Në përvjetorin e lindjes së Migjenit
Universaliteti i veprës migjeniane
Duke u mbështetur te përvoja ime e gjatë letrare, kam bindjen se Migjeni është
më i madhi midis poetëve modernë shqiptarë të shekullit XX. Ata që e kanë studiuar dhe e kanë vlerësuar deri më sot veprën e këtij autori, janë të shumtë. Me siguri, kjo gjë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sa herë që sudiuesit do të merren me traditën e gjallë.
Në parathënien e botimit të veprës së Migjenit më 1988, shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare ka bërë këtë vlerësim: “Meqenëse vepra e Migjenit është përgjithësisht një dyluftim pa mbarim me një pjesë të letërsisë dhe jo vetëm të letërsisë, por të krejt mendësisë shqiptare, ajo mund të kuptohet vetëm e ballafaquar me të.“(I, XXXVI-XXXVII) Duke pranuar se ky gjykim është plotësisht i saktë, jam i mendimit se një qasje e tillë nuk është e mjaftueshme. Ajo nuk përputhet as me atë që thotë autori i parathënies së lartpërmendur kur pohon se vepra migjeniane karakterizohet nga “ai thesar i paçmuar që është universalizmi.” (I, LVI)
Edhe akademiku Rexhep Qosja, historiani dhe kritiku që e ka hulumtuar letërsinë shqipe më në gjerësi dhe më në thellësi sesa askush tjetër, në studimin e tij: “Tre poetë dhe tri periudha letrare, Naimi, Asdreni dhe Migjeni“, (II, 74), e ka studiuar veprën e Migjenit në një kontekst kombëtar.
Universaliteti i veprës së Migjenit është real, por ai nuk mund të nxirret në pah, duke e ballafaquar atë vetëm me pjesën tjetër të letërsisë shqipe, të cilës i kundërvihet me vlerat e saj pakrahasimisht më novatore, më origjinale dhe me fuqinë e saj artistike. Jam i prirur të besoj se kjo gjë mund të arrihet vetëm duke e përqasur krijimtarinë letrare të Migjenit me krijimtarinë e autorëve të mëdhenj botërorë. Duke bërë një pohim të tillë, nuk mëtoj se vepra e autorit tonë ka po ato përmasa, është po aq e njohur dhe ka ushtruar një ndikim po aq të gjerë e të thellë sa veprat e autorëve të tillë. Megjithatë unë besoj te postulati i njohur që thotë se rënia në pozitat e inferioriteit nuk është më pak e dëmshme sesa megalomania letrare.
Duke rilexuar kohët e fundit veprën e njohur të George Orwell-it „Ferma e kafshëve“ më ra në sy menjëherë ngjashmëria midis mbylljes së saj dhe mbylljes së novelzës „Sokrat i vuejtun apo derr i knaqun?” të Migjenit ku flitet për transfigurimin e njerëzve dhe të derrave: “…dhe njeriu u ba batakçi. Ndroi ftyrat: ftyrën e derrit ja vu Sokratit dhe ftyrën e Sokratit ia vu derrit e në kët të mbramen u mishnue vetë.” (III, 9)
G. Orwwell-i:”Tashti nuk kishte më vend për të bërë pyetje për tiparet e ndryshuara të derrave. Jashtë, sytë e kafshëve shkonin nga derri te njeriu dhe nga njeriu te derri, dhe përsëri nga derri te njeriu, por tashmë ishte e pamundur t’i dalloje nga njëri-tjetri.” (IV, 109)
Mendoj se në veprën e Migjenit ka shumë elemente të tilla, dëshmi të origjinalitetit dhe universalitetit e saj, të cilat shpresoj se do t‘i studiojnë në të ardhmen studiues të mirëfilltë dhe eruditë.
Përpjekjen time për ta përqasur personalitetin e Migjenit dhe veprën e tij me autorë botërorë e kam bërë në një shkrim të botuar disa vite më parë. (V)
Analogji tipologjike
Vijim i këtij synimi është edhe përqasja ime e tanishme midis poemës „Kanga e të burgosunit“ të Migjenit dhe poemës homonime të Walt Whitman-it. Qysh në fillim, e quaj me vend të sqaroj se ngjashmëritë midis këtyre dy teksteve nuk i përkasin kategorisë së analogjive gjenetike, të cilat nënkuptojnë ndikimin e një teksti letrar te një tekst tjetër, një praktikë e njohur, të cilën Gerard Genette-i e ka quajtur hipertekstualitet: “Me këtë unë nënkuptoj çdo lidhje që bashkon një tekst B (të cilin do ta quaj hipertekst) me një tekst të mëparshëm A (të cilin do ta quaj, sigurisht, hipotekst), mbi të cilin ai shartohet në një mënyrë që nuk është ajo e komentimit.” (VI)
Në veprën migjeniane nuk kam hasur ndonjë referencë kulturore që lidhet me krijimtarinë e poetit amerikan. Po ashtu, në jetëshkrimet që kam lexuar, nuk përmendet ndonjë e dhënë që mund të dëshmojë se autori i „Vargjeve të lira“ e ka lexuar përmbledhjen „Fije bari“. Duke u ndalur te çështja e ndikimeve të mundshme, të pranishme në veprën e Migjenit, Nonda Bulka shkruan:“Shumë veta vrasin mendjen për të gjetur burimet e influencës së Migjenit. S’ka dyshim se Gorki, Majakovski, Pushkini (në pjesën e shëndoshë të veprës së tij, ambienti progresist që e rrethonte, do të ketë ndikuar në jetën mendore të këtij „engjëlli rebel“ që ngriti krye kundër Olimpit, të këtij antiseminaristi“.(VII)
Duke u nisur nga dy premisat e mësipërme, mund të themi se ngjashmëritë midis dy poemave të përqasura i përkasin kategorisë së analogjive tipologjike, të cilat poeti dhe eseisti nobelist Octavio Paz i ka shpjeguar kështu:“Ekzistojnë familje shkrimtarësh, të cilët nuk i bashkon as gjaku, as gjeografia, por i bashkojnë shijet, parapëlqimet, obsesionet“.(VIII)
Nuk ka dyshim se poemat që po shqyrtojmë janë frymëzuar nga realitete jetësore, nga dukuri dhe nga tipa shoqërorë të ngjashëm, të cilët i kanë tronditur autorët e tyre, i kanë nxitur t’i pasqyrojnë, t’i kristalizojnë përjetimet e tyre në vargjet përkatëse.
Në studimet e derisotme që kam mundur të lexoj, asnjë kritik nuk i ka kushtuar një vëmendje të posaçme poemës „Kanga e të burgosunit“, nuk e ka shqyrtuar atë me hollësi. Shumë-shumë, atë e kanë përmendur si titull, siç është edhe rasti i studimit me titull „Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911-1938)“, ku R. Qosja ka zbuluar përmasat e gjera dhe thellësitë e veprës së autorit tonë me mekanizmat e kritikës dhe të estetikës bashkëkohore: “Vërehet se ky njeri e ndien veten të zatetun, të pridhun, të gulshuem (Kanga e të burgosunit, Recital i malsorit, Mollë e ndalueme) dhe imperativat e tij objektive e subjektive e nxisin të kërkojë hapësirë, të lirohet prej atyre pengesavet që ndien se i janë vu. (VII,128)
Ngjashmëritë në brendi dhe në formë
Poema migjeniane dhe ajo utimaniane nuk kanë të përbashkët vetëm temën dhe titullin, por edhe disa elemente të tjera që lidhen me brendinë dhe me formën e tyre. Një element i tillë është antiteza burg – liri, e cila përbën strumbullarin e këtyre dy teksteve. Kjo antitezë ka lidhje të brendshme me antagonizmin midis protagonistit dhe rendit shoqëror, kundër të cilit ai është revoltuar, duke kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm.
Migjeni:“Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj‘ e eme,/ dy anmiqë të betuem, luftojnë dit’e natë…“(IX, 52)
Në vargjet e sapocituara nuk bëhet fjalë për natyrën e deliktit të protagonistit, por ne mund të mendojmë se ai lidhet me kontradiktat ekonomike dhe politike të shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Një interpretim i tillë përligjet nga fakti se edhe në kushtet e rënda, në të cilat ndodhet, i burgosuri e ka mendjen te lufta e gjithanshme dhe e pareshtur që duhet të bëjë për ta ndryshuar fatin e tij. Edhe R. Qosja është i mendimit se lufta në rrafshin shoqëror e politik është rrugëdalja e vetme për personazhet e veprës së Migjenit: “Sipas tij (Migjenit, A. P.) e keqja më e madhe që mund të godasë njeriun është e keqja sociale e politike dhe e mira e vetme që mund ta shpëtojë njeriun është lufta kundër shkaktarëve të kësaj të keqeje.“ (II, 82)
Whitman-i:“Në qelinë e tij, ai bën ecejake të pareshtura,/ Oh, me dhimbjen e ditëve në zemër, me brengën e netëve!“(X, 455) Në poemën uitmaniane, antiteza burg-liri ka lidhje të brendshme me dyluftimin midis trupit dhe shpirtit ose më shkoqur midis forcave instinktive dhe moralit mbizotërues. Siç e pohon vetë i burgosuri, në këtë rast, kjo betejë ka përfunduar me disfatën e shpirtit: “Megjithatë nuk jam unë që rashë në mëkat,/Por është trupi im i pandreqshëm që më tërhoqi pas./ Më kot kundërshtova burrërisht dhe luftova gjatë,/ Trupi im më mposhti dhe më çoi në disfatë.” (X, 455)
Dihet se instinktet konsiderohen si pjesa kafshërore që ekziston te njeriu. Një ide e tillë shprehet edhe në poemën “Lavdërimi i hijes” të Jorge luis Borges-it ku poeti flet për pleqërinë dhe thotë: “Kafsha brenda nesh ka vdekur ose pothuaj ka vdekur.”(XI, 91) Në qoftë se në pemën migjeniane mungon kundërvënia midis trupit dhe shpirtit, intinktit dhe racionales, për të bëhet fjalë në poemën “Recital i malsorit” të po këtij autori: “Endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme,/ Dhe me klithma të pakënaquna t’instinktit” (IX,41) Në rrafshin filozofik, antiteza instinkt- arsye lidhet me kundërvënien midis materies dhe shpirtit.
Simboli universal „hekur“ shenjon humbjen e lirisë fizike dhe shpirtërore, veçimin nga familja dhe nga shoqëria, vetminë që e bren të burgosurin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pamëshirshme, duke ia zhvatur të gjitha energjitë jetësore, trupore dhe mendore:“Nëpër hekra të kryqzuem të dritares seme,/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë/ dhe zemra e eme ndjen po aq të breme/ në mes të katër murvet si në një gropë.“(IX,53)
Të njëjtën ngarkesë kuptimore dhe emocionale, simboli „hekur“ ka edhe në poemën uitmaniane, ku ai përforcohet nga barasvlerësi i tij „zinxhirë“: „Një shpirt i burgosur pas hekurash, i lidhur me zinxhirë“ (X,455)
Në tekstet e përqasura, simbolit të mësipërm i kundërvihet simboli „qiell“ si shenjues i hapësirës së pafundme, i lirisë së pakufizuar fizike dhe shpirtërore.
Migjeni:“Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme,/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë…“(IX, 52) Në këtë tekst, simbolit „qiell“ i pranëvihet edhe simbolli „hy“ me domethënie të përafërt: “e kur vjen nata dhe xhixhillojnë hyjt/ gëzohem fort se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt…“(IX, 53) Duke pasur parasysh jetën e Migjenit dhe tërësinë e veprës së tij, përjashtohet mundësia që simbolet „qiell“ dhe „hy“, të pranishme në poemën e tij, të kenë ngarkesë fetare, t’i referohen jetës së përtejme, përdëllimit të perëndisë monoteiste. Kjo nuk do të thotë aspak se autori ynë është refraktar ndaj kulturës biblike, se në krijimtarinë e tij mungojnë referencat që lidhen me kristianizmin. Më kryesorja prej tyre është tema e kryqëzimit, të cilën e dëshmojnë epiteti „të kryqzuem“ që përsëritet tri herë dhe metafora „m’i kryqzojnë“. Edhe në qoftë se në rastin konkret mund të bëhet fjalë për një dukuri fizike, optike, figurat e sapopërmendura ta sjellin ndër mend kryqëzimin e Jezu Krishtit. Një interpretim të tillë e përligj edhe kuptimësia e fjalës „kryqëzim“ te poema tjetër e po këtij autori „Trajtat e mbinjeriut“ ku flitet shkoqur për një kyqëzim shpirtëror:“Shpirt i kryqzuem,marrzi e vulosun/ asht kjo jetë njeriu“ (IX,57)
Whitman-i: “Ishte refreni që ngjitej deri në çati, deri në kupë të qiellit…(X,454) Në qoftë se te „Kënga e të burgosurit“ e autorit amerikan mungon simboli „hy“, ai është i pranishëm te ndonjë tekst tjetër siç ësht rasti i poemës: „O yll i Francës“(XII, 211) E njëjta gjë mund të thuhet edhe për temën e kryqëzimit, e cila mungon te teksti homonim i Whitman-it, por trajtohet në poemën „Para të lyera me gjak“: “Shiko, Shëlbues,/ e sheh se je akoma në pranga,/ I torturuar e i varfër, me fytyrë njeriu…“ (XII, 178)
Në poemën migjeniane, simboli „dajak“ shenjon dhunën shtetërore, intolerancën dhe barbarinë e një rendi tiranik ku mungojnë drejtësia shoqërore dhe humanizmi, ku shkelen të drejtat e njeriut: “po t‘u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë/ edhe hijen teme tu‘ u zgjatë në murt/ si një kërcnim ligji, posi një dajak.“ (X, 53) Në poemën uitmaniane, barasvlerës i këtij simboli janë armët e gardianëve që ruajnë burgun: „Ishte melodia që breronte me një butësi përsiatëse, me një forcë të padëgjuar,/ Ajo mbërrinte deri te roja e largët, deri te gardianët e armatosur.“ (X, 454)
Një nga analogjitë që vihen re në rrafshin e formës, është përsëritja e vargjeve që ndodhen në fillim dhe në fund të poemave të përqasura.
Migjeni:“Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme/ Shof qiellën të coptueme në katërdhet copë…“ (IX, 52 dhe 53)
Whitmani: “O pamje që të pik në zemër, mjerim dhe turp,/ O mendim që të kall datën – një shpirt i dënuar.“ (X, 454 dhe 456)
Disa dallime midis teksteve të përqasura
Krahas analogjive që u përpoqa të vë në dukje më sipër, tashti do të ndalem te disa dallime që lidhen me brendinë dhe me formën e teksteve të përqasura. Te poema migjeniane spikat ndjenja e revoltës së protagonistit, urrejtja ndaj burgut, ndaj faktorëve që e kanë katandisur atë në gjendjen e një bishe të robëruar:“Dhe atëherë tërbohem dhe vuej pa masë/ edhe e ndiej veten lua të ndryem në kafas.“ (IX, 53) Për praninë e ndjenjës së fuqishme si një tipar themelor i “Vargjeve të lira”, R. Qosja shprehet:”Migjeni të bën për vete në radhë të parë me fuqinë, thellësinë dhe çiltërinë e ndjenjës, me intesitetin e dhimbjes që shpërthen përkrah mendimeve të tij, përkrah ironisë e kritikës së tij.”(VII, 144)
Një revoltë e tillë mungon te poema uitmaniane ku zë vend të rëndësishëm mëshira kristiane, shpresa për të shijuar lumturinë e jetës së përtejme: “Qiellorja vdekje do të të presë krahëhapur./ Nuk do të ketë më dënim, turp ose mjerim,/ Fluturo, ti do të kesh mëshirën e Perëndisë.” (XII,455)
Te teksti i autorit shqiptar, nuk bëhet fjalë për mëshirën kristiane, e cila mohohet në mënyrë kategorike në tekstin që mban titullin “Poema e mjerimit”:”Mjerimi s’do mshirë. Por don vetëm të drejtë!/ Mshirë? Bijë bastardhe e etnëvet dinakë… (IX, 38)
Po ashtu, në „Kangën e të burgosunit“ të Migjenit, protagonisti nuk ka ndonjë prespektivë optimiste, ndonjë shpresë për të rifituar lirinë dhe për të rifilluar një jetë normale ose për të rigjetur qetësinë shpirtërore, siç pohohet edhe në poemën tjetër të këtij autori „Lagjja e varfun“ ku fundi tragjik i viktimave të rendit tiranik është nyjëtuar haptazi: “Hesht, or gjel kryengrits/ i lagjes së varfun. – Këtu/ nuk zbardh për ty dritë e ditës…/ i gjikuem je me ngordhë n’u…(IX,46) Një përfundim i tillë nuk do të thotë aspak se Migjeni është një poet pesimist, që e konsideron historinë njerëzore si një qeli burgu të errët e pa rrugëdalje. Megjithëse ballafaqohet me një realitet çnjerëzor ku mbizotëron fataliteti, te poema „Shpirt i ri“ ai thekson se qëndresa është një tipar sublim që e barazon njeriun me hyjnitë: „Shqiponjë me krah të thyem! Vall shpirt i molisun!/ Qëndro! Qëndro krenar mu si një zot i stolisun/ me diell të artë në ballë, me qiella t’azurta në sy…“ (IX, 69)
Ndryshe nga i burgosuri i poemës së Migjenit, i burgosuri i poemës së Whitman-it ka shpresë se për të do të vijë dita kur ai do të gëzojë prapë lirinë dhe lumturinë si në rrafshin tokësor ashtu dhe në atë hyjnor: ”Mos e humb shpresën, shpirt i dhembshur, i mbyllur në qeli,/ Sepse herët a vonë falja jote do të vijë/ Të të lirojë për t’u kthyer te njerëzit e tu të dashur, /Qiellorja vdekje që fal gjithçka do të të presë krahëhapur.“ (X, 455)
Një nga dallimet kryesore midis poemave të përqasura është ai midis strukturave të tyre. E shkruar në vetën e parë, teksti migjenian është një monolog lirik, i cili ka një ndërtim të thjeshtë. Ndryshe ndodh me tekstin uitmanian, i cili është shkruar në vetën e tretë dhe ka një ndërtim kompleks, të përbërë nga dy elemente : nga teksti themelor dhe nga teksti-kuadër që suazon të parin.
Poema e Migjenit është hartuar me strofa katërshe dhe me vargje të matura, të rimuara. Edhe teksti themelor i Whitman-it ka strukturë strofike, ndërsa teksti-kuadër është hartuar me vargje të lira, me versetin tipik uitmanian.
Dallime të tjera midis dy poemave të përqasura vihen re në rrafshin e mikrostrukturave. Në tekstin utmanian është i pranishëm epiteti « fytyrëpërzhitur : « Një tubim prej njëqind vetash, vrasës fytyrëpërzhitur, kallpazanë dinakë ». (X, 454) Megjithëse mungon te « Kanga e të burgosunit » e Migjenit, këtij epiteti i përgjigjet metafora „përzhit“ e poemës « Të lindet njeriu » : ‘Të gjitha kombet po dehen n’epopea të veta,/ flakë e zjarmit të tyne na i përzhiti ftyrat… » (X,18) Të njëjtën gjë mund të themi edhe për detajin artistik të duarve të shtrira, i pranishëm te teksti uitmanian:“Një shpirt i burgosun pas hekurash, i lidhur me zinxhirë, /kërkon ndihmë, lutet me përgjërim, me duar të shtrira. » (X, 455), i cili shfaqet te « Poema e mjerimit » e Migjenit: « kur shef fyra të zbeta dhe sy të jeshilta/ që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita. » (X, 31)
Një ide që mungon në tekstin e Migjenit, por theksohet me forcë në tekstin e Whitman-it është roli dëlirësues (katartik) i artit, në këtë rast i muzikës, e cila i humanizon edhe të burgosurit, edhe gardianët e tyre: „Gjatë një minute të mrekullueshme, në sallë pllakosi një heshtje e papritur,/ Para se të gjithë ata: të burgosurit dhe gardianët e armatosur të lëviznin përsëri,/ (Një palë e kishte harruar burgun, pala tjetër, armën e mbushur)/ Dënesa të mbytura, burra të përlotur që qëronin zërin, kokulur,/ ofshama të thella të rinjsh, të cilëve u kujtohej shtëpia;/ Zëri ledhatues i nënës që këndon një ninullë,/ Zgjimi i shpirtit të ndrymë për një kohë të gjatë, të cilit i kujtohet vetvetja;/ Po ç’minutë e mrekullueshme që qe – dhe në vetminë e netëve/ Ah, kushedi sesa prej tyre/ Shumë vite më vonë, madje dhe në orën e vdekjes, do ta sjellin ndër mend refrenin e pikëlluar, meldinë, zërin, fjalët.“
Në monologun lirik të Migjenit mungojnë mesha e së dielës, gruaja me fustan të mëndafshtë, e shoqëruar nga dy fëmijë me pamje engjëllore, të cilët përshkruhen në tekstin-kuadër me karakter tregimtar të poemës uitmaniane…
Përfundim
Në përfundim të këtij shqyrtimi që nuk mëtojmë të jetë shterues, mund të themi se poemat homonime « Kënga e të burgosurit » të Migjenit dhe të Whitman-it trajtojnë një problem të mprehtë shoqëror, të ngjallin emocione të thella, të përcjellin mezashe humaniste, universale. Te karakteri humanist i veprës së Migjenit e ka vënë theksin edhe Andrea Varfi, i cili në parathënien e botimit në frëngjisht të « Vargjve të lira » ka shkruar : « Vepra e Migjenit mban vulën e këtij humanitas që është karakteristikë e çdo artisti të shquar, i cili e mban gjallë në zemrat e të gjithë popujve të botës ». (XIII, 16)
Megjithëse vepra letrare e Migjenit është modeste nga pikëpamja sasiore, ashtu siç është edhe vepra e një Baudelaire-i apo e një Rimbaud-je, kam bindjen se ajo ka vlera që qëndrojnë denjësisht përkrah vlerave të krijimeve të autorëve të njohur botërorë, siç e dëshmon edhe krahasimi i poemës së tij ‘Kanga e të burgosunit » me poemën homonime të poetit të madh amerikan Walt Whitman-i. Pothuaj një gjysmë shekulli më parë, N. Bulka ka thënë : « Duke ruajtur proporcionet, më duket se është legjitime të themi se edhe shkrimet e Migjenit mund të kryejnë një mision të lartë jashtë kufijve të atdheut. » (VII, 212) Institucionet shtetërore të Shqipërisë, të cilat sponsorizojnë edhe botime të diskutueshme, e kanë për detyrë të ndihmojnë për ta bërë sa më të njohur veprën e një poeti dhe shkrimtari madhor, siç është Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni.
Referenca bibliografike:
I. Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988
II. Rexhep Qosja, Vepra, vëllimi i parë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010
III. Migjeni, Vepra 2, Rilindja, Prishtinë, 1980
IV. George Orwell, La ferme des animaux, Folioplus, 2010
V. Anton Papleka, Kavafi, Pessoa, Migjeni, paralele biografike, analogji tipologjike, Exlibris, 26 nëntor 2021
VI. Gérard Genette, Palimpsestes, Editions du Seuil, 1982
VII. Migjeni, Vepra 4, Rilindja, Prishtinë, 1980
VIII.Octavio Paz, La fleur saxifrage, 1984
IX. Migjeni, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë 1980
X. Walt Whitman, Feuilles d’herbe, Grasset 2009
XI. Jorge Luis Borges, La proximité de la mer, Gallimard, 2010
XII. Uollt Uitman, Fije bari, Tiranë, 1997
XIII.Migjeni, Poèmes, Seghers, 1965