“Palajt çka i takon Palajt.”
Aurel Plasari1
1.
Bernardin Palaj lindi në malësinë e Shllakut të Shkodrës më 20 tetor 1894 dhe kaloi në amshim në konviktin – burg “Malet tona” të qytetit të Shkodrës më 2 dhjetor 1946.
I biri i Gjonit dhe i Martë Dedaj u pagëzua me emrin Zef. Ai ndoqi seminarin françeskan në Shkodër. U vesh frat me 15 shtator 1911 dhe mori emrin Bernardin. Kushtet e para Bernardini i bëri më 1 nëntor 1912, ndërsa kushtet e përjetshme më 14 korrik 1917.
Ai vijoi studimet e larta për filozofi e teologji në Salzburg e në Insbruck të Austrisë , ku ndoqi edhe kurset e rregullta universitare në fakultetin e letërsisë . Më 2 gusht 1918 Atë Bernardin Palaj O.F.M. u shugurua meshtar.
Nga 15 prilli i vitit 1923 e gjer më 24 dhjetor 1924, Bernardin Palaj së bashku me Lazër Mjedën, Ndre Mjedën, Gjergj Fishtën, Anton Harapin, Zef Mark Harapin, Vinçenc Prennushin, Lazër Shantojën , Kolë Kamsin, të prirë nga Luigj Gurakuqi botuan në Shkodër, gazetën opozitare të përjavshme, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore e satirike “Ora e Maleve”. Aty nisi një bashkëpunim i frytshëm i poetëve Hilë Mosi, Ernest Koliqi dhe Bernardin Palaj.
Për disa vite Atë Bernardin Palaj qe mësues në gjimnazin “Illyricum” të qytetit të Shkodrës. Gjithashtu ai shërbeu edhe si famullitar në zonat rurale Toplanë, Palç, Shalë, Bushkash, Rubik.
Periudhën e parë të veprimtarisë letrare (1919 – 1934) Bernardin Palaj ia kushtoi gjurmimit të rapsodive të Malësisë se Veriut. Më 1937, bashkë me Atë Donat Kurtin, botuan në Tiranë vëllimin e dytë “Visaret e Kombit. Kangë kreshnikësh dhe Legjenda”. Ky libër me material folklorik të pambledhur e të pastudiuar më parë është i shoqëruar me një “Parathanje” dhe me një “Hymje”, shkruar metodikisht përmes çelësave të artë interpretues.
Periudhën e dytë të veprimtarisë letrare (1933 – 1941) Bernardin Palaj ia kushtoi hartimit të poemave me një stil të ri mjaft origjinal, të cilat i paraqiti tek revista “Hylli i Dritës”, Shkodër. Ai përdori pseudonimet “Kukel Lapaj” dhe “Costandinus”. Të gjitha krijimet e tij në vargje, prirë me një “Introduzione” të shkruara prej saj, studiuesja italiane Angela Cirrincione ia botoi në Romë më 1969, në librin shqip – italisht me 214 faqe, të titulluar “Bernardin Palaj. Opere. Volume I. Poesie”.
Periudhën e tretë të veprimtarisë letrare (1941 – 1944) Bernardin Palaj ua kushtoi studimeve mbi juridiksionin e malësisë, mbi organizimin fisnor, mbi etnografinë , mbi mitologjinë etj. Këtë korpus e botoi në Shkodër te “Hylli i Dritës” ( 1941 – 1944) dhe në Tiranë tek antologjia “Bota Shqiptare” (1943). Firma e tij u shpalos gjithashtu edhe në kryeqytetet Tiranë – Romë, tek përmbledhja “Studime dhe Tekste Juridike. Nr. 1” (1944)”.
Mbas ndjekjes minucioze shteruese të krijimtarinë mozaik, si dhe shkoklimit të kontributit plot spikatje të shkrimtarit poliform Bernardin Palaj për antropologjinë kulturore shqiptare, arrijmë në përfundimin
“Palaj mori në popull diçka. Pastaj i ktheu atij gjithçka.” (2)
Bernardin Palaj ishte pjesëmarrës më 1940 në Kongresin e Studimeve Shqiptare, Tiranë, ku u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, bashkë me Lasgush Poradecin, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn, Kolë Ashtën, Ethem Haxhiademin, Karl Gurakuqin etj…, nën drejtimin e Ernest Koliqit. Ai dha ndihmesën e tij tek vëllimet “Studime dhe tekste”, që shpalosën vlerat shkencore të këtij institucioni.
Mjafton veç një paraqitje shembullore stili në prozën eseistike të këtij autori ekselent, shumëplanesh, ku vetëm fraza oratorike – filozofike – poetike – kilometrike arrin të shprehë ndjeshmërinë e tij ndaj rrënjëve etnike dhe të pasqyrojë ndërgjegjësimin e ngulitur të Atë Bernardin Palajt ndaj vlerave origjinale të kombit shqiptar:
“Kush i a mësoi malcorit të maleve, rritë me nji natyrë aq të vrashtë, ndoshta neper do lera a në ndoj humnerë të shembblueshme, ato fjalë aq të bukura, tanë njomsi njerzije, fraza qi bindin letrarin ma të mirin, kur t’i binë tërhjekse e së parit në vesh, e lakmi po me ia pasë vjershtari ma i nalti per ato shprehje tanë zemër e bujari e njomsi mendimesh, të cillat aj i zgjedhë e i rreshton retorikisht per me i ardhë rreth mikut e me i a ba disi ma të kandshme atë kohë, në të cillën mikut i takon me e kalue buzë votrës së tij?” (3)
2.
Sipas gazetës “Koha e re” të Shkodrës, me datën 19. 11. 1946, një arkë me dokumente me rëndësi të Padër Bernardin Palajt do të gjehej gjatë zbulimeve sensacionale në Kuvendin Françeskan…
Ndërkohë shkrimtari i gjeneaologjisë së kombit, i arrestuar me akuzën false për futje armësh në kishë, torturohej në kuvendin françeskan të Gjuhadolit.
Vdiq nga tetanozi, shkaktuar nga teli i ndryshkur me të cilin ia kishin lidhur duart, më 02. 12. 1946. Atë Bernardin Palaj u varros në një vend të panjohur.
Për një gjysmë shekulli vepra enciklopedike e Atë Bernardin Palajt O. F. M. u përjashtua nga sistemi i vlerave të letërsisë dhe të kulturës shqiptare brenda kufijve shtetërorë.
Në kundërshtim me këtë qëndrim mohues,vlerësimet e merituara par excellence dhënë nga sivëllai i tij Atë Gjergj Fishta, nga shkrimtari kohanik me të Ernest Koliqi, nga studiuesja italiane e veprës së tij poetike Angela Cirrincione, si dhe nga poeti e kritiku i emigruar në SHBA Arshi Pipa, njohës i krejt opusit paljan; e ngrenë Bernardin Palajn atje ku e ka vendin, në panteonin e letrave shqipe.
GJERGJ FISHTA:
“Ky (Bernardini ndodhej aty pranë) ka talent të madh dhe e njef shqipen me themel. Mund të ma kalojë edhe mue.” (4)
ERNEST KOLIQI:
“Ai (Palaj në vjett Tridhjetë) qe nji prej atyne që u dhanë shkas, kah nji zhdrivillim ma të përkueshëm me frymën e kohës, letrave tona.” (5)
ANGELA CIRRINCIONE:
”Në frymëzimin e fuqishëm të Atë Bernardin Palajt nuk i vihet fre formës dhe shijes klasike.” (6)
ARSHI PIPA:
“Palaj shfaqet si nji njeri me pregatitje tejmase të gjanë e të thellë në letërsinë klasike e moderne , i cili, nëpërmjet dhantive të tija të jashtëzakonshme si autor, e pati ngritun të shkruemit në sferat ma të nalta t’artit,” (7)
3.
Pavarësisht se para viteve nëntëdhjetë të shekullit të njëzetë dhe sidomos pas viteve ’90 e deri më sot janë botuar studime të mirëfillta për Atë Bernardin Palajn, nga Fulvio Cordignano, Angela Cirrincione, Giuseppe Gradilone, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Arshi Pipa, Agnia Desnickaja, Robert Elsie, Aurel Plasari, Isak Ahmeti, Anton Nikë Berisha, Zef Simoni, Tonin Zadeja, Zef Pllumi, Pjetër Pepa, Donat Kurti, Gjergj Zheji, Simon Pepa, Ledri Kurti, Hasan Hasani, Daniel Gjeçaj, Ndoc Papleka, Leonardo di Pinto etj…; pavarësisht se me vendimin presidencial në Tiranë, më 08. 03. 1994, Atë Bernardin Palajt i është dhënë, in memoriam, titulli “Mësues i Popullit” me motivacionin:
“Studiues i shquar i folklorit shqiptar. Autor i disa punimeve shkencore. Poet. Mësimdhënës. Edukator i palodhur i Gjimnazit “Illyricum”. I vrarë në burgjet komuniste nga torturat”,
prapë se prapë, edhe mbas tridhjetë e tre viteve tranzicion Atë Bernardin Palaj, ky martir shqiptar i shpallur i Lumë nga feja e krishterë, njohës i thellë i ADN – së sonë kulturore, ende nuk e ka mbërritur horizontin e pritjes të lexuesve të të gjitha moshave sepse:
Së pari. Nuk është bërë ende botimi i plotë i veprave të Bernardin Palajt, ku përmes receptimit nga lexuesit të shihen qartë vlera estetike që meritojnë përgëzim. Një punë e mirë ka nisur me daljen në dritë të opera omnia të autorit në poezi e poema origjinale, në folklor e folkloristikë dhe në etnografi e publicistikë, si pjesë e projektit për botimin e Kolanës së Shkrimtarëve Françeskanë, Shkodër.
Së dyti. Bernardin Palaj nuk është futur ende në programet shkollore në formë spiraleje ngjitëse, kur plot tetë dhjetë vite më parë ai zinte kryet e vendit tek libri antologjik “Bota shqiptare” për shkollat e mesme, nën kujdesin e pesëshes së artë të asaj kohe: Ernest Koliqi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, (Tiranë, 1943) dhe kur personaliteti i tij figuronte plot dinjitet te krestomacia dy gjuhëshe shqip – italisht “Studime e Tekste Juridike”. Nr. 1”, (Tiranë – Romë, 1944).
Së treti. Si rrjedhim shkrimtari nuk është vlerësuar ende si duhet, si klasik dhe modern njëherësh. Atë Bernardin Palaj nuk pranon asgjë spektakolare në rikthimin e tij denjësisht në letrat shqipe, mbasi e ka vendin e vet të merituar ku shfaqet si autor sërishmi i gjallë dhe imponues.
Atë Bernardin Palaj ishte një yll në plejadën e shkollës françeskane, kryesuar nga Atë Gjergj Fishta, e cila bashkë me figurat vezulluese të shkollës jezuite, kryesuar nga Dom Ndre Mjeda, e ndritën kombin në fushat e letërsisë, të etnografisë, të folkloristikës, të filozofisë.
Hulumtimet për personalitete të veçanta poliedrike si Atë Bernardin Palaj, do të nxjerrin në pah të plotë shajninë e yllësisë së papërsëritshme të dy shkollave letrare të Shkodrës.
Kësisoj do të plotësohet “tabela e Mendelejevit” e letërsisë sonë, duke u renditur çdo element sipas “masës atomike” përkatëse.
REFERENCA:
1. Aurel Plasari: “Palajt çka i takon Palajt”. Gaz. “Drita”. Tiranë 02. 04. 1995, f. 4.
2. Alfred Çapaliku: Bernardin Palaj. Jeta dhe veprat. Monografi, Shkodër 1999, f. 3.
3. P. Bernardin Palaj: “Mikpritja e Malevet”. Rev. “Hylli i Dritës”. Shkodër. Nr. 9 – 12 / 1943, fq. 348 – 349.
4. Gjergj Fishta: Shih Ernest Koliqi. Kritikë dhe estetikë. Tiranë 1999, f. 178.
5. Ernest Koliqi: ”Bernardin Palaj dhe nji poemth i tij i pakryem”. Kritikë dhe estetikë. Tiranë 1999, f. 178.
6. Angela Cirrincione: Bernardin Palaj. Opere. Volume I. Poesie. Roma 1969, p. 12.
7. Arshi Pipa: “Communism and the Albanian Writers”. Tek Gjon Sinishta. The Fullfilled Promise – a Documentary Account of Religious Persecution in Albania. Santa Clara 1976, p. 197 – 198.
Shkodër, 01. 07. 2024.