Letërsia shqiptare për fëmijë po spostohet gradualisht nga roli dytësor në të cilën e ka lënë për një kohë të gjatë kritika dhe po riafirmohet me vlerat e saj ideore dhe estetike. Për më tepër, ajo po fillon të përdoret me gjak të ri.
Një autor i ri, si në moshë ashtu edhe në krijimtari, Flori Kasaj, ka nxjerrë në dritë vëllimin e tij të parë, tregimin animalistik “Andrushi”, në botimin e kujdesshëm që i ka bërë shtëpia botuese e mirënjohur “Argeta LMG”, duke shkrirë bukurinë e brendshme të mesazhit dhe formës me rrezatimin e një bukurie të jashtme, me një kopertinë tërheqëse ideuar nga autori dhe ilustruar plot gjallëri nga Endri Beqo.
Përveç parathënies, vëllimin e shoqërojnë dy vlerësimet kritike nga Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani dhe Dr. Erion Kristo.
Kam qenë e pranishme në festën e këtij vëllimi, në mjediset e Qendrës Toptani në Tiranë, në atmosferën e gëzueshme të Panairit “Ditët e librit” të organizuar nga Bukinist.al.
Duke lënë mënjanë modestinë, kam thënë se kam një farë merite në lindjen e këtij vëllimi meqenëse e kam nxitur autorin në pasionin e tij për letërsinë dhe për krijimtarinë letrare, në çeljen e sipër, kam bërë që një shkëndijë të shndërrohet në flakë dhe e kam shoqëruar këtë vëllim me një parathënie.
Sot, më shumë se kurrë, janë të gjalla fjalët e paharrueshme të Romen Rolanit: “Ku është vdekja, arti nuk është. Të krijosh do të thotë të mbysësh vdekjen”.
Në një kohë kur dhuna e shfaq fytyrën e vet të egër në luftën e Ukrainës dhe kësaj dhune i kundërvihet nga ana tjetër solidariteti njerëzor, lindja e veprave të reja artistike pohon se vazhdojnë të ekzistojnë ende e Mira dhe e Bukura, vlera të qëndrueshme që meritojnë t’i transmetohen brezit të ri si spiranca të sigurta.
Në vëllimin “Andrushi”, autori i ri Flori Kasaj na sjell një personazh të ri, tepër simpatik, ketrushin Andrushi, një personazh që shkrin veçoritë biologjike të bukurisë dhe shkathtësisë me veçoritë etike të guximit dhe dashamirësisë. Personazhi di të luftoj për mbijetesë, që zotëron edhe tiparin e solidaritetit ndaj mikeshës së vet Andrina, me të cilin ndan ushqimet dhe lodrat.
Ky personazh ka veçoritë e veta që e dallojnë nga personazhe të tjera kafshësh të antropomorfizuara që janë bërë të njohura në letërsinë shqiptare për fëmijë si derrkuci Çufo ose Bubi kaçurrel i autorit Gaqo Bushaka nga të cilët i pari simbolizon fëmijën e vështirë dhe Çufon po zemërmirë e të këndshëm, plot fantazi e guxim dhe i dyti një fëmijë të zellshëm dhe besnik.
Në tregimin “Andrushi”, elementi fantastik lihet mënjanë, personazhet, ndonëse disi të antropomorfizuara, mbeten brenda rolit të tyre real, nuk mendojnë, as nuk flasin, vetëm veprojnë.
Veprimi zhvillohet në mënyrë dinamike dhe ka të papriturat e veta, çka përputhet me psikologjinë e lexuesit të vogël. Shkathësinë dhe guximin e personazheve ketra e plotëson solidariteti njerëzor i gjyshes Vera dhe vajzës së vogël që e lënë ushqimin atyre. Ngjarjet shtjellohen në sfondin e disa tablove konkrete dhe të gjalla nga natyra.
Kjo vepër e re për fëmijë, pra, e shikon me dashurinë për frymorët e tjerë me veçoritë që i dallojnë nga njerëzit dhe me ato që i afrojnë me ta, me respektin ndaj veçanësisë së tyre, brishtësisë së tyre ashtu si ndaj luftë së tyre për mbijetesë. Mesazhi jepet në mënyrë të këndshme, përmes skenave të gjalla dhe një humori të lehtë.
PARATHËNIA E LIBRIT:
Proza ‘‘Andrushi’’ është një tregim i shkurtër animalistik për fëmijë të vegjël i autorit më të ri Flori Kasaj. Ky tregim dallohet për thjeshtësi, konçizitet dhe dinamizëm, madje edhe për një humor të lehtë, cilësira këto, që i japin një forcë komunikuese me fëmijët të cilët e pëlqejnë rrjedhën e shpejtë të ngjarjeve dhe të papriturat. Dy personazhet kryesore, dy kafshë simpatike siç janë ketrat, janë të antropomorfizuar, po kanë edhe veçoritë e tyre biologjike.
Tregime të tilla për fëmijë janë thellësisht edukuese, ngaqë nxisin dashurinë për krijesat e gjalla, ‘‘vëllezërit e vegjël’’ të njeriut, i mësojnë fëmijët të vlerësojnë tiparet e frymorëve në shumëllojshmërinë e tyre, kështu që kanë njëkohësisht vlerë njohëse dhe ideo-emocionale. Interesant e i domosdoshëm për fëmijët libri i trajtuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
Autori i ri tregon qysh në këtë tregim të vogël që e njeh mirë psikologjinë e fëmijëve, kështu që mund të fitojë interesin e gjallë të tyre si lexues dhe t’u kultivojë dashurinë për librin.
I uroj autorit të ri që këtë krijesë të tij simpatike ta pasojnë personazhe të tjerë nga vëllime të reja.
10 Prill 2022