More
    KreuIn memoriamPiro Milkani: Një gënjeshtër e bardhë me Xhina Lolobrixhidën

    Piro Milkani: Një gënjeshtër e bardhë me Xhina Lolobrixhidën

    Në vitin e dytë në Fakultetin e Filmit në Pragë u ngarkova të bëja kamerën në një film dokumentar me titull “Para se të zbardhë dita”. Bëhej fjalë për ndërmarrjet dhe  jetën e njerëzve që punojnë në turnin e tretë në një metropol si Praga. Shkurt ishim të detyruar të xhironim ose në muzg ose natën. Duke vendosur në parasol një filtër gri të shkallëzuar po xhironim një skenë pranë një stacioni tramvaji ku njerëzit hypnin e zbrisnin nga vagonat. Si kudo në botë, edhe në Pragë, në një skenë xhirimi nuk mungojnë asnjëherë kureshtarët që duan të dinë se c’po ndodh. Në pritje të momentit më të volitshëm për xhirim qëndroja pranë kamerës të vendosur mbi një stativ. Një vajzë kureshtare më afrohet dhe me zë të ulët me pyet se c’po bëjmë. I them me dy fjalë se në këtë dokumentar do fiksohen zjarrfiksat që qëndrojnë në gadishmëri, urgjecat shëndetësore, furrat e bukës etj., etj. Po nëse do të dije më shumë për këtë film eja nesër në orën shtatë të mbrëmjes po këtu dhe do t’i tregoj të tjera ndodhi kureshtare rreth filmit të ardhshëm.

    Që në shikim të parë më pelqeu. Kishte flokë të zeza korb dhe me shumë kacurela, sy të bukur dhe zë të ëmbël. Pa asnjë hezitim premtoi se do të vinte të nesërmen në orën e caktuar dhe u largua pa e zgjatur shumë.

    E dija se të nesermen nuk isha i angazhuar me xhirime dhe me mendje përpunova itinerarin që do përshkoja me të. Pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar nga ajo mbrëmje nuk më kujtohet se si quhej por më ka ngelur në mendje portreti i saj. Vite më vonë më kujtohej sa herë që shikoja të këndonte në televizionin italian një këngetare me flokët kacurela e të mplekusura si një mullar bari. Quhej Marcela. Kështu i thërisnin edhe vajzat shqiptare që imitonin krehjen e saj.

    Nuk kaluan as pesë minuta kur e dallova që po vinte drejt meje. U përshëndetëm dhe nisëm të ecnim andej ku e kisha menduar që më parë se ku do te shkonim. Shetitja nëpër rrugët gjysmë të zbrazura të Pragës vazhdoi rreth gjysmë ore kur morëm të përpjetën e rrugicës që të çonte në kodrën e Petrzhinit, një kodrinë e mbuluar me shkurre e pemë që qëndronte në zemër të Pragës. Ishte vendi i takimit te cifteve te reja, te cilat, për hir të së vërtetës nuk i bezdiste kush.

    Muzgu tashmë kishte rënë mbi qytet dhe lampionet e gazit ishin ndezur dhe në rrugicat romantike të parkut. Deri në atë moment goja ime llafazane nuk kishte lënë gjë pa treguar, jo vetëm për filmin por edhe për vehten time. Ajo tashmë e dinte se nga isha, se në c’vit të fakultetit studjoja, se ku banoja e budallallëqe të tjera. Kur lamë lampionin e parë  dhe po i afroheshim të dytit i vura lehtesisht krahun rreth belit. Për cudi nuk kundërshtoi. Më vonë, kur lampionet filluan të rrallohen dhe të shfaqeshin zona më të errata guxova per më shumë deri sa erdhi dhe puthja e parë. Po në atë moment u prish gjithë poezia e asaj mbrëmjeje. Nga flokët e asaj vajze më goditën nuhatjen të gjithë erëzat e një gjelle pikante. Spec, hudhër e majdanos të përzjera bashkë cartallosën mukozën e nuhatjes time. Nuk mundesha. U largova me delikatesë dhe pas pak e pyeta: – Më fal, po unë nuk të pyeta se cfarë pune bën?

    Jam ndihmës guzhinjere. E fillova punën në dy mbasdite dhe duhej ta linja në orën dhjetë por kur i tregova shefes se kam një takim me një kineast pa një pa dy më dha leje, po me një kusht! Do më duhet t’i tregoj nesër se si kaloi takimi i parë. Kineast pa kineast, për mua cdo gjë kishte marë fund. Nuk mund t’i afrohesha më. Po si të shpëtoja nga kjo gjë tani që jam në mes të pyllit? Normalisht një herë në dy tre muaj i dërgoja letër prindëve të mij në Korçë. Po kohët e fundit e kisha shkelur. Duket se mamaja ishte merakosur ndaj në mëngjes më kishte ardhur një telegram nga Shqipëria. I shkurtër dhe preciz: LAJMERO SHENDETIN. GINA ( lexo Xhina). Mamaja ime quhej Mangalina po shkurt, jetë e mot, e thërrisnin Gina. Shpëtimi im do të vinte nga telegrami i mamasë. Aty për aty e pyeta: A e njeh Gina (Xhina) Lolobrixhidën?

       – Jezhish Maria! Po kush nuk e njeh yllin e kinemasë italiane?

    –   Tani do të lutem të mos bërtasësh nga habia….ti do çuditesh…. po unë jam djali i saj.

         Buzëqeshi lehte dhe tundi koken si për të thënë: ç’janë këto marrëzira. Nxora nga xhepi i xhaketës telegramin dhe ia tregova: – A është kjo që mbaj në dorë telegram?

    Tundi kokën në shenjë pohimi.

    – A shkruhet këtu emri im? Po këtu poshtë a nuk është emri i saj Gina?

    U hutua fare dhe deshi apo nuk deshi nuk tha po si ka mundesi? Ti je shqiptar.

    Më duhej ta coja lojen deri ne fund.

    -Po ti nuk ke si ta kuptosh se cfarë shkruhet këtu. Ajo kërkon që unë ta marr në telefon sa më parë. Dhe unë që e humba toruan nga që kisha takim me ty. A do më japësh leje të shkoj me vrap në postën qëndrore për ta telefonuar?

    –  Sigurisht! Po me një kusht. T’i bësh të fala ga unë.

    – Patjetër. Atëherë nesër takohemi përsëri në të njëjtën orë e në të njëjtin vend.

     I putha dorën dhe ja dhashë vrapit.

    Të nesërmen  bindur se nuk ia vlente të shkoja në takim me të  qëndrova në dhomë dhe isha shtrirë duke lexuar një roman. Vashku, shoku i dhomës time, kishte shkuar në Brno të shihte nënën e tij te ve. Duhet te ishte ora shtatë e gjysmë kur dëgjoj një trokitje në derë.  Hyn një shok çek, konviktor. Futet në mes të dhomës dhe fillon të tundë kokën në formë qortuese. Nuk po kuptoja asgjë ndërsa ai në heshtje vazhdonte tundjen e kokës deri sa e pyeta:

    – Si eshte puna?….  

     – Mashtrues!… Don Zhuan!… Gënjeshtar….

    – Po pse gjithe keto epitete?

    E kisha vërtet seriozisht se nuk po kuptoja gjë.

    – Këtu pas teje, jo më larg se tridhjetë metra, te portinerja, një kacurelse flokëzezë pyet këdo që kalon: Ju lutem a e dini dhomën e Piro Milkanit, djalit të Xhina Lolobrixhides ? Kisha një takim me të po nuk e kuptoj pse nuk erdhi.

    Atëherë u kthjellova. Më kishte dalë fare nga mendja dhe kisha harruar që ia kisha dhënë me gojën time të gjithë kordinatat. U  ngrita nga shtrati u ula në gjunjë në mes të dhomës dhe me përulësi ju betova:

     -Të jap fjalën ty dhe gjithë shokëve të tjerë se nuk kam  për të gënjyer kurrë  asnjë vajzë. Vetëm, të lutem, më shpëto. Shko i thuaj se nuk jam në dhomë. Të lutem!

    Dhe ashtu u bë. U ula pranë komodinës dhe fillova t’i shkruaj letër asaj që më shpëtoi nga një situatë e pakëndëshme, Gina Milkanit. Për historinë me ndihmës guzhinjeren sigurisht nuk u shkrua as edhe një rresht. Po premtimin e mbajta. Nuk më kujtohet se kur kam trilluar ndonjë gënjeshtër të bardhë. Apo ndoshta asnjëherë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË