Fillesat ky album, apo më mirë të themi udhëtimi i Maurizio Bosio, i ka në muajt e parë të 1993 kur mbas njohjes së një rasti klinik në një spital në Itali vendosi të ndihmojë duke ardhur në Shqipëri.
Maurizion e solli në Shqipëri “Betimi i Hipokratit”, por do ta bëjë akoma më të njohur ky album fotosh bardh e zi që risjell një Shqipëri që ngadalë po e harrojmë. Ai fiksoi përmes aparatit të tij, metamorfozën që sapo kishte filluar duke na bërë sot të vëmendshëm për dokumentimin e ndryshimit që pësuan njerëzit dhe vendi.
Udhëtimi në Shqipëri i jep mundësinë për një “ditar” fotografik pothuaj profesional. Midis momenteve të “shplodhjes“ nga puna si mjek, ai fotografon. Fotografon subjektet, objektet, ngjarjet e këtij vendi dhe vëmendja e tij mbi to bën të mundur të realizojë imazhe që nuk mbeten pas nga puna e fotografëve profesionistë. Fotografia dokumentuese që ai krijon, fikson përgjithmonë situatat sociale të kohës që Shqipëria dhe njerëzit e këtij vendi po kalojnë.
Nga 1993 deri në 2017 udhëtoi në të gjithë Shqipërinë, duke i qëndruar pranë njerëzve në nevojë, duke njohur, mësuar, eksploruar e sigurisht duke fotografuar. Nuk pretendon të jetë një fotograf gazetar apo artist e aq më pak një antropolog. Thjesht fotografon ato që sheh e që për syrin e tij janë të reja, të çuditshme, të rralla, hera herës të papranueshme dhe imazh pas imazhi fillon të krijojë një panoramë të Shqipërisë, një panoramë të pasur me peizazhe, me vise jo fort të shkelura, objekte kulti, me vende historike, portrete njerëzish, ngjarje, por mbi të gjitha mbush fotot e tij me shpirtin e këtij vendi.
Që nga koha që fotografi austriak Josef Székely, i cili thuhet se ka krijuar memorien vizuale më të hershme të viseve shqiptare, nëpërmjet fotografive të tij gjatë vjeshtës së 1863 e deri ne fillim të vitit 1990, fare pak fotografë kanë mundur të hyjnë në Shqipëri për të dokumentuar. Me ndryshimin e sistemit këtë boshllëk “nxituan” ta mbushin plot fotografë të shtyrë nga kureshtja e tyre apo mediave që ata përfaqësonin. Gjithashtu çdo i huaj që patjetër kujdesej të kishte një aparat në udhëtimin e tij në Shqipëri, mbushi diçka nga ky boshllëk. Me një “sy të pa vrarë” nga ajo çka ndodhte këtu, ata panë më qartë se sa fotografët vendas, të cilët ishin mësuar me përditshmërinë dhe monotinë vizuale. Por sado profesionist të jesh, të dokumentosh ndryshimin, të dokumentosh kohën, të fotografosh shpirtin e njerëzve të një vendi, të duhet më shumë se sa një udhëtim. E në këtë aspekt Maurizio ka epërsi. Ai vjen me një “sy të pa vrarë” dhe jeton e fotografon gjatë këtu.
Me ndryshime kaq të mëdha në një kohë relativisht të shkurtër jo gjithçka ka shkuar mirë. Historia e dhimbshme e para vitit 1990, nxitimi dhe trazirat e periudhës së tranzicionit, transmetuan papërgjegjshmërinë dhe në një farw mënyre ndikuan në shkatërrimin e konsiderueshëm të kulturës materiale po ashtu edhe në mjegullimin e kujtesës kolektive. Një nga elementet që është cënuar nga ky “nxitim” është fakti që trashëgimia historike kulturore nuk ka patur vëmendjen e duhur për tu ruajtur apo servirur si pjesë e vlerave tona. Maurizio me kuriozitetin, pasionin, interesin për historinë e këtij vendi dhe me aparatin e tij modest, e ngacmon këtë çështje duke e dokumentuar dhe duke na bërë të jemi tw vëmendshëm sepse po pësojmë humbje të pakthyeshme. Fotografon afreske të dëmtuara nga periudha ateiste, fotografon objekte kulti, fotografon plazhe që po pushtohen nga ndërtime, fotografon qytete që po mbulohen nga absurdi i zgjerimeve, fotografon për të krijuar memorie, shpreh keqardhje për diçka të pakthyeshme.
Fotografitë e këtij albumi na tregojnë se është njohës i teknikës fotografike, i shfrytëzimit në maksimum të mundësive deri në limit të aparatit apo elementeve të kompozimit, njohës i mirë i dritës, por përtej kësaj është edhe njohës i situatës emocionale, i atij çastit magjik të quajtur “momenti decisiv” ku elementet fizikë dhe emocionalë bashkohen për të transmetuar dhe thënë më shumë.
Libri i Maurizios është një ftesë që të shikosh e të ndjesh përtej asaj që ju ofrohet turistëve, është një ftesë për një udhëtim më të thellë në kohë, në ndryshime, në vende, në shpirtin e shqiptarëve. Në një farë mënyre Maurizio më sjell në mendje fotografët e “National Geografic” që kanë të njëjtin synim.
Vite pune e përkushtimi si mjek, si udhëtar dhe si fotograf më kujton gjithashtu përpjekjen madhore të fotografeve të FSA[1] në Amerikë që me përkushtim dokumentuan jetën e popullit amerikan gjatë viteve të vështira të 1935-‘43, një përpjekje që u konkretizua në projektin më të madh dokumentues në historinë e fotografisë.
Nuk mund të rri pa përmendur fotografin kanadez Ted Grant i cili thotë:
Kur fotografoni me ngjyra ju fotografoni sipërfaqen, rrobat, kur fotografoni bardh e zi ju fotografoni shpirtin.
Nga biseda me Maurizion më pëlqeu fakti se është pikërisht elementi bardh e zi që e drejton vëmendjen e shikuesit për të parë përtej sipërfaqes, për të parë pikërisht shpirtin e Shqipërisë dhe shqiptarëve të këtyre viteve.
Faleminderit Maurizio!
[1] Agjenci e themeluar nga Presidenti Franklin Roosevelt: (FSA). Administrata e Sigurisë së Fermës. Midis 1935 dhe 1943 fotografët e FSA-së prodhuan rreth tetëdhjetë mijë fotografi nga jeta në Amerikën e epokës së depresionit.