More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një kafe jashtë radhe", tregim nga Ylli Ajdini

    “Një kafe jashtë radhe”, tregim nga Ylli Ajdini

    Pavarësisht se kujtesa nuk më solli asnjë të njohur,  gjithësesi, tek po spostohesha nga salloni për në dhomën e gjumit për të fjetur, mendova se çfarë dreqin po ndodh kështu me njerzit në qytetin tim?! Por të nesërmen në mëngjes u zgjova thuajse në të njëjtën orë, si zakonisht. U vesha dhe dola. Pas pak minutash mbrita në qendër të lagjes ku banoj, po e njëjta zhurmë, gjithashtu po e njëjta aromë e pështirë del nga dyqani i peshkut. U përshëndeta si përherë me gazetashitësin, bleva gazetën javore letrare “ExLibris” dhe mandej bëra pak më lartë nga kioska ku shiten gazetat, për të shfrytëzuar mesa të mundja freskinë e një hijeje pallati. Njëkohësisht i telefonova dhe një shoku për të pirë kafen e mëngjesit, të cilit, ja kisha bërë ftesën që mbrëmë. Ndërkohë që të mos ndjeja bezdinë që të shkakton pritja, i shtyrë dhe nga një kureshtje e pashpjegueshme, i hedh një sy tabelës së njoftimeve mortore. Këtë nuk se e kam ves si disa, por e pashë. Nuk i njoha të gjithë dhe s’ka se si. Por…“Mos, jooo! Ç’pate me veten!? Nuk ishte për ty ky udhëtim”! Sidoqoftë, nuk desha as ta besoja dhe as ta pranoja vdekjen e tij. Por është e vërtet, ai është, Lenci është, komshiu im. Jo vetëm emri, por edhe fotografia është e tij, ndaj s’kam më arsye të dyshoj tek faktet. Dhe pa dyshim e sigurisht që nuk do ta pranoja edhe sikur dikush të ma pohonte, por si s’më vajti mendja qysh mbrëmë kur e dhanë lajmet, se L.Ç. mund të ishte Lenci!! Një ndjesi e papërcaktuar më përshkoi trupin, një si këputje e përgjithëshme, një mungesë peshe totale, një si ajo ndjesi mosekzistence që provon pasagjeri kur avjoni bie në boshllëk. Dhe nuk them se prej keqardhjes u shemba përtokë, por ndjeva se zemra po më rrihte me një ritëm disi të shthurur. Lencin e takoja rrallë, ngaqë rrallë vinte në qytetin e lindjes. Herën e fundit kur u takuam, dhe ishte një takim krejtësisht i rastësishëm e krejtësisht i shkurtër, ishte një bisedë e zhvilluar mbi rrugën kryesore që lidh dy shtëpitë tona, më tha se jeton në Greqi dhe se punët i ecnin mirë. “Do rrish shumë”, i thashë. “Disa ditë”, më tha dhe u ndamë me një: “shihemi”. Në buzëqeshjen  e tij gjithësesi lexova qartazi një nxitim e mërzi të hidhur. Sigurisht, Lenci kishte ardhë për të dyzetat e nënës, Zanës, të takonte gjithashtu dhe motrën e tij, e cila jetonte deri më dje së bashku me nënën, por, që në vazhdim do i duhet të jetoj vetëm me veten. Gjithësesi, nuk e di se çfarë ndjenje faji dhe brenge e ka detyruar të vari veten! Nuk them as se ka bërë një veprim të pamatur e të pamenduar, por si nuk gjeti në çastin pa çast një motiv për t’u penduar?! Ndoshta nuk mundi të duronte dot mungesën e nënës, trishtimin e vetminë e motrës së sëmurë, apo dhe ndoshta mungesën e një lidhjeje të vet me ndonjë vajzë, ai i di arsyet. Sidoqoftë, rrethanat, morali, sedra, vërtet të vret, po pse kjo duhet ta shpierë njeriun e ndershëm të marrë përsipër përgjegjësi të padëshiruara? Unë nuk kam dëgjuar deri më tani ndonjë të korruptuar ose krieminel, që edhe për veprime tepër të jashtëligjëshme, të ketë varur veten. Apo mos vallë zemra të lehtësohet kur bën atë që duhet? Se di, se kam lexuar kund këtë mendim.…Sidoqoftë, Lenci më qe dukur një djalë i përgjegjshëm, i qetë, me norma dhe i shoqërisë. Për këtë do kisha pranuar më mirë të vetëpranonte t’i nënshtrohej vuajtjes shpirtërore se sa të bënte një gjest të till në dukje fisnikërie. 

    Teksa ende po pres, te stacioni i linjave urbane, shumë pranë meje, vërej qytetarë që hypin e zbresin zhurmshëm nëpër furgona. Po dëgjoj se një djali të ri, te të 20-at, i paska rënë të fikët, mu para njerzve. U dëgjua të thonë se e ka nga të pangrënët. Për këtë dikush i ofroi ujë. Vura re se dikush tjetër i dha menjëherë një “Belino”. Nuk di si ta quaj këtë ditë: të veçantë a të zakonshme? Po ndjej një mpirje të përgjithëshme të trupit. Sidoqoftë shoku ende s’po më vjen. Desha të largohesha dhe nga ajo tabelë, por nuk mundja. Por nuk dua të jem as pre e ndonjë zemërimi. Sepse nuk di kujt duhet t’i zemërohem. Fundja, s’kemi pse dridhemi nga dëshpërimi kur e dimë se sot jeta as në dukje nuk ka ndonjë kuptim. Me këtë nuk dua të them: Vrisni veten, por ju them të mos bëni veprime të pamenduara e të pamatura pavarësisht se jemi përballë një jete të ndyrë. Sepse askush nuk do t’ja dijë për ju.

    Dëshpërimi më iku, por jo kujtimet për Lorenc Ç. Tani do të ulem  tek ai stoli aty  dhe do të pres të më vij shoku. Nuk kam pse zemërohem për vonesën e tij, sepse si duket, jam unë ai që ka dalë në takim më shpejtë nga ç’duhet. Fundja, deri sa jam përballë me Lencin, shoku le të vij kur të doj.

    Eh, more Lenci!…Ja, prapë u mërzita! Por kësaj rradhe jo me Lencin, sepse një ditë të gjithë do i thonë lamtumirë kësaj jete.  As i mërzitur me vetveten, nuk kam arsye. Por jam në armiqësi me kohën që po i bën njerzit të jenë varre të gjalla, të pakuptueshëm e të pamëshirshëm edhe me veten e tyre.

    Ndërsa dua të qetësoj disi emocionet, para syve m’u rishfaq njoftimi mortor: “Përcjellja e të ndjerit për në varrezat e reja të qytetit, bëhet direkt nga morgu. Nisja më orën 10 ”. Ç’ironi!…Direkt nga morgu!! Po ku janë turmat e njerzve për të përcjell të ndjerin sipas zakonit? Apo mos vallë janë duke përcjell vetveten? Më vjen për të qeshur. Më vjen të qesh me sociologët për të mirat e “socializimit” shoqëror. Po nuk e di a duhet ta bëj?

    Hodha shikimin mbi ngjyrat e pallateve dhe hijet e rrugicave që kam përballë. Sa i urrej hijet e rrugicave! Ndërsa largova shikimin nga hijet, por edhe nga ngjyrat, mendova: “Ndoshta kam kohë. Po të nxitoj, ndoshta mbërij”. Rëmbimthi pashë orën: 11 e 13 minuta.  Ehh, tani është pak si vonë! Më vjen inat me veten që e lash kohën të ma rrëmbenin mendimet. Vështroj përsëri ambjentin për të larguar plogështinë që më ka kapur. Kësaj rradhe, ambjenti përballë më duket si ato pikturat dadaiste. Sidoqoftë, qartazi po shoh shokun që po afrohet drejt meje duke më buzëqeshur. Sa mirë është kur për disa gjëra nuk di asgjë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË