More
    KreuLetërsiBibliotekëRoland Gjoza: Gorilla e bulevardit

    Roland Gjoza: Gorilla e bulevardit

    Pronari i ” Laser company Bill Fin & Son” ishte i kënaqur me gorillën e bulevardit, madje ai fitimet e asaj jave, gjer në një farë mase, ia kushtonte kafshës që po tmerronte e njëherësh po i bënte për të qeshur grahësit e shumtë të makinave që ndalonin te semafori i rrugës 62, ku ndodhej një kryqëzim i madh. Gorilla ishte një reklamë e frikshme, natyrisht një njeri punonte brënda lëkurës së saj që ajo të dukej sa më e vërtetë, ( belluz qimegjatë, i gafrruar, krejt i zi, një kokë përbindëshore, me gojë të hapur të kuqe ku dukeshin një sërë dhëmbësh të stërmëdhenj, si cataj, kaq kërcënues, sa të shtinin drithmat.)

      Si ju duket? i pyeste Billi vartësit dhe ata hem qeshnin e hem rrëfenin të tronditur se ju dukej vërtet si i gjallë sa herë qe e shikonin reklamën njeri në mesoren e bulevardit, në atë rrip të hollë trotuari, duke tundur para shoferëve që ndalonin te semafori me sinjal të kuq, një tabelë të madhe ku lexohej ; Leshi i tepërt të tremb, pastrimin e bën të mundur firma e njohur “Laser company Bill Fin & Son” dy hapa larg jush, gjithashtu ajo ndihmon flokërënët të bëhen me flokë brënda tre javësh. Provojeni, efektet janë të jashtëzakonshëm.”

      Është vërtet mbresëlënëse, tha Sunta, një indiane e re, që kishte mbaruar për mjeke por ende s’kishte gjetur punë dhe një ditë kishte trokitur te Billi. Veç sikur e tepron ca.. shtoi ajo me ndrojtje.

    Shpjegohu më qartë, Sunta, tha Billi.

    Po ja, ai njeriu që fshihet aty sikur bën lëvizje pak të tepruara si prej kllouni.

    Për të tërhequr vëmëndjen, e dashur, po këtu ka dhe një sekret; tuhafllëku, gomarllëku pëlqehen.. më kupton, besoj, si një lojë në komedi. E ç’duhet një gorillë serioze që rri si e ngrirë? Njeriu është i prirë për spektakël.

    Ke të drejtë, bos, tha Rodrigez, një meksikan që kishte prirje për kompjuter. Vetëm kjo lojë, këto lëvizje prej bishe e bëjnë të besueshëm gorillën, të paktën në fillim..

    Është një gjetje e goditur, tha një tjetër, unë këtë e shikoj te klientët që vijnë të nxitur pikërisht prej asaj reklame. Po nuk më le kureshtja të di se cili është ai njeri që nuk zbulohet asnjëherë dhe papritur zhduket.

    Sekret, tha Billi, pa e fshehur një emocion që ia ndryshoi dhe zërin.

    Kaloi një muaj dhe gorilla e bulevardit vazhdonte të korrte sukses. Po i sillte fitime firmës.

    Sunta, ajo indiane e urtë, me diplomën e mjekes që kishte kohë që i flinte në një sirtar mbathjesh, ishte më kureshtarja për të mësuar se kush ishte njeriu që fshihej nën lekurën e gorillës dhe kur e pyesnin përse ishte kaq e interesuar, ajo nxitonte të tregonte, jo pa një grimë nostalgjie, se gjer trembëdhjetë vjeç e kishte çuar në shkollë një elefant. E ç’lidhje ka kjo? e pyesnin kolegët. Ndoshta s’ka asnjë lidhje, po se si më vjen kur e shoh atë gorillë që, dhe kështu, në formën e një imitacioni, arrin të shërbejë, me një fjalë ndihmon firmën tonë për të nxjerrë më shumë fitime.

    Por kjo u harrua shpejt siç e humbasin rëndësinë gjërat që përsëriten.

    Një ditë Billi shkurtoi dy punonjëse. Ato ulën kryet para tij dhe filluan të qanin. Ku te shkojmë, ku të mbytemi, bos? Na ndihmo dhe kësaj radhe, kemi fëmijë për të rritur.

    Në punë s’ka mëshirë, tha Billi, ka vetëm drejtësi.

    Ishin dy gra mbi të pesëdhjetat, të shëmtuara, krejt të rraskapitura nga jeta.

    Kush të merr në punë në këtë moshë, bos? tha njëra prej tyre me shaminë prej letre të qullur nga lotët që e mbante të shtrënguar në dorë.

    Vëre dorën në zemër, bos, tha tjetra.

    Ç’të bëj, s’kam si t’ju ndihmoj..

    Do të më nxjerrin në rrugë të madhe, se s’do të paguaj dot qiranë në fund të muajit.. tha e para.

    Une veç të çmëndem, tha tjetra duke u dridhur.

    Po ç’kemi bërë, o zot, që po na shkurton..!

    Nuk keni dhënë maksimumin. Jeni të lodhura.

    Ra një grimëherë heshtje, një heshtje e tendosur, pastaj shpërtheu sërish ngashërimi. Në këtë rrethanë ligështuese ku ndjesitë janë të përziera, të kaplon hem keqardhja për dy koleget që po i heqin nga puna, hem lehtësimi për veten që ke shpëtuar. Dikë e zuri lemza dhe kërkoi të falur me një zë mjeran sikur ishte kapur në befasi dhe rrezikohej të binte në sy, një tjetër teshtiu dhe tërhoqi fort hundët me një gjest brutal sikur papritur të ishte kujtuar se ai mbahej për shpërfillës dhe i tillë duhej të dukej. Pastaj..

    Kush është ai njeri që bën gorillën në bulevard? pyeti gruaja e parë.

    Pse?

    Jam gati ta zëvendësoj unë.

    Të gjithë ngrinë; jo aq prej çudisë, se sa prej mjerimit që hapi gojë në atë firmë aq të suksesshme.

    Me që ra fjala, tha Billi, të gjithë keni qenë kureshtarë, që ditën e parë, për të ditur se cili është ai njeri, rast pa rast më keni pyetur për gorillën reklamë aq të suksesshme që natyrisht luhet si në teater prej një.. një nevojtari, siç merret me mënd, dhe ndërsa shqiptoi këto fjalë qeshi, dhe sot, vazhdoi ai, i përkëdhelur në sedër prej gjetjes që ma keni pëlqyer të gjithë, po ju jap dhe kënaqësinë e zbulimit të enigmës. Ja pra, ajo gorillë e bulevardit ka për t’u kthyer këtu në fund të orarit zyrtar që të shuajë përfundimisht kuriozitetin tuaj.

    Dhe vërtet ashtu ndodhi; në orën gjashtë pasdite gorilla la bulevardin dhe u fut në zyrat plot me nëpunës kureshtarë që u ngritën në këmbë pa e fshehur një frikë të pavetëdijshme që e mbuluan sakaq me një gaz të rrejshëm sikur kinse prisnin të shikonin ndonjë mjeran të mbetur për bukën e gojës. Dora me kthetra e bishës u zgjat lart, zbërtheu me të shpejtë zinxhirin që niste te gryka, mu te molla e adamit dhe përfundonte te gjunjët dhe të gjithë lëshuan një ah, të fortë, rrëqethës, kur panë se prej belluzit të trashë doli Bill Fini, dora vetë.

    Nju Jork 2013

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË