Nga Xhafer Korro
Ishte muaji shtator i vitit 1952, kur unë me gjyshen time (pasi nëna më la të vogël) vajtëm në Tiranë te xhaxhai. Aty më la gjyshja dhe vazhdova shkollën unike (sot shkolla 9-vjeçare). Më vonë vazhdova mësimet në shkollën pedagogjike dhe të lartën për histori-gjeografi.
Jetonim afër familjes së Sejfulla Malëshovës, që njihet me pseudonimin Lame Kodra, të cilin e përdorte në shkrimet letrare. Gjyshja e njihte, pasi kishin lidhje me nënën e tij, Pashakon, dhe me gjyshin tim, sepse fshatrat tona ishin afër njëri-tjetrit. Më vonë e pashë se njiheshin mirë sepse, kur vajtëm, e thirrën me emër sikundër thërrasim ata që njohim prej kohësh, si gjatë kohës së Revolucionit të Qershorit 1924 ose edhe në shoqërinë “Vatra”. Gjyshi im kishte qenë në Amerikë, SHBA, dhe kishte qenë edhe anëtar i shoqërisë “Vatra”. Kur erdhi nga Amerika, solli me vete 3 valixhe me libra në gjuhën shqipe dhe i shpërndau nëpër fshatra (mbase u zgjata si shumë). Por më çuditi pyetja e tij.
Para se të shkonte në fshat, gjyshja i tha djalit: “A të vete të takoj nënë Pashakon, se më thanë është sëmurë? Takojmë edhe Sejfullain.”
Ai tha: “Shkoni.” Sejfullai është kritikuar, por nuk është i bllokuar.
Ai ishte kritikuar rëndë nga partia si oportunist dhe ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Kulturës, por ishte akoma Drejtori i Përgjithshëm i Përkthimit (pasi si përkthyes, sidomos i gjuhës sllave, ishte mjeshtër i madh). Dinte rreth 12 gjuhë të huaja. Mund të quhet “poeti rebel”, sepse me pasion i këndoi lirisë dhe demokracisë në poezitë e tij.
Kështu një ditë të diel, së bashku me gjyshen, mbasi morëm leje nga xhaxhi, u nisëm për te familja e Sejfulla Malëshovës. Atëherë s’kishte shumë makina dhe ikëm më këmbë. Gjyshja përpara dhe unë mbrapa saj duke biseduar. Rruga ishte e shkurtër sepse, siç thashë më lart, fshatrat (shtëpitë) tona ishin afër.
Rrugës mendoja se si do të ishte ky personi i dëgjuar dhe mendimtar, poet dhe shkrimtar i madh. E kisha parë një herë kur isha më i vogël, kur ai erdhi në Malëshovë si deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945. Populli e priti me nderime të mëdha, me brohoritje entuziaste dhe e merrnin në krahë.
Në Këlcyrë mbaji një fjalim para popullit, ku paraqiti edhe programin për zhvillimin e vendit dhe të krahinës. Më kujtohet se populli brohoriste dhe kërkonte që Sejfullai të dilte në ballkon. Kur doli, brohoritjet u shtuan më shumë dhe nuk pushonin, por ai me buzëqeshje dhe me durim priti derisa ra qetësi dhe nisi fjalimin si një ciceron.
Të gjitha këto i kujtoja gjatë gjithë rrugës dhe bisedat me gjyshen i ndërpremë kur arritëm afër shtëpisë së tij. Ishte një shtëpi përdhese e rrethuar me pemë dhe për t’u futur brenda, duhej të kaloje në një rrugë të ngushtë në të dyja anët e secilës ishin mbjellë me kujdes lule. Derën e gjetëm mbyllur. Gjyshja thirri emrin e nënës së tij, Pashakos. Ajo u përgjigj nga brenda me një zë të dobët. “Urdhëroni, ejani brenda!”
Gjyshja hapi derën, hymë brenda dhe pamë se Pashakoja ishte në shtrat, ishte e sëmurë. Mezi u ngrit ndenjur dhe përqafoi gjyshen, edhe mua gjithashtu.
– Të lumtë këmba moj Meme (ishte emri i gjyshes), se na kishte marrë malli!
Ato filluan të bisedonin duke pyetur për shëndetin e njëra-tjetrës, por edhe për shoqet dhe njerëzit e të dyja fshatrave, të cilët i njihnin të dyja. Unë shikoja me kureshtje dhomat. Ishin dy të tilla, nga të cilat njëra ishte e mbyllur. Duke biseduar, gjyshja pyeti për Sejfullain.
Pashako u përgjigj duke thënë se Sejfullai ishte mirë me shëndet, por me punë të qeverisë…
– Besoj se e keni marrë vesh se si i ka. Ja, na kanë dhënë këtë shtëpi, në të cilën më parë kishte jetuar një oficer i lartë i ushtrisë italiane. Jemi ngushtë, se Sejfullait një dhomë i duhet vetëm për librat që ka. I them të martohet, por ai nuk do. Ja, për këtë kam merak. Dua ta shoh me familje para se të mbyll sytë e të shkoj përgjithmonë.
Më pas ajo i foli Sejfullait:
– Sejfulla, ngrihu nga gjumi se ka ardhur Meme e Lazes, t’i gostitsh!
Ndërkohë gjyshja ime tha:
– Mos e ngri nga gjumi, lëre të flejë.
– Ai do të ngrihet vetë tani, se i vajti ora dhe do të vejë në punë.
– Po pse edhe sot që është e diel vete në punë? – pyeti duke u çuditur gjyshja ime.
– Ai gjithmonë punon, nuk ka ditë pushimi për të. I kërkojnë të përkthejë librat.
Në këtë moment hapet dera. Hodha sytë me kërshëri dhe pashë një burrë me kokën e rruar dhe shtatshkurtër. M’u kujtua motra e tij që kishim në fshat. Ngjanin si dy pika uji. Ai u përshëndet me gjyshen, e cila e puthi. Kur erdhi radha ime, më përqafoi. Shkëmbyen me gjyshen fjalët që thuhen në raste të tilla. Më vonë na gostiti.
Më çuditi kur pyeti për gjyshin tim: “Si është Lazja?” Pastaj pyeti edhe për shumë të tjerë në fshat. Siç thashë më lart, u çudita edhe sepse ai, ndonëse kishte shumë vjet i larguar, mbante mend shumicën e banorëve të fshatit tonë. Kishte një kujtesë të fortë dhe të rrallë.
Më vonë pyeti gjyshen:
– Po këtë djalë, të kujt e ke?
– Këtë e kam të djalit të madh dhe e kemi prurë këtu të vazhdojë shkollën se mëson mirë. Ne në fshat, ashtu si e di edhe ti, merremi me blegtori e bujqësi.
– Shumë mirë keni bërë, sepse edhe blegtoria, djathi dhe gjiza që ju bëni, duan shkollë që të ecin përpara. Më ka thënë Pashakoja se ju keni edhe bletë, të cilat për t’u trajtuar e për t’u zhvilluar duan shkollë.
Pashakoja shtoi se me këto të gjitha merret djali i madh i Lazes, por edhe vetë Mam?????
Më vonë Sejfullai më rrahu shpatullat dhe më tha:
– Shumë mirë djalë! Të mësosh, se vendi ka nevojë për shkolla dhe shkolla do njerëz të mësuar, pasi pushtuesit na kanë lënë në errësirë. Një popull pa arsim sundohet më lehtë. Mëso, – përfundoi ai, – e t’i ngjasësh gjyshit tënd!
Më pas hyri në dhomën e tij, vuri kapelën republike dhe doli nga dhoma. Nga dera e hapur e dhomës së tij, i çuditur, pashë librat që ndodheshin aty brenda. Libra kaq të mëdhenj nuk kisha parë më parë. Më vonë të tillë pashë edhe në shtëpinë e Petro Markos.
U largua duke na kërkuar falje se nuk mund të rrinte akoma me ne, sepse do të shkonte në punë. E ndoqa me sy kur i hipi biçikletës dhe derisa u largua e nuk dukej më.
Nga ajo ditë nuk e pashë më. Nga motra e tij që banonte në fshatin tonë mësuam për gjithë fatkeqësitë që i ndodhën më pas Sejfulla Malëshovës.
Ai u godit në vitin 1950. U përjashtua si deputet i zonës dhe më vonë e shkarkuan edhe nga detyra e Drejtorit të Përkthimeve. Më pas e internuan në Fier, ku punoi si magazinier, punë që ai e kryente me ndërgjegje të pastër. Kështu më thoshin bashkëfshatarët e mi që punonin si private në atë zonë.
Por ai nuk hapej, sepse ishte në survejim të rreptë. Kishte raste që kur vinte të hante bukë dhe i uleshin pranë, me zë të ulët iu thoshte: “Më falni, por është më mirë për ju të uleni më larg meje.” I thoshin fshatarët: “S’ka makarona, s’ka sheqer. Nuk gjejmë gjëkundi.” E ai përgjigjej: “S’ka, s’ka asgjë me tek?
Më vonë shkrimtari Petro Marko, kur e pyeta për Sejfulla Malëshovën, më tha: “E kam takuar për herë të parë në Itali.” Ai kërkoi politikën e dyerve të hapura. Në Berat u tha: “Ne jemi shtet i sapodalë nga lufta. Vij nga Moska dhe duhet që diferencimin politik ta mbajmë, por Shqipëria ka nevojë për peronën e ndryshkur të Perëndimit.” Për këto mendime të tij ai u quajt oportunist. “Unë i thashë, – vazhdoi Petro Markoja, – ki kujdes Sejfulla se këtu jemi në Shqipëri dhe në Ballkan dhe nuk duhet folur kaq hapur”.
Unë isha student i mirë në letërsi. Shkoja shpesh te shtëpia e tij, që ishte afër kinemasë “17 Nëntori”. Aty bisedonim gjatë me Petro dhe Safo Markon. (Safo Markoja ishte një grua me kulturë dhe piktore e rrallë. Për të dhe për bashkëshortin e saj, Petro Markon, do të shkruaj kujtimet e mia më vonë.)
E bëra këtë parashtesë për të kuptuar se sa i madh dhe i dashur ishte Sejfulla Malëshova dhe sa i izoluar mbeti ai nga populli, sepse diktatura ia kishte frikën si lakuriqi i natës nga qiriri me dritë.
Ky kolos i kulturës u flak në baltërat e Myzeqesë, aty ku edhe mbylli sytë më 17 qershor 1971. U sajua një shkak dhe u tha se ai vdiq nga apandesiti. U varros nga punonjësit e komunales, nga e motra dhe nga një mik i saj.
M’u kujtua biseda e Nasho Jorgaqit me Nolin, i cili e ftonte Nolin të kthehej në Shqipëri, se vendi kishte nevojë për mendimtarë të tillë. Por Noli u përgjigj: “Ju (Shqipëria) nuk keni nevojë për mendimtarë, se mendimtarët atje i keni, por i keni shpënë në baltërat e Myzeqesë.”
Kështu mbaroi në tragjedi jeta e Sejfulla Malëshovës, e këtij mendimtari poliedrik të kulturës shqiptare.
Vetëm kur erdhi demokracia u vlerësua ashtu si e meritonte. Iu rindërtua varri dhe u zhvillua një ceremoni me nderime për jetën dhe aktivitetin e tij. Por mendoj se aq sa janë bërë për të janë pak. Do të ishte mirë t’i bëhej një monument në Këlcyrë ose në Përmet dhe emri i tij t’i vihej një universiteti, p.sh. Universitetit të Gjirokastrës, por edhe ndonjë rruge, kur dihet që rrugëve në Shqipëri u vihen emra të individëve që nuk janë shquar apo të njerëzve të huaj, ashtu si ka ndodhur në Kamzë. Në fushën e krijimtarisë letrare duhet bërë një studim më i thellë edhe për veprimtarinë e tij në Rusi, St. Petërburg, në Moskë si dhe për kohën e tij si mësues në Tashkent.
Ky mendimtar duhet vlerësuar për veprën dhe mendimin e tij demokratik dhe lirinë e njeriut.
ky shkrim per Sejfulla Maleshoven shum i goditur,urime gazetes. Tek une emri i Sejfullait vinte nga nje kusheriri i tij Xh Bejko i cili ishte tipik nga Maleshova plot butesi e drit diturie e nuk e hiqte librin nga dora.