More
    KreuOpinionMinella Aleksi: Çështje shijeje leximi apo paaftësie për të qënë i hapur...

    Minella Aleksi: Çështje shijeje leximi apo paaftësie për të qënë i hapur ndaj ndryshimeve

    Gjëndja optimale e qënies njerëzore është të rritet biologjikisht dhe mëndërisht në mënyrë të vazhdueshme. Ndërsa rritja fizike është proçes i natyrshëm ose i detyrueshëm, rritja dhe zhvillimi mendor nuk është i garantuar. Kërkon rritje dinamike për mendim abstrakt, thellësi emocionale, komunikim kompleks dhe arsyetim moral. Shumë vite më parë më intrigonte pyetja: pse disa lexues pëlqejnë dhe e sfidojnë veten duke lexuar qëllimisht romane trillues të vështirë, me kuptime të maskuara nëpër tekst dhe të paqartë, me interpretim dyshues, etj,. Ndërsa shumë të tjerë nuk i preferojnë të tillë autorë. Sa më shumë dëgjoja frazën “çështje shije, shijet janë subjektive”, aq më shumë anoja nga mendimi se kjo përgjigje ishte jo e duhura, disi spekulative. E konsideroja si përpjekje që orvatej të fshihte paaftësinë ose pamundësinë e tyre për të kuptuar një histori të shkruar me mjeshtëri të lartë trilluese, ndryshe të mirëfabrikuar. Më nxiste pyetjen: Mund të zgjidhet shija?. Gjenetikisht i pabarabartë prej natyre, si individualitet në diversitet, njerëzit dallohen nga kombinimi i tre faktorëve: fondamenti biologjikë, temperamenti emocional ose personaliteti psikologjik dhe kultivimi kulturor. Kur themi fondamenti biologjik nënkuptohet një dhunti që lind me njeriun.

    Shija jo vetëm që është një përvojë biologjikisht komplekse, por dhe mjaft imagjinative e psikologjike. Pra pyetja që pason do ishte: çfarë tip personaliteti ke trashëguar? Dhe në varsëi të tij a të mundësohet zhytja në detin emocional të një historie të mirëfabrikuar? Të ka pajisur natyra me “injektorin” që ndez ndjenjat në mëndjen e njeriut?

    Mendoj se përgjigjet e pyetjeve më sipër na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë i bën disa të paktë njerëz që të shijojnë dhe të adhurojnë letërsinë e majave, dhe pse disa të tjerë, shumica nuk e gëzojnë këtë “privilegj”?. Në biseda mbi letërsinë dhe autorët nobelistë, disa bashkëbisedues bëhen nervoz

    kur dikush tjetër flet edhe për vlera artistike e filozofike të veprës së shkrimtarit tonë të njohur në botë.

    S’më mbetej tjetër vetëm të përsërisja shprehjen klishe: shijet kanë karakter subjektiv.

    Veten e gjeja shpesh afër thënies së Umberto Eco-s se: “letërsia lejon një sërë interpretimesh, por disa janë më të mira se të tjerat”. Pyesja veten: çfarë e kufizon lirinë e lexuesit për të interpretuar tekstin e një tregimi të trilluar, Pse disa bëjnë interpretim shpjegues të tekstit e disa më të paktë interpretim simptomatik të tij. Kur përdor fjalën “simptomatik” kam parasysh që mjeku vendos diagnozë bazuar në nënkuptimet e fshehura, të maskuara dhe të vërtetat indirekte që mbulohen nën simptomat. Interpretimi simptomatik t’i sjellë ato në sipërfaqe. D.m.th që, tekstin letrar t’a kuptosh si një simptomë të çështjeve të mëdha shoqërore e psikologjike të njeriut, që të përballesh me të këqijat dhe të mirat e natyrës njerëzore. Në përgjithësi tekste të tilla provokojnë pakënaqsi të hidhur kundër autorit.

    N.q.se shkrimtari u është shmangur të vërtetave të vështira, të dhimbshme, ceneve, plagve dhe hijeve të fshehura brënda nesh, atëhere i ndihmon ato të zmadhohen, të na mbysin me konformizëm dhe një ditë të shpërthejnë pa pëlqimin tonë. Sa më shumë heshtet aq më shumë shoqëria ndjehet e bllokuar në mediokritet. Jo më kot thuhet se vetëm një ndryshim në qëndrimin interpretues të individit mund të iniciojë një ndryshim në psikologjinë e kombit. Herë pas here bisedat me këto tema më sillnin në mënd periudhën e viteve 70-90 të diktaturës komuniste në vëndin tonë, kur lexuesit shqiptarë varësisht nga qëndrimi i tyre ndaj letërsisë së shkrimtarit Kadare, kategorizoheshin në tre grupe,. Një grup i madh ishin ata që nuk kishin marrë mundimin ndonjëherë që të lexonin ndonjë libër të tij. Grupi i dytë më i vogël ishin ata që e kishin lexuar, që nuk e kuptonin, e fshihnin inatin, nuk e pranonin moskuptimin dhe, zemërimin e moskuptimit e shoqëronin me arsyen se, letërsia e tij ishte dekadente, nxinte realitetin e shkëlqyer komunist, denigronte figurën e komunistit dhe të punonjësve të sigurimit, që shkruhej për lexuesin e huaj, etj,etj.. Fushata antishkrimtar përfshiu nga nxënësit e gjimnazeve tek punëtorët e fshatarët, ushtarakët, organizatat e bashkimeve profesionale e ato të frontit demokratik, etj, sipas modelit të fushatave kundër intelektualëve gjatë revolucionit kulturor kinez. Te radha e qumështit romani “Dimri i vetmisë së madhe” ishte shkaku i bisedave gjithëfarëllojshe nga njëri mëngjes deri në mëngjesin tjetër. Ndërkohë ishin më të paktit lexues ata që adhuronin letërsinë e tij, të cilën e vlerësonin pa rezerva, dhe e shihnin si një mjet të fuqishëm emancipues të shoqërisë shqiptare. Kjo situatë mendonjëse më nxiste drejt pyetjes: Përse disa lexues janë të prirur që të adhurojnë letërsinë trilluese elitare e i quajmë lexues të kultivuar, ndërsa të tjerë të shumtë nuk e gjejnë veten të afërt me të? Madje janë lexuesit e kultivuar që pranojnë se në jetën rinore kanë pasur një moment, një roman trillues që u ka ndryshuar jetën. I ka tronditur mënyrën e të menduarit dhe ndryshuar sjelljen me librin. Kur e pohoja këtë fakt për letërsinë e shkrimtarit Kadare, “miqtë e mi” ndrydhnin brënda vetes rezervat e tyre të dukëshme.

    Nuk është kot shprehja se, rruga nga faqja e librit në drejtim të zemrës së lexuesit është larg të qënit një vijë e drejtë.

    Sipas psikologëve të mekanizmit transformues të trillimit ftesa e shkrimtarit është një kërkesë lexuesit për përfshirje në një proçes me dy faza: faza e daljes ose e largimit nga identiteti vetjak dhe faza e dytë, ajo e hyrjes mendërisht në identitetin e personazheve të botës së pretenduar në roman. Si të thuash të “transportohesh” nga një fazë në tjetrën.

    Dmth shkrimtari ose është nga ata që të transporton e të mban të zhytur në botë e krijuar prej tij ose është nga ata që nuk njeh asgjë më të lart se vetja, mediokër.

    Transport që mund të bëhet në dy forma; i drejtpërdrejtë, tekst i thjeshtë, ose forma tjetër, më delikate e më e paqartë, në formë “spiraleje” intriguese, indirekte, jo e drejtpërdrejtë. “Ecja spirale” është tipar i njerëzve të zgjuar, të rafinuar e delikat, veprimet ose mendimet e tyre nuk kuptohen, nuk zbulohen lehtë në shikim të parë. Shkrimtari/e “rafinuar” nuk e quan personin të pa pëlqyeshëm, por tregon detaje fizike e sjellje të tij të papëlqyeshme. mund të përdorin insinuata, metafora, dykuptimësinë, analogjira, aludime, implikime ose sinjale të pathëna për të përcjellë mesazhin ose për të arritur objektivin. Në këtë mënyrë shkrimtari mirëfabrikon ose jo një realitet, imitim ose simulim të botës reale. Jo i simulimit në kompjuter por, atij që zhvillohet në mëndjen e njeriut. Pyetja është: a gënjen trillimi?

    Në njëfarë kuptimi, po. Shkrimtarët përdorin gënjeshtra për të komunikuar gjëra të vërteta. Trillimi nuk është një fotografi,” thotë psikologia Djikic, e cila ka eksploruar psikologjinë e fiksionit në Universitetin e Torontos. “Përkundrazi, është një distilim metaforik i sjelljes njerëzore.”Për të na lundruar në botë të reja një vepër trilluese mbështetet në komunikimin jo të drejtpërdrejtë, indirekt. Por nuk na tregon se ku dhe si të zbarkojmë,” thotë ajo. “sepse vetëm ju e dini se ku duhet të mirërriteni”. Ideja paradoksale se fabrikimi ose trillimi artistik mund dhe duhet të jetë më i vërtetë se ngjarjet reale të jetës mbështetet nga shumë psikologë të kreativitetit. Karakteret në një krijim trillues kanë personalitetin dhe shumë tipare të vetat njëlloj si njerëzit e vërtetë në jetë. Ka një ndryshim: në jetën e përditëshme ngjarjet e komunikimet mes njerëzve kanë një ritëm të ngadaltë, zbulimi i tipareve të njerëzve që të rrethojnë të merr kohë të gjatë. Në jetën reale kemi të bëjmë me kohë kalendarike me rrjedhë lineare kronologjike të ditëve dhe stinëve. Koha në trillim manipulohet nga krijuesi, nuk ruan domosdoshmërisht kohën kalendarike. ecën më shpejt, kapërcehet në kohë për të theksuar disa aspekte të historisë.

    Në roman ngjarjet e një jete vijnë brënda një kohe të shkurtër, të ngjeshura në disa minuta apo disa orë, aq sa merr koha e leximit. Mënyra sesi një autor e administron kohën e rrëfimit ndikon ndjeshëm në përvojën e lexuesit, duke ndikuar në ritmin, tensionin dhe ndikimin e përgjithshëm të tregimit. Problemi është sesa i vërtetë, sa interesant, intrigues është realiteti që rrëfehet? Shkrimtari përgatit tekstin ose ngjarjen e imituar, dhe e fton lexuesin që të ulet njëlloj si ulet kandidati për pilot në makinen e simulatorit të situatave fluturuese.

    Përjetimi është i ndryshëm sepse varet dhe ndryshon tërësisht në bazë të perceptimit personal. Të vërtetat e botës reale përmbajnë gjëra nga më të çuditshmet të mundshme, ndërsa trillimi është i kufizuar brënda mundësive që lejon imagjinata e trilluesit. Nëse diçka e pamundur, jo bindëse ndodh ose përfshihet në një histori trillimi, kjo e bën historinë të vështirë për t’u besuar dhe vë në pikëpytje vazhdimin më tej të leximit. Rrëfimi mund të mos rezonojë midis rreshtave të jetës së lexuesit. Ama nëse diçka e pamundur ndodh në jetën reale, atëherë është e qartë se nuk paska qënë e pamundur. Jeta reale nuk është e kufizuar apo kushtëzuar nga një rrëfim i fabrikuar, thjesht është.

    Nga ana tjetër qëndron argumenti se trillimi, ndryshe nga bisedat faktike mund të zbulojë të vërteta më të thella, më bindëse, me shumë nuanca për natyrën dhe përvojat njerëzore. Të tregon se si është jeta e dikujt tjetër dhe ty si lexues të mundëson të përjetosh gjëra që nuk mund t’i shohësh apo t’i bësh kurrë. Vjen si një pasqyrë për shoqërinë që na tregon vlerat, difektet e rënda dhe potencialin e saj. Romane si “Proçesi”, “I Huaji”, “1984”, “Përbindëshi”, “Nata me hënë”, “E Penguara”etj, me të vërtetat e tyre rreth mbikqyrjes nga autoritetet shtetërore, represionin shtetëror, autoritarizmin dhe rreziqet e konformizmit, e vënë në dyshim statukuonë dhe parashikojnë realitete alternative realisht.

    Mjete si simbolizmi, alegoria dhe metafora ndihmojnë në zbulimin e kuptimeve më të thella të të vërtetave të fshehura të trillimit. Asnjë njeri nuk është i përsosur dhe krijimi i personazheve me të meta, shpesh shumëplanëshe, në konfliktet e brçndëshme të karaktereve, me pika të forta dhe të dobëta i duhet shkrimtarit për të eksploruar nuancat e gjëndjes gri të përvojave njerëzore. Në krye të shkrimit shtrova pyetjen se çfarë tip personaliteti ka trashëguar lexuesi. Sepse lexuesi mund të jetë tip empatik apo simpatik dhe ky fakt kushtëzon reagimin emocional të lexuesit gjatë leximit.

    Empatia është një kombinim i dijes (mëndjes) me ndjeshmërinë (ndjenjat). Mendoj se ka rëndëi të dorës së parë të mbahet parasysh se empatia është tipar i lindur te njeriu dhe që ka nevojë të zhvillohet me rritjen.

    Termi “empati”nënkupton aftësi për të kuptuar një person tjetër nga këndvështrimi i tij dhe jo nga këndvështrimi juaj – me fjalë të tjera, për të vënë veten në vendin e tij. E thënë thjesht, simpatia është ndjenja për dikë, ndërsa empatia është ndjenja me dikë. Tip personaliteti simpatik do të thotë të ndjesh keqardhje dhe dhëmbsuri për dikë që po kalon një kohë të vështirë. Dashamirësia e tipit simpatik mbetet deri te keqardhja, nuk priret me tej drejt njehsimit me karakterin fatkeq në tekst. Nuk arrin nivelin e lexuesit empatik. Jo më kot thuhet se një nga pikat më të forta të trillimit qëndron në aftësinë e tij për të nxitur empatinë, njehsimin në ndjeshmëri të lexuesit me karakterin. Empatia është “Injektori përndezës” që e pasuron personalitetin e njeriut.

    I zhytur në një botë imagjinare, lexuesi e shikon jetën nga këndvështrimi i karakterit. Nëse lexuesi nuk bëhet njësh me karakterin, që për humbjen e një të dashuri të vuajnë sëbashku, nuk është në ndjeshmëri me karakterin që përballet me diskriminim, talljen, racizmin, dmth nuk mund të zhvilloj aftësinë për të kuptuar të tjerët, atëhere ka dy mundësi. Ose nuk është tip empatik, natyra nuk e ka pajisur me dhuntinë e “injektorit përndezës të ndjenjave”, ose shkrimtari nuk ka arritur t’i japë lexuesit një histori të mirëfabrikuar. Tregojnë për një rast ku dikujt i shkon një mik, hapet dera, përmallen dhe, kur ulen miku e pyet: “ah, qënke vetëm” ?. “Jo, tani që erdhe ti jam vetëm”, dëgjoi dhe kuptoi se zotëria i shtëpisë kish qënë duke lexuar diçka shumë interesante.

    Psikologët bashkohen në interpretimin se, arritja e të qënit në ndjeshmëri me personazhin është momenti kur lexuesi është i hapur, intuitivisht ka pranuar të dalë nga realiteti i përvojave të veta dhe përfshihet ose zhytet në realitetin e historisë të cilën e interpreton përmes syve të të tjerëve. Kjo fazë zhytjeje në ndjeshmëri shënon fillimin e zbulimit të vetes, proçesin e hapjes ndaj të tjerëve mbasi historitë e trilluara që po lexon rezonojnë thellë me jetën e tij, përjetohen episode keqkuptuese, xhelozish, zilish, lakmive, mosmirënjohëse, etj, ku shpesh has reflektime vetjake penduese për qëndrime dhe sjellje që e turpërojnë ose e bëjnë krenar. Lexuesi në këto situata ndjesish shtrëngon nofullat ose mbyll sytë, ia largon vetes, nuk i do në mendimet e tij, e zemërojnë dhe e mundojnë psikologjikisht, ndihet i/e turpëruar në sytë imagjinarë të të tjerve, s’i mbetet veçse të kuptojë se e keqja, djalli është brënda tij. Sepse do s’do, emocionet që ato ngjallin në fazë ndjeshmërie mund të jenë po aq të forta e mbase më gërvishëse e brerëse psikologjikisht sesa ato të shkaktuara nga ngjarjet e jetës reale.

    Ka gjëra të jetës njerëzore që janë aq të gabuara e aq të neveritshme sa s’mund të mos i kategorizosh si të pabesueshme, fantazira. Në botën reale njeriu bashkëjeton i familjarizuar me to, të cilat brutalisht, në mungesë totale të etikës humane i imponohen njeriut prej llojit të vet, nga një njeri tjetër e që s’i mbetet zgjidhje tjetër veç t’i besoj e t’i pranoj. Leximi i rrëfimeve të mirëfabrikuara e bëjnë njeriun lexues të ndryshëm në thelb nga të tjerët. Të ndryshëm sepse e vendos në raport të sinqertë me të vërtetën e tij dhe të të tjerëve. Vështirë të manipulohet, fiton besim te vetja i “armatosur” me guximin që të jep e vërteta reale. E vërtetë që e shikuar nën optikën e letërsisë së mirëfabrikuar nuk është thjeshtë një mbushje kohe ose “arratisje” nga konvencionaliteti i përditshmërisë, përkundrazi është energji e fuqishme rritjeje mendonjëse. Nuk ka dyshim, thotë Doris Lessing se, letërsia e mirëfabrikuar është më e mira formë në shërbim të së vërtetës.

    Nën këtë domethënie, romanet filozofik “I huaji” i Camus ose “Krim dhe Ndëshkim” i Dostojevskit, “Shkretëtira e tartarëve” i Buxatit, “ Dimri i vetmisë së madhe e Nata me hënë”, vëllimi “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Pallati i ëndrrave” të shkrimtarëve tanë, etj, por jo te “Alkimisti”, kanë qënë ato ku si lexues jam përballur në mënyrë të pamëshirshme me dilemat, instiktet kriminale, konfliktet e brendëshme të karaktereve, dramat dhe të vërtetat e tragjedive më të mëdha të jetës. Kam ndjerë ose përjetuar paradoksin e të vërtetave të mbështjella brënda tregimeve se, brënda rrethit familjar, miqësive, rrethit shoqëror ku punojmë, ka shumë gjëra që janë të pabesueshme, që janë aq të gabuara sa duket të jenë pjellë fantazie, që janë aq të neveritshme sa duhet të kufizohen si të pamohueshme brënda një libri, shumë komplekse, më të thella e intriguese sesa vetë realiteti. Kur mes miqsh kam shprehur keqardhjen që disa prejt këtyre romaneve më erdhën vonë në moshë, nuk jam i sigurtë sesa ata e kanë kapur thelbin e domethënies në raport me “të vërtetën e rritjes e të ndryshimit”. Nuk e di sesa janë kënaqur ose sa neveri kanë ushqyer kur janë ndeshur me karaktere të cilët i kanë simpatizuar ose urryer, sipas kujtimeve dhe ndjenjave të përjetuar gjatë të përpjetës në jetën e tyre. Kjo s’është në dorën time. Në respekt të së vërtetës duhet të pohojmë dhe të pranojmë dashamirësisht se nuk duhet të ushqejmë animozitet ndaj shkrimtarit që na e dhuron një tregim të mirëfabrikuar, të cilin nuk e kuptojmë dhe nuk e interpretojmë dot jo për faj të tij. Fatkeq është lexuesi që nuk ka aftësinë apo mundësinë e lindur që të çfaq Empati, të jetë i hapur për ndryshim gjatë leximit. Gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut kisha konstatuar se shumica e kolegëve me të cilët komunikoja e mbyllnin telefonin gjatë natës. Nënkuptimi që përcillej ishte i qartë: Keq më vjen, por mos më shqetëso. Ia lejonin vetes këtë komfort. Mbeteshin deri te keqardhja apo dhëmsuria për hallexhiun nevojtar. Ndërsa ata vet kur i zinte halli, e çanin telefonin në çdo orë. Një këshillë pacientëve: Besojini atij mjeku që nuk e mbyll telefonin gjatë natës dhe që në praninë tuaj ju ndihmon për të kontaktuar zyrat e mjekëve të tjerë specialistë për datën e ardhëshme të konsultës me të. Ky mjek është tip me personalitet empatik sepse ka kapacitetin ose është i hapur që të identifikohet në ndjeshmëri me situatën tuaj të dhimbshme. Ai ose Ajo e vë veten në pozitën tuaj të vështirë, futet në lëkurën tuaj, është i prirur realisht të të ndihmoj. është tip personaliteti empatik. Sepse Plus kanë një tjetër vlerë të shtuar: janë lexues të kultivuar të më të mirës letërsi të fabrikuar. Fatkeqësisht janë ndër më të paktit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË