More
    KreuLetërsiBibliotekë"Re:#liri~a(f.)" poezi nga Shqiptar Oseku

    “Re:#liri~a(f.)” poezi nga Shqiptar Oseku

    Re:#Topos~i (m)

    Të rënë, ju thërras.
    Zdirgjuni partenoneve hije, lini kolonadat.
    Shikoni: fishekzjarre, banderola, fushqeta
    që fëmijët flakin ndër këmbë të mtonjësve.
    Flamurë. Nuk i njihni: e thirren në ju.
    Bukuria e tyre plak gjithçka.
    Edhe vdekjen tuaj.

    Të rënë, shikoni.
    Larminë e ndërtuar padhembshëm mbi humbjen tuaj.
    Frena fishkëllues. Autobuzë me vonesë
    kronike. Thirrje të shitësve, patriarkë e matrona
    tek endin robët e shtëpisë. Tufa të korbave
    krrokasin namë të ligë mbi ta.
    Edhe mbi vdekjen tuaj.

    Të rënë, dëgjoni.
    Dikush mundohet të bëjë muzikë me gitarë,
    me lahutë, me lugë të drunjta. Tjerët duartrokasin.
    Disa ndreqin shtëpinë tërë ditën me tulla e gjak.
    Tjerë ua prishin natën. Nën gurët e shesheve harresa
    rrjedh lehtë, si gjaku i të rinjve te Rreshpja.
    Si vdekja juaj.

    Të rënë, ndini.
    Dorën e një gruaje tek dhel fëmijën. Një fshatar
    tek kundron me dorën strehë mbi sy retë sterrë. Një mjek
    tek thotë, Merr frymë thellë. Nxirre frymën.
    Herën tjetër do rifilluar gjithçka nga lart poshtë
    duke nisur nga retë.
    Edhe vdekjen tuaj.

    Merdare

    Kështu pra u mbytka
    çdo shpresë. Jo me bujë e batërdi.
    Po ngadalë e për gazep,
    si kur mbytesh nga ngërçi në ujë
    të errët. Centim
    pas centimi.

    Stockholm

    -si ke qenë

    /në arrati/nga lajme qendrore/e rrjete sociale/në stres/këqyr me orë/netve/kartën me antidepresivë/e matem/a e shtyj athua/gjer nesër/se them/ndoshta/bëhet më mirë/kur të gdhijë/dikur/

    -mirë falemnderit,
    ti si ke qenë

    Golen

    Mos i ngani gratë e vrara.
    Gjethet që bien
    le të bëjnë shtjella në erë-
    merituan kaq liri.
    Shtator i thonë:
    le të ketë riga, reshje, rrëke, shi.
    Le të brerojë mbi ato kulme. Mbytje
    le të gjejnë ato shtëpi.
    Kornizat e rëna le të vazhdojnë
    të ruajnë fotografi.
    Letrat, le të pushojnë thellë në varre:
    fjalët, le të firohen në qiell
    nëpër sqepa shpendësh gri.
    Kujtimet, le të fshajnë brenda fëmijësh
    në vetmi.

    Enverland

    kisha fëmijëri të gëzueshme
    në një vend të mrekullueshëmn barazie

    atje nuk kish të pasur e të varfër
    po veç partizanë e gjermanë

    të gjithë njësoj të lumtur
    punëtorët që drejtonin uzinat e veta

    fshatarët që lëronin arat vëllazërisht
    të gjithë me një pllug

    pranvera atje sillte turizëm
    në resorte si Spaç Burrel Goli Otok

    netve vonë gjyshja fliste nën zë me babain
    ndodhte që qanin nga lumturia

    prandaj policia e merrte tim atë nganjëherë
    për konfigurim nivelesh lumturie

    kur e kthenin ishte më i përmbajtur
    konfigurimet i ishin saktësuar

    unë haja tollumba e akullore te tezaku
    dëgjoja Anita Taken dhe ëndërroja

    për një botë më pak të mrekullueshme

    Çakorr

    I thonë demarkacion,
    për të mos i thënë Kufi.
    Matanë asaj vije,
    tokës nuk do t’i thonë më tokë,
    as ujit ujë. Gjuha shqipe, e fshehur
    pas dere, do të numërojë:
    e sata herë është kjo
    që më tradhëtuan?

    Na thonë qytetarë,
    për të mos na thënë Njerëz.
    Se Njeriu nuk çnjerëzohet
    në këtë mënyrë. Nuk fshehet
    pas dere, për të numëruar:
    e sata herë është kjo
    që më tradhëtuan?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË