Një vështrim kritik mbi librin “Katërdhetë e pak” të Vlora Ademit
“Atë ditë e kam pa sa i pamitër asht burrë” ky është një varg që nuk qëndron vetëm si një pohim poetik, por si një shpërthim emocional që demaskon mungesën e barazisë, qoftë në marrëdhëniet gjinore apo në vështrimin e parë biologjik. Vargu është një klithmë e brendshme, një shpoti që vë në peshore pabarazinë me gjithë vështirësinë e saj për t’u përballuar.
Ky varg i fuqishëm i përket poetes Vlora Ademi, në librin e saj të parë poetik “Katërdhetë e pak”, botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, në vitin 2023. Ky vëllim është pjesë e një tradite të re që po kultivohet nga disa poetë shqiptarë të cilët poezinë e tyre e derdhin në formën e vargut gegërësisht , një dialekt që përkundër standardit gjuhësor të përbashkët, ruan një thellësi e pastërti të veçantë të shqipes.
Poezia e Vlorës rrjedh natyrshëm në gegënisht, dhe ky zgjedhim i vetëdijshëm stilistik nuk është thjesht estetik, por edhe konceptual. Vargjet e saj janë një jehonë e gjuhës së nënës, një trashëgimi e pasur që rrjedh prej lashtësisë së gjuhës shqipe. Në 42 poezitë e përfshira në libër, hasim një shumëllojshmëri të të folmes gege që i jep veprës një shtresë të thellë kulturore e emocionale.
Libri është i ndarë në gjashtë tufa poetike, ku secila përfaqëson një përjetim të caktuar emocional apo filozofik, një udhëtim përmes ndjenjave dhe mendimeve që kalojnë nëpër filtrin shpirtëror të autores.
Tufa I DimnatKjo tufë i ftoh damarët me metaforën e borës dhe acarit, një ndjesi që përçohet me vargje si: “U friksova mbas simetrisë së fjollave dhe hanimit përmbi të bardhën e borës». Këtu bardhësia nuk është pafajësi, por ngurtësi, një lloj dhune e heshtur e natyrës mbi qenien njerëzore.
Tufa II KronikaNë këtë cikël ndjehet pesha e kujtesës historike dhe dhimbjes ekzistenciale. Vargu “Zot! Po qysh mujte aq gjakftohtë me pa atë dramë?” është një pasthirrmë që ngërthen përplasjen mes hyjnores dhe njerëzores, mes të ftohtit të një Zoti të heshtur dhe vuajtjes së njeriut të braktisur. Poezitë këtu përkujtojnë atmosferën e një “kronike të një vdekjeje të paralajmëruar”, siç do të shprehej Márquez, apo thirrjen e zgjedhjes për të jetuar të Kadarese: “Dhe zgjodha me marrë ma t’vështirën udhë/ zgjodha me rrnue”.
Tufa III PaplotniKëtu poetja reflekton mbi zbrazëtinë, përmbysjen e kuptimeve dhe zhbalancimet shoqërore. Ajo shkruan: “Janë dy rreze drite që ta prekn ballin atje përtej/ e emnin ta thonë me dy rrokje përditë”, duke krijuar një ndjesi shprese të lodhur nga mungesat. Tek vargjet si “Kam mendue nanat nuk prajn”, gjejmë një përdorim mjeshtëror të gegërështes së vjetër, që i jep lexuesit një ndalim emocional të thellë.
Tufa IV Në vetën e tretëPoetja lëviz drejt një rrëfimi më të distancuar, por jo më pak intim. Në poezinë Këngë e përvajshme, kujtesa merr një ngjyrim liturgjik: “Frikshëm ta ndien qenien, pesë telave me gjemba/ si n’D-minor”. Vargjet ngërthejnë një vuajtje të strukturuar si një Requiem, me ngjyrim shpirtëror dhe muzikor.
Tufa V KapërcimetKjo tufë eksploron dimensione mitike dhe identitare. Në poezitë Pasqyrat, Kcimi së nalti mbi ylberat, dhe E pangjashme, poetja shtjellon konceptin e qenies dhe mosbindjen ndaj kohës. Vargu “Nuk i ngjaj këtij shekulli” është një deklaratë e qartë e distancimit shpirtëror nga një botë që poetja nuk e ndjen më si të vetën.
Tufa VI Qiej të naltëKëtu dashuria shfaqet si një ndjenjë e brishtë por gjithëpërfshirëse:
“Ani se ndershmënía asht ndëshkim”, shkruan ajo, duke shprehur zhgënjimin e një zemre që përkundër sinqeritetit, është ndëshkuar nga realiteti. Dashuria bëhet si një rrjedhje e ngadalshme, që përshkon damarët e qenies.
Ashtu siç ka thënë poeti Primo Shllaku, “poetes i intereson së tepërmi me rrokë qenien e vet”, dhe në këtë vëllim ajo e arrin këtë. Vlora Ademi ka krijuar një botë poetike të vetën, të ndërtuar mbi rrënjët e gegërishtes dhe përjetimeve të pastra njerëzore. Ajo nuk kërkon të mashtrojë lexuesin; siç thotë edhe kritiku Gazmend Bërllajolli: “Vlora nuk trillon gja” — dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj.