More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPetro Çerkezi: Universaliteti i përvojës njerëzore

    Petro Çerkezi: Universaliteti i përvojës njerëzore

    Vëllimi me tregime “KUR DIELLI HYRI NË DHOMË” (Neraida)

    Përmbledhja e tregimeve të Jorgos Moleskis “Kur dielli hyri në dhomë” përfshin 18 tregime, me ngjarje që zhvillohen në Qipro dhe në vende të tjera si Greqia, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Suedia, Gjeorgjia dhe Belgjika. Është një mozaik gjeografik ngjarjesh reale dhe fiction, ku njerëzit e thjeshtë, ata që shpesh i quajmë të portës fqinje dhe çastet në dukje të parëndësishme të jetës marrin një rëndësi universale. Disa histori fokusohen në një ngjarje të vetme, që në pamje të parë duket kalimtare, ndërsa disa përfshijnë periudha më të mëdha të jetës dhe psikologjisë së personazheve që të lënë vragë në ndërgjegje.

    Tregimet vërtiten rreth temave të tilla si kujtesa njerëzore, jeta e përditshme, dallimet kulturore, nostalgjia dhe vëzhgimet sociale me shumëllojshmëri temash që përfshijnë së pari jetën në atdheun e vet Qipron dhe në vende të tjera të botës, duke krijuar një kanavacë multikulturore. Udhëtimet nuk të falin vetëm kënaqësinë e argëtimit, kanë një gamë më të gjerë kuptimesh, të lindin një ndjesi çlirimi. Atje ku liritë janë të cunguara edhe arti do të jetë i tillë, anemik dhe i asfiksuar. Moleskis udhëton dhe lëviz lirisht, mendon dhe shkruan lirisht dhe na sjell personazhe dhe ngjarje të një bote të lirë, se po nuk e ke lirinë brenda vetes, nuk do ta gjesh kurrkund.

    Heronjtë e vëllimit, qofshin protagonistë apo vëzhgues, apo rrëfime me fakte biografike, janë njerëz të zakonshëm, me pasione, dobësi dhe forcë shndërrimesh. Janë personazhe me të cilët lexuesi identifikohet, pavarësisht prejardhjes së tyre kulturore apo gjeografike. Theksi në veçantinë e çdo personazhi dhe fuqia e detajeve i bën tregimet një murale ekspresive në galerinë e jetës bashkëkohore.

    Dimensioni autobiografik i jep vëllimit një ton të veçantë. Rrëfimtarët shpesh duken se janë të afërt me vetë autorin, në mënyrën e të menduarit apo në çastet intime, dhe në raste të tjera duket se është vetë autori që të merr për dore për të të udhëhequr në vendin e ngjarjes. Nëpërmjet tregimeve plot realizëm, por edhe elementeve të trilluara, Moleskis ofron një biografi indirekte jo vetëm të tij, por edhe të epokës dhe kontekstit shoqëror në të cilin jeton.

    Autori nxjerr në pah përmes rrëfimeve të tij dimensionin universal të njerëzve të zakonshëm. Heronjtë e tij, ndonëse vijnë nga vende dhe kultura të ndryshme, janë aq të gjallë dhe familjarë sa duket se i përkasin mjedisit tonë. Nga kujtimet nostalgjike të adoleshencës deri te vëzhgimi i thellë i natyrës dhe i ngjarjeve, tregimet e Moleskit janë plot emocione, ndjeshmëri dhe vështrim poetik.

    Disa tregime, si “Kur koha ndaloi” dhe “Shoku im Sergei”, fokusohen në dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, kontradiktat e tyre dhe vlerat e përjetshme që i mbështesin ato. Të tjera si “Gjyshi im ikonograf” dhe “Ullinjtë e tim eti” thurin mitin me kujtesën, duke përcjellë mençurinë dhe peshën e traditës mbi të cilën gdhendet identiteti i çdo kombi. Në rrëfimet si “Një zjarr digjet natën” dhe “Kur plumbi bëri rikoshet”, dominon intensiteti i momentit dhe reflektimi mbi fuqinë e jetës dhe vdekjes.

    Tregimi “Kur plumbi bëri rikoshet” është një rrëfim thellësisht ekzistencial dhe social që eksploron çështje të identitetit, moralit dhe zgjedhjeve personale brenda kontekstit të një periudhe të trazuar historike. Rrëfimtari, një mjeshtër i ri, përballet me tundimin e dhunës, frikës dhe presioneve sociale, ndërkohë që përjeton edhe kalimin nga pafajësia në moshën madhore. Përvoja e narratorit të ri me armën e Stelios simbolizon tundimin e fuqisë që mund të ofrojë një armë, krenarinë dhe peripecitë, por edhe pasojat dramatike të përdorimit të saj. Ëndrra e tij me të vdekurin zbulon konfliktin e tij të brendshëm.

    Heroi, i vënë në shenjë nga bashkëmoshatarët e tij, e sheh armën si një mjet mbrojtjeje dhe njohjeje. Më vonë, rekrutimi i tij nga qarqet nacionaliste tregon se si presionet sociale mund ta shtyjnë dikë në zgjedhje të rrezikshme. Historia zhvillohet gjatë periudhës së konflikteve ndërkomunitare në Qipro (1963-’64). Jakov, me traumën e tij personale nga dhuna, vepron si kundërpeshë ndaj Stelios, duke treguar se përvoja personale përcakton qëndrimin ndaj dhunës.

    Protagonisti e gjen veten në një udhëkryq, i detyruar të vendosë nëse do t’i bashkohet një grupi që prodhon armë. Dyshimi, frika dhe ëndrrat e tij sugjerojnë një ndërgjegje që i reziston dhunës.

    Dendësia e rrëfimit përshkruan me delikatesë luftën emocionale dhe morale të një të riu brenda një shoqërie që vlon nga konflikti. Përmes ostracizmit të plumbit dhe ndikimit që ka, autori thekson se si zgjedhjet tona, në dukje të vogla, mund të kenë pasoja të paparashikuara.

    Tregimi tjetër jetësor, që mund të ndodhte në çdo vend mesdhetar, i ngjeshur me ngjarje plot ekspresivitet, “Ullinjtë e tim eti”, rrëfen marrëdhënien e veçantë të njeriut me natyrën, vendimet e tij impulsive dhe këmbënguljen e tij për të ndjekur ëndrrat, pavarësisht vështirësive. I ati i narratorit paraqitet si një njeri i çuditshëm dhe i vetvetishëm, i cili shpeshherë ndjek idetë e tij pa i peshuar praktikisht dhe pa u këshilluar me të tjerët. Përmes episodeve të ndryshme, si blerja e kalit dhe autobusit, duket se shumë nga nismat e tij çojnë në dështim dhe humbje. Megjithatë, vendimi më i rëndësishëm i jetës së tij – mbjellja e ullinjve – është i vetmi që jep fryte, si figurativisht ashtu edhe realisht.

    Pema e ullirit merr një simbolikë të veçantë: nuk është pema e dhimbjes, siç na paraqitet shpesh, por lidhet me mbijetesën, besimin metafizik, fuqinë e natyrës dhe këmbënguljen njerëzore. Babai, me gjithë ironinë dhe dyshimin e bashkëfshatarëve, sheh vizionin e tij të marrë formë. Ullinjtë e tij bëhen një pikë referimi e përjetshme, një pjesë e tij që vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes së tij.

    Tregimi, me një stil të gjallë dhe thellësi emocionale, tregon një histori për kokëfortësinë, krijimtarinë dhe lidhjen e thellë të njeriut me tokën e tij, por edhe për përcjelljen e këtyre elementeve brez pas brezi. Një tregim që personifikon dhe na paraqet portretin impulsiv të njeriut qipriot me të tëra veçoritë e veta.

    Në disa tregime përshkruese njeriu mungon pothuajse plotësisht. Ëndrra, kur është hiperbolikisht e gjallë, kthehet në një realitet të ri, është tiranike, por pushon së qeni një strehë. Autori i drejtohet natyrës, peizazhit dhe ngjarjeve, si te “Kafe-librari Llamba” dhe “Në një hotel të vjetër”. Me një qasje poetike, ai kap atmosferën dhe strukturën shoqërore që lidh jetën tonë, duke i ofruar lexuesit një kujtesë të vazhdueshme për rëndësinë e vëzhgimit që e monopolizon ëndërrimi dhe lidhja njerëzore midis kohëve të ndryshme. Ngjan se narratori ëndërrues bën një kërcim në një kohë tjetër gati mitike, por e fokuson kaq mjeshtërisht, saqë thua se e prek.

    Ndërsa tregimi që mban edhe titullin e përmbledhjes, “Kur dielli hyri në dhomë”, është një depërtim i thellë në shpirtrat njerëzorë dhe dramën e jetës në burg, me fokus intensitetin e emocioneve dhe brishtësinë e situatave.

    Rrëfimi sillet rreth një vizite të narratorit, një figurë e shquar letrare, në një burg grash për një leksion mbi poezinë. Narratori përshkruan kushtet në burgje, psikologjinë e grave të burgosura, si dhe ndërveprimin e tij me to. Poezia, si mënyrë shprehjeje dhe reflektimi, bëhet mjeti për të ndriçuar botën e brendshme dhe psikologjinë e gruas, por edhe mendimet e tij.

    Historia krijon një dialog të fortë kontrasti: nga njëra anë, dielli që pushton dhomën dhe vepron si simbol i jetës, dritës dhe shpresës, dhe nga ana tjetër, akti i errët i tentativës për vetëvrasje të një gruaje të re. Tragjedia e këtij momenti anulon çdo ndjenjë suksesi për leksionin, duke e bërë përpjekjen për të arritur qasjen suksesore përmes poezisë në dukje të pamjaftueshme përballë vuajtjes njerëzore.

    “Letërsia është arti që ofron hapësirë ​​për të pakënaqurit dhe mosrealizimet. Letërsia e vërtetë është një mënyrë proteste kundër mizerjes së kësaj bote dhe një mënyrë për ta ndryshuar atë”, thotë nobelisti amerikano-latinas Vargas Losa.

    Poezia është drita dhe shpresa, krijimi, përpjekja për të ruajtur ndjenjën e së bukurës edhe në kushtet më të vështira. Dielli fshihet pas mureve në fund, duke na kujtuar fatin e ashpër të të burgosurve. Akti i së resë që tenton t’i japë fund jetës pasqyron dërrmimin e shpresës, paaftësinë për t’i shpëtuar dhimbjes personale edhe përballë momenteve të ngritjes mendore kolektive.

    Poezia, siç është paraqitur, është një mjet i çlirimit mendor dhe emocional. Megjithatë, rrëfimi tregon edhe kufijtë e saj. Letërsia nuk mund të eliminojë gjithmonë dhimbjen që fshihet në shpirtin e njeriut, sidomos kur është i plagosur thellë.

    Tregimi trajton brishtësinë e ekzistencës njerëzore, lidhjen midis artit dhe realitetit dhe kontradiktën midis fuqisë së krijimit dhe paaftësisë së tij për të shëruar plotësisht shpirtin njerëzor. Rrëfimi është lëvizës dhe u qaset çështjeve të tilla si vetmia, burgimi dhe këmbëngulja e shpresës në errësirë.

    “Kur dielli hyri në dhomë” është një libër shqetësimesh intelektuale dhe me gjithë përvojën e vet letrare, Moleskis ofron ndihmesën e vet për trashëgiminë e parametrave të përbashkët kulturorë, të cilët përbëjnë tokën demokratike e jetike për lulëzimin dhe zhvillimin e një letërsie me mesazhe mbarënjerëzore.

    Gjuha e thjeshtë, por poetike e Moleskit, dhe në të njëjtën kohë plot simbolikë, u jep thellësi ngjarjeve të thjeshta dhe skenave të përditshme, duke ndriçuar detajet që formësojnë ekzistencën njerëzore. Çdo tregim është një dritare unike në jetë, një botë që na fton të reflektojmë mbi realitetin tonë.

    Rrëfimi shpesh sjell një kolor atmosferik, duke krijuar imazhe me intensitet emocional dhe një humor disi melankolik.

    Autori kap me mjeshtëri bashkëjetesën e reales dhe ëndërrimtares, që arrin në kufijtë e imagjinares, duke i përcjellë lexuesit kuptimin e jetës që rrjedh dhe momentet që mbeten të gdhendura. Autori, gjithsesi, me çdo rast na kujton rëndësinë e lidhjes me jetën dhe njeriun, bashkësinë dhe forcën tonë të brendshme në një botë që ndryshon vazhdimisht.

    Tregimi është një pasqyrë e vogël i së sotmes, një pasqyrë xhepi do të guxoja të thosha. Në këtë pasqyrë lexuesi shqiptar do të gjejë veten, se bota e tij shpirtërore është e dallgëzuar dhe problematika bashkëkohore e shndërrimeve të vrullshme sociale fqinjëron me atë qipriote që na ofron ky libër.

    Tregimet e këtij libri përcjellin idenë e “kujtesës kolektive” që bashkon njerëz nga vende dhe kohë të ndryshme, duke theksuar universalitetin e përvojës njerëzore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË