More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMira Zaho Mëhilli: Komedia e përqeshjes dhe qortimit metaforik

    Mira Zaho Mëhilli: Komedia e përqeshjes dhe qortimit metaforik

    Mbi romanin “Pilisama selfie” të Zija Çelës

    Ka një tërheqje që në titull romani “Pilisama selfie” (Onufri, 2023), titull që të nxit kureshtjen e të fton ta lexosh pa humbur kohë këtë vepër letrare. Së pari pyet, ç’është Pilisama, emër njeriu? Dhe  pastaj ndalesh te gjymtyra e dytë e togfjalëshit, fjala selfie, kuptimi i së cilës e shton intrigimin.

    Por që në faqet e para gjithçka qartësohet. Pilisama është një qytet i ditëve tona, vendbanim hemoragjik prej braktisjes (siç e cilëson autori) dhe ku, siç ndodh në vende të tilla, ngjarje të çuditshme frymojnë kolektivisht. Sa më tepër shtjellohet subjekti, aq më sociale dhe filozofike bëhet narrativa.

    Baza e ngjarjeve është premtimi i dhënë (me grantin e BE-së por edhe me kushte gjithashtu) për të sjellë në Pilisamë hekurudhën, “trenin magjik” në sytë e pilisamëve të ngazëllyer, si pjesë e një rrjeti hekurudhor rajonal për disa qytete njëkohësisht. Njëri ndër kushtet është ndërlidhja e pandërprerë mes tyre. E prej këndej gjithçka rrjedh magjishëm në Pilisamën e pilisamëve: absurditet, fantazi e iluzione kolektive nën efektet e imagjinatës, kriza personaliteti të disa personazheve, angazhime në punë të stërmundimshme, shpesh pa bereqet, korruptive a hileqare, për të mbërritur në fund te zhgënjimi i madh. Në udhëtimin përurues, treni shkon në qytetet fqinje, që kanë punuar për projektin duke përmbushur kushtet e kontratës me ndërkombëtarët. Por megjithëse pilisamët kanë dalë për ta pritur dhe po festohet gjithë entuziazëm në stacion, treni nuk hyn në Pilisamë. Një ëndërr e mundshme për t’u bërë realitet, një realitetet i shpërdoruar prej egoizmit të verbër provincial. Pilisamët kanë punuar për hekurudhën që i lidh me qytetin më të madh të atij rrjeti (thua se do ta përdorin si urban!), por nuk kanë kryer detyrimin (gjysmën e hekurudhës) ndaj qytetit më të vogël që kanë pas shpine.

    Ecën ndër faqet e librit dhe ndesh ngjarje, emra vendesh e personazhesh, që të bëjnë të mendosh se nuk janë trille rastësore të autorit, por një letërsi e ngjeshur me bashkohësi, me jetë reale dhe vizione që e kapërcejnë hapësirën ku zhvillohen ngjarjet. E kështu ndihesh brenda atyre ngjarjeve, duke i ndjekur jo rrallë me një buzëqeshje të trishtë prej përjetimit analogjik me realitetin.

    Ja çfarë shkruan prozatori i mirënjohur Mehmet Kraja për këtë vepër: “Në romanin “Pilisama selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet. Me një lehtësi të jashtëzakonshme, autori ndërton një galeri personazhesh metaforikë, të cilët barten nëpër situata të ndryshme, gjithnjë duke manifestuar cilësi dhe karakter njerëzish pa vlerë, të përfshirë në prirjen kolektive të kotësisë dhe shpresave të rreme. Një hekurudhë që duhet të kalojë nëpër qytet bëhet sinonim i zhgënjimit, i ëndrrave të parealizuara, mbi të gjitha sinonim i pamundësisë për të arritur hapin e prosperitetit dhe civilizimit. Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit, ajo bëhet edhe garë stigmatizuese për pushtet dhe prestigj, për rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.“

    Episode sa të gjalla, aq edhe ndjellëse për të parë fundin e tyre pasojnë njëri- tjetrin. Autori i gërsheton ngjarjetvjo në kapituj të mirëfilltë, por duke e ndarë kompozicionin në disa pjesë, secila me nëntitullin e saj, ndërsa të përbashkët si fqinjërim alfabetik kanë fjalën libër. Njëra nga pjesët, “Libri i Pranisë”, përveç absurditetit, përshfaq paralel edhe ironizimin e veprimeve pështjelluese, që çojnë drejt kurrëkundit. Prej egoizmit të pamatë dhe pandjeshmërisë, luhet me të drejtat e njeriut, deri në shkelje të tyre. E kjo, si për t’u përforcuar, pasohet më tej

    nga “Libri i Shortit”, duke kulmuar me përfshirjen e turmës në shorteun e betonieres dhe kalimin e ironisë në sarkazëm.

    Romani ka narracion e narrativë dinamike, ngjarje të zakonta e të pazakonta ku karakteret e personazheve shkojnë sa përshtat njëri-tjetrit, aq edhe kundërshtarë në interesat e tyre të ndërsjella. Rrëfimi vjen natyrshëm, duke rrjedhur përmes botës së brendshme të personazheve dhe thellimit në psikologjinë e tyre. Veç të tjerave, realja ndeshet në miqësitë e ndërtuara mbi raporte interesash, në lakminë groteske, në mungesën e sinqeritetit, në ndikimin e marrëdhënieve bashkëshortore për kryerjen e detyrës shtetërore, në lëndimet prej bullizimeve, në debatet televizive me përpjekje të ngjalljes së besimit për një të ardhme më të mirë, etj.

    Situata e qëndrime karakteresh që të befasojnë edhe përmes përdorimit mjeshtëror të alegorisë, çka të fton të depërtosh në domethënien e tyre. Përqasje me “Komedinë Hyjnore” do të shprehet një personazh për “Komedinë e Pilisamës”.

    Në ndërtimin e karaktereve dallohet qartë fshikullimi ndaj sjelljeve dhe veseve të shoqërisë, si përulësia servile ndaj përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare, papërgjegjshmëria e tyre, durimi dhe padurimi, njeriu kontravers, personat tinëzarë që shtyjnë, tërheqin, vënë në lojë a llastojnë njëri -tjetrin.

    Rrjedhës së ngjarjeve ndesh edhe personazhe të dyzuar, që ringrihen përmes padrejtësive, personazhe “të suksesshëm” që konturohen prej fatkeqësisë së tjetrit, lakmitarë të luksit të shfrenuar.

    Përdorur mjeshtërisht, në përputhje të situatave dhe portretizimeve të personazheve, vjen ironia e hollë e përvojës dhe urtësisë popullore përmes shprehjeve frazeologjike si: “Kush është gjithkund nuk është askund; kështu ndodh kur morrat bëhen përbindsha; mjalta s’mund të rrijë ku është balta”, etj.

    Finesë e hollë shprehëse ndihet edhe në portretizime personazhesh e përshkrime mjedisesh: “fytyrë e sorrme; psherëtimë e mëndafshtë miratimi; ndjesi e mjegullt; re të ulura përtokë nga pesha e tyre”, etj.

    E goditur vjen ndërthurja e ironisë me antitezat: “Më pëlqen mungesa e zhurmave industriale, kjo qetësi plot amulli, qetësi ku mund të marrësh vesh gjithçka dhe asgjë njëkohësisht. Edhe te Hamleti ngrihet nga varri mbreti, se hyn në mes pushteti.”

    Në situata të sikletshme, si pasqyrë e të vërtetave të pathëna, figuracioni i gjuhës së përdorur qartëson përjetimet emocionale. Si për shembull: “Mbi buzë i qe shtuar ajthi i djersitjes, damarët po i mbufateshin në qafë dhe, ndërsa qerpikët i rrihnin si prej ndonjë djegurine të syve, nga kuqëlimi i lehtë fytyra po i merrte përskuqje më të pjekur.” Ose: “Përgjigjja e pyetjes se përse treni nuk erdhi në Pilisamë, po ecte ngadalë e çuditërisht butë, dukej sikur kundërshtive u hidhej vaj për lubrifikim.”

    Duhet ta lexosh “Pilisama selfie” për të prekur e kuptuar se sa mbreslënëse është gjithashtu ndërthurja aq harmonike e modernes me klasiken, stili plot ngjyra, pasuria gjuhësore dhe forca e thirrjes qortuese, e cila buron nga metafora e përgjithshme e veprës. Është për t’u theksuar kjo veçori, përqeshja, qortimi dhe thirrja asnjëherë nuk janë të drejtëpërdrejta, përkundrazi. Si mjeshtër i krijimit të skenave dhe i narracionit, autori ruan gjithnjë distancën e objektivitetit autorial, teksa nënteksti e mbiteksti ironizojnë veprimet, mentalitetin dhe vanitetin.

    Vlera të tilla, siç është pohuar vazhdimisht në studime dhe artikujj kritikë, karakterizojnë gjithë krijimtarinë e Zija Çelës. Por për vlerësimet ndaj tij, po kujtoj vetëm një pasazh prej një personaliteti të shquar të letrave tona, siç është Rexhep Qosja. Akademiku Qosja shkruan: “Zija Çela është një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve e historianëve të letërsisë.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË