Rreth shekullit të 3-të pas Krishtit, në një mbishkrim të gurtë në Epidavër, u gjet e gdhendur “Himn për Nënën e Perëndive” e poeteshës lirike Telesila (shek.6-5 para erës sonë), e cila me heroizëm mbrojti atdheun e saj, Argos, kur u sulmua nga mbreti i Spartës Kleomeni, në vitin 494 para Krishtit. Nëna e Perëndive, Nëna e Olimpit i kërkon Zeusit gjysmën e qiellit, gjysmën e tokës dhe një të tretën e detit:
Nga qiejt ejani, perëndesha
dhe bashkë me mua thurni himne
për Nënën e Perëndive
që këtu mes nesh e kemi
pasi u end nëpër male e pyje
nuk do të kthehem tek perënditë
nëse pjesën time nuk e marr
gjysmën tjetër të qiellit
gjysmën tjetër të tokës
dhe një të tretën e detit
vetëm atëkohë do të shkoj…
Nga kjo poezi u frymëzuan edhe hartuesit e antologjisë poetike Gjysma tjetër e qiellit që përfshin 160 poete greke, e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga Maklena Nika nën siglën e Botimeve “Toena”, Mars 2025. Në një bashkëpunim të hershëm, që në vitin 2007 me Qendrën e Librit, Selanik dhe Ministrinë e Kulturës, Greqi, kam realizuar një studim të thelluar të përkthimit dhe receptimit të letërsisë së re greke përkthyer në gjuhën shqipe. Gjatë këtij hulumtimi shkencor kam vërejtur se një antologji poetike gjithëpërfshirëse e letërsisë femërore në Greqi i ka munguar lexuesit shqiptar. E aq më tepër, që në historinë tonë të përkthimologjisë numri i antologjive poetike të shkrimtarëve grekë arrin në dhjetëra të tilla por që numri i shkrimtareve femra të përfshirë në këto antologji ka qenë shumë i ulët, deri në 20-30 përqind të totalit të shkrimtarëve të përfshirë.
Në historinë e letërsisë botërore, që në shekujt e lashtësisë, gratë iu drejtuan poezisë duke sfiduar normat shoqërore me një kurajë që buron nga shpirti i tyre i pasur dhe hyjnor. Nga vargjet erotike të Sapfosë, epigramet mesjetare të Kassias e deri te fjalët revolucionare të Sylvia Plath dhe poeteve bashkëkohore feministe, poezia femërore ka riformësuar vazhdimisht traditat letrare dhe ka thelluar të kuptuarit tonë për përvojën njerëzore. Vetëm pas shekullit të 19-të, mund të themi që gratë poete filluan të formojnë gjuhën e tyre krejtësisht personale. Feminizmi padyshim luajti një rol vendimtar në këtë drejtim: nuk është rastësi që koncepti i subjektivitetit u avancua nga teoricienet femra të kohës sonë (ndër to Julia Kristeva dhe Catherine Clement), të cilat kundërshtuan hapur diskursin e ngurtë dhe autoritar të gjinisë mashkullore me lëvizshmërinë e vazhdueshme, poliseminë dhe disponueshmërinë subversive të shprehjes femërore.
Poezia femërore në Greqi ka një traditë të fortë që shtrihet nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe pasqyron zhvillime interesante zhanresh, stilesh dhe tematikash. Ajo daton që 26 shekuj më parë dhe rishfaqet fuqishëm në Greqinë post-revolucionare. Për sa i përket poezisë moderne greke, gratë e nisën rrugëtimin e tyre në dekadat e para të shekullit të XX-të. Peizazhi i brendshëm i shqetësuar dhe i fragmentuar, përvoja e heshtur, dhimbja erotike dhe ekzistenciale, ndjesia e fortë fizike, si edhe kalimi gradual nga tradita në modernizëm, surrealizëm dhe manifestimet e para të postmodernizmit, na shfaqin elementët e panjohur të këtij udhëtimi të gjatë, i cili do të pasqyrojë një bashkërendim të mitologjisë së natyrës dhe jetës së përditshme me imazhet arkaike apo luftën me kuptimet e pashprehura dhe të padukshme të gjuhës. Ajo mund të karakterizohet si poezi emocionale, gjinore, introspektive, herë e margjinalizuar e herë emancipuese.
“Gjysma tjetër e qiellit” na transmeton zërat e 160 poeteve greke që na ftojnë në një univers magjik poetik shumëngjyrësh, me qiej të kaltër, me nebuloza shpirtërore e metafizike, me diej përvëlues e hëna drithëruese, me toka të buta e të ashpra, me dete të thellë e batica e zbatica ndjenjash. Këto shkrimtare, që së pari janë gra, nëna, vajza apo mbesa trajtojnë një mozaik shumëdimensional çështjesh ekzistenciale të tilla si dashuria, humbja, mungesa, kujtesa, identiteti personal, trupi femëror, kërkimi i vetvetes, tensioni midis lirisë personale dhe pritshmërive shoqërore, përkohshmëria, mbijetesa, historia, ndjenja patriotizmi etj. Fjalët e tyre mbartin një forcë të pamohueshme, duke zbuluar të vërteta drithëruese personale dhe kolektive.
Le të shërbejë kjo antologji si një dritare në poezinë femërore greke dhe si një ftesë për të eksploruar horizonte të reja letrare. Sot, poezia femërore po njihet gjithnjë e më shumë, duke thyer barrierat tradicionale dhe duke fituar vendin e merituar në kanunin letrar. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, poezia femërore vazhdon të lulëzojë, duke formësuar ligjërimin letrar me thellësinë, autenticitetin dhe fuqinë e saj emocionale. A e hap vërtet letërsia e shkruar nga gratë rrugën për një univers tjetër dhe nëse po, çfarë marrëdhënie ka një univers i tillë me universin e burrave? A është ajo armiku i betuar i tij, duke mbetur në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të, apo thjesht propozon një perspektivë alternative, duke projektuar një lloj ndjeshmërie që ligjërimi mashkullor nuk do ta fitojë kurrë?
Çdo grua, jo vetëm poete, është një Lilith hyjnore, qiellore, e pamposhtur, një Helenë e bukur, një Circe magjistare, një Evë mëkatare apo një Kleopatër joshëse. Një demon i pamposhtur që, në të vërtetë, e ka pushtuar të gjithë hapësirën qiellore…
MELISANTHI (1907-1990)
Io
Si shkop zekthi sërish më cuks
pa stacion brenda asnjë vendi
pa e vrarë mendjen për asgjë kaloj
por fantazma e të Gjithëdijshmit më vështron.
Vrulli im i papërmbajtur dhe i palogjikshëm është
e nëmur jam që asgjë nuk më ndal
në rrugën time shoh vetëm përpara
dhe një orë qetësi nuk kam.
Oh, më lër ta dëgjoj nga goja jote
i robëruari tragjik i shkëmbit në Skithia
ato që kam për të përjetuar ende.
“Më mirë të mos e marrësh vesh kurrë
e bija e shumëvuajtur e Inakut
që dija digjet si tunika e Nessusit”.
KIKI DIMULA (1931-2020)
E lashë veten të mos dija
Nga bota e gjëegjëzave
e qetë largohem.
Asnjë enigmë nuk kam dëmtuar në jetën time:
madje, asnjë nuk zgjidha.
As ato që donin të vdisnin
në krah të viteve të mia fëmijërore:
në një vozë me dy lloje të ndryshme verërash.
E kam ruajtur deri tani
të pacënuar, të pashpjegueshme,
sepse deri tani
dy llojet e verërave
fshehin gjërat e zgjidhura dhe të pazgjidhura që më ndodhin.
E rëndë bashkëjetesa
me një murg shtatlartë e të ligur
që kurrë nuk e pyeta
nga cili zjarr kish lindur,
cilit zot i përulej,
sepse në largësi më rrinte.
As bota nuk e kurseu
nga krijesat e saj të maskuara,
e ushqeu me misterin e saj
me sakrifica dhe mungesa.
Me gjakun që më dha
munda disi ta shpjegoja.
Nuk erdhi syhapët
por me një qëllim të fshehtë,
kështu e pranova
dhe kështu u ndamë përjetë:
symbyllas dhe me qëllim të fshehtë.
Enigmën që hua e mora
mbrapsht e ktheva.
E lashë veten të mos dija
se si zgjidhet një e djeshme,
një varësi,
enigma e papajtueshmërive.
E lashë veten të mos e dija se çfarë po prekja,
një fytyrë apo një ngutësi.
As drejt dritës nuk të josha
në kthjelltësi të të shihja.
Si Penelopë qëndrova
në terrin e pakësisë tënde.
Dhe nëse do të pyesja ndonjëherë
se si arrije i lirë të ndjeheshe,
nëse ishe një burim apo një gurrë,
duhej të ishte ndonjë ditë vere
kur, Penelopë ose jo,
na pushton ky demoni ujor
për të lëvduar enigmën
se ende të etur jemi.
Nga bota e gjëegjëzave
e qetë largohem.
E pamëkatë:
e paetur.
Drejt enigmës së vdekjes
e paepur afrohem.
KLOE KUCUMBELI (1962)
Konserva
Të ruash dashuritë e ngrira
është gjithashtu një art
si arti i kaligrafisë
apo i hekurpunuesit.
Si ai procesi kur një bokërr
hap një llagëm
për t’u arratisur.
Shumë njerëz bëjnë koleksione
me këto vazo të tejdukshme.
Në etiketën e jashtme shkruhet se nuk kanë konservantë
që nënkuptojnë lot të vërtetë krokodili
apo nuselale që herët e kanë rrëmbyer.
Në anën e kundërt të termosaldatorëve
Gjallojnë të tjerët, bukëshkalët
që kokën e fusin shtatë pashë nën dhé
ndërsa pjesa tjetër e trupit vazhdon të çiftëzohet
me strucët e llojit të tyre.
Çdo metodë është e ligjshme.
Gjithsesi, asgjë nuk e spraps
atë kërcim vdekjeprurës në zbrazëti.
ELENI MERKENIDU (1955)
Paturpësia e vaginës
Formë fatale e mugët
pezull ngrihet në ajër
për të dëbuar të pafetë.
Zotëroj një koleksion të rrallë
pamjesh dhe ballesh drithësuese
të një ndjesie ortodokse
me ritmin e së ardhmes.
Rrah me pulsin e pushtuesit
triumfin e urtikarieve
fërkoj kruajtjen si një ëmbëlsi.
Shijova ditët
dhe u hodha kripë netëve.
Kamufloj të tashmen
kur, e babëzitur do të shtrihesh
që psherëtima të kacavirret
në pranverë.
ANA GRIVA (1985)
Lutje
Musllukë të zinj oqeanesh
peshku juaj jam
që noton
gurrat tuaja do t’i gjej
mos më internoni në dritë
errësirë dua
për errësirë kam mall
atje do të shndrisë qeliza ime e përjetshme
atje nuk do të shoh më hënën
këtë tenjë të vogël të natës.