1.
Të lumtur e të dëshpëruar.
Ku po shkojmë?
Po thonë se e kaluara është mashtrim.
Njeriu me qëndrim mohues çka po na tregon?
Kush na solli paqen, nuk u pa.
Ata që luftuan për një botë me fat, shkurtësia e jetës i kujton.
Edhe për ata që janë kthyer nga lufta e që flasin se kanë qenë në luftë, edhe për ata ka histori.
Ka mjegull.
Duhet të kemi guxim të madh dhe të jemi të durueshëm për ta kuptuar trimërinë e tyre.
Pa leje, pa ligje, pa drejtësi vetëm ne e ndryshojmë historinë.
Ballë për ballë pa asnjë luftë, pa asnjë fitore.
Me tregti kombëtare.
Me tregti ndërkombëtare, kjo kafshatë shumëkujt i ngelet në fyt.
Si në paqe, si në luftë…
Një lëkurë e rjepur, e regjur dhe e varur në mur si trofe lufte po flet me erën.
Në shoqëri të kalbur.
Me moral të humbur.
Si parajsë artificiale po shitet në pazar.
Nuk e pyet kush Zotin sa kushton.
Vlerën e çmimit të saj e cakton djalli.
Njeriu e di dhe nuk e di se kush është njeriu.
Nuk çuditem pse më merr malli për hijen e tij që është gjithnjë e më pak vetvetja.
Harrojeni çka thashë!
Me çmenduri mund t’i harrojmë të gjitha problemet.
Aty ku buzëqeshja e rrejshme dhuron mashtrimin…
2.
Oktapodi pa kokë nuk ka se çka të mendojë.
Edhe pse i ka tri zemra, tetë krahë dhe gjakun e kaltër dhe nëntë pjesë të trurit të vogël, pas mesnate kur e sfidon vetveten nuk e di se ku është…
Për të shprehur diçka.
Për të marrë diçka.
Jeta që e kemi nuk është as e njeriut e as e oktapodit.
Sot nuk kemi se kujt t’i flasim për Shkrimet e Shenjta.
Numri i të çmendurve çdo ditë po rritet.
Nuk e di pse e kërkojmë përsëritjen.
Kujt t’i themi se e kemi mirë, kur e dimë se çka është mirë.
Ka kaluar koha që edhe te dikush tjetër e gjejmë veten.
Para pasqyrës, luftës së fundit ia kemi harruar fytyrën.
Nuk e di edhe për sa kohë.
Të gjithë e kemi prekur fundin.
Vetëm e kaluara po na kujtohet.
Mendonim se e kishim veten në dorë.
Për ta thënë më qartë, prapë do ta kuptojmë si ka qenë puna.
Ç’do të thotë kjo?
Shesh për shesh.
Kur s’ka dashuri nuk dihet as se kush jemi.
Për të shkuar deri në fund, vetëm frika na frymëzon.
3.
Mes babilonisë dhe shkretëtirës, një ditë zbutja e gjakut e piu helmin.
Këtë frikë nga frika nuk ia thashë askujt.
Pse kemi kaq shumë patriotë mashtrues deri tani nuk e kam ditur.
Budallaku dhe naiviteti i krenarisë gjithmonë janë shitur shtrenjtë.
Populli si populli, kur s’ka të ardhme jeton me ëndrra dhe shpresa të kota.
Ky besim nuk është luftë.
Lufta duhet t’i kthehet prapë luftës.
Kur jeta maskohet, nuk e di ç’të them.
Historia nuk mbaron me kaq.
Që të mos duket e frikshme, e qet kapelën.
Unë para pasqyrës e pyeta veten sa e dua jetën dhe sa i besoj vetes.
Si ta kisha humbur kuptimin për jetën, me pjesën më të madhe të kohës nuk e di as ku jam e as çka po bëj.
Kjo botë qenka për Idiotët e Dostojevskit.
Për një jetë ku më e rëndësishme është fluturimi se mendja.
Duke mbetur vetëm lexoj afërsinë e njeriut dhe nuk kuptoj asgjë.
Dhe prapë ndalem.
Dhe prapë nuk kuptoj asgjë pse jam vetëm.
Ballafaqimi me vetminë më detyron të mendoj më gjatë.
Vetmia më thotë ta ndjeki edhe një rrugë tjetër.
Dhe prapë ndalem.
Bëj një përsëritje dhe harroj kohën e pashpjegueshme.
Në këtë lojë të pafund, duke mbetur vetëm, thjesht më vjen dhe nuk pajtohem me idenë pse jam vetëm.
4.
-Po flitet se i kemi të gjitha të mirat. – me gomarllëk e tha një gomar.
Ajo që dikur ishte normale, tani është e harruara e kufirit.
Aty ku nuk ka tokë për varreza, takohemi ndahemi. Për t’I shkuar deri në fund kjo fame n aka ardhë deri në maje të hundës.
Pas një dite, duke kërkuar Njeriun, përpara më doli mosbesimi dhe keqkuptimi.
Gjatë ditës, Njeriu Statujë ulur dhe bindshëm duke na profetizon botën dhe Historinë e Muzeut të Njeriut.
Gjatë natës statuja në kalë, e cila paraqet kohën e fuqisë vazhdon luftën me kokë e pa kokë…
Të Mali i Robit njeriut me plagë në kokë më shpejt se frika i vie frika.
Tani jemi kot.
S’mund të vazhdojmë të jetojmë me të gjitha këto pafytyrësi e dredhi të patriotëve mashtrues.
Për ta ruajtur qetësinë, më lini të mendoj edhe pak.
Për idealistët pikë!
Nga një kod i pashkruar s’ka më idealistë e as ideale.
Mashtrimin e Njeriut nga njeriu vonë e kemi kuptuar si humbje.
Me çka do ta paguajmë këtë çmim nuk e di.
Vetëm hijet e maleve e dinë për çka bëhet lufta.
5.
E pabesueshme, por e vërtetë!
Nuk e di a është lojë skenike për teatër apo jetë.
Me vite e vite prita ta kuptoj.
Duke lënë anash dallimet nuk mbaron me kaq.
Shpirt, qetësoje pulsin.
Për ta freskuar kujtesën, Presidenti i Amerikës Vilsoni në Konferencën e Versajës, për të mos pasur më koloni e mbështeti të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Për jetën e popullit që jeton i varfër e vdes i pasur.
Tani po më kujtohet edhe njeriu me kokë skifteri, kur njerëzit e dëshirojnë arratisje?
Kujt i themi?
Ka edhe më keq!
Kur humbim dhe nuk e dimë pse kemi humbur.
A mjafton me kaq?
Kjo është pjesa më ironike e fatit.
E kam thënë.
E kam rithënë.
Shkurt: E mbylla.
Për njeriun më mori malli.
6.
Deri te një ëndërr tjetër, si kurrë më parë, manipulimet politike e kanë rritur çmimin.
Për ne që vuajmë nga pagjumësia do mbesin vetëm fjalët e thata.
Pa dhënë llogari thonë se ashtu duhet.
Edhe kur e dimë se nuk ka kuptim.
Nga temperatura mbi njëqind, çdo gjë vjen e nuk harrohet.
Pa arsye e pa ndërgjegje për jetën e njerëzve të zakonshëm.
Zemër…
Një grusht zemër e ndarë me një vijë në mes.
Nëse nuk të do askush, të dua unë
Kush dreqin na kupton se kush jemi?!
Vetë i kemi hyrë kësaj loje që fillon e mbaron me atmosferë të çmendur, kur nuk e dimë se ku e kemi kokën.
Hija e maleve, pa asnjë shpresë kokën edhe një herë e kthen prapa.
Që ta kemi të qartë:
Kur retë e zeza mbulojnë diellin, ajo që mund të shihet është e pa asnjë shpresë.
Për një bisht sorre mjafton të shkosh e ta harrosh kohën e ardhshme.
7.
Dhe krejt në fund, dhe krejt në fillim, për ta kthyer interesimin për kombin na duhet edhe një mundësi:
A mund ta shohim lirinë qytetare, nuk më besohet.
Kam fikë ta preki.
Ju e dini si fitohet liria.
Unë e di edhe si humbet ajo.
Të shohim ku kemi gabuar?
Mendojeni mirë këtë udhëtim!
Vërtetojeni a është histori e shkruar apo histori e pashkruar!
Si është kthyer e pasi është kthyer Skënderbeu në Krujë e ka rrokë historia.
Po kush e nisi i pari luftën vëllavrasëse ende është e pa besueshme. Të vdekurit rrinë vetëm.
Të gjallët për një rrenë e për një mashtrim nuk lënë gurë pa lëvizur.
Për çka është fundi i oqeanit?!
Ne shqiptarët e marrim vesh të fundit.
Historia nuk flet kurrë pa rrejtë.
Nga mbijetesa e deri te mbyllja e gojës, pornografia politike është bërë pasqyrë e botës.
Në maratonën e Qorrfermanit tërheq shumë garues.
Po më duket se nuk jemi duke e ditur se kush jemi e as ku jemi.
E respektova luftën.
Lufta nuk është turp.
As poshtërim para syve.
U frymëzova nga koha.
Nuk e kishte fajin koha.
Lufta është gabim i shtrenjtë njerëzor.
Para saj as e vërteta nuk ndryshon asgjë.
Në vend se t’i besojmë njeriut, përpiqemi të dalim te faqja tragjike e Luftës dhe Paqes.
Shtator, 2019