
ZOGU BLU
Kaçurrelse bora e ndritshme, mermerit butë
nën këpucet tona kërcet
ndërsa ecim nëpër shtegun e parkut
hijet tona kërcejnë pas nesh
në blunë e gjallë forma fantastike
përtej liqenit patinatorët me klithma
fluturojnë andej-këndej
nëpër kthesa të forta humbasin
në një humbnajë të padukshme
dhe toka në ekstazë
pi dritën e diellit të argjendtë
në ekstazë patinatorët
pijnë verën e shpejtësisë
në ekstazë qeshim dhe ne
pijmë verën e dashurisë
në gëzimin e muzikës sonë
mos dëgjuat një kreshendo dalldisëse?
Por jo,
me sytë e ngritur lart ti thirre;
O, shiko!
Në degën e zezë të një panje me dëborë
i patrembur dhe gazmor si dashuria jonë
zogu blu tundi kreshtën e tij!
Ka njeri të masë forcën e gëzimit
apo të dallojë kufijtë e tij?
DRITË HËNE NË GUSHT
Dielli perëndon dhe hëna po shfaqet
mbi kodrat blu të konektikatit
perëndimi është rozë dhe lindja skuqet
mbi kokën time brofërijnë dallëndyshet
andej -këndej bëjnë lëvizje të çuditshme
dëgjoj cijatjet dhe shoh kur i sulen prehës
këtu bashkë dhe atje secila më vete
si petale të errëta kur shkunden nga pema
panjat përpiqen të shquhen në tisin e perëndimit
të zeza bëhen, madhështore, në fund të ditës
dhe hëna e mjegullt e portokalltë rritet
dhe me kohë shndërrohet në ar të verdhë
ndërsa kodrat errësohen varg e vistër
me një blu të errët si bluja e një luleje
kodrës mora poshtë dhe pastaj
udhën e shtegtarëve, duke nuhatur me zjarr
aromat e natës, freskinë dhe lagështinë
duke ndjerë si më hovte ekstaza në trup
buzë një pellgu gjithë shkëlqim.
o bukuri, që derdhesh nga shumë kupa
ti më ke dehur, më ke bërë të egër
që kur isha një fëmijë e brishtë
dhe kurrë s’kam qenë kaq e sigurtë sa tani.
asnjë hidhërim nuk mund të mposhtet
asnjë pikëllim nuk shuhet plotësisht
edhe nga njeriu që të do gjer në fund?
dhe, megjithëse do të jap frymën një ditë
dhe gjithë të qeshurat do t’i marrë vdekja
dhe sytë, përmes të cilave vjen gëzimi
dhe zemrën ku dridhet një flakë e zbehtë
dhe nëse të gjitha këto do më lenë dhe do shkojnë
udhës së verbër dhe të frikshme
mund t’i krijosh ti përsëri
duke i shkrirë në një zjarr të madhërishëm
sipas pëlqimit dhe deshirës tënde?
edhe nëse shpirti do më shkojë i vetëm
nëpër pafundësinë e ftohtë e të trishtë
edhe nëse ai përfundimisht do të zhduket krejt
bukuri, që gjithmonë të kam adhuruar me shpirt
më lerë një orë të vetme që të shlyejë
të gjitha vjedhjet që m’u bënë në jetë