More
    KreuLetërsiBibliotekëMira Meksi: Flutura mes gjinjve

    Mira Meksi: Flutura mes gjinjve

    Pas kaq shumë vitesh, ende më ka mbetur në kujtesë flatrimi i beftë që më zuri syri përmbi lëkurën e kraharorit të Violës, shoqes sime të bangës. Them flatrim sepse, tani pas zbulimit, e di saktë që ishte i tillë. Porse atë pasdreke dhjetori, në dritën e zbehtë të një klase në Fakultetin Filologjik, kur po përgatiteshim të dyja për seminarin e vështirë të sintaksës frënge, në të vërtet, vështrimi më kapi vetëm një si përndritje të vetëtimtë, nga ato që syri shpesh nuk pranon t’i ruaj në retinë. Aq e shpejtë ishte. Dhe përndritja, apo flatrimi ish shfaqur pikërisht mbi lëkurën e asaj pjese të kraharorit që shënon sinorin e dekoltesë me gjoksin, ose ndoshta pak më poshtë, aty nga mesi i vijëzës që shkon tatëpjetë. Dhe ish shpërhapur në ajër. Mbaj mend se paradreken e asaj dite, në leksionin e letërsisë frënge, në sallën 27, nga një fat i mbrapshtë, profesori më zuri gafil duke lexuar poshtë bangës librin “Fletoret e Proust-it”, ndërkohë që studentët mbanin shënim leksionin që ai u diktonte. Faji ishte i dyfishtë, kisha thyer disiplinën e mësimit, por mbi të gjitha ajo që më rëndonte më shumë, ishte mbajtja dhe leximi i librit të një autori të ndaluar tek ne, siç ishte Proust-i. Ishte vërtet absurde, sepse Marcel Proust-i ishte një nga autorët që ne e studionim në fakultet, porse e kishim rreptësisht të ndaluar t’i le-xonim veprën, nëse arrinim t’i gjenim ndonjë libër. Ajo çka mësonim për, të bëhej vetëm nëpërmjet lek-sioneve të profesorit të letërsisë frënge. Rrezikoja gjer përjashtimin nga fakulteti.

    Nuk doja të shkoja në shtëpi dhe iu luta Violës të rrinim pasdite në fakultet për t’u përgatitur për seminarin e së nesërmes. Të paktën do humbisja mendjen dhe s’do torturohesha duke analizuar një herë dhe një mijë herë gjëmën që më kish ndodhur, sepse shumë pak shpresë kisha se mund të vazhdoja studimet paskëtaj. Vetëm një Zot mund të më ndihmonte. Ishim në vitin e tretë të fakultetit dhe studionim gjuhë dhe letërsi frënge. Viola kish ardhur në grupin tonë atë vit, madje, një muaj pasi kish nisur mësimi, sepse kthehej nga Franca ku kish bërë për dy vjet studime të pasuksesshme, me një bursë nga shteti. Njiheshim që më parë, por u bëmë përnjëherë mikesha të ngushta. Studentët e tjerë e konsideronin si një dështake që kish shpërdoruar një mundësi të jashtëzakonshme për të studiuar në Paris, dhe kish shpënë dëm një bursë të tërë. Ndërsa unë as që doja t’ia dija për dështimin e saj dhe të tilla dokrra: për mua Viola ishte ajri i botës së lirë, dhe e quaja fat që kish ardhur tamam në grupin tonë dhe që ne të dyja ishim bërë mikesha. Çdo gjë e saj më sillte të prekshëm Parisin: palltoja me një dizenjo bardhë e zi, të cilën vite më vonë mësova që në frëngjisht i thonë “këmbë pule”, një çantëzë e vogël ngjyrë mjalti që ajo e vinte krahëqafë, një “kullë Eifel” në miniaturë që e mbante në qafë me një lidhkë lëkure, dhe që e bënte qafën e saj të ngjante madhështore dhe aroma e pagabueshme pariziane që lëshonte tërë qenia e saj. Viola ishte shumë e bukur. Pasdreken që pikasa flatrimin mbi kraharorin e saj, ishim ulur përballë njëra-tjetrës përmbi një bangë të gjatë, mbështetur me shpinë, unë te muri dhe ajo te një dollap, me këmbët të shtrira përmbi bangë, shputat e ta cilave pothuaj prekeshin. Të dyja mbanim në dorë fletoren me leksionet e sintaksës frënge. Me mundim rrekesha të kuptoja gjësend nga rregullat e sintaksës, me mendje në të vërtet vërtitesha te gjasa e dënimit që më priste për Proust-in. Në të vërtet sodisja Violën. Ishte zhytur e tëra në lexim. Drita ishte e dobët dhe kuqëlimi i një furnele me korrent që ua kishim marrë vajzave të konviktit për t’u ngrohur atë pasdite, i jepte fytyrës së saj mrekullisht ovale dhe zakonisht të zbehtë, ngjyrën rozake të reve në pranverë. Viola kishte sy të mëdhenj në formë bajameje dhe ngjyrë bruzi, vetulla të larta që vijëzoheshin bukur nën balluket e kuqërremta, përherë të prera shumë shkurt, dhe një gojë me buzë të plota dhe sensuale. Në klasën e vogël ish bërë vapë papritur, kishim hequr palltot dhe kur Viola çmbështolli nga qafa shallin me thekë, zbuloi dekoltenë e madhe të një pulovri të bardhë… Atë çast dallova përndritjen mbi lëkurën e saj. Ishte vetëm një çast i vetëtimtë, sepse Viola, që me sa duket kapi vështrimin tim, e ngriti rrëmbimthi pulovrën e cila e fshehu përnjëherë atë që më kishte zënë syri. U vështruam në sy. Viola nderi mbi buzë atë buzëqeshjen e saj të mrekullueshme, të paqtë dhe miqësore, dhe unë ia ktheva njëlloj. E lamë sintaksën dhe ashtu siç bënim përherë, filluam të flisnim për Parisin. Thamë dhe stërthamë për gati dy orë rresht të njëjtat gjëra, dhe disa herë qëlloi që, gjatë pauzave të shkurtra, të shiheshim domethënshëm në sy: unë që mundohesha ta pyesja me vështrim dhe ajo që më shmangte gjithsaherë. Të dyja u bëmë të ndërgjegjshme se mes nesh kish hyrë e fshehta, një e fshehtë e bukur, domosdo, e fshehtë me vulë Parisi, nga ato që janë parathënë për t’u zbuluar një ditë, – kjo i dha miqësisë sonë një shije pothuaj magjike.

    U duk se vetë Zoti më ndihmoi: nuk më përjashtuan nga fakulteti dhe as ma përmendi më kush “fajin” tim. Të pasnesërmen e ngjarjes në sallën 27, ditën e mbledhjes ogurzezë të katedrës së frëngjishtes, ku pritej të merrej vendimi për fatin tim të studimeve, kryeministri i vendit u gdhi i vetëvrarë dhe askush nuk u mor më as me mua dhe as me Proust-in tim.

    Ditëve që pasuan jetova për atë që mësova ta quaj “e fshehta e Violës”. Shpresoja shumë që ta zbuloja një ditë, por as që më shkonte mendja të përjetoja atë çka ndodhi më pas. Kujtesa ime njohu dy faza të cilat alternoheshin me njera-tjetrën, ku herë mbizotëronte njera dhe herë tjetra, përherë me një sëmbim dyshimi në mes: faza e parë, sa herë i kthehesha me mendje çastit të zbulimit, më ngjante thjesht si një hamendje, si një shpikje e syrit a mendjes sime. Faza e dytë, kujtesa punonte si me një bisturi të saktë e të mprehtë që vetëm zbulonte detaje të pamjes së pikasur dhe, jo vetëm vërtetonte atë që kisha pikasur, por shkonte më tej: përndritja që kisha parë na doli të ishte e kaltëreme, apo e kaltëruar, pra kishte ngjyrë të kaltër. Gjithsesi, “e fshehta e kaltër i Violës” na lidhi edhe më shumë me njëra-tjetrën. Bisedat për Parisin u bënë shumë më të thella. Nga monumentet, rrugët, kafenetë dhe moda, kaluan te librat e ndaluar, politika, liria, pijet, djemtë dhe seksi…Ndërkohë, Tirana jetonte ditë ankthi dhe terrori: kishte thënie dhe kundërthënie zyrtare për vdekjen e kryeministrit. U fol në fillim për vetvrasje depresive, pastaj për tradhti ndaj partisë dhe atdheut, u fol për agjentura dhe poliagjentura, ndërkohë që nëpërgohej se ishte vrasje e mirëfilltë, një nga më të tragjiket dhe më rrëqethëset në historinë e vendit, një lloj vrasje politike pioniere dhe ogurzezë, e cila do të ndillte të tjera vrasje, kinse vetvrasje, burgime, internime dhe një klimë të rëndë frike…

    Një mbrëmje të ftohtë, kur dritat e bulevardit kryesor ishin fare të zbehta, sikur të kish rënë tensioni i rrymës elektrike që i ushqente, në kafenenë e Hotel Tiranës ku shkonim vetëm me raste dhe kur zumë sërish zëulët të flisnim për Parisin, Viola më tregoi për “poetët e mallkuar” të Parisit. Ishte një grupim poetësh të rinj, shumica parizianë, por edhe të huaj, që ishin bashkuar në bazë të parimeve të Verlaine-it, poetit të madh francez dhe që nënkuptonte poetin i cili, që në rininë e tij nuk kuptohet nga të tjerët, i përçmon vlerat e shoqërisë, sillet në mënyrë provokuese, të rrezikshme, antishoqërore dhe vetëshkatërruese, shkruan vargje të vështira për t’u kuptuar dhe, në përgjithësi, vdes përpara se t’i njihet vlera. Në një kafene në Monmartre, me emrin “Arthur Rimbaud” mblidheshin çdo të premte në mbrëmje. Edhe Viola pat shkuar disa herë në atë kafene, e kish çuar Jorikua, mikesha e saj japoneze, edhe ajo “poete e mallkuar”. U desh edhe një pasdite e veçantë kokë më kokë, por kësaj radhe në Kafe Flora, që Viola të më rrëfente se edhe vetë shkruante poezi. Më kish sjellë një fletore moleskin të kuqe plot e përplot me poezitë e saj: ishin të gjitha në frëngjisht. Papritur jashtë kish zënë të binte shi me rrebesh dhe ne u ngujuam gati dy orë në kafene pa folur,Viola që kundronte si e përgjumur shiun që prapa xhamave të Kafe Florës në rrugën e ndriçuar keq, ku kish rënë tashmë muzgu dhe ku njerëzit llapashiteshin në ujë, si mos më keq, dhe unë që zhytesha, në çdo faqe të fletores, thellë e më thellë në poezinë e Violës. Të gjitha vargjet e saj, herë hapur dhe herë tërthorazi, i kushtoheshin Jorikos: “… me trup të mermertë dhe të epshëm si lule lotusi, flokë ngjyrë ebaniti dhe lëkurë të mëndafshtë si petalet e luleve të qershisë…”. Dhe ishin të mrekullueshme. Asnjëherë s’kisha lexuar vargje aq të zjarrta, aq të ndiera, aq sensuale dhe njëkohshëm të thjeshta dhe me një fuqi joshëse të pazakontë. Në fund të moleskinit ishte një foto e Jorikos në kafenenë e Monmartre-it, me supet të mbështjella me një shall të madh mëndafshi të kuq dhe të tejdukshëm, që lejonte të dukej rrumbullakësia delikate e tyre, dhe me dy vathë të veckël, aq të kuq e farfuritës, sa ngjanin si dy pika gjaku të freskët përmbi veshët e saj të bukur. Në pjesën e pasme të saj, një përkushtim dyfjalësh: Për ty.

    Freskia e passhiut dhe llamburitja e rrugëve në dritën e neoneve nuk ia dolën dot të ma fashisnin turbullimin që më shkaktuan poezitë e moleskinit: kisha hyrë në intimitetin e ëmbël të Violës dhe ndieja se kisha kapërcyer vetëm pragun. Paskëtaj lëngova nga idengulitja për të zbuluar gjithçka për Violën. Ishte kureshtia e madhe për të ditur dhe kuptuar gjëra krejt të pazakonta, të cilat mund të ndodhnin vetëm në vise të lira të universit dhe, mbi të gjitha, ishte një tërheqje vdekjeprurëse për t’u futur më thellë në intimitetin e saj të jashtëzakonshëm dhe për të zbuluar të fshehtën e kaltër…Me çdo kusht.

    Porse nuk arrita dot t’i bëja asnjë koment Violës për poezitë e moleskinit, por edhe ajo, me sa dukej, as që e priste diçka të tillë sepse nuk më pyeti kurrë. E konsideruam thjesht si një hap më tej në afrimin tonë. Nisëm të shkëmbenim libra të ndaluar, nga ata që ajo kish mundur t’i kalonte në doganë duke iu ndërruar kopertinën dhe nga ata që unë vetë kisha mundur të gjeja ndër miq shumë të besuar.

    Pranvera kish ardhur papritur dhe ne të dyja lulëzuam po aq papritur sa ajo. Nuk kish më të fshehta mes nesh, ndonëse shumë gjëra nuk thuheshin me fjalë, por kuptoheshin vetiu dhe një harmoni pothuaj e përsosur ndihej në gjithçka tonën. Asaj kohe vdisja ditën për t’u ngjallur natën në vetminë time pa të: ditën rrinim të dyja bashkë, nuk ndaheshim pothuaj fare dhe unë, si një automat, jetoja jetën e saj dhe prisja të ndodhte zbulimi. Natën jetoja jetën time me përjetimet e ditës dhe admiroja pa fund çdo çast të jetuar me Violën, por edhe ëndërroja me ankth dhe shpresë lirinë e saj të jetuar në Paris. Një lloj pasioni që s’e kisha ndjerë kurrë më parë më shtrëngonte zemrën gjer në dhembje, ma bënte frymën të më ikte nga kraharori sa herë kisha Violën pranë dhe rropullitë m’i mbushte me një frikë të ngrictë…

    Fundviti shkollor po afrohej dhe bashkë me të edhe provimet. Mezi prisja të vinte vera, do hidhnim trupit veshje hollërina dhe do të zbuloja pa mundim të fshehtën e kaltër përmbi lëkurën e Violës; pastaj plazhi, ah, plazhi me rroba banje dhe trupa të shpenguar mes rërës dhe detit! Më kujtohet që si detyrë përkthimi të vitit, u vumë të dyja që me katër duar të shqipëronim nga frëngjishtja vargjet e dy poezive të Safos, poeteshës së lashtësisë, të cilën Viola e adhuronte dhe e quante mjeshtren e vargjeve të saj: njëra i kushtohej Afërditës, perëndeshës së bukurisë dhe dashurisë, dhe tjetra, ajo që mua më pëlqente më tepër, titullohej Më Ngjan dhe i kushtohej të dashurës së poeteshës:

    Më ngjan me zotërit njëlloj/ kush pranë teje vjen e ulet/ dhe t’ëmblin e zërit tënd shijon/ dhe të mrekullueshmet, lulet/ e të qeshurës sate që zemrën shkrin/ dhe mbi buzë ma bën të rrahë fort,/ sapo që shoh tënden fytyrë/ zëri im thyhet çikë e copë/ gjuha eshkë brenda në gojë/ zjarr i ëmbël mbi lëkurë/ veshët përnjëher’ shurdhohen/ sytë s’do më shohin kurrë./Djersët më mbulojnë trupin/ një drithërimë më shkundullit/ mu si bari jeshilosem/ më ngjan se po jap shpirt…

    Më kujtohet se mëngjesin që dorëzuam përkthimin e poezive, Viola kish fytyrë të rrënuar dhe rrathët mavi të syve i shkonin gjer në mes të faqes nga pagjumësia dhe vuajtja. Kur e luta të më rrëfente se ç’brengë e kish shndërruar kësisoj, mes ngashërimave më tregoi se poezitë që kishim përkthyer ishin poezitë më të dashura të Jorikos, dhe se përpara se të vriste veten më 10 nëntor të vitit të kaluar, ditën e vdekjes së Arthur Rimbaud-së, ajo ia pat lënë në dhomën e saj, së bashku me një letër lamtumire të ditur dhe të pritur. Më tronditi thellë rrëfimi i Violës; as që mund të më shkonte në mendje se ajo vajzë e re, e bukur dhe e talentuar ish mërzitur nga jeta gjer në atë pikë sa ta linte atë sikur të mos kish ekzistuar kurrë. Ma shpjegoi Viola darkën që erdhi të flinte në shtëpinë time: rrinim të dyja gjysmë shtrirë në shtretërit përballë njeri-tjetrit në dhomën time vajzërore ndriçuar vetëm nga drita e pakët e muzgut që hynte prej dritares së hapur kat e kat. Nga oborri i shtëpisë vërshonte me gulfa harbimi i luleve të çelura si edhe flladi i ëmbël e i ngrohtë aromëmjalti i majit që më kish rënë në kokë dhe më kish mpirë të tërën. Viola fliste, ndërsa unë mundohesha të gjeja se nga buronte një aromë gjethesh vjeshte që kish përmbytur papritur dhomën tonë dhe që dilte përmbi aromën e pranverës. Viola më tregoi se Jorikua kishte vite që pat marrë vendimin për të vdekur porsa të mbushte njëzet vjeç, ditën kur poeti i saj, Arthur Rimbaud-ja, kish mbyllur sytë. Madje ajo qe e bindur se kjo ish vendosur që në lindje të saj nga një fat i rreptë, shenjat e të cilit i qenë shfaqur së bashku me frymëzimin e shenjtë për të shkruar vargje. Askush nga rrethi i miqve të “poetëve të mallkuar”, nuk e kish marrë seriozisht vendimin e Jorikos dhe ca më pak qëllimin e atij vendimi: sublimimin e poezisë së saj nëpërmjet aktit përmbyllës të jetës, që ishte vdekja e vullnetshme. Porse Viola e kish ndjerë që ishte e vërtetë: Jorikoja pat mbushur 20 vjeç në 14 tetor të atij viti dhe, sa më shumë afrohej data 10 nëntor e vitit 1980, aq më tepër ajo ngazëllehej si nga afrimi i realizimit të një qëllimi të madh. Viola betohej se ditët e para të nëntorit kish pikasur një si brerore drite përmbi kokën e bukur të Jorikos, e cila s’mund të ishte veçse dritësimi i një mistike të lashtë japoneze…

    Tërë natën e datës 9 nëntor të dyja vajzat ishin trupëzuar në një të vetëm, zemër me zemër ngjitur, duke përgjuar rrahjet e njëratjetrës gjer në agim kur Jorikua pat nisur të bënte ritualet e besimit të saj dhe e kish larguar Violën. Ndërsa Viola gjente poezitë e Safos dhe letrën e lamtumirës në dhomën e saj në rezidencën universitare, Jorikoja jepte shpirt nga një overdozë heroine…

    *

    Në dhomën time me dritare hapur kish rënë nata; ndeza një abazhur dritëvakët. Viola lotonte heshturazi. Kur për ta qetësuar iu avita shtratit ku ajo po rrinte mbështetur mbi jastëkë të mëdhenj, zbulova menjëherë aromën e pagabueshme të gjetheve të vjeshtës që vinte nga flokët e saj. Drita e vakët e abazhurit i binte tamam përmbi kraharorin e mbuluar nga një këmishë nate e hollë beharore. U derdh në krahët e mi duke u ngashëryer. Qëndruam gjatë ashtu. Ia mora fytyrën në duar dhe i fshiva lotët nga sytë e bruztë që iu mbushën me dritë. Ndieja ngrohtësinë e lëkurës së saj puthitur pas lëkurës sime, lagështinë e lotëve, aromën e gjetheve vjeshtake të brendësisë së flokëve të saj dhe sërish flladi erëmjalti i natës së majit më hipi në kokë dhe më dehu nga kënaqësia dhe marramendja. Vetëtimthi mendova se nuk ishte e nevojshme të prisja verën për zbulimin tim. Përmbi kokën e Violës drita e vakët kish formuar brerore. Ngadalë tërhoqa lidhkën e mëndafshtë të këmishës beharore prej batiste të hollë. Në çast, pa ndroje, pa naze, pa rezerva, e përunjur, mrekullia u shfaq e tëra para meje: mbi lëkurën e zhveshur të kraharorit, tamam në mes të gjinjve të vegjël e të rrumbullt si dy diej të Violës, ndodhej tatuazhi me profilin magjik të një fluture të kaltër, i cili e mbushi me një flatrim drithërues dhe plot dritë dhomën time. Nuk e përmbajta dot veten: me mollëzat e gishtrinjëve që më dridheshin e preka, pastaj vura buzët që më zjarrmonin përmbi të, preka me gjuhë dhe shijova pluhurthin e krahëve të saj, dhe më pas e bëra njësh me qenien time… Ndjeva shijen e një fruti të panjohur dhe të pakrahasueshëm me asgjë në botë dhe provova një liri të pafund së bashku me një kënaqësi sipërane, që i bënte copë e çikë tërë paragjykimet dhe pengesat e kësaj bote. Më shpuri në një tjetër dimension të ekzistencës; befas, si me magji, nuk ndihesha më qenia mjerane e një çasti më parë që i druhet Zotave, por një dhe e barabartë me ta.

    Për fat të keq nuk isha lindur një qenie drite si Viola dhe Jorikoj. Ditë pas dite u mblodha dhe u rrëgjova nën peshën dërrmuese të asaj magjie dhe nuk jetova dot në atë univers të jashtëzakonshëm që ishte vetëm i tyre. Buzëmbrëmjen e ndarjes sonë, Viola më dhuroi vathët e veckël të kuq të Jorikos, të cilët në muzgun e ditës, kishin marrë ngjyrën e gjakut të mpiksur. Nuk u takuam më kurrë. Përshëndeteshim nga larg kur shiheshim, me një gjest të dorës që ishte yni.

    *

    Dhjetë vjet më vonë, mësova se Viola nuk ishte më e kësaj bote, kish humbur jetën në një aksident të trishtë rrugor.

    Një ditë vjeshte me shi në Paris, në barin Venusi i Zi në Marais, ku ishin varur foto dhe poezi të Jorikos, pata një frymëzim të beftë: u vura të kërkoja adresën 4 Rue Germain Pilon në Parisin 18. E gjeta përnjëherë atelienë e Brunos së famshëm. Mjeshtri parizian i tatuazhit i mbante mend kthjellazi dy vajzat studente, të cilave më 1980 u kish skalitur mes gjinjve profilin e kaltër të fluturës japoneze. “Simbol i dashurisë së përjetshme”, më tha, ndërsa më vizatonte mbi gjoks tatuazhin e përgjakur dhe të përjetshëm të profilit të të fluturës…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË