More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një gënjeshtër e bardhë", tregim nga Piro Milkani

    “Një gënjeshtër e bardhë”, tregim nga Piro Milkani

    Në vitin e dytë në Fakultetin e Filmit në Pragë u ngarkova të bëja kamerën në një film dokumentar me titull “Para se të zbardhë dita”. Bëhej fjalë për ndërmarrjet dhe  jetën e njerëzve që punojnë në turnin e tretë në një metropol si Praga. Shkurt, ishim të detyruar të xhironim ose në muzg ose natën. Duke vendosur në parasol një filtër gri të shkallëzuar, po xhironim një skenë pranë një stacioni tramvaji, ku njerëzit hipin e zbresin në vagonë. Si kudo në botë, edhe në Pragë, në një skenë xhirimi nuk mungojnë asnjëherë kureshtarët që duan të dinë se ç’po ndodh. Në pritje të momentit më të volitshëm për xhirim, qëndroja pranë kamerës së vendosur mbi një stativ. Një vajzë kureshtare më afrohet dhe me zë të ulët më pyet se ç’po bëjmë. I them me dy fjalë se në këtë dokumentar do të fiksohen zjarrfikëset që qëndrojnë në gatishmëri, urgjencat shëndetësore, furrat e bukës etj. Por, nëse do të dijë më shumë për këtë film, le të vijë nesër në orën shtatë të mbrëmjes po këtu dhe do t’i tregoj të tjera ndodhi kureshtare rreth filmit të ardhshëm.

    Që në shikim të parë më pëlqeu. Kishte flokë të zinj korb dhe me shumë kaçurrela, sy të bukur dhe zë të ëmbël. Pa asnjë hezitim, premtoi se do të vijë të nesërmen në orën e caktuar dhe u largua pa e zgjatur shumë.

    E dija se të nesërmen nuk isha i angazhuar me xhirime dhe me mendje përpunova itinerarin që do të përshkoja me të. Pas kaq shumë vjetësh që kanë kaluar nga ajo mbrëmje, nuk më kujtohet se si quhej, por më ka ngelur në mendje portreti i saj. Vite më vonë më kujtohej sa herë që shikoja të këndonte në televizionin italian një këngëtare me flokët kaçurrela e të pleksura si një mullar bari. Quhej Marcela. Kështu i thërrisnin edhe vajzat shqiptare që imtonin krehjen e saj.

    Nuk kaluan as pesë minuta, kur e dallova që po vinte drejt meje. U përshëndetëm dhe nisëm të ecnim andej ku e kisha menduar që më parë se do të shkonim. Shëtitja nëpër rrugët gjysmë të zbrazura të Pragës vazhdoi rreth gjysmë ore kur morëm të përpjetën e rrugicës që të çonte në kodrën e Petzhinit, një kodrinë e mbuluar me shkurre e pemë që ndodhej në zemër të Pragës. Ishte vendi i takimit të çifteve të reja të cilat, për hir të së vërtetës, nuk i bezdiste kush.

    Muzgu tashmë kishte rënë mbi qytet dhe lampionet e gazit ishin ndezur edhe në rrugicat romantike të parkut. Deri në atë moment goja ime llafazane nuk kishte lënë gjë pa treguar jo vetëm për filmin, por edhe për veten time. Ajo tashmë e dinte se nga isha, se në ç’vit të fakultetit studioja, se ku banoja e budallallëqe të tjera. Kur lamë lampionin e parë dhe po i afroheshim të dytit, i vura lehtësisht krahun rreth belit. Për çudi, nuk kundërshtoi. Më vonë, kur lampionet filluan të rrallohen dhe të shfaqeshin zona më të errëta, guxova për më shumë, derisa erdhi edhe puthja e parë. Po në atë moment u prish gjithë poezia e asaj mbrëmjeje. Nga flokët e asaj vajze ma goditën nuhatjen të gjitha erëzat e një gjelle pikante. Spec, hudhër e majdanoz, të përziera bashkë, çatalluan mukozën e nuhatjes sime. Nuk mundesha. U largova me delikatesë dhe pas pak e pyeta:

    – Më fal, por nuk të pyeta se çfarë pune bën?

    – Jam ndihmëskuzhiniere. E fillova punën në dy pasdite dhe duhej ta lija në orën dhjetë, por, kur i tregova shefes se kam një takim me një kineast, pa një pa dy më dha leje, por me një kusht: do të më duhet t’i tregoj nesër se si kaloi takimi i parë.

    Kineast pa kineast, për mua çdo gjë kishte marrë fund. Nuk mund t’i afrohesha më. Po si të shpëtoja nga kjo gjë tani që isha në mes të pyllit? Normalisht, një herë në dy-tre muaj u dërgoja letër prindërve të mi në Korçë. Por kohët e fundit e kisha shkelur këtë rregull. Duket se mamaja ishte merakosur, ndaj sot në mëngjes më erdhi telegram nga Shqipëria. I shkurtër dhe preciz: LAJMËRO SHËNDETIN. GINA (lexo Xhina). Mamaja ime quhej Mangalina, por shkurt jetë e mot e thërrisnin Gina. Shpëtimi im do të vinte nga telegrami i mamasë. Aty për aty, e pyeta:

    – A e njeh Gina (Xhina) Lolobrixhidën?

    – Jezhish Maria! Po kush nuk e njeh yllin e kinemasë italiane?

    – Tani do të të lutem të mos bërtasësh nga habia. Ti do të çuditesh, por unë jam djali i saj.

    Buzëqeshi lehtë dhe tundi kokën si për të thënë: “Ç’janë këto marrëzira.” Nxora nga xhepi i xhaketës telegramin dhe ia tregova.

    – A është ky që mbaj në dorë një telegram? – Tundi kokën në shenjë pohimi. – A shkruhet këtu emri im? Po këtu poshtë a nuk është emri i saj, Gina?

    U hutua fare dhe deshi apo nuk deshi nuk tha: “Po si ka mundësi? Ti je shqiptar.” Më duhej ta çoja lojën deri në fund.

    – Por ti nuk ke si ta kuptosh se çfarë shkruhet këtu. Ajo kërkon që ta marr në telefon sa më parë. Dhe unë që e humba toruan ngaqë kisha takim me ty. A do të më japësh leje të shkoj me vrap në postën qendrore për ta telefonuar?

    – Sigurisht! Por me një kusht. Ti bësh të fala nga unë.

    – Patjetër. Atëherë nesër takohemi përsëri në të njëjtën orë e në të njëjtin vend.

    I putha dorën dhe ia dhashë vrapit.

    Të nesërmen, i bindur se nuk ia vlente të shkoja në takim me të, qëndrova në dhomë dhe isha shtrirë duke lexuar një libër. Vashku, shoku i dhomës sime, kishte shkuar në Brno të shihte nënën e tij të ve. Duhet të ishte ora shtatë e gjysmë, kur dëgjoj një trokitje në derë. Pa e zgjatur, i bërtas se mund të hyjë. Hapet dera dhe hyn një shok çek konviktor. Futet në mes të dhomës dhe fillon të tundë kokën në formë qortuese. Nuk po kuptoja asgjë, ndërsa ai në heshtje vazhdonte tundjen e kokës, derisa e pyeta:

    – Si është puna?   

    – Mashtrues! Don Zhuan! Gënjeshtar!

    – Po pse gjithë këto epitete?

    E kisha vërtet seriozisht se nuk po kuptoja gjë.

    – Këtu pas teje, jo më larg se tridhjetë metra, të portineria, një kaçurrelëse flokëzezë pyet këdo që kalon: “Ju lutem, a e dini dhomën e Piro Milkanit, djalit të Xhina Lolobrixhidës? Kisha një takim me të, por nuk e kuptoj pse nuk erdhi.”

    Atëherë u kthjellova. Më kishte dalë fare nga mendja dhe kisha harruar që ia kisha dhënë me gojën time të gjitha koordinatat. U ngrita nga shtrati, u ula në gjunjë në mes të dhomës dhe me përulësi iu betova:

    – Të jap fjalën ty dhe gjithë shokëve të tjerë se nuk kam për të gënjyer më asnjë vajzë. Vetëm, të lutem, më shpëto. Shko thuaji se nuk jam në dhomë. Të lutem!

    Dhe ashtu u bë. U ula pranë komodinës dhe fillova t’i shkruaj letër asaj që më shpëtoi nga një situatë e pakëndshme, Gina Milkanit. Për historinë me ndihmëskuzhinieren, sigurisht, nuk u shkrua as edhe një rresht. Por premtimin e mbajta. Nuk më kujtohet se kur kam trilluar ndonjë gënjeshtër tjetër të bardhë. Apo ndoshta asnjëherë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË