Me botuesin e gazetës ExLibris, Bujar Hudhri, u takuam në konferencën kushtuar shkrimtarit Martin Camaj, në vitin e 100-vjetorit të lindjes së tij. “Çfarë ke në atë dosje?” – më pyeti miku im. “Ah, çfarë rastësie. Nga një ditar shumëvjeçar që kam mbajtur, kam veçuar copëza shënimesh për Ismail Kadarenë. Ai më propozoi që t’i botonte në ExLibris.
Ja ku janë…
7 nëntor 1971
I tregova kryeredaktorit Minella Dalani një anekdotë për poezinë e sotme shqipe:
“Poezia e sotme shqipe ka tre poetë në zë. I. K., D.A dhe Ll.S. Kadareja ka hypur në një majë mali dhe rrukullis gurë metaforash. Atë vetë nuk e sheh njeri dhe gurët s’mund t’i dallosh se ç’lloj janë… Veç zhurmën e rrukullisjes e dëgjon kushdo. Dritëroi ka qëndruar në një brazdë ugari dhe po dredh një cigare me një fshatar. Duhani është i fortë dhe aroma e tij e mirë përzihet me erën e tokës. Llazar Siliqi ka hypur në ballkonin e një shtëpie dykatëshe dhe mban fjalime.”
Kryeredaktori qeshi dhe pastaj tha:
-I shpikni vetë ju, dhe pastaj ua vishni të tjerëve.
Kishte të drejtë.
19 maj 1973
Sot, në uzinën “Traktori”, u bë diskutimi për romanin e Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Arsyeja pse u bë atje, me punëtorë dhe intelektualë të uzinës, është se aty Ismaili po bën stazhin e pranimit në Partinë e Punës. Romanin e kisha lexuar që në proçesin e shtypjes, në boca. Por tani e rilexova librin e publikuar. Ndërkohë që lexoja romanin, lexoja edhe kritikat që botoheshin në shtyp; në “Zëri i Rinisë”, “Drita” etj. Duke e lexuar, anash bëra shumë shënime, në formën e replikave me ato kritika që kisha lexuar në gazeta, apo edhe ato të bisedave të shumta që bëheshin nëpër mjedise të ndryshme.
Që në krye të romanit kam shkruar:
“Romani shqiptar me densitetin më të madh.”
Dhe ja disa nga anëshënimet:
“Romanin po e lexoj përsëdyti dhe pas dy ditësh do të shkoj në një diskutim në uzinën “Traktori”. Ç’do të thonë punëtorët?…”
“Deri këtu asgjë shqetësuese. Asnjë arsye “për t’u revoltuar” Më tej?!…
“A nuk është ajo Shqipëria e vaditur me gjak?…”
“Pikëpyetje: 1. Paralelizmi midis filmit të plazhit të Besnikut dhe filmit të Enver Hoxhës.
2. Përse, sipas Xanit, Enveri ka një mërzi të madhe? “As pakënaqësi e prodhimit të keq (kujto grurin) as shtrembërime udhëzimi e bile as shkelje ligjëshmërie”
3. Pjesë e bukur, por më kujton diçka nga N. Ostrovski, “kur postjeri i vjetër shënon telegramin e vdekjes së Leninit.”
“A mund të ketë diçka fyese këtu, sidomos në fjalën e fundit?…” (ministër… istër… min… stër…)
“A është gruri gjëja kryesore, apo shfaqje konkrete e luftës ideo-politike?” “Me grurin armiqtë janë munduar të na merrnin gjithçka tjetër. Ne u kemi dhënë përgjigjen e Sulos.”
“Gjithnjë ka njerëz që presin “kohë të vështira” (Që ata të rivlerësohen.)
“A mundet të mos ketë diçka simbolike në aparatin e kobaltit, në “Kronikën” e tij? Po çfarë pikërisht? Vetë Kadareja, kur e pyeta në një takim me ushtarët në Zall-Herr, tha: “kam dashur të them se në një spital është një aparat kobalti që shëron njerëz”. Vetëm kaq?!
“Me sa duket çdo gjë po qartësohet me Benin. Kur koha të thërrasë, edhe ai do të jetë në gjendje të bëhet si Kristaqi etj.etj.”
“Larg çdo skematizmi, por pa kapërcyer sensin e masës.”
Disa anëshënime janë veç me pak fjalë:
“Bukur!”
“E mrekullueshme!”
“E thjeshtë dhe e madhërishme atmosfera” Më tej:
“A mund të thuash se bëhet fjalë vetëm për grurë? Aspak jo! Fjala është për të fluturuar. Idiotët kot revoltohen me Ismailin! Ai di ç’thotë.”
Dhe aty ku Ismaili shkruan “E megjithatë s’është puna e grurit…” unë, duke polemizuar me “ca ideologë” që dërdëllonin për “polemika ideologjike e jo për grurë”, kam shënuar (faqe 114) “Epo ç’doni tjetër?! Nuk ka më shqip!”
Diku-diku:
“Ç’doni më tepër?”
“Ja, e gjitha!”
“Akoma më qartë!”
“Gjithçka është e qartë. Madje shumë e qartë!” “Deri tani… Ndoshta tani fillon dimri i romanit?!”
“Zgjimi i ëndrrave të botës së vjetër, i ëndrrës së përjetëshme të përmbysjes dhe i pamundësisë së realizimit të kësaj ëndërre jepet shumë saktë. Ismail Kadareja hyn pikërisht në atë botë përplasjesh.”
Aty-këtu kam shënuar:
“E natyrshme.”
“Të nervozon! Nuk gjen mënyrë tjetër?!”
“Qerrata!” (Janë ato pasazhe ku Kadareja u jep frazave dykuptimësi.)
“Ç’do më shumë!”
“Bukur!”
I mbushur me këto, sot vajta në uzinën “Traktori”. Ismaili kishte pyetur Shpresa Kamanin: “A do të çoni njeri nga gazeta?” Dhe erdhi Shpresa te zyra ku punoja unë.
“E lexove romanin?” – më pyeti.
“Po.”
“Të pëlqeu?”
“Shumë.”
“Po atëherë pse rri? Pse nuk e mbron Ismailin?”
“Unë? Po si ta mbroj?”
“Shko në uzinën “Traktori”. Dëgjo punëtorët dhe shkruaj.”
“Po a ma botojnë?”
“Do ta botojmë.”
Dhe pastaj i kishte thënë Ismailit: “Do të dërgojmë një djalë të mirë që e do romanin e të do edhe ty.”
Këto m’i tregonte vetë Shpresa. Ajo më tregonte se ato ditë Ismailit i bëheshin dhjetra telefonata e letra anonime me sharje e kërcënime. “A duhet të veprohet kështu me shkrimtarin tonë më të mirë?”
Sulmet e ashpra kundër Ismailit nuk bëheshin vetëm në gazeta, por edhe në zyra të mëdha e të vogla. Nuk do ta harroj zërin dhe lëvizjen e kokës me inat bualli të një kolegu që më tha: “U thye më në fund edhe qypi i Kadaresë!”
Në këtë atmosferë dramatike unë shkova në uzinën “Traktori”. Takova Ismailin. Me të ishin Moikom Zeqo, Thanas Dino e një tjetër që nuk e njihja.
Diskutimi vazhdoi gjatë. Kur mbaroi, Ismaili më pyeti:
“Çfarë do të shkruash?”
“Do të pasqyroj me vërtetësi ato që u thanë, folën saktë dhe me shumë dashuri, më duket mua, apo jo?” – i thashë.
“Po, po,” – tha ai dhe më kërkoi që fundin e shkrimit, lidhur me fjalën e tij përmbyllëse, ta bënte ai vetë. Ishte kënaqësi e madhe për mua, pa më shkuar në mendje se çfarë do të ndodhte më tej. Të nesërmen, kur po e mbaroja shkrimin, ai më dërgoi katër fletë e pak gjysmë A-4, të cilat i përfshiva në fundin e shkrimit.
Por peripecitë filluan të nesërmen, pasi e mbarova shkrimin. Duke shfrytëzuar mendimet më të mira të punëtorëve unë e mbroja romanin në aspektin themelor; në temën e tij qëndrore. Natyrisht edhe vërejtje kishte. Në atmosferën e atëherëshme rreth Ismailit, shkrimi im ishte nga më të mirët për romanin. Shpresa e pëlqeu. Po ashtu edhe Ibrahimi (Ne të tre ishim adhuruesit më të flaktë të Ismailit në redaksinë e gazetës “Puna”). Minella bëri ca shkurtime, ca rrumbullakosje. Dhe kur unë prisja që shkrimi të nisej për në shtypshkronjë, pashë Minellën që zbriti në katin e tretë. U mblodh tërë Sekretariati i KQ të BPSH rreth shkrimit tim. Dhe vendosën: të mos botohet! Nga sa dëgjoja pëshpëritjet, Tonin Jakova, jo vetëm që kishte folur kundër romanit, por qe hedhur edhe kundër shkrimit e kundër meje. Pashë tërbimin e burokracisë kundër Ismail Kadaresë, i cili shkruante kundër vampirëve burokratë të pushtetit.
Ç’do bëhej me shkrimin?
Nuk e di se nga erdhi porosia: të çohet për botim në gazetën “Drita”. Kryeredaktor ishte Duro Mustafaj. Shkova në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku ishin zyrat e gazetës “Drita”. Atje më priste Ismaili. E lexoi shkrimin dhe i pëlqeu. Ia çova Duros.
-Do ta botojmë me firmën tënde, – më tha ai.
-Porosia është ta botoni pa firmën time, – i thashë.
-Jo, do ta botojmë me firmë.
– Aq më mirë për mua, – i thashë. – Por me firmën time do të botohet pa i hequr e pa i shtuar asgjë nga ato që kam shkruar unë.
E lexoi.
-Kështu nuk e botoj, – tha Durua.
-Pse?
-Po ky është kundër artikullit që kemi botuar ne për romanin.
-Pastaj?
-Si, do t’i kthehem vetes unë?!
-Unë s’pranoj asnjë ndryshim, asnjë shkurtim dhe asnjë shtesë.
Durua mori Pipi Mitrojorgjin, Shef i sektorit të shtypit në KQ të Partisë. Ia shpjegoi mosmarrëveshjet tona. Më foli edhe mua, me ton mirëkuptues.
-Po të dojë Durua ta botojë siç kërkon ai, le t’i vejë emrin e tij. Unë firmos për ato që shkruaj unë, – i thashë shefit të shtypit në Komitetin Qendror.
Erdhi edhe Ismaili në zyrën e Duros.
-Pse nuk e botoni shkrimin, siç është? – i tha Duros… Ai nuk iu përgjigj!
E lashë aty shkrimin dhe ika. Pipi tha: “Ta shikojmë”. Por shkrimi nuk u botua.
– E ke thënë bukur në roman, – i thashë Ismailit – Çdo gjë madhështore lind me dhëmbje.
Atmosfera kundër Ismailit u ashpërsua. Telefonatat vazhdonin. Zilja e derës binte. Sharje. Fërkime ziliqare të duarve. Deri sa një ditë foli shoku Enver në Elbasan. “Romani, në thelb, qëndron!”
Armiqtë e letërsisë së vërtetë u rrudhën. Romani i Ismailit nuk qe libër i vitrinave, por barrikadë lufte për çdo gjë njerëzore, kundër dhjamjes së burokratëve, kundër trajtimit të Shqipërisë si një provincë perandorie, kundër gjeneralëve që kërkonin t’ia hipnin në zverk popullit. Prandaj ata e urrenin Ismailin. Ndjenin tërmetin si minjtë e fushës.
Fundin e shkrimit tim “…Në takim foli edhe shkrimtari Ismail Kadare… etj.” e formuloi vetë Ismaili, ku ai ka dhënë, në esencë, tërë qëndrimin e tij për romanin e vet dhe kritikën që i bëhej atij. Një qëndrim i zgjuar e dinjitoz. Do të vazhdoj t’i ruaj ato fletë sepse i konsideroj me vlerë të veçantë.
Ja si e mbyllte Ismaili “shkrimin tim”:
“Në fund e mori fjalën shkrimtari Ismail Kadare. Ai falenderoi punëtorët, teknikët dhe inxhinierët e uzinës për organizimin e këtij takimi, i cili u bë në një atmosferë kaq të gjallë dhe që ishte aq i vlefshëm për të. Ai falenderoi gjithashtu diskutantët për vlerësimin që i bënë librit të tij si dhe për ato kërkesa dhe sugjerime që parashtruan ata, në mënyrë që ky libër ta lozë edhe më mirë rolin e tij. Autori i romanit tha se për të kanë qenë gjithmonë të dobishme kontaktet, se disa herë nga këto kontakte shkrimtari mund të përfitojë po aq, në mos më tepër, se nga kritika letrare profesioniste. Ai tha se për të, ashtu si për shumicën e shkrimtarëve, rishikimi i veprës pas botimit është një proçes normal pune dhe këtë gjë ai e ka bërë me shumicën e veprave të tij. Është e natyrshme, tha ai, që për një vepër shumëplanëshe dhe komplekse, si romani për të cilin porsa diskutuam, ka gjithmonë vend për të parë diçka dhe për të sheshuar diçka.
Ai tha pastaj se ishte dakord me shumicën e diskutimeve që thanë se nuk është e nevojshme që klasa punëtore të zinte një linjë të veçantë në roman, sepse në fund të fundit e gjithë kjo luftë që bënte partia, bëhej pikërisht për të mbrojtur interesat e klasës. Nga ana tjetër romani përshkruan vetëm fillimin e bllokadës për të cilën do të shkruhen e duhet të shkruhen vepra të tjera ku të tregohet se si e mbajtën peshën konkretisht klasa punëtore apo fshatarësia, sipas detyrës që mund t’i vejë vetes çdo shkrimtar.
Megjithatë, – tha autori i romanit, – në libër ka mundësi të theksohet më tepër prania e klasës, brenda konstruktit të tanishëm të veprës. Ai tha gjithashtu se do të rishikojë me kujdes ato momente në roman ku mund të ndihet një farë rënie e tonit epik-madhështor (p.sh. linja e të rinjve, apo ndonjë moment tjetër). Ai tha se këto do të jenë retushime apo plotësime që do të bëhen brenda strukturës ekzistuese të veprës, strukturë të cilën ai nuk ka ndërmend ta ndryshojë.
Shkrimtari tha pastaj se ishte një kënaqësi e vërtetë të merrte pjesë në një takim të tillë, ku ndihej menjëherë jo vetëm pjekuria ideo-estetike e punëtorëve, teknikëve dhe inxhinjerëve të uzinës, por edhe një shije shumë e mirë artistike.
Në fund të takimit përfaqësuesi i komitetit të Bashkimeve Profesionale të uzinës e falenderoi autorin në emër të punonjësve duke i uruar suksese të mëtejshme në punën letrare.”
S’ke çfarë të shtosh. Të tëra i tha qartë.
9 shkurt 1985
Disa herë është folur te ne për disa shkrimtarë që pak merren me ndërtimin e socializmit dhe shkruajnë për “antikitetin”. Madje Ismail Kadareja iu kundërvu edhe vetë plenumit të Shkrimtarëve, kur novela e parë që botoi pas këtij plenumi (ku u kritikua për mostrajtimin sa duhet të temës aktuale) ishte një novelë për dy shkencëtarë që vijnë të studjojnë legjendat tona në një mjedis krejt pa kulturë. Po ku lindën pra këto kryevepra? Aty, madje, Kadareja e quan Shqipërinë “vendi i fundit” ose “i vetëm” homerik. Mos do të thotë se Shqipëria është vendi i fundit, ose “i vetëm” socialist? Gjynah mos bëfsha, por hajde merre vesh gjuhën e Kadaresë. Hajde merre vesh se çfarë përfytyron ai me “Pallatin e Ëndrrave” të Stambollit që realisht kurrë nuk ka ekzistuar. Për çfarë e shpiku pra këtë pallat?! Nuk është vështirë të kuptohet. Unë njoh vetëm një mjedis si ai që përshkruan Ismaili.
Koha do ta tregojë qartë këtë.
24 mars 1985
Në revistën “Nëntori” (Nr.1) lexova novelën e Ismailit “Nata me hënë”. Pas kaq kohe i penguar, nxorri diçka në dritë (Shkoi e botoi edhe një tregim në revistën “10 Korriku” apo “Në shërbim të popullit” për të cilin thonë se ia ka veshur Sabri Godos). Pra, “Nata me hënë” pas një heshtjeje të gjatë – me dy romane që nuk ia botojnë (!!!) E ç’është kjo natë me hënë? Natë e Ismail Kadaresë, ndoshta. Shkruar bukur. Siç mund të shkruajë ai. Diku, në mjedisin e një ndërmarrjeje, një furtunë thashethemesh rrethon një vajzë të ndershme. Në vorbullën e ngjarjes përfshihen të gjithë, përveç drejtorit. Dhe puna arrin aq keq saqë vajzën e detyrojnë të kërkojë te mjeku një dëshmi virgjërie. (Të kujton edhe vezën e Shën Mërisë ose Shën Marianës – se Mariana është heroina e Kadaresë.) Madje ajo e merr atë dëshmi dhe pastaj e gris. Këtë Kadareja e konsideron si kulmin e emancipimit.
Për kë është ky kulm?! Mariana dhe të tjerët. Ajo nuk përfill asgjë. As ata që e donin figurën e saj të pastër. Ç’janë këta që e çuan Marianën deri te mjeku i “virgjërisë”?! Kaq e pamundur është që një vajzë të afirmojë figurën e vet, por u dashka edhe dëshmia e Shën Mërisë?! Që edhe mund të ndodh kështu në një apo njëqind raste, s’ka dyshim. Por pse merret Kadareja me këtë të vërtetë jetësore?! Është një kohë e humbur të merresh me novelën e Kadaresë, si të tillë. Me siguri, ka diçka tjetër. Pas çdo gjëje që shkruan Kadareja unë shtroj pyetjen: Ç’don të thotë me këtë? Çfarë ka menduar pas kësaj perdeje që na hedh në skenë? Mos e ka shkruar për “virgjërinë” e vetvetes në letërsi?!
Një sinjal u dha një herë: Ç’është “Pallati i ëndrrave” që krijoi Kadareja me fantazinë e tij? Cili është ky popull që rropatet me ëndrra?
Mandej merret me ata dy homerikët që vijnë në Shqipëri, në një mjedis injorantësh, të cilin e quajnë “vendi i vetëm ku jeton ende eposi homerik”, por që s’ka pse mos të përkthehet si “vendi i vetëm ku jeton ende socializmi” dhe ç’do të bëhet më tej?! Vjen pastaj romani i pabotuar “Gjakftohtësia” ku thonë (unë nuk e kam lexuar) se me mjeshtri damkosen politikat kineze. Po pse nuk botohet romani? Sepse shumë gjëra tingllojnë jo për Kinën, po për vetë Shqipërinë. Merret me turqit, merret me kinezët troket në një qiell me pluhur. Tani vijmë te Nata me hënë. Tërë kjo periudhë ka kaluar për Kadarenë pa botuar ndonjë gjë serioze. Nuk e kanë lënë. Aq më tepër që në Plenumin e Lidhjes para dy vjetësh u kritikua me emër dhe rreptë, por edhe pa emër nga shoku Ramiz Alia. Pra, gjatë këtyre dy-tri vjetëve krijimtaria e Kadaresë po përjeton një farë krize. Rreth tij është endur një mjegull. Pse nuk shkruan? Pse kërkon vendstrehim në temën e së kaluarës? Pse ky apo ai roman nuk u botua? Një barrë me pikëpyetje mbi shpinën e shkrimtarit! Atëherë ç’duhet? Një dëshmi virgjërie?! Qofsha unë i gabuar, por novela “Natë me hënë” nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të mbrojtur vetveten, për të ngushlluar vetveten, se ndryshe asqë do t’i shkonte në mend Kadaresë të merrej me një Marianë. Dhe thelbi: Mariana gjatë tërë shtjellimit të ngjarjeve akuzuese për figurën e saj morale, manifeston një mospërfillje të dukshme ndaj mjedisit, madje edhe ndaj atyre tre-katër vetëve që e duan. Mospërfillës ndaj kësaj shoqërie më shumë është Kadareja se sa Mariana e tij.
Së fundi: Disa herë shtrohet pyetja: Pse Ismaili merret pak me temën e ditës? Duke lexuar një studim të bukur e dinjitoz të Rexhep Qoses për romantizmin e Rilindjes sonë, hasa në një mendim shumë interesant të studjuesit Arnold Hanzer, i cili thotë: “Historia bëhet vendstrehim i të gjithë elementëve shoqërorë, ekzistenca intelektuale dhe materiale e të cilëve është e rrezikuar dhe të cilët janë në zënkë me kohën e vet; para sëgjithash vendstrehim i inteligjencës që tani ndjen se i janë rrënuar shpresat, se është e privuar të drejtash të veta jo vetëm në Gjermani, por edhe në vendet e Europës Perëndimore.” Natyrisht ky mendim i sociologut gjerman është tërësisht për romantikët, por ai ta çon mendjen te Kadareja.
23 tetor 1987
Sot qe dita e dytë e Kongresit të Rinisë. Dita e parë ishte shumë e mirë. Sot ra disi niveli. Por një ngjarje tjetër hyri si pykë dhe trazoi gazetarët dhe emisionet tona të informacionit. Sot erdhi për vizitë ministri i jashtëm gjermano-perëndimor Hans Ditrih Gensher. Erdhi rreth orës 9-930. Pa vendin ku do të ndërtohet ambasada e tyre, bëri bisedime me Reiz Malilen, e priti kryeministri dhe në fund bisedoi e hëngri drekë edhe me shokun Ramiz Alia. Të tëra këto deri në orën katër pa dhjetë. Në katër pa dhjetë bëri një konferencë të përbashkët shtypi me gazetarë gjermanë e shqiptarë. Zgjati rreth 20 minuta. Dhe fill e në aeroport për të ikur brenda ditës përsëri në Gjermani.
Të bën përshtypje një gjë: s’ka kaluar ende një muaj nga lidhja e marrëdhënieve diplomatike dhe ai erdhi në Shqipëri, në një kohë kur ka shtete me të cilat kemi 40 vjet marrëdhënie dhe akoma ndonjë ministër të jashtëm s’ua kemi parë. Duket që edhe në diplomaci e politikë gjemanët janë njerëz praktik, të punës, të qartë në synimet e tyre. Bisedimet zgjatën 12 vjet. Dhe tani, siç na deklaroi Gensher në konferencën e shtypit, duam të fitojmë kohën e humbur.
Në Konferencën me Gensherin ishte edhe Ismail Kadare. Ç’do të shkruajë vallë?
Në një pushim të Kongresit të Rinisë piva kafe me të. I tregova për çka më pat thënë gazetari Eloriaga i “El Paisit” të Madridit. Pastaj i tregova për një faqe dorëshkrim të tij për “Dimrin e madh” që e ruaj që prej 15-vjetësh. Qeshi. Më bëri përshtypje një mendim i tij për pinjollët e emigracionit tonë politik e ekonomik. Shumëve prej tyre u janë zgjuar lidhjet me kombin dhe dëshirojnë t’i forcojnë pa ndonjë synim politik të mbrapshtë. Ndërkohë janë njerëz me pakicë në fusha të ndryshme. Duhet një qëndrim i ri ndaj tyre, më dialektik – tha ai. Po deri ku duhet të shkojë ky qëndrim i ri dialektik?!
Në bisedë, nuk e di në ç’rrethanë, përdori një shprehje shumë interesante: “luftë influencash”. Më duket se e kishte fjalën për influencat pro dhe antishqiptare në shtypin e huaj. Aty këtu po duket se po fitojnë influencat pro-shqiptare. Pararendës është shtypi gjerman.
Tani sapo u dha lajmi për Gensherin. Vetëm mbërritja në aeroport. Asgjë tjetër, megjithëse kanë kaluar rreth 8 orë që nga mbërritja e tij. Ja sa keq punojmë, sa avash ecim.
25 nëntor 1987
Bëmë një takim me Ismail Kadarenë në Këshillin e Përgjithshëm të BPSH. Foli për letërsinë dhe mjaft probleme shqetësuese sociale. Ndërsa fliste, unë mendoja: “Letërsia jonë është një mozaik, që ka në mes një gur të çmuar – Ismail Kadarenë”
26 prill 1988
Kisha shkuar sot në Ministrinë e Jashtme për të takuar Vangjel Mitën, një shok të gazetarisë, që më jep ndonjë revistë në spanjisht. Në korridor takova Ismail Kadarenë. Bashkë me Andon B. (funksionar në Ministri, me të cilin njihem që në zbor). Po shkonin te Sokrat Plaka, “për të marrë udhëzimet”. Ismaili më foli me përzemërsi. Kishte veshur një pardesy që i rrinte e madhe. Sepse m’u duk pak si i drojtur. Njeriu që ka sunduar botën letrare, që Franca mendjemadhe i bie në këmbë dhe çmendet pas 12 librave të tij që ka botuar, që Amerika po i boton tërë veprën me reflektimin “Si është e mundur që ky shkrimtar të na ketë kaluar kaq kohë pa u vënë re?!”, njeriu ynë i shquar i letrave që praktikisht lexohet në tërë botën, përveç B.Sovjetik; ky shkrimtar i madh pra, sepse m’u duk i ndrojtur në korridoret e Ministrisë së Jashtme. Po. Që të shkojë atje ku e thërrasin botuesit e veprave të tij, duhet të kalojë patjetër nga këto korridore.
Sot Ismaili po merrte, mesa duket, dokumentet e nevojshme për në Portugali. Presidenti Soarez e ka ftuar bashkë me 70 shkrimtarë të tjerë më të njohur të Evropës, Brazilit, Amerikës dhe B.S. për takime e turizëm. Tanimë ai është një personalitet botëror. (Le t’i heqim kapelen të gjithë!)
Sot m’u kujtua episodi kur Sabri Godua botoi “Ali Pashë Tepelenën”. Po hynte në “Dajti” bashkë me Ismailin (Atëherë qenë në orë të mira me njëri-tjetrin e më vonë kushedi pse u prishën dhe Ismaili shkroi një novelë diskredituese për Godon e shkretë). Duke hyrë në “Dajti” takuan Shefqet Peçin. Ai takoi me përzemërsi Sabriun, e uroi për “Ali Pashën” etj.etj., ndërsa Ismailit i dha vetëm një gjysmë dore. Kur u ndanë, Sabriu, “për mirësjellje”, i tha Ismailit: “Mos ja verë re. Është nën përshtypjet e Ali Pashës, prandaj u soll ftohtë me ty.” Hidhur, por plot zgjuarsi, Ismaili i tha: “Ta kam falur Shefqetin me gjithë Shqipërinë. Unë kam botën.”
Dhe sot ai e ka botën, që lexon librat e tij.
Unë çuditem madje, pse nuk i japin një pashaportë të përherëshme dhe të bredh ku të dojë. Ai do të bënte për Shqipërinë sa tërë ambadadorët që kemi patur e kemi sot. Pse e lenë të sillet korridoreve të Ministrisë së Punëve të Jashtme që disa zyrtarucë të mendojnë plot zili burokratike: “E shikon, çoç jemi dhe ne. Pa firmën tonë ti s’shkon dot jashtë shtetit.”
Shkrimtari i madh. Dhe nuk besoj të ketë ndonjë tjetër që të ketë patur aq shqetësime sa ai për veprat e tij. Kuptohet, herë-herë, se ç’i shkrep në atë kokën e tij pjellore! Por i kanë rënë në qafë edhe dhjetra herë, kur nuk duhej. Zilia. Burokracia. Mediokriteti. Të mbledhura bashkë në një ushtri pleshtash të bezdisshëm. Vajti aq keq puna sa një palaço, një farë injoranti në fushën e letërsisë, mori guximin të kritikojë dhe “Dimrin e madh”. Ishte tepër fyese. Të gjithë këta tipa nuk e deshën “Dimrin”. Ai u dukej si një traktat çpronësimi për tërë kastën e qelbur. Dhe u munduan ta varrosin. Por nuk arritën. Dhe “Dimri i madh” është sot ai që është e po ashtu edhe autori i tij Ismail Kadareja.
29 prill 1988
Nuk paskam qenë fort i gabuar në përshtypjen time për Ismail Kadarenë. Ia tregova atë një shoku dhe ai më tha: “Ka diçka konkrete në këtë gjë. Kur u botua në Francë novela “Krushqit janë të ngrirë” (apo “Kush e solli Doruntinën”) “Fajardi” e thirri Ismailin për prezantimin e parë të librit. Ato ditë ndodhi incidenti i Tedi Papavramit dhe për këtë arsye nuk e lanë Ismail Kadarenë të shkojë në Francë. Budallallëk. Ppikërisht në ato momente duhej dërguar Ismaili që t’i thoshte botës se nuk është ndonjë zgjuarsi e madhe dhe as meritë të merresh me një fëmijë. Nejse. Më vonë Ismaili shkoi atje dhe u prit me nderim të madh.
Por e kisha fjalën te zyrtarët, në raport me talentet. Kur vajti Ismaili në Gjermani, kërkoi të kalonte vajtje e kthim nga Zvicra. Disa filluan të bënin llogari paratë. Duroi sa duroi dhe më në fund u tha:
“Po bëni llogari me paratë e mia?!” (Shpenzimet e udhëtimeve të tij, bëheshin nga një llogari e veçantë ku depozitoheshin honoraret që vinin nga botuesit.)
E shfaqi vetveten si njeri mospërfillës ndaj njerëzve mediokër. Kjo mospërfillje herë-herë i shkon shumë përshtat, sidomos kur e përdor me shumë zgjuarësi siç di ndoshta vetëm ai…
Kishin ardhur dy grupe franceze xhirimi dhe i kërkuan intervistë.
-Kë përfaqësoni ju? – i pyeti.
–Antenë – 1, tha njeri.
–Antenë – 2, tha tjetri.
-Ti fillo nga puna; ti tjetri shko e transmeto intervistën që të kam dhënë para një viti.
Mospërfillje dhe dinjitet.
Mirë që e kemi. Hija e tij tani është mbase e frikëshme për letrarët e rinj. Ai duket i paarritshëm. Por emri i tij do t’i prijë një brezi të tërë shkrimtarësh.
27 gusht 1988
Dje ishte 50-vjetori i vdekjes së Migjenit. U përkujtua gjerë dhe mirë. U botua edhe një vëllim jubilar nga më të plotët e veprës së Migjenit.
Parathënien “Migjeni ose uragani i ndërprerë” e ka shkruar Ismail Kadare. Sot e mora librin (dje qarkulloi për herë të parë) dhe pasi i hodha një sy fillova të lexoj parathënien e Ismailit. E mahnitshme. Befasuese në mençuri. Thuajse e paarritshme në gjerësi. Dhe tepër e guximshme në thellësi. Kanë shkuar 50 vjet qëkurse Migjeni i ngriti monumentin vetvetes, po të shprehem me Horacin. Por u desh ky gjysëmshekulli që më në fund, me brumin e Kadaresë, të gatuhej e të ngrihej piedestali i këtij monumenti madhështor. Lexoja dhe mallëngjehesha, lexoja dhe mendoja, entuziazmohesha…
Papritur mora telefonin, formova numrin…
-Alo! Familja Kadare?
-Po.
-Vajza jeni!… A është babi?…
Ajo la telefonin hapur dhe dëgjova që foli: “Ju kërkon kryeredaktori i gazetës “Puna”… Namik Dokle…”
Doli Ismaili…
-Si jeni? Braktisa ndrojtjen – i thashë – dhe ju telefonova kohë e pa kohë… Po lexoj parathënien e veprës së Migjenit… Ke bërë një mrekulli.
-Faleminderit shumë, – tha Ismaili entuziast.
-Na kënaqe!
-Kënaqësia është edhe e imja nga këto fjalë…
Zëri i tij qe i butë, tejet miqësor. Me të vërtetë më gëzoi dhe madje duke patur në shpirt edhe dhimbjen për Migjenin tonë të shtrenjtë, u mallëngjeva. Migjeni – një fenomen i paarritshëm për kohën e tij. Po kështu dhe Kadareja për kohën tonë…
Nesër në gazetën “Drita” do të botohet eseja “Hemingueji im” e Gabriel Garcia Markesit. E kam përkthyer nga spanjishtja. Më në fund bëra diçka për të qenë; diçka që ndoshta do të më tërheqë drejt letërsisë së vërtetë. Ndoshta…
19 shkurt 1989
Dje takova Remzi Lanin dhe më tregoi se Ismail Kadarenë e kanë zgjedhur anëtar me korrespondencë të Akademisë Franceze. (Ka rreth një muaj që Ismaili është në Francë me gjithë Elenën.) Ky veprim afirmon me seriozitetin më të madh personalitetin krijues të Kadaresë, përsonalitet që pa dyshim përbën një nga krenaritë e kombit tonë.
Por ja një çudi nga më të çuditshmet!
Akoma nuk është dhënë asnjë lajm në shtypin tonë për këtë gjë. Gjithë bota e di këtë. Madje Tanjuga e dha lajmin, pa e fsheur dot marazin. Ndërsa ne heshtim. Përse vallë?! Kujt i intereson kjo heshtje? Dhe unë nuk e kuptoj ku ka ngecur ky lajm; te Taqo Zotua apo te Miti Tona. Akademia Franceze, me sa dimë është një akademi serioze. Në këtë veprim të saj nuk fshihet ndonjë prapamendim i mbrapsht politik. Atëherë ne s’kemi pse të heshtim. Mos vallë kishte ndonjë ndryshim të madh kur Akademia Suedeze i dha prof. Androkli Kostallarit titullin “Doktor nderi” (apo diçka të tillë) dhe ne e propaganduam? Aq më tepër duhet në këtë rast. Dihet që Franca ka predispozicion prosllav e veçmas projugosllav; Tanjugu qahet për predispozicionin antijugosllav të Kadaresë. Këtu mbi të gjitha kemi të bëjmë me një imponim të personalitetit të Kadaresë ndaj akadmikëve jo pak mendjemdhenj të Francës. Atëherë?! Pse mbahet në hije kjo gjë? Prandaj thashë që në fillim: çudi nga më të çuditshmet.
Por Kadareja është mësuar më këto. Madje, disa veprime mediokre të kësaj natyre sikur e impulsojnë në krijimtarinë e tij. Atëherë: faleminderit shumë, burokratë.
17 mars 1989
Dje u zhvillua një sesion shkencor me temën “Perestrojka – teori dhe praktikë antisocialiste”. Në njërën nga seancat do të kisha ikur, po të mos kishte qenë… dera e mbyllur. Nuk kishte gjëra shumë të zgjuara. Ndërsa pasdite foli shoku Foto Çami. Ishte një fjalim i mirë. Me disa ide të reja, me argumente dhe bindës. Me vështirësi po shkojmë drejt ideve të reja. Presim që këto të na i thonë vetëm udhëheqësit. Po 84 profesorët dhe dhjetra shkencëtarë të tjerë ç’bëjnë? Kemi pak autoritete si, fjala vjen, profesor Buda, Shuteriqi, prof. Çami, prof. Popa etj. Kopetentë në fushat e tyre. Aq sa Leka Shkurti, si me tallje, i thoshte Zija Xholit në pushim:
-Ç’thonë akademikët e rinj?
-Ka jehonë pozitive… veçanërisht për Alfred Uçin, Hamit Beqjen, për Kadarenë…
-Kadarenë jau kujtuan francezët më duket, – i thashë akademikut Xholi.
-Jo, jo…
-Nuk është pa gjë fjala e Namikut – tha Leka.
E vërteta është e qartë. Kadareja për ne është i njohur si i tillë prej vitesh. Po askujt nuk i shkonte në mend ta bënte akademik. Ndonjë studim për krimbin e mëndafshit dikujt mund t’i duket më i rëndësishëm se vepra e Kadaresë. Por kur Akademia Franceze e Shkencave Morale e Politike e zgjodhi midis 60 anëtarëve korrespondentë që ka në mbarë botën (dhe zëvendësoi një akademik francez që vdiq.) atëherë u kujtuan edhe akadmeikët tanë. Më mirë vonë se kurrë, përndryshe Kadareja do t’u thoshte:
-S’kam nevojë për kolltukun tuaj akademik! Ju a kam falur gjithë nderimin e këtushëm. Kam botën.
Sidoqoftë ky është një veprim i mirë. Ai nderon Akademinë dhe jo Ismailin; ajo ka nevojë për të dhe jo Ismaili për Akademinë.
Po pija kafe sot me Bedri Islamin dhe po i mbushja mendjen që të qëndronte në gazetën “Puna” meqë kohët e fundit i është prishur mendja për të shkuar në gazetën “Bashkimi”
Na erdhi në tavolinë Kolë Jakova. U rinjohëm se siç na tha “vazhdoj të shkruaj, por më mundon nga pak arterioskleroza”. Unë e respektoj Kolën, megjithëse nga artirioskleroza e tij m’u varros para 15-16 vjetësh drama “Kufiri midis jetës dhe vdekjes”. Megjithatë ka ditë që mendoj se si t’i kthehem dramës, në ç’formë e në ç’rrethana. Ndoshta e bëj për 45-vjetorin e Çlirimit. Kola pastaj filloi të flas me Bedriun për Naim Gjylbegun (meqë Bedriu e ka dajë) dhe unë nisa bisedën me Petro Markon që sapo erdhi edhe ai aty. U dhashë dhe nga një kafe. Petrua më tregoi për një tregim që kishte shkruar këto ditë. Pastaj kujtoi ditët e tij të bukura kur kishte nxjerrë gazetën ABC, në kohën e Zogut, numri i dytë i së cilës e çoi në burg. Fliste me pasion dhe kujtonte hollësira.
-Me Asim Vokshin e ke nxjerrë?
-Asimi mbante lidhje me abonentët. Në numrin e dytë ne shkruam në kryeartikull se në Tiranë ka e mund të bëhet kushdo kodosh apo ministër, apo diçka të tillë. Na erdhi xhandari. Po qe i mirë se na tha që të fshihnim disa kopje para se të digjej. E bëri këtë se e njihte Asimin. Më morën e më çuan te Etem Totua. “Bolshevik! I shitur te rusët!”, më tha ministri Toto. Atëherë i nxorra mbi tavolinë këpucën e grisur nga më dilnin gishtrinjtë dhe i thashë: “Po të isha i shitur, nuk do t’i kisha gishtrinjtë përjashta”.
Pastaj, Petrua më tha: “Edhe po nuk ke kohë të shkruash, mbaj shënime, tema, ngjarje, ide. Do të mbijnë dikur si filizat!”
2 maj 1989
Kënaqim krenarinë kombëtare kur lexojmë një Alen Boské të shkruajë që Ismail Kadare është ndër 5-6 shkrimtarët më të mirë të kohës. E krahasojmë me bashkëkohës të tjerë. Shohim diku konture më të qarta, disa gropëzime, diku një relief thuajse epik dhe përsëri krenohemi.
Sot, më së shumti, Kadarenë ia përqasim Gabriel Garsia Markesit; për nga suksesi dhe jo për nga mënyra e të shkruarit. (Kadareja më duket se është më filozof dhe do të rrojë ndoshta më gjatë. Për më tepër operon me filozofinë e së ardhmes, ndërsa Markesi me filozofinë e së tashmes). Megjithatë, para pak ditësh lexova një lajm tronditës. Është botuar romani i fundit i Markesit: “Gjenerali në labirinthin e tij” kushtuar viteve të fundit të jetës së Simon Bolivarit (ç’fat pata unë që kalova nëpër disa qytete ku ka jetuar e luftuar Bolivari. Mora avion në aeroportin “Simon Bolivar” të Guajakilit. Pashë momunemte të tij etj.etj.) Romani i Markesit është botuar në edicionin e parë në 700.000 kopje. Të gjitha janë parablerë. Dhe menjëherë janë nënshkruar kontratat që për vitin e ardhshëm të botohet në 39 gjuhë të botës.
Kadareja deri tani ka arritur në 38 gjuhë të botës; që praktikisht “mbulojnë” tërë botën veç kontinentit kinez. Por për këtë iu deshën rreth 15-20 vjet. Markesi e arrin këtë vetëm me një vit. Ritme lemerisht më të larta! E pra Kadareja nuk është më i paktë se Markesi (pavarësisht se unë kam simpati të madhe edhe për të.) Në disa pikëpamje është më i madh. Por “ne jemi fëmijë të epokës në të cilën jetojmë”, ka thënë dikush. Do të shtoja: “Jemi fëmijë edhe të vendeve ku jetojmë”. Spanjishtja e Markesit sundon në një kontinent të tërë. Makina propagandistike e saj është shumë më e fuqishme. Është, do të thosha, një “duel” me armë të pabarabarta.
20 qershor 1989
E hapa ditarin si për t’u çlodhur pas rrëmujës së punëve që kam në prag të Kongresit të 6-të të FDSH. Diskutime, Thirrje etj.etj. hollësira që tani të paktën s’kam asnjë interes t’i përmend.
Po ç’të shkruaj për t’u çlodhur?
“Sikur Gorki të shkruante poezi si Homeri, do të ishte Ismail Kadare”, ka shkruar një gazetë franceze. Bukur. E vërtetë e thënë me finesë franceze. Po Amerika ç’thotë? Ka filluar botimi në seri i Kadaresë në Amerikë. Apdajku bën reçension të shkëlqyer. E krahasojnë me shkrimtarët e mrekullueshëm të shekullit të 19-të në Rusi, Tolstoi etj. Kandidaturë nga më të përshtatshmet për çmimin Nobel. Çdo gjë e mirë që mund të thuhet për një shkrimtar. Kapërcim shekullor nga një vend primitiv, thonë autorë të ndryshëm.
I zgjuar m’u duk konstatimi i një recenzuesi. “Ka në veprën e Kadaresë, thotë ai, një simbolikë që është e vështirë për t’u interpretuar. Por atë, më mirë se kushdo e di shkrimtari i madh shqiptar.” Për mendimin tim, pikërisht këtu qëndron universalizmi i Kadaresë, fara më e sigurtë e gjenialitetit. Dhe gjëja më e mençur që ka pjellur mendja e pashtershme e Kadaresë. Megjithatë jo gjithmonë ka arritur t’ua hedhë “shefave të kuadrit”. Kushedi sa prej tyre i ka zënë dhe i zë kanceri nga madhështia e Ismailit. E në i ka zënë, le të pëlcasin!
27 qershor 1989
Sot ishte dita e dytë e Kongresit të 6-të të FDSH. Shkova. Kisha ftesë vetëm për sot, si të gjithë kryeredaktorët e gazetave periodike.
Seancën e parë të Kongresit e drejtoi Ismail Kadare. E ndoqa me kënaqësi. Kur mbaroi punimet seanca, e takova rastësisht në mjediset e Kongresit.
-Ç’kemi? – tha.
-Na gëzove që drejtove seancën. Dikush më tha: “Sa mirë që e kanë menduar.” Dhe unë i thashë: “Është nder për Kongresin, jo për Ismailin.”
Shkrimtari ynë i madh buzëqeshi në mënyrë të përmbajtur. (Unë po mendoja se fjalët e mia nuk ishin aspak një kompliment. Cilët nga personalitetet tona i ka bërë shërbimin më të madh popullit, për ta bërë të njohur në botë qëndresën dhe vitalitetin e tij?)
Pastaj e pyeta:
-E lexove reçensionin e Amerikës?
-Cilin?
-Atë që shkruante se është fatkeqësi për Amerikën që nuk ka një shkrimtar si Kadareja.
-Këtë e pashë, por më thanë se paska folur edhe para tre ditësh…
-Ja, lexojmë për ty dhe kënaqemi.
-Është e natyrshme; siç mund të kënaqemi edhe për një pingpongist shqiptar…
-Aa, ky është krahasimi më i keq që mund të kesh bërë.
-E kam fjalën në kuptimin e thjeshtë njerëzor, – tha më në fund Ismaili dhe u ndamë.
20 qershor 1990
Me Remzi Lanin pimë kafe në Pallatin e Kongreseve. Më tregoi se, para pak ditësh, shoku Ramiz kishte thirrur në takim gjithë udhëheqjen e rinisë dhe Remziun. Kuptohet për problemet e Plenumit të 10-të. Si po i kupton rinia? Si po reagon e si po vepron?
I kaluar nëpër filtrin e Remziut, shqetësimi kryesor i shokut Ramiz, duket se është rezistenca e heshtur dhe jo e heshtur e disa forcave konservatore për zbatimin e vendimeve të Plenumit. E kishte shpjeguar këtë gjërë e gjatë. Por edhe krahu avanguardist nuk është inekzistent.
Jetojmë kohra delikate. Është arritur deri te parulla “Të jap dy dëshmorë më jep një të arratisur”. E kujt është vallë ajo? E armikut, apo e konservatorit? Gjithsesi është kundër ndryshimeve. Po si mund të jetojmë pa ecur?! Çmimi mund të jetë përvëlues, por duhet duruar si i tillë. Shikoj një gjë shumë pozitive: “pushteti i të privilegjuarve” po shkundet pak nga pak. Prandaj ka pluhur. Prandaj edhe tështijmë. Shëndet!
Ismail Kadareja, në një artikull në gazetën “Drita”, për Eskilin, u hidhet si ulkonjë disa njerëzve të sigurimit që shkelin të drejtat e njeriut. I quan plehërina dhe i krahason me shovinistët serbë. Kush e ka zemëruar Zeusin e Olimpit shqiptar? Thonë se disa prej tyre kanë dashur ta survejojnë: ç’bën, ç’flet, me kë mblidhet. (Ndërkohë ai luante njëfarë loje me kompjuter, në shoqëri me miqtë e tij.) Kë survejojnë?! Ismail Kadarenë?! Sa përkëdhelëse qenka, pra, sharja e tij për këta njerëz, për këta qyrranjozë që mund të dalin vetëm nga hunda e një Koçi Xoxeje a të një Feqorr Shehu! Ata, që si atdhetarë e si “patriotë militantë” janë si mizë përpara një mali si Ismaili. Xhelozi e ndyrë shekullore! Ethe zilije të pështira! Të nderuar do të ishin edhe si baltë e këpucëve të Ismailit. E nga kjo baltë dalin kinezëritë e “ç’jetinçive”. Qënie të pështira që si shushunja pinë gjakun e popullit, gjoja në emër të mbrojtjes së tij. Më thanë se çështjen e kishte marrë vesh shoku Ramiz dhe kishte urdhëruar të merren masa të rrepta. Mirë.
27 qershor 1990
Sot isha i ftuar në Konferencën Kombëtare të Kryqit të Kuq Shqiptar. I themeluar më 1921 dhe i aprovuar në Ligën ndërkombëtare të Kryqit të Kuq më 1923, në vitet 1967-1969 u abandonua krejt dhe gjatë 20 vjetve shteti ynë vetëm pagoi kuotizacionin që i takonte, pa marrë gjë prej tij. Pse u larguam nga një shoqatë kaq humanitare?! Na trembte fjala kryq apo çfarë? Politizim i tepruar. Madje në këtë rast ideologjizim i tepruar. “Nuk kemi nevojë për asnjë ndihmë!” As në zjarr dhe as në tërmet. Por as nuk jepnim për të tjerët. Njëfarë mendjemadhësie e çuditshme. Por vetëm tani na duket e tillë.
Ciril Pistoli, ish –kryetar (në hije) i KKSH-së foli në konferencë. Nuk hyri në analiza, as doli në përfundime. Por tregoi karakterin human të shoqatës. Ishte bindës. Sherri krisi në zgjedhjet. Njerëzit, duke menduar se KK do të ketë një farë aktiviteti ndërkombëtar, donin si e si të futeshin në organet e tij. Manovrat qenë bërë me kohë nën rrogoz. Aq sa dhe Muharrem Xhafa ishte kandidat për në Këshillin Qëndror të KKSH. Por zgjedhjet demokratike me votë të fshehtë, bënë që të hiqeshin shumë nga listat. Muharremi vetë u ngrit e dha “dorëheqje vullnetare”. U hoq Skënder Gjinushi (me votim), Mehmet Elezi e shumë funksionarë të tjerë. Vetëm një njeri nuk pati asnjë votë kundër: Ismail Kadare.
10 gusht 1990
Ramiz Alia u takua sot me intelektualët më të shquar të Tiranës, duke filluar me Ismail Kadarenë e duke përfunduar te Luan Omari a Bardhyl Londo, Muntaz Dhrami a Spiro Dede. Në krah të djathtë kishte Xhelil Gjonin! “Më thanë të bëja një takim intim me 5-6 intelektualë të shquar. Por unë i shtova shifrës një zero dhe jemi mbledhur 50-60. A nuk është përsëri intim takimi?” Një shaka sa për fillim. Pastaj kishte shpjeguar situatën. Përmbysje e plotë e socializmit në lindje. I njëjti skenar dhe për Shqipërinë. Por te ngjarja e ambasadave skenari u ndërpre. Nga Shqipëria nuk kërkohet kozmetikë, por përmbysje e plotë. Këtu qëndron thelbi i kontradiktës tonë me botën e sotme… pas kësaj ekspozeje, pyetja:
– “Dua të këshillohem me ju; ç’të bëjmë? Flota greke është dislokuar në Korfuz. Po unë si Komandant i Përgjithshëm ta lë flotën në Shëngjin?” etj.
Kishin folur I. Kadare, M. Dhrami, S. Berisha, L. Omari, etj. Ishin shtruar shumë pyetje e sugjerime:
-A ka të vrarë në Malin me Gropa?
-Në demonstratën e Tiranës pati të vrarë, pse u tha që pati plagosje të lehta?
-Pse ministri i Sigurimit nuk u shkarkua?
-Pse nuk njoftohet populli për ngjarjet kryesore?
-Pse lejohen privilegjet?
-Pse mbahet akoma neni kushtetues mbi rolin e udhëheqës të Partisë? (“Partia le ta sigurojë rolin e vet udhëheqës me punë, pa nen kushtetues.”)
E shumë, e shumë të tjera.
Kishte pritur me dashamirësi vërejtjet. Madje dhe direkte për vete. I kishte pranuar të tëra sugjerimet, përveç pluripartitizmit. Atëherë mua më lind pyetja:
“Po pse u bë ky takim? Për të thënë se “inteligjenca është me mua? Për alibi politike?”
Mirë që është bërë ky takim. Shumë mirë! Por mua më duket se takimi i madh duhet bërë me punëtorët. Aty janë problemet, hallet e mëdha. Inteligjencia shumë, shumë mund të fermentojë një grusht paqësor shteti. Përmbysjet e mëdha i bën masa. Dhjetë mijë kavajas, pa njeri në krye, tronditën një qeveri të tërë. Probleme të grumbulluara si në Kavajë ka kudo. Ato duhen zgjidhur. Pa këto zgjidhje, fjalët e Ismail Kadaresë apo të Fatos Nano në “Zërin e Amerikës” do të shkojnë si kallaji mbi gunë. Ah, po! E thënë bukur nga Kadareja; po i dhe perspektivën popullit, ai krijon bindje dhe të pret edhe një vit. Pa këtë perspektivë, ai i kërkon zgjidhjet në 24 orë. Këtu lindin turbullimet. A i kemi perspektivat?
25 tetor 1990
Sot përfundoi Konferenca Ballkanike e Ministrave të Jashtëm, në Pallatin tonë të Kongreseve. Ngjarje interesante për Shqipërinë. Hap i rëndësishëm në rrugën për të arritur trenin e fundit për në Europë. Do ta kapim dot apo do ngelemi në peron me valixhen prej druri te këmbët, duke dëgjuar sirenën e trenit që po ikën? Sirenë, moj Sirenë… Bëhu sirenë dhe na prit pak. Prit se erdhëm! Po lemë prapa diçka nga vetja për të gjetur dhe më mirë vetveten. Vallë kështu?!
Para dy orësh e mbylla ditarin dhe tani e mora përsëri. Kurrë s’më ka qëlluar të shkruaj dy herë brenda një dite. Kurrë! Sepse kurrë nuk kam dëgjuar lajm më tronditës: Sot Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë. Madje dhe komentatorit të televizionit të Beogradit kjo gjë i dukej e çuditshme. Lajmin e dha me një mllef kënaqësie, duke mos lënë pa përmendur antijugosllavizmin e Kadaresë dhe të qënit të tij si shkrimtar i përkëdhelur i regjimit të Tiranës.
Ç’mund të dëgjojmë më?! Kjo ikje është më e rënda në tërë jetën e kombit, më e rëndë edhe nga ikja (sikur!) e mijëra shqiptarëve nëpër muret e ambasadave. Ndërkohë jam i bindur se ai do të deklarojë që këtë e bën “për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e kombit, për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të popullit” etj. etj.
Pas “Ftesë në studio”, me sa dukej ai s’kishte ç’të shkruante më për Shqipërinë. Tha gjithçka mundi midis rreshtave. Askush nuk e dëgjoi!!! Tani don ta lëshojë fushave tërbimin e tij… Jo më kot çuditeshin gazetarët e kritikët për simbiozën e tij me kohën dhe rendin shqiptar. Jo më kot dhe jo më larg se para një jave, Qefserja më tha: “Edhe kësaj radhe Ismaili mbase do të kthehet nga Franca, por kur të shkoj herën tjetër, mos e prit më!” Ndjehej, ndjehej shpesh ftohtësia e tij, por kurrë nuk arriti të kthehej në breshër. Shkrinte duke rënë drejt tokës së tij. Binte herë në formë shiu të ftohtë, herë borë e imtë, herë rrëke ujrash të turbullta… por kur nuk arriti të kokërrizohej në breshër. Arriti vetëm sot.
Te “Ftesë në studio” shkruan për Parisin: “Kisha menduar se ky qytet do të më vrasë. Por unë e fitova betejën me të…” Dhe sot?! U dorëzua? Shkrimtarët shpesh shkruajnë atë që kurrë s’e dëshirojnë, të kundërtën e asaj që mendojnë. Beogradi e krahasoi me Sollzhenicinin e Havelin e Çekosllovakisë.
Ej, mo Ismail Kadare! Nëse deri tani edhe të kishim ndonjë borxh. (qoftë edhe i madh!) sepse s’ishim në gjendje të të jepnim atë pasuri, atë lavdi, atë nderim, atë… Ç’të doje ti… nëse s’ta dhamë dot, pra deri tani, e na dhimbte diçka në shpirt për këtë padrejtësi (që nuk është e jona, por e kohës) tani nuk kemi më ç’të themi. E more atë që të takonte. Por edhe ndaj kohës s’ke përse të ankohesh. Ajo s’të dha pasuri e lavde. Por bujarisht të dha dramat e saj, dhimbjet, lindjet e vështira, gjithçka që kishte. A mos vallë ngatërrove një komb e një popull me disa qelbanikë të pushtetshëm? Askush nuk do të kënaqet, përveç atyre qelbanikëve që tani do na thonë: “Iu patëm thënë ne! S’na besuat… Ja tani, pijani lëngun Kadaresë!”
Nuk di çfarë shkrova. Nuk di. Por shkrova me dhimbje.
* * *
Ah, ja… lajmet e orës 1800. I treti apo i katërti, pas një lajmi për një SMT a diçka tjetër të tillë, spikerja, me qetësi të lavdërueshme, lexoi lajmin: “Ismail Kadare dezertoi”. Qëndrim i shkurtër, i ftohtë: “Me këtë veprim të turpshëm ai e vuri veten në anën e armiqve të Shqipërisë dhe të kombit.”
* * *
Ndërsa tani, në orën 22 e 20 minuta, Titogradi dha një lajm tjetër sensacional: Leka i parë Zogu, i vetëquajturi mbret i shqiptarëve, në Paris, shprehu gatishmërinë të takohet me Ismail Kadarenë. Ç’turp! Dhe nuk është çudi që një takim i tillë të realizohet. Te Kadareja bashkëjetonin talenti i madh me ëndërrimet, por edhe me etjen antipushtet. Prandaj ai e urrente aq shumë administratën dhe administrata atë. Prandaj ai u përfshi në vorbullën politike, duke pritur që deklaratën e tij ta jepte për shtyp pikërisht ditën e dytë të Konferencës Ballkanike që zhvillohej në Tiranë. Skenari ishte i gatshëm. Korrespondenti i AFP-së Nikolas Miletiç, që kur erdhi, dha sinjal: “Do kemi ngjarje. Nuk di çfarë, por do të kemi ngjarje.” Dhe kur komunikata ballkanike përfundoi mirë e bukur, jo pa vështirësi, (ministri grek Samaras bëri 22 ndërhyrje, aq sa Budimir Lonçari i tha: Çfarëdo diplomati, i ri apo i vjetër, nuk bën 22 pyetje për të sqaruar vetëm një çështje) pikërisht në atë çast, Nikolas Miletiç përhapi lajmin e azilit kadaresk. Gazetarët braktisën konferencën e shtypit për problemet e Ballkanit dhe u turrën udhëve të Tiranës për të gjuajtur deklarata gjysmake për reprotazhet e tyre sensacionale e të bujshme.
27 tetor 1990
Ismail Kadare. Ftesë në studio. Me një talent të përbindshëm, libri i tij ndërton një jetë të dytë, një botë tjetër, ku shkrimtarin e urrejnë dhe e duan, e pështyjnë dhe e përkëdhelin, e zvarrisin nëpër baltra dhe e vënë në presidiume. Në çdo fjalë e në çdo rresht dëgjohet e lehura e qenve dhe dihatja delikate, e lodhur dhe kristalore e drerit të përndjekur. Ham, Hum, Ham… Ah, uh, oh… Oh… Dreri arriti në skaj të rrëpirës. Një yll qiellor ra në brirët e tij. Një shenjë e pakuptueshme dhe… ika, ika, ika. E tash?! Si perënditë e Epit të Gilgameshit ka arritur majën hyjnore dhe rri ulur aty. Stop!
Por gjithsesi braktisja e tij ka ngjallur një keqardhje kombëtare. Jemi të pafuqishëm ta urrejmë. Urrejmë administratën, politikën që e futi në vallen e vet makabre shkrimtarin tonë më të mirë. Edhe unë më kot rrekem të reflektoj rreth ikjes së tij. Nganjëherë e shaj, po kur dëgjoj ta shajnë të tjerët, (Sot një idiot më pyeti: “Ku e ke Kadarenë, o Namik Dokle?!”) hidhem për ta mbrojtur, që të marrë sadopak nga plaga e tij. E megjithatë… Sa shumë gjak paska një roman i vrarë! Po një dramë? Një dramë për Homerin… Stop!!
5 nëntor 1990
Nesër është Plenumi i KQ të Partisë. I dymbëdhjeti. Presim shumë nga ky Plenum. Ç’do të na jap? Ç’ndryshime do t’i bëj sistemit politik? A do të ketë pluralizëm dhe ekonomi tregu? Rrugët ziejnë. Ndërsa disave nëpër zyra u duket sikur s’po ndodh ndonjë gjë. Vjollca K. në zyrat e bashkimeve profesionale, thotë me mendjelehtësi: “Punë e madhe që iku Ismail Kadare, ç’na gjeti!” Aq sa u detyrova t’i kujtoj që Ramiz Alinë në Nju-Jork e takuan apo nuk e takuan 100 gazetarë, ndërsa në Paris kanë kërkuar takim me Kadarenë mbi dymijë. Në Konferencën e talenteve të reja në Korçë, kur Foto Çami përmendi emrin e tij, salla e tërë duartrokiti, pa e lejuar që ai ta etiketonte. A e ndërtojmë, pra, politikën mbi realitete? A jemi të përgatitur për demokracinë? Them se jo. Të paktën për vete jam i bindur që mentaliteti i vjetër, na është ngulur në tru si ndonjë zgërbonjë e kalbur. Frika e ka djegur arën tonë të mendimit dhe ajo është akoma si një stërnishte e nxirë.
15 nëntor 1990
Zehrudini ka një krizë besimi për punësimin e Kleopatrës. Që më 12-13 korrik i ka dërguar letër shokut Ramiz për këtë çështje. Po deri tani asgjë nuk është bërë, megjithëse thonë se ai ka lënë një porosi për shokun Foto. Po kur do zgjidhet çështja? Është një pritje absurde. Po Ismail Kadare që s’mori përgjigje për letrën e tij? Sa shfryrje e kërcëllime luanësh do të ketë pasur para se të vendoste të ikte. Po vallë kjo letër e ka shtyrë? Apo ishte në një krizë besimi dhe, me letrën që i shkroi shokut Ramiz, hodhi zarin për shans të fundit? Shansi i fundit dhe pa përgjigje. Heshtje dhe shkatërrim i një imazhi. Gjithsesi puna e Ismailit do të ketë qenë shumë komplekse, me shumë skuta psikologjike, me vuajtje e përkëdheli shpirtërore. Krejt ndryshe nga disa çapaçulë që ëndërrojnë të zgjohen si heronj brenda një nate. Por jo! Perënditë, thoshte Homeri, vetëm disa poetëve u shkaktojnë vuajtje të vërteta. Dhe këtë e bëjnë që veprat e tyre të dalin më të mira. Fatin e vuajtjes nuk e kanë të gjithë. Dhe vuajtjet nuk janë të gjitha njëlloj. Komplekset që krijojnë s’janë të njëjta. Ti je imja, tha Heminguei. Dhe Parisi është imi. Këtë ambicje s’do ta ketë patur Kadareja. Ka shumë të ngjarë të ketë patur kompleksin e antipushtetit. Intelektuali numër një. I vetmi shqiptar i këtij shekulli që mundet ndonjë ditë të marrë çmimin Nobel, i vetmi shqiptar që hëngri një mëngjes me Miteranin (pushteti më joshës në Evropë) ndërsa këtu trajtohet në një radhë, e ndoshta më keq se do farë dhëndurësh të anëtarëve të Byrosë Politike. Këtë vuajtje ai nuk e përballoi dot dhe bëri atë që bëri. Po ta kishte duruar, po të mos i qe dorëzuar kompleksit, do na kishte dhënë përsëri vepra të mëdha. Ai përsëri do të shkruaj vepra të tjera të rëndësishme. Por ato do të kenë më shumë inat e më pak frymëzim, më shumë llogari dhe më pak filozofi, dhe pra, nuk do të jenë më ajo mrekulli kadareske, me të cilën jemi ushqyer 30 vitet e fundit. Ç’fatkeqësi letrare! Dhe jo vetëm aq.
18 prill 1991
Dje dhe sot vazhduam punën në Kuvendin Popullor. Që në mëngjes e nuhatëm nga disa shkrime të RD-së se ata do të vinin në Kuvend. Edhe kur bëmë mbledhjen e grupit tonë dhe po diskutohej “Varianti sikur të vinë” apo “Varianti sikur të mos vinë”, u thashë deputetëve: “Ata do të vinë të 75-tët” “Nga e di ti?” – më pyeti dikush. “E ka shkruar RD-ja, kush di ta lexoj. Njoftimi i saj kryesor e parakupton këtë dhe është shkruar n’ora 1200 të natës nga Sali Berisha e Preç Zogaj…” (Ma kishte treguar këtë shkrim Remzi Lani. Madje, më kishte thënë se edhe Ismail Kadareja kishte pyetur me nëntekst të qartë: pse nuk shkojnë? Kishte telefonuar nga Londra.)
15 tetor 1991
Ramiz Alia thirri në takim Remzi Lanin. I tregoi se në Paris ftoi Ismail Kadarenë për takim. “Ia dërgova ftesën me shkrimin tim për afinitet”. Por Ismaili nuk e takoi. Ka ruajtur veten. Pse? Me ç’synime? Dhe Ramizi thërret Remziun, si duket, për ndonjë mesazh tjetër ndaj Ismailit. Po e ka të humbur davanë me këtë misionar i cili më tha: “Folëm gjatë, por asgjë të re nuk më tha. Po ajo rutinë ideologjike, po natyrisht në kushte të reja.”
Kurse gazeta “Kosova”, pasi shkroi 7-8 herë kundër meje, tash merret me Kadarenë. Në duar të kujt është? Fenomeni Kadare paska edhe një fenomen antiKadare?! Apo është luftë për postin presidencial Berisha-Kadare? Qoftë edhe në planin simbolik e psikologjik, midis dy grupimeve të mëdha të stadiumit tonë politik?! Vërtetë gjërat janë më të thella nga sa i mendojmë ndonjëherë.
3 dhjetor 1991
Në diskutimin kuvendor për marrëdhëniet me Bankën Europiane, veç të tjerash thashë:
-Përfitoj nga rasti për të bërë një falenderim të përzemërt për intelektualin e shquar shqiptar Ismail Kadare që negocioi i pari për këtë problem pranë drejtorit të Bankës Europiane, mikut të tij Zhak Atalí…
Kur dolëm në pushim, deputetët tanë donin të më jepnin kafe, kurse një demokrat nga Shkodra më tha:
-Vazhdon me spicat…
Romë, e mërkurë, 15 janar 1992
Dita e sotme e vizitës në Romë, ishte e tëra e mbushur me aktivitete zyrtare. Në fillim u takuam me Kryetaren e Dhomës së Deputetëve, Nilda Joti. Një grua simpatike dhe fisnike, e qetë dhe e përzemërt. Na priti në zyrën e saj të bukur. Kur fliste, apo kur i mblidhte buzët me delikatesë, më kujtonte Shpresa Kamanin. Po ashtu edhe me ballin lart e me flokët të mbledhura prapa. Nuk hyri shumë në hollësira politike. U interesua pak për situatën në Shqipëri, pak për ligjin elektoral, pak për Kosovën etj. Gjithmonë kam dyshuar në këto bisedime “protokollare” dhe tash jam edhe më i bindur se duhen vënë në lëvizje edhe mekanizma të tjerë që të bëhet diçka për Shqipërinë.
Në fund, Joti pyeti:
-Keni një shkrimtar shumë të njohur… ku banon!? Kam lexuar një roman të tij të mrekullueshëm; “Daullet e shiut”…
-Ismail Kadare, – i thashë unë.
-Po, Kadare.
-Jeton në Paris.
-Ndoshta nuk është mirë që jeton jashtë atdheut? Apo nuk merret me politikë?
-Është shkrimtar i madh, por në politikë bën gabime, – i tha Kastrioti.
-Ai nuk merret drejtpërdrejtë me politikë, – i thashë unë – por i ndjek me vëmendje proçeset politike në Shqipëri dhe rreth saj. Ka informacion, jep mendime e sugjerime. Jo më shumë se tre ditë përpara dërgoi një mesazh nëpërmjet Radios, ku i bën thirrje popullit shqiptar të bëj të gjitha përpjekjet për pajtim dhe bashkim kombëtar…
Më bëri përshtypje se ndërhyrjes së Pjetër Arbnorit për të kaluarën, për të cilën ai fliste me “mandatin” e ish të burgosurit politik, Nilda Joti nuk iu përgjigj me ndonjë entusiazëm të madh… Prandaj e pyeta ambasadorin Dashnor Dervishi:
-E cilës parti është Joti?
-Nuk e di? Është gruaja pa kurorë e Toliatit… Është krenaria e komunistëve italianë…
* * *
RTV-ja, çdo ditë po bën pirueta në favor të opozitës. Deri atje shkon absurditeti, saqë Radio e Brendshme (me drejtor të propozuar nga opozita, nga PD-ja), duke u frikësuar nga cilësimi që i bëhet Ismail Kadaresë si intelektual i majtë, lëshon në efir një emision sharjesh të paskrupullta kundër kurorës së inteligjencies shqiptare.
23 shkurt 1992
Para disa ditësh u zhvillua aktivi i Partisë Socialiste për rrethin e Dibrës. Mora pjesë dhe bëra zbërthimin e programit elektoral të PS. Pjesëmarrësit ishin shumë të etur të dinin dhe të kuptonin ç’po ndodh sot e çfarë do të ndodhë nesër me Shqipërinë tonë të varfër. Më bënë 94 pyetje një prej të cilave ishte:
Çfarë qëndrimi ka PS ndaj Ismail Kadaresë?
– PS e konsideron si një nga intelektualët më të shquar shqiptarë. Sulmet që bëhen kundër tij në disa gazeta dhe tash së fundi edhe në radio, burojnë nga një xhelozi partiake e shfrenuar. Partia Socialiste kurrë nuk e ka sulmuar Kadarenë, edhe kur ai ka shfaqur rezervat ndaj nesh. Po sapo ai u shpreh hapur për pajtimin kombëtar, tellallët e opozitës u fryjnë borive të sulmit. E shikoni ç’tolerancë demokratike kanë edhe ndaj Kadaresë?!
31 mars 1992- 1 prill 1992
Edhe pse nuk e lamë me ligj funksionimin e Kryesisë së Kuvendit deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, ajo detyrimisht funksionoi. Prandaj dhe sot bëmë një takim: ish-kryesia dhe ish-kryetarët e grupeve parlamentare. Por kësaj radhe kishim një plus; përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate, Teodor Laço. Sa shumë shkrimtarë janë përzier me politikë! Përse vallë? Është ndoshta një reaksion i një dominimi 45-vjeçar të politikës mbi gjithçka, natyrisht edhe mbi artin e letërsinë. Politikanët xhahilë, me një mentalitet mesjetar, ushtronin presion psikologjik, ekonomik dhe gjithëfarësh mbi artistët. I kishin bërë ata të lëpinin kockat. E kishin detyruar edhe një Artist të Popullit të imitonte në Kinostudio lehjen e një qeni për të marrë një honorar qesharak. Pra, ka lindur dhe është kultivuar një mosmarrëveshje e thellë midis artistëve të vërtetë e dinjitozë dhe politikanëve. Edhe vetë Ismail Kadareja, në ekzilin e tij, ka diçka prej këtij mllefi. Në fund të fundit, pse jo? Kur takohej Ramiz Alia me Ismail Kadarenë, apo edhe Enver Hoxha, shtypi shkruante: “Ramiz Alia priti Ismail Kadarenë, në vend që të shkruhej: “Ismail Kadareja priti Ramiz Alinë”. Futja e shumë shkrimtarëve në politikë është një dëshirë revanshi për t’u thënë: “Politikën tuaj të qelbur vetëm ne mund ta pastrojmë. Kurse veprat tona, ju nuk dini as t’i lexoni, pale më t’i shkruani.”
25 dhjetor 1994
Shkova në Vlorë me Dritëroin dhe Sabitin. Ishin me ne edhe Albert Minga e Gjikë Kurtiqi. Disa miq të Sabitit na kishin ftuar, “thjesht për qejf”.
Shkuam në një lokal matanë Vlorës, në breg të detit. Binte shi. Pimë dhe qëndruam gjatë. Bisedat qenë të larmishme; politikë, art, letërsi, humor. Duke pirë, shumë shpejt Dritëroi erdhi në të vetën, filloi të këndojë e më pas fliste vetëm ai, duke shpalosur filosofirat dhe kujtimet e tij për shumë e shumë gjëra.
Më bëri përshtypje shpjegimi që dha për largimin e Ismail Kadaresë.
“Ismailin e njoh unë më mirë nga kushdo. Atë vit që iku, filloi të dukej se ku po shkonte Shqipëria. Njerëzit flisnin shumë. Një mbrëmje, po shkonim në shtëpi dhe diku na thanë: “Pa shikoji këta, këngëtarët e komunizmit!” Pak më tutje, ca të tjerë na thanë: “More dredharakë të komunizmit!” Unë pinja cigare, po Ismaili bluante. “E dëgjon popullin? – më tha. As njera nga palët s’do të na falë…” “E o, ç’e vret mendjen?!” – i thashë.
Pas ca ditësh më kërkoi makinën për në Rinas. Ç’i do dy makina? – mendova. Shqiptarëve u duheshin dy-tre makina, kur vijnë nga jashtë, jo kur ikin…” E kuptova që ai po ikte, se kishte mbetur pa kalá. Por nuk i thashë njeriu. “Le të ikë!” – mendova me vete. Mirë bëri. Unë qëndrova. Edhe unë mirë bëra.”
4 maj 1995
Erdhën eshtrat e Faik Konicës. Gjatë ceremonisë takova Kadarenë. “Do të rri disa ditë”, më tha. Dukej mirë. Mungonte Dritëro Agolli; Shteti nuk e ka ftuar. Injorancë.
20 nëntor 1995
Kadareja kundër socialistëve?
-Në gazetën “Albania” Ismail Kadare deklaroi se socialistët nuk duhet të vijnë në pushtet. Ky deklarim pati jehonë në qarqet politike shqiptare. Por gjithsesi deklarata e Kadaresë, sidomos në një gazetë që lexohet nga ushtarë të urdhëruar, nuk përbën ndonjë ngjarje në jetën politike shqiptare.
Megjithatë, për respekt ndaj shkrimtarit të madh, unë do të bëja një koment të shkurtër. Mua më vjen mirë që Kadareja ka dalë kundër versionit zyrtar të Tritan Shehut, i cili bashkë me Sali Berishën, Meksin dhe Ali Spahinë ka pretenduar se “do ta mbajmë gjatë pushtetit”. Kadareja përkundrazi nënkupton që socialistët mund të vijnë në pushtet. E rëndësishme është, gjithashtu, që edhe Kadareja është në një mendje me sondazhet e eurobarometrit që thonë se socialistët mund të vijnë në pushtet. Ndërsa thotë se nuk është mirë të vijnë, shton se nuk do ta mbajnë gjatë pushtetin. A është mirë, apo s’është mirë, këtë s’e di as Kadareja dhe as unë, por e dinë zgjedhësit. Nuk po zgjatem në komente të mëtejshme për këtë deklaratë, sepse nuk është e thënë që shkrimtarë të mëdhenj të jenë gjithmonë edhe politikanë të mëdhenj. Fjala vjen, Gabriel Garcia Markesi është një shkrimtar i madh, fitues i çmimit Nobel, por në politikë nganjëherë ia fut kot dhe thotë se “regjimi më i mirë në botë është ai i Fidel Kastros”.
Paris, 16 dhjetor 1998
Sot kisha një mbledhje të Komisionit Politik të KiE-së. Fjalë, fjalë, fjalë.
Në darkë shkova në ambasadë. Kanë ndërruar selinë, nga Rue de la Pompe, kanë shkuar në Avenue Marceau. Më në qendër, më e lirë, më e mirë.
Dy gra artiste (Mira Kuçuku dhe një tjetër) kishin hapur një ekspozitë qeramike dhe tekstili artistik. Me këtë rast ishin mbledhur shumë shqiptarë; të ardhur nga Shqipëria, ose me banim në Paris. Biseda të shumta…
Më mbetën në mend për të shënuar disa gjëra…
Zamir Mati, piktor, më tregoi se Llambi G. jetonte në Paris. Po me se jeton, e pyeta, dhëndri a djali, kush e mban? Ata kanë punën e tyre, më tha, por unë bëj piktura, Edi Rama dhe të tjerë bëjnë piktura, Llambi i shet pikturat dhe jetojmë të gjithë… Anëtar i Byrosë Politike… Pompë e madhe dhe tani pordhë e madhe në Paris.
Takova dhe vajzën e Shpresa Kamanit, Verën. Ishte atje për një specializim. “Sa ju shikoj ju, më kujtohet mami”, më tha Vera. Në të vërtetë edhe mua kështu më ndodh. Sa herë shikoj ndonjërën nga vajzat e Shpresës, më kujtohet ajo.
Aty nga fundi i mbrëmjes, në ambasadë erdhi Ismail Kadare me Elenën. Më thanë që kohët e fundit ata vijnë me më pak naze në ambasadë, meqenëse aty, tashmë, punon djali i Llazar Siliqit. Vajza e Ismailit është e martuar me djalin e Llazarit…
“Ua Namiku, sa kohë s’të kam parë, më tha Elena. Sa herë të shoh, më kujton Shpresën.” I tregova se të njëjtën ndjesi ka edhe Vera.
Pastaj u tërhoqëm në një kënd me Ismailin dhe folëm thuajse një orë për Shqipërinë dhe Kosovën. Ishte shumë i pezmatuar me politikën dhe politikanët shqiptarë, te ne dhe në Kosovë.
“Politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë se e kanë vendin në zi. Dhe në zi ka më shumë heshtje dhe respekt. Ç’bëjnë ata?! Pse janë katandisur në ca grindavecë të vegjël?”
Vura re se, në asnjë rast, mua nuk më përfshinte në këtë grup. Nuk thoshte “Ç’bëni ju?” por “Ç’bëjnë ata?”. Thjesht për xhentilesë franceze, më duket. Por ishte shumë i hapur dhe i shqetësuar.
Po për Kosovën? e pyeta…
“Ata janë më keq. Ata zihen e grihen për kolltuqe dhe për para, kur vendi është akoma i pushtuar nga Serbia. Mjerë Kosova me ata politikanë që ka.”
Pastaj folëm shumë për Teatrin dhe problemet që ai po përjeton.
10 korrik 2000
Në zyrën e Rexhepit pritëm, bashkë, motrën e Ukshin Hotit, Myrveten. Që më 16 Maj të vitit të kaluar asgjë nuk dihet për këtë politolog të shquar të Kosovës. Ishte në burgun e Dobravës, në afërsi të Istogut. Më tej u tha që u transferua në Nish; të tjerë thonë që është liruar, por s’dihet se ku është. Ndoshta bën pjesë në 7000 kosovarët e zhdukur.
Ani, të pakëtn t’ia di varrin, tha motra. Unë e di se ç’do të thotë të jesh motër e pangushlluar, me vëlla të zhdukur, se e kam jetuar këtë ndjesi te nëna ime, të cilës, po serbët, ia zhdukën vëllanë, Shahinin, që më 1945. As i vdekur, as i gjallë…
Mora përsipër të interesohem në KiE. Për Ukshin Hotin është interesuar Rexhep Meidani, Dan Evertsi, Kryqi i Kuq etj. Por zëri më i fuqishëm për të vërtetën e Ukshin Hotit, të paktën deri më tani, ka qenë Ismail Kadare. Dhe akoma s’po e gjejmë. Serbët janë monstruozë në zhdukjen e njerëzve!
27 nëntor 2006
Isha për 2-3 ditë në Azerbaixhan, në Asamblenë e PABSEC-ut. Gjëja e parë që na organizuan të zotët e shtëpisë ishte vënia e kurorës te varri i Hajdar Alijevit, ish-udhëheqës komunist, i konvertuar më pas në demokrat e patriot azer. Pastaj na çuan në varret e të rënëve në luftën me trupat e BRSS dhe në Nagorni-Karabak. Shumë nga deputetët merrnin poza serioziteti; të tjerë nënqeshnin me ironi. Të dy “pozat” ishin qesharake; ose të paktën kështu m’u dukën mua.
Duke u kthyer nga Azerbaixhani, në autobuzin aeroportual të Vjenës, takova Ismail Kadarenë. Kishte qenë për dy ditë në Vjenë.
“Po ti, ku ishe”? – më pyeti. I tregova.
“Shumë po shkoni në lindje”, më tha. Ministri i Jashtëm ka qenë tre herë në Moskë.
“A, jo” – i thashë – Azerbaixhani nuk shikonte nga Moska, por nga Stambolli.
“Turqi – hesapi”, – tha ai. Pastaj më tha që do të largohej shpejt nga Tirana. “Nuk shkruaj dot në Tiranë. Shumë zhurmë politike, zgjedhje, Kod, Komision Qendror. Dhe sikur këto do të zgjidhin ndonjë gjë! Asgjë nuk zgjidhin! Në Francë shkruaj më qetë.”
“Të ka lodhur edhe debati”, – e ngacmova.
“Jo vetëm debati”, – më tha.
Pastaj hipëm në avion. Ishim larg njeri-tjetrit…
19 maj 2007
Pas shumë vitesh e rilexova romanin Kronikë në gur, me të njëjtën etje si dikur. Nuk e di dhe nuk besoj të jetë shkruar një kronikë tjetër, kaq dramatike, e situr deri në përsosmëri, në rrëfimin e një fëmije!
Mendoj se është një nga kryeveprat e Kadaresë. Ndoshta edhe vetëm për këtë duhet ta kishte marrë prej kohësh çmimin Nobel. Vetëm për këtë. Ndoshta… Por ndoshta pse nuk është vetëm kjo s’po ia japin çmimin Nobel. Disa nga veprat e tjera mund të kenë prishur shijen e “Kronikës” nobeliste për Kadarenë. Sidoqoftë, “Kronikë në gur” është një shkollë se si duhet të shkruhet. Ç’më erdhi ky mendim kështu?! Kur u botua për herë të parë “Kronika”, në fillim të viteve shtatëdhjetë, Nexhip N., një koleg i imi në gazetën “Puna”, më tha: Ky libër tregon se si nuk duhet shkruar një roman. U grindëm një copë herë; siç ndodhte rëndom me veprat e Kadaresë, të cilat i ndanin njerëzit gjithmonë në dy grupe; pro dhe kundra. Ishte dhe një grup i tretë; të heshturit. Ose më mirë të themi frikacakët. Po, po; kishin frikë të shprehnin një opinion! Kështu ndodhi edhe me “Kronikën”. Nexhipi, gazetar shumë më i vjetër nga unë, i kishte nxirë me shënime hapësirat anësore të librit dhe bërtiste: Ja si nuk duhet shkruar! Sidomos ishte gati të vriste Kako Pinon dhe Xivo Gavon. Ç’kishte me Xivo Gavon?! Kujtonte, i marri, se me Xivo Gavon, Kadareja sulmonte të gjithë gazetarët (kronistët)!
Më në fund kuptova se me këtë njeri, i cili, kishte shkruar letër “lart” që të gjitha fushat e futbollit të mbillen me patate, ishte e kotë të diskutoje.
Më duket se edhe për Xivo Gavon shkroi letër “lart”. Por natyrisht, i ndjeri Nexhip nuk e bënte nga cmira. Cmirëzinjtë kundër Kadaresë, ishin pikërisht “lart”.
Ata “lart” ëndërronin ta shihnin një ditë të varrosur, të harruar në pluhurin e kohës. E godisnin, i ngrinin kurthe, e kontrollonin, e përgjonin; hidhnin përsëri bomba mbi të; përsëri dhe përsëri. Njëlloj si me qytetin e tij të gurtë. Në një kuptim, romani nuk është kronikë për Qytetin, por kronikë për Njeriun, madje, kronikë për vetë Ismail Kadarenë. Qëndresa e Qytetit të Gurtë është vetë Guri i Qëndresës për Kadarenë. Fëmija i vogël përcjell gjithë kronikën e Ismailit të madh; dhe ata shkrihen me njëri-tjetrin në mënyrën me të natyrshme; si uji me tokën; si era me borën…


