More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Ermir Xhindi: Disa mendime për librin “Arbëreshët – midis realitetit dhe...

    Prof. Ermir Xhindi: Disa mendime për librin “Arbëreshët – midis realitetit dhe mitit” të autorit Fatmir Toçi

    Dua të ndaj me ju disa mendime modeste për librin monografik të autorit Fatmir Toçi, “Arbëreshët, midis realitetit dhe mitit”.

    Dëshiroj të pohoj qysh në fillim se, ky është një libër i rëndësishëm, me vlerë, për arsye që lidhen me të në vetvete, pastaj me kontekstin e tij të sotëm të leximit. Është traditë e hershme filologjike që, kur flitet për literaturën, e kuptuar kjo e fundit me njëlloj veneracioni ndaj traditës, të jepen dy arsye, që e bëjnë një tekst pjesë të një fondi të pashmangshëm për pasardhësit.

    Në fillim përmendet struktura e librit të mundshëm. Pasuria, plotmëria, aftësia e saj për të rrokur një rend te ndërlikur çështjesh, përmes një kodi, që është në gjendje të përvetësojë kuptime të thella e t’i dëshmojë ato gjuhësisht me gjallëri e me forcë. Tekste të tilla, pa marrë parasysh dallimet gjinore apo drejtimet tematike mbrojnë besnikërisht dijen dhe trashëgiminë. Libri i z. Toçi në këtë pikëpamje, pra, në rrafshin strukturor, përfaqëson një shembull të mirë, në hullinë  e disa librave me vlerë, të botuar sidomos në lëmë të gjurmimeve albanologjike këto kohë.

    Nuk mund të mos vërehet një organizim me të vërtetë funksional i tekstit: pjesa e parë – Arbëreshët një histori mbijetese, është një parashtrim i imët historik, kronologji e zhvillimeve për bashkësinë arbëreshe në të gjithë përmasën e vet sociale, kulturore, ekonomike, psikologjike e morale; pjesa e dytë – Ngulimet arbëreshe është një hulumtim skrupuloz në hapësirën e kohës së sipërmendur, si trualli që i bën të mundshme e konkrete, karakteristikat identitare të ngulimeve e bashkësive të atyshme. Kreu II, i pjesës së dytë, mbi Ndarjen kishtare e bën premisën deskriptive të funksionit kohë-hapësirë të qënies së arbëreshëve, të fitojë vlerën e argumentit antropologjik, çka, për tipologjinë e kësaj vepre është me të vërtetë sofistikim për t’u lakmuar.

    Pjesa e tretë – Pasqyrat përmbledhëse – e kryen, e mbyll ecurinë e këtij rrethi (do ta quaja hermeneutik) me elementin etik të punës se mirëfilltë, të paraqitjes së fakteve. Teksti merr përsipër të ndërtojë, të përgatisë, të bëjë të mundshme edhe një perspektivë tjetër përmes këtij komentarusi, t’i japë njëlloj lirie lexuesit profesionist, i cili mund t’i përdorë të dhënat, qoftë dhe jashtë vullnetit interpretativ të autorit.

    Me një fjalë, kujtdo që do të bëjë kritikën e këtij teksti, i është dorëzuar jo vetëm kodi i tij metodologjik, por edhe mundësia e riinterpretimit, madje e rindërtimit te tij. Njëlloj ndershmërie intelelektuale në stilin kritik të Stanley Fishit.

    Në tërësi, për strukturën, ky tekst shënon një arritje të rëndësishme në marrëdhënie me vëllimin, ndërlikimin e vështirësinë e materialit të përpunuar.

    Sa i takon kontekstit të sotëm të leximit, sërish në hullinë e filiologjisë tradicionale, një libër i rëndësishëm është i tillë, para së gjithash, sepse mund të ushtrojë një ndikim domethënës mbi lexuesit e tij, një ndikim të provuar në procesin mendor e shpirtëror të kohës.

    Jo për të mbetur te hermeneutika, por më takon të jap shpjegime, përse sipas meje, dhe jo vetëm në frymën e gjykimit akademik apo teorik, ky libër e mbart aftësinë e të qenit ndikues.

    Ky libër është i rëndësishëm në fillim, për prekjen e çështjeve që lidhen me identitetin e shqiptarëve, si kontribut në një rrethanë veçanërisht të posaçme receptimi, lokale e globale;

    –        është i rëndësishëm për çështje që lidhen me interpretimin e tij në një sistem vlerash identitare, përmes një pragmatike, do ta quaja të njëjtësimit kulturor për shqiptarët;

    –        së fundi, rëndësia e këtij libri qëndron te të dhënat  e drejtpërdrejta, mbi ide, dukuri, gjendje, personalitete që e kanë populluar botën arbëreshe si standard që do të printe, nxiste e mbështeste projektin politik shqiptar në fund të shekullit XIX. Këtu unë veçoj kuptimin që ka De Rades në atë rrethanë.

    Këto kohë, siç është e pritshme, çështjet e identitetit janë rikthyer, jo vetëm si pasojë e një epoke postmoderne, që ka relativizuar gjithçka, por edhe për shkak të krisjeve të brendshme që e kanë shoqëruar të kuptuarin tonë mbi identitetin.

    Mjaft të sjell në vëmendje debatin e vështirë të 2006-ës, pikëpamjet e Kadaresë, të prof. Qosjes e posaçërisht mes shumë të tjerëve, ndërhyrjen e prof.. Kristo Frashërit. Libri i Fatmirit, përmes përmasës së vet informuese, hyn në atë pragmatikë leximi, duke na ndihmuar për një qasje më të kujdesshme, përkatësisht mbi premisën e një kombëtarizmi laik, një identiteti të iniciuar në kontakt me perëndimin, që niste si i tillë, në fillim, në koloninë e arbëreshëve të Italisë dhe që nuk ishte spekulim mekanicist i elitave të rilindjes, por fundi i një procesi mendor, shpirtëror, ideologjik e moral.

    Debati mbi identitetin sigurisht mbetet i gjallë. Letërsia e ka parandjerë dhe në mënyrën e vet e ka dëshmuar këtë mospajtim. Njëlloj letërsie e identitetit që ka kohë që shkruhet e botohet në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, Maqedoni apo diasporë prej fillimeve të ’90-ës, rreket t’i përgjigjet pyetjes: ç’jemi? Nga vijmë? Ç’të ardhme na përgatit e shkuara?

    Jam i prirur ta shoh këtë formante në versionin kulturor, përkatësisht siç e përkufizon Preston në një nga variantet e termit kulturë sipas tij: “pra, si mënyrë e të jetuarit, si sferë e veprimtarive praktike të shumëllojshme, njëlloj praxis-i që shënjon tërësi idesh të mishëruara në rutinën e përditshme dhe në institutet e organizimit të familjes,  e që shënjon vetëdijen tone mbi  vetveten”:

    Natyrisht, që kjo tingëllon disi e paqartë, por në bindjen time libra si ky, të prof. Xhufit, të prof. Cekës, të prof. Sinanit etj., ndihmojnë jashtëzakonisht për të kuptuar natyrën e proceseve historike dhe të pasojave përkatëse mbi identitetin. Me këtë dua të them, se kjo nuk është thjesht çështje e empatisë individuale të të interesuarve, por një horizont i domosdoshëm interpretimi.

    Përfitoj nga rasti  të theksoj se ka ardhur koha, në mos jemi pas, me përkthimin e punëve të rëndësishme të përgjithësisht filologëve, të gjuhëtarëve, historianëve, antropologëve e etnologëve shqiptarë. Me gjithë nderimin për literaturën e huaj mbi ne, në jo pak raste bëhem pre situatash të çuditshme, pohimesh e tezash absurde – opinioni duhet të dëgjojë shqiptarët në gjuhë të huaj. Kam bindjen se me pak përpjekje mund të kapërcehet kompleksi ynë i inferioritetit edhe këtu.

    Sa i takon çështjes së interpretimit në sistem, sërish për çështjet e identitetit, ky libër sjell një ndihmëse të mirë, krah një aradhe veprash mbi arbëreshët e Italisë, natyrisht, si tekst më i përimtuar, më i përditësuar. E theksoj këtë element, pasi dua të veçoj natyrën institucionale të proceseve që ndodhen në koloninë e Arbëreshëve të Italisë përgjatë një shtrirje kohore relativisht të gjatë dhe krej pangjashmërisht me çdo entitet tjetër kulturor e gjuhësor shqiptar të kohës. Nuk është rastësi që mitet e Motit të madh, Atdheut, Skënderbeut, të krijuar së pari ndër arbëreshët e Italisë, ngjitën si elemente njëjtësues e përbashkues për shqiptarët gjatë shek. XIX.

    Libri ka meritën e padiskutueshme të argumentit se gjetjet ideologjike gjatë rilindjes kombëtare të shqiptarëve, nuk ishin platforma eksperimentale të huazuara, përkundrazi.  Besoj se një sistem, në kuptimin që prof.. Qosja i jep bashkësisë së ngulimeve shqiptare gjatë shek.. XIX, është konteksti i përshtatshëm i interpretimit për këtë libër, dhe ku, ai merr vlerë të posaçme.  Në këtë kuptim mund t’u përgjigjemi edhe spekulimeve të sotme mbi identitetin, që priren të fotografojnë të pjesshmen për shqiptarët, në kohë në hapësirë. Arbëreshët dalin nga rutina mitologjike e interpretimit, për t’iu përgjigjur realitetit.

    Lidhur me De Radën. Në hyrje të vëllimit të parë të Opera Omnias (I Canti Premilosaici), i respektuari profesor Françesko Altimari, ndër të tjera, kur flet për shtysën e botimit të plotë të De Radës e përkufion kështu: “bëhet fjalë për kthimin e një detyrimi historik ndaj Atij (me a të madhe) që dha një dëshmi të fortë vetjake për mbrojtjen e njohjen, në Itali e në Evropë, të të drejtave të njerëzve të tij, të vendit të tij të vjetër të origjinës, Shqipërisë. … ishin,  veprat e tij, fryte mundimesh të renda vetjake, që bëri të ndihet në diasporë e në Ballkan, në rrethet intelektuale italiane e evropiane, zëri i një kombi deri atëherë i mohuar...”

    Libri i Z. Toçi e kurorëzon kulturën arbëreshe përmes De Radës, me këtë mision. Duket se aty mbillet fara e një letërsie që me të drejtë Qosja e çmon si të vetmin institucion të përbashkët në jetën e shqiptarëve të shek.. XIX dhe që do të vijojë të bëjë mecenatin e identitetit shqiptar.

    Korniza kulturore, institucionale e arbëreshëve i dha letërsisë shqipe, përmes De Radës e te tjerëve, autoritetin e pazakontë që ajo ka pasur deri vonë, në jetën e shqiptarëve. Edhe kur Shqipëria e pati shtetin, institucionet, jetën e mirëfilltë shoqërore, letërsia mbeti fusha ku identiteti ynë do të shqiptohej e dokumentohej me gjithë kompleksitetin e tij.

    Në pikëpamje historiko-letrare e përgjithësisht kulturologjike, dominantet ideologjike, integralet poetike strukturore e kuptimore me origjinë arbëreshe ose italo-shqiptare në letërsinë tonë kanë rëndësi të madhe, sepse në gjykimin tim, ishin njëkohësisht rezultat i dinamikave deri diku normale e i proceseve deri-diku konservuese për identitetin shqiptar.

    Besoj se ky libër, i lexuar në këtë perspektivë, pra mbi këtë korpus të dhënash e mbi këtë hermeneutikë kuptimore, ka një potencial shërues për një kulturë si e jona qe gëlon nga konfliktet, paqartësitë e të pavërtetat. Ai mbështet tezën e vijimësisë institucionale për identitetin e shqiptarëve, këto kohë kur globalizmi po e paketon kulturën njëlloj si salsiçet dhe kur kitchi urban i imitimit të historisë po gllabëron ato pak vlera të konservuara që na kanë mbetur, ndaç shpirtërore e ndaç materiale.

    Nëse gjithë sa thashë e bëjnë këtë libër të rëndësishëm me standardin e filologjisë tradicionale, për filologjinë moderne e bëjnë të detyrueshëm për lexim, një libër punë të domosdoshëm.

    Për ta mbyllur,

    Unë fola kryesisht për tekstin e për ne si lexues, por shkaku është padyshim autori, Fatmiri. Me këtë vepër ai e ka shënjuar personalitetin e tij në mënyrë domethënëse.

    Ky libër është fryt i një pune të madhe, i një vullneti moral dhe i një vetëdije intelektuale, kombëtare e qytetare, dëshmi e një pune të bërë me dashuri e që meriton mirënjohjen tonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË