More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSadedin Mezuraj: "Shkaba" – alegori politike e të dyja kohëve

    Sadedin Mezuraj: “Shkaba” – alegori politike e të dyja kohëve

    Lexo këtu pjesën e parë të shkrimit.

    1. Ngritja /fluturimi mbi trupin e shkabës

    Ndryshe nga personazhet-hije të cilët kanë hequr dorë nga kërkimi i rrugëve për të dalë nga zgafella ku kanë rënë, Maksi shpërfaqet si mbartës i aspiratës për liri.

    Imagjinata e Maksit përndizet dhe narrativa gradualisht rrëshqet nga realiteti, në situatën irreale të vegimeve, halucinacioneve dhe fantazisë, të mpleksur me dromaca ëndrrash. Kësisoj, nënvetëdija e Maksit që kërkon një rrugë për t’u ngjitur lart, ka thirrur në ndihmë mitin e shkabës dhe përmes tij-dy arektipat primordialë – atë të fluturimit dhe të sakrificës.

    Dëshira për ngjitje – arratisje – liri, shfaqet në trajtën e ëndrrës primordiale të njeriut për të fluturuar dhe thyer kufijtë e së pamundurës (Dedali me birin e tij, Ikarin). Aeroporti në hapësirën liminale të internimit është i braktisur. Zgjidhja e vetme e Maksit duket se mbetet shkaba – shpendi mitik, simboli i çlirimit – por kjo liri është e kushtëzuar: shkaba mitike duhet të ushqehet me mishin e Maksit. Kështu, miti i Prometeut përmbyset: nuk kemi një titan që sfidon perënditë dhe ndëshkohet, por një qenie pa faj, që ndëshkohet dy herë: nga rënia dhe nga shpëtimi.

    Kadare “luan” mjeshtërisht përmes dyzimit me simbolikën e shkabës dhe shqiponjës, duke e shtyrë përpara narrativën në dy rrafshe: në rrafshin iluziv, përmes fantastikes dhe të mrekullimshmes (fluturimi Maksit mbi trupin e shkabës) dhe në rrafshin real/grotesk, ku Maksi gjendet i vetëvrarë pranë shqiponjës të vrarë prej tij në kopshtin zoologjik.

    Përmes një rrëfimi të dyzuar dhe sidomos fundit të dyfishtë-tragjik dhe grotesk– Kadare destabilizon “horizontin pritës” të lexuesit dhe njëherazi e shtyn atë drejt interpretimeve të mundshme të fundit të narrativës.

    Rrugët e lirisë -në të dy rrafshet-në atë mitik dhe në rrafshin real/grotesk janë të bllokuara.

    Episodi i fundit i romanit, ku Maksi ngrihet mbi krahët e shkabës dhe përfundon i vdekur bashkë me të mbi malet e Shqipërisë, është kulmi ku ndërthuren mitologjia, historia politike dhe psikologjia ekzistenciale.

    Pas katabazës (zbritjes) në zgafelle, ngritja e Maksit mbi shkabën mitike përfaqëson anabazën-një udhëtim nga errësira drejt dritës. Por ky nuk është një fluturim i lirë: është i kushtëzuar nga një “marrëveshje” me shkabën- qenie mitike dhe simbol i shtetit totalitar.

    Për t’u ngjitur lart, Maksi duhet ta ushqejë shkabën me mish dhe kur ky mbaron, sipas arketipit mitik të përrallës së Qerosit- ai duhet t’i japi shkabës copa nga mishi i trupit të tij. Ky është pakti me shkabën-simbolin e shtetit totalitar.

    Ngjitja mbi zgafelle dhe fluturimi mbi trupin e shkabës ndjek itinerarin: Irlandë-Shtyllat e Herkulit (Ngushtica e Gjibraltarit)-malet e Shqipërisë. Në mitologjinë greke, Shtyllat e Herkulit shënojnë kufirin e fundit të botës-përtej tyre fillon e panjohura, terri dhe bota e shpirtrave.

    Raporti besim/bashkëpunimit midis Maksit dhe shkabës mitike kthehet në raport dyshimi dhe tensionimi. Dyshimi lind kur kërkesat e shkabës kalojnë kufirin e arsyes (tashmë i kërkon copa mishi nga trupi, dhe organet jetësore-shpretka, zemra).

    Kjo është metaforë e pushtetit që kërkon jo vetëm energjinë e individit, por edhe vetë identitetin dhe qenien e tij. Maksi pranon marrëveshjen me shpendin mitik-ta ushqejë me mishin e siguruar tek kasapi por nuk pranon të sakrifikohet si ushqim për shpendin mishngrënës. I kapluar nga frika e gllabërimit prej shkabës, Maksi e qëllon atë me thikë dhe veten njëkohësisht.

    Rrëfimi, duke shkuar drejt fundit, mbrrin në pikën e tij kulmore.

    1.2. Nënshtresat dhe rrafshet kuptimore

    Lexuesi me të drejtë shtron pyetjen: Përse protagonisti rrëfimit e vret shkabën-simbolin e krenarisë dhe lirisë në ikonografinë tonë kombëtare, emblemën e shtetit shqiptar, shpendin totem të mitologjisë shqiptare?

    i.Leximi në rrafshin e mitologjisë nacionale:

    Udhëtimi/fluturimi Maksit mbi trupin e shkabës përngjason me modelin mitik të udhëtimit të heroit që del nga nëntoka (Orfeu, Odiseu, Herakliu, Enea). Por në narrativë, ndryshe nga miti klasik, udhëtimi nuk çon në triumf, por në katastrofë. Heronjtë mitikë dalin nga udhëtimi në botën e nëndheshme të ndriçuar dhe transformuar. Maksi, përkundrazi, del nga zgafella i traumatizuar dhe kryen një gjest (auto) destruktiv.

    Me të dalë nga zgafelle, të dy, njeriu dhe shpendi, vriten. Ky është çasti kur edhe miti fillon të zhbëhet – jo për ta refuzuar shqiponjën si simbol të lirisë dhe krenarisë kombëtare, por për ta rimenduar thellësisht atë, të zhveshur nga mjegullnajat mitike dhe iluzionet historike. Vrasja e shkabës simbolikisht nënkupton edhe “vrasjen” e mitit, në kuptimin e çlirimit të njeriut nga besimi dhe iluzioni për mitet si rruga drejt lirisë. Miti  nuk siguron shpëtim .Historia përvijohet si fatalitet ku nuk ka heronj pr viktima anonime.

    Në mitologjinë kombëtare, shqiponja është emblemë e lirisë dhe e krenarisë kombëtare. Duke e vrarë, Maksi shkatërron figurën që lidh individin me historinë e tij kolektive. Por Kadare tregon se pas këtij shkatërrimi, nuk vjen ndriçimi, por kriza identitare. Individi, i zhveshur nga historia dhe simbolet kombëtare, bie në boshllëk.

    ii. Rrafshi politik:

    Dalja e Maksit nga zgafelle, alegorikisht shënon daljen nga ferri i diktaturës dhe njëkohësisht   edhe nga mitet e rrejshme të prodhuara në diskursin ideologjik totalitar.  Narratori thekson se “Kishte gjasa më tepër të ishte vetëvrasje. E kryer përbri një shpendi që përfaqsonte emblemën e shtetit[1]

    Vrasja e shqiponjës-simbol i identitietit kombëtar- dhe vetëvrasja e protagonistit të narrativës, dëshmojnë traumën e thellë të njeriut nën represionin totalitar. Në ballafaqimin e tij me Hijen jungiane, Maksi del nga zgafelle i traumatizuar.

    Dalja nga zgafelle/çlirimi është i rremë: Shkaba është pjesë e Hijes- e brendësuar në vetëdijen e protagonistit. Vrasja e shkabës është një akt refuzimi i dhunës totalitare, por edhe një akt vetëshkatërrimi, sepse Maksi është i lidhur fatalisht me të: pa shkabën-simbolin identitar, ai nuk mund të “fluturojë” më tej. Nëse e vret, humbet mjetin për të vazhduar përpara; nëse e mban gjallë, rrezikon të gllabërohet prej saj.

    Maksi përfaqëson qytetarët të cilët aspironin të shpëtonin nga burgu totalitar por të dy palët-si qytetari dhe identiteti kombëtar, i formësuar përmes narrativave mitologjike dhe historike, dalin nga regjimi komunist të plagosur, të deformuar nga dhuna dhe autoritarizmi, pa mundur të gjejnë një marrëdhënie të shëndetshme.

    Kadare e jep narrativës një tension të fortë simbolik. Shqiponja, e përdorur nga nga diktatura si emblemë e pushtetit dhunues dhe lavdisë së rreme, tashmë shikohet me dyshim nga individi i çliruar nga diktatura. Tërthorazi, Kadare duket sikur pyet: mos vallë qëndrimi i gjatë në diktaturë ka deformuar qasjen e qytetarit ndaj kombit dhe identitetit kombëtar?

    Në regjimet totalitare, koncepti i sakrificës shpesh përdoret jo si akt i lirisë personale, por si instrument për ta kthyer njeriun në mjet të një ideologjie determinuese. Filozofja politike Hannah Arendt, në veprën e saj madhore The Origins of Totalitarianism (1951), analizon mënyrën sesi regjimet totalitare manipulojnë masat përmes terrorit, propagandës dhe glorifikimit të vetëflijimit. Në këtë botë të shndërruar, propaganda nuk synon më të bindë, por të shkatërrojë aftësinë për të gjykuar dhe për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.

    Dalja nga diktatura (zgafelle simbolike) nuk shënoi vetëm çlirimin politik por edhe konfuzion mendor dhe një lloj krize identitare-një zbrazje të simboleve të cilat ishin keqpërdorur nga propaganda e shtetit totalitar. Kadare na lë të nënkuptojmë se me daljen në liri, nuk duhen të rrëshqasim në nihilizëm, duke ngatërruar mitet e rrejshme dhe simbolet e përdorura nga diktatura, me simbolet dhe vlerat autentike kombëtare dhe identitetin evropian të shqiptarëve.

    iii.Rrafshi psikologjik:

    Në leximin e aktit të dyfishtë vrasje/vetëvrasje, do të aplikojmë qasjen psikanalitike të Sigmund Frojdit, mbi ambivalencën dhe vrasjen e totemit. Përmes narratives dhe gjuhës alegorike të romanit Shkaba, lexuesi hyn në një reflektim të thellë mbi njeriun nën shtypjen totalitare, mbi kufijtë e revoltës dhe peshën tragjike të aktit të vetëflijimit. Përmes figurës të Maksit, që në fund vret përbindëshin simbolik – shkabën – dhe më pas vetvritet, Kadare e vendos lexuesin përballë pyetjeve të mëdha: A është ky një akt i revoltës së dëshpëruar ndaj absurdit të shtetit totalitar? Apo një përballje e brendshme me totemin e urryer dhe të dashur njëkohësisht?

    Në mitologjinë tonë kombëtare, shqiponja përfaqëson shpendin totem-pra një figurë atërore prej nga mendohet se rrjedhin shqiptarët. Në kulturën tonë shqiponja totemike ngërthen kuptimet e forcës, krenarisë, lirisë dhe mbrojtjes.

    Kur narratori përmend se ngjarja ishte një një akt i vrasjes së shpendit totem dhe se vrasja e shqiponjës nga Maksi duket si një “akt atëvrasës edipal[2], autori e orienton lexuesin drejt një leximi psikoanalitik të ngjarjes, duke e lidhur me rebelimin e birit ndaj atit, eleminim e autoritetit që pengon lirinë dhe përmbushjen e dëshirës. Në këtë optikë, akti i dyfishtë vrasje/vetëvrasje është shprehje e ambivalencës e cila-sipas Frojdit-është lidhje e njëkohëshme e dashurisë dhe armiqësisë ndaj të njëjtit objekt.

    Në veprën e tij Totemi dhe tabuja [3] Frojdi paraqet idenë se tek njeriu ekziston një lidhje e përhershme ambivalente me figurat autoritare, veçanërisht me atë të babait: dashuri dhe urrejtje njëkohësisht. Në analizën e shoqërive primitive, Frojdi zbulon një narrativë mitike, ku bijtë vrasin babanë (totemin) për t’u çliruar prej tij, por më pas përjetojnë ndjenjën e fajit.

    Në romanin e Kadaresë, shkaba është totemi kombëtar – një simbol i autoritetit absolut, i shtetit që ndëshkon, që shkatërron, por që gjithashtu organizon realitetin shoqëror, ashtu si figura e babait për fëmijën. Maksi, në këtë optikë, përfaqëson djalin që rebelohet kundër totemit-figurës autoritare: ai përballet me shkabën përbindësh-simbol i shtetit totalitar e cila e ka privuar nga liria dhe kërcënon me ndëshkim.

    Vetëvrasja e Maksit është kthimi ritual te vetnëdëshkimi, një mënyrë për të “rregulluar rendin” pas shkatërrimit të totemit. Kështu, nga kjo perspektivë psikoanalitike, Maksi është trashëgimtar i një strukture emocionale që nuk e lejon të jetojë pa totemin që sapo vrau. Ky është thelbi i ambivalencës frojdiane: ai çlirohet prej totemit, por nuk mund të jetojë me këtë çlirim.

    iv.Rrafshi filozofik:

    Albert Kamy, në veprën e tij të mirënjohur Miti i Sizifit[4] shpjegon se absurdi lind nga përplasja midis kërkesës njerëzore për kuptim dhe indiferencës së botës. Në këtë përballje, njeriu ndodhet para tri mundësive: vetëvrasjes, besimit fetar/ideologjik, ose revoltës. Kamy e refuzon vetëvrasjen, sepse ajo mbart qasjen nihiliste ndaj jetës. Në vend të kësaj, ai propozon figurën e Sizifit – njeriut që përkundër absurdit nuk dorëzohet, por jeton me vetëdijen e absurdit dhe e sfidon atë përmes qëndrueshmërisë.

    Sizifi pajtohet me fatin e tij absurd dhe –sipas Kamy-atë duhet ta përfytyrojmë të lumtur. Maksi nuk pajtohet me dënimin absurd nga sistemi totalitar dhe ndërmer një akt –vret shqiponjën dhe vetëvritet. Ikjen nga absurdi ai e gjen përmes “zgjidhjes përfundimtare”-asgjësimin e vetes.  Revolta e tij është e dëshpëruar dhe absurde.

    Megjithatë, edhe në këtë fatalizëm, ekziston një nuancë e revoltës kamyane: Maksi vdes në kushte që i zgjedh vetë, pasi ka marrë me vete simbolin e dhunës që e ka ndjekur. Kjo e bën aktin e tij një përballje tragjike me absurditetin, në të cilin fitorja nuk është shpëtim, por dënim i vetvetes.

    Në rrafshin filozofik, dalja e Maksit nga zgafelle e internimit-pra nga izolimi totalitar-krijon një analogji me mitin e shpellës së Platonit. Në të dy rastet, dalja nga shpella fizike dhe mentale drejt dritës dhe lirisë, i vendos njerzit përballë realitetit. Nëse në shpellën e Platonit, banorët e saj shikonin hijet e sendeve dhe objekteve, në sistemin totalitar njerzit jetonin në flluskën e propagandës, ku realiteti dublohej me iluzionet, mitet dhe imazhet e prodhuara në funksion të manipulimit të vetëdijes së së tyre.

    Por midis shpellës së Platonit dhe zgavrës mentale të Kadaresë ka edhe diferenca: dalja nga shpella tek Platoni përfaqëson një proçes metafizik të ndëçimit mendor dhe zbulimin e të vërtetës. Ndërsa Kadare lirinë e problematizon, duke mos e parë atë thjesht si çlirim politik (dalja nga diktatura) por edhe një proçes të brendshëm vetdijësimi, si përmasë shpirtërore, kulturore dhe ontologjike të njeriut.

    Përtej kontekstit specifik të totalitarzmit shqiptar, romani Shkaba përcjell idenë universale të aspiratës për liri- nga Dedali mitik – arketipi i përjetshëm i dëshirës për të thyer kufizimet e trupit – e deri tek njeriu modern i fluturimeve kozmike- liria mbetet shtysa më ngashënjyese dhe një ideal i përjetshëm. Qenia njerzore edhe në kohët moderne, mëton të thyejë kufijtë e të pamundurës për të zgjeruar rrathët e lirisë, në sfidë me natyrën, sistemet politike dhe veten.

    Por fundi i narratives mbyllet me një notë pesimizmi. Autori kumton se njerzimi mbetet i burgosur në një qoshe të kozmosit, i pranguar nga një dëshirë vetëvrasëse. Njohja e njeriut -përballë universiti të pafund mbetet e kufizuar dhe gjuha- më shumë se mjet komunikimi -është kthyer në burim moskuptimi mes njerzve. Moskuptimi është kthyer në shenjën e parë të apokalipsit modern.

    Shkaba e Kadaresë nuk është thjeshtë një metaforë politike. Narrativa e  romanit përfton një strukturë mitike universale, e cila, përmes arketipave jungianë (flijimi, sakrifica, rënia, fluturimi, hija, heroi) historia ripërsëritet – (rikthimi i përjetshëm i të njëtës-Niçe)-përcjell idenë se historia nuk është një proçes linear progresiv por, për shkak të arketipave si struktura psikike universale, përsëritet, herë si farsë e herë si tragjedi.

    v.Rrafshi grotesk:

     Narratori përmend se Maksi “u gjet i vetëvrarë pranë simbolit të shtetit -shqiponjës”. Nëse përleshja mes Maksit dhe shkabës mitike në ajër (në rrafshin mitik/imagjinar) mbart një lloj heroizmi dhe rezistence- në rrafshin real, Maksi i vetëvrarë pranë shqiponjës në kopshtin zoologjik- i jep fundit të rrëfimit një ton grotesk. Në gjendjen e krizës nervore dhe mjegullimit haluçinant, Maksi vret shqiponjën- duke e konsideruar atë si “trupin” simbolik të shtetit. Akti i tij është sa grotesk aq edhe absurd.

    Në të dyja rastet-në rrafshin real/grotesk dhe në rrafshin imagjinar/mitik, Maksi shfaqet si një figurë tragjiko-groteske, ku revolta, viktima dhe vdekja ndërthuren në një akt të vetëm: një akt që nuk siguron çlirimin, por ndoshta, për një çast, rikthen dinjitetin e humbur të njeriut.

    Kadare nuk krijon ndonjë elegji dhe as nuk monumentalizon mitin e sakrificës dhe të përballjes së Maksit me shpendin-simbol i shtetit totalitar. Ngjyrat heroike të përballjes me shpendin në dyluftimin në ajër-në rrafshin imagjinar- treten nga notat groteske të aktit destruktiv dhe absurd të vrasjes së shqiponjës në kopshtin zoologjik. Ndarja midis ngjarjes “reale” dhe asaj “mitike” është e mjegulluar.

    Dy rrëfimet, ai në rrafshin real dhe ai në rrafshin imagjinar, bashkekzistojnë, duke e lënë enigmën të hapur.

    Maksi – hero apo viktimë?

    Figura e Maksit mund të lexohet si një viktimë e një regjimi absurd dhe e një situate ekzistenciale, ku mitet moderne, në vend që të ofrojnë çlirim, kthehen në mekanizma dhune. Maksi përmes aktit dyluftues, rifiton subjektivitetin, duke refuzuar të jetë thjesht mish për shkabën mitike.

    Dyluftimi me shkabën është një akt i guximit ekzistencial, por që përfundon në asgjë. Maksi nuk është as vetëm hero, as vetëm viktimë, por një figurë tragji-komike që i përmbledh të dyja – një njeri që kërkoi lartësinë, por e gjeti veten të rrëzuar në prag të saj.

    Në romanin Shkaba, akti i Maksit – vrasja e shkabës –që mishëron pushtetin totalitar dhe më pas vetëvrasja e tij – ngjan si një formë sakrifice. Qasjet filozofike të Hannah Arendt, Martin Heidegger, Jan Patočka,[5] dhe mendimtarë të tjerë, na lejojnë të kuptojmë se sakrifica merr kuptim vetëm nëse ndodh brenda një bote të përbashkët, një bashkësie politike apo etike.

    Sipas Heidegger, në sakrificë “heqim dorë nga gjithçka për hir të qenies” dhe përballemi me fundësinë tonë për ta pohuar tërësinë e qenies. Sakrifica e Maksit në romanin Shkaba nuk është një akt shpëtimtar, nuk është një thirrje drejt të tjerëve, as një ofertë për bashkësinë. Sipas Hannah Arendt, politika dhe jeta e përbashkët lindin vetëm në hapësirën publike të bashkëveprimit[6]. Por totalitarizmi e shkatërron hapësirën publike pluraliste të bashkëpunimit. Maksit të narrativës nuk i mbetet asnjë hapësirë e tillë.

    Sakrifica e tij nuk është një dhuratë për të tjerët”, siç ishte rasti i sakrificës së Jan Palach-it, i cili i vuri flakën vetes si protestë kundër pushtimit sovjetik në Çekosllovaki (1969), duke kthyer aktin e vetëvrasjes, në një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror. Në një botë si ajo e totalitarizmit, ku hapsira publike është rrënuar, pa dëshmitarë e pa bashkësi, vetësakrifica e Maksit nuk mobilizon askënd – ajo ndodh në një boshllëk total. Është një akt i heshtur i vetmohimit, kusakrifica humbet çdo kuptim etik dhe politik dhe në vend që të afirmojë jetën, ajo përfundon si një britmë e shurdhët në errësirë.

    2.Dialektika e lirisë

    Nuk është krejt rastësi që romanthi Shkaba është shkruar pikërisht në vitin e turbullt 1995 -një kohë kur Shqipëria, ende e drobitur nga rënia e regjimit komunist, po zvarritej drejt një tranzicioni të paqartë dhe kaotik. Edhe pse ideja për këtë vepër ishte paralajmëruar më herët, në Ftesë në studio, është pikërisht ky moment historik-mes traumës të së kaluarës dhe pasigurisë të së ardhmes -që i jep veprës tonin e saj të ngjeshur filozofik.

    Duke lexuar romanin Shkaba dhe mbajtur në vëmendje kohën kur u shkrua, nuk mund të mos kujtojmë tezën filozofike të Walter Benjamin-it,[7] i cili, në interpretimin e tij të pikturës Angelus Novus të Paul Klee, përfytyron Engjëllin e Historisë me sy të kthyer pas, duke parë rrënojat që mbeten mbrapa– ndërkohë që stuhia vetë (historia) e shtyn atë me forcë drejt së ardhmes.

    Njësoj si Engjëlli i Benjamin-it, edhe Kadare në kohën shkrimore të romanit, qëndronte mu në mes të atij rrëmeti historik, me një sy nga e shkuara totalitare e mbetur pas dhesyrin tjetër në realitetin kaotik postkomunist.  Shqipëria-vendi shqiponjave – gjendej në mes të rrënojave të një regjimi të rënë, e shtyrë përpara nga një tranzicion i pashmangshëm, por me plagët ende të freskëta.

    Përtej rrafshit të parë të interpretimit si alegori mbi internimet në shtetin totalitar, romani Shkaba ngrihet edhe si metaforë e daljes së Shqipërisë nga “gropa” e regjimit komunist. Ndërsa Maksi ngrihet lart mbi zgafelle në krahët e shkabës, ai dallon qindra shkaba të tjera, duke mbartur trupa të lodhur dhe skelete njerëzore. “Një brez i tërë –kumton narratori-hipur secili mbi kalë-shpendin e vet, duke u përpjekur të dalin nga një epokë[8]. Aludimi për daljen e Shqipërisë nga epoka totalitare është i qartë.

    Në një moment, teksa Maksi fluturon mbi zgafelle në krahët e shkabës, narratori thekson se “në atë marramendje nuk kuptohej ç’ishte lart dhe ç’ishte poshtë, dhe ai kishte ndjesinë se më të njëjtën kohë rrëzohej e ngjitej pa pra”[9]  Metaforikisht, rënia dhe ngritja relativizohen jo thjesht në rrafshin topografik, por atë simbolik dhe përmbajtësor.

    A ishte liria e daljes nga zgafella totalitare “ngjitje lart” apo, në disa aspekte, edhe “rënie poshtë”?! Fluturimi i Maksit mbi shkabë, i përjetuar herë si ngjitje e herë si rënie, krijon një imazh të fuqishëm të tranzicionit kaotik shqiptar, ku rrëzimi i diktaturës nuk solli rritje të vetëdijes qytetare, por një “rënie” drejt psigurive, zbrazëtisë dhe krizës identitare. Fjala “marramendje” në përshkrimin e gjëndjes psikologjike të Maksit gjatë ngjitjes/rënies, nuk mund të mos na kujtojë konceptin e Kierkegaard për “marramendjen e lirisë”.

    Liria e shumëpritur, pas kolapsit të regjimit komunist, u trajtësua si kaos, anomie dhe anarki. Një pjesë e madhe e njerëzve u “arratisën nga liria” e sapo ardhur përmes eksodeve masive. Të tjerë vinin rrotull pa ditur ç’të bënin me lirinë e tyre. 

    Dalja e Maksit nga zgafella të kujton mitin e Platonit mbi shpellën dhe hijet. Dalja e shqiptarëve nga izolimi totalitar dhe “shpella” e propagandës, aq sa ishte ndriçuese, po aq ishte edhe konfuzion dhe hutim. 

    Raporti mes Maksit dhe shkabës nuk është marrëdhënie heroike, por një dialektikë e përçudnuar e sakrificës dhe viktimizimit. Edhe i shpëtuari (Maksi), edhe çlirimtari (shkaba) dalin të gjakosur nga ky udhëtim. Marrëdhëniet midis tyre janë ndërthurur nga një dialektikë e dyzuar: dashuri dhe urrejtje, shpresë dhe ankth, shpëtim dhe ndëshkim. Në këtë përfytyrim, çlirimi nuk është i pastër-ai është një transaksion me dhimbjen, me koston e trupit dhe mendjes, me një histori ku shpëtimtari (shkaba) të shpëton duke të kafshuar.

    Vdekja e Maksit dhe e shkabës gjatë ngjitjes/daljes nga zgafelle shënon pikën kulmore alegorike të narrativës. Shqiptari i dalë nga diktatura, rezultoi një njeri i gjymtuar-fizikisht, psikologjikisht dhe moralisht. Nuk ishte vetëm regjimi që kishte “vrarë” individin, duke e deformuar dhe indoktrinuar por edhe individi, me heshtjen, me kompromiset dhe konformizmin e tij, kishte ushqyer jetëgjatësinë e sistemit.

    Shqiptarët e dalë nga regjimi totalitar do të ruanin, kushedi edhe sa kohë, perceptimet e shtetit si entitet i huaj, kërcënues për liritë dhe të drejtat e tyre, duke e parë atë si një lloj Leviatani hobsian. Kujtimet e shtetit totalitar do të ushqenin një raport mosbesimi me shtetin dhe retorikën e tij “në emër të atdheut dhe kombit”. “Shteti? – pyet Niçe-Çfarë është ky? Shtet quhet më i ftohti ndër të gjithë përbindëshat e ftohtë. Ai është i ftohtë kur gënjen; nga goja e tij zvarritet ky mashtrim: Unë, shteti, jam  populli”[10]  

    Përmes narrativës dhe fundit të saj ku shpëtimtari/shkaba kthehet në ndëshkuese, duket sikur jehon thirrja e hershme e Alexis de Tocqueville, i cili theksonte rrezikun e një “despotizmi të butë” dhe për “tiraninë e shumicës” në  demokracisë-qasje të cilën  Kadare e ka shestuar edhe në romanin Aksidenti, ku përmes raportit kontradiktor Rovena –Besfort, krijon alegorinë e transformimit të Çlirimtarit në Tiran. Shkaba – si figurë shpëtimtare e shndërruar në ndëshkuese, simbolikisht mund të jetë një njeri, udhëheqës, doktrinë, ideologji apo mit modern.

    3. Shkaba-një roman “heretik”?

    Simbolika ambivalente e shkabës si çlirimtare/shpëtimtare dhe njëkohësisht ndëshkuese përbën një nga “herezitë” më të mëdha të romanit: Kadare godet jo vetëm absurditetin dhe arbitraritetin e shtetit totalitar, por tërthorazi dhe në mënyrë të sofistikuar ngre dyshime rreth miteve dhe tabuve nacionaliste, idolatrizimit dhe instrumentalizimit të tyre nga elitat sunduese, për të çimentuar pushtetin, duke e veshur diskursin e tyre me mitet kombëtare.

    Kadare ndërton një kozmos të thyer, ku mitet nuk ofrojnë më kuptim, por maskojnë absurditetin e pushtetit dhe dhunës. Kjo e bën romanin heretik – jo vetëm në raport me mitologjinë kombëtariste, por edhe me vetë horizontin e pritjes estetike të lexuesit, në përfytyrimin e të cilit, shpesh Kadare mendohet si rapsod i nacionalizmit shqiptar dhe glorifikues i historisë së kombit. 

    Figura e shkabës, simbol i kombit dhe njëherazi mishërim i sakrificave në emër të kombit, në këtë roman shndërrohet në në një entitet që nuk mbron, por ushqehet me trupin dhe shpirtin e individit. Në këtë rrafsh, romani Shkaba mund të lexohet si një metaforë tronditëse për vetë historinë politike shqiptare, e cila ka kërkuar nga qytetarët e vet sakrifica ekstreme në emër të lirisë -sakrifica që në fund përmbyllen me plagë, trauma, dhe ndonjëherë edhe me mohimin e vetë kuptimit të lirisë.

    Në këtë perspektivë leximi, romani Shkaba përfaqson mitin kombëtar të korruptuar nga ideologjia, i cili në vend të frymëzojë, shkatërron, mbjell terror dhe pasiguri. Mitologjia jonë kombëtare e mbijetesës, e ngritur si apoteozë e një kombi të vogël, e skajuar mes viktimitzimit dhe glorifikimit të historisë, ka kërkuar vazhdimisht sakrifica.

    Kadareja, përmes figures polisemike të shkabës, ndërton një alegori të sakrificës moderne, ku flijimi nuk ndodh në emër të perëndive, por në emër të një ideologjie totalitare, të uritur për kontroll dhe ndëshkim. Shkaba nuk është më shpendi hyjnor i Zeusit, por mishërimi grotesk i ideologjisë që ushqehet me kufoma dhe ruan stabilitetin përmes sakrifikimit të individit.

    Ky mekanizëm i flijimit sakral është në zemër të mitologjive dhe institucioneve të hershme të njerzimit. Flijimi/ sakrifica nuk është thjesht një akt religjioz, por një strukturë antropologjike, një formë për të rithemeluar rendin simbolik. Në këtë rast, figura e shkabës, si mishëruese e dhunës rituale ndëshkuese, shfaqet si instrument i desakralizuar i pushtetit, si mjet për të kontrolluar dhe ripërtërirë rendin përmes dhunës mbi trupin e tjetrit

    Në një vend, ku simboli i shqiponjës është shenjtëruar si përbashkuese kombëtare dhe emblemë shtetërore, Kadare ngre dyshimin rreth mitologjisë kombëtariste, jo vetëm si burim i krenarisë dhe identitetit, por edhe i manipulimit, kur simbolet e saj (shqiponja, flamuri, sakrifica) ritualizohen, sakralizohen dhe instrumentalizohen në shërbim të legjitimimit të pushteve të ditës dhe në dëm të interesave kombëtare afatgjata.

    Fundi i narratives – vrasja e shkabës mitike dhe shqiponjës groteske – shënon dhe vrasjen e vetë miteve kombëtare të manipuluara nga shteti totalitar. Duket sikur Kadare sugjeron se, në kushtet e lirisë, kombi duhet të dali nga zgafellat e miteve dhe të futet në rrugën racionale të zhvillimit historik. Në këtë optikë, domethënia e deduktuar nga romani, duket si jehonë e thirrjes së Branko Merxhanit, i cili në vitet 30-të të shekullit të kaluar, përmes publicistikës sociologjike, vuri në piskamë nevojën e daljes së kombit nga mjegullat e miteve, si imperativ kategorik për t’u futur në rrugën e emancipimit europian.


    [1]  Kadare, Ismail: Shkaba, Onufri, 2010, f.102

    [2]  Kadare, Ismail: Shkaba, Onufri ,2010 , f. 102

    [3]  Frojd, Zigmund: Totemi dhe tabuja, SHB Fan Noli, Tiranë, 2006, f. 11-16, 31-35, 94-96

    [4]  Kamy, Albert: Miti i Sizifit, SHB Fan Noli, 2016

    [5] Harbertal, Moshe : On Sacrifice https://www.academia.edu/38287427/Moshe_Halbertal_On_Sacrifice_Princeton_Princeton_University_Press_2012_

    [6]  Arendt, Hannah: Gjendja njerzore, SHB-Dita 2000, Tiranë 2006, f. 251

    [7] Walter Benjamin: Teza mbi Historinë-teza IX

    [8]  Kadare, Ismail: Shkaba, Onufri 2010, f.87

    [9]  Po aty. f. 89-90

    [10]  Nietzsche, Friedrich:  Kështu foli Zarathustra, Phoenix, Tiranë, 2001, f. 47

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË