Përktheu: Kujtim Morina
Rreshta për dimër
Thuaji vetes
ndërsa bëhet ftohtë dhe grija bie nga qielli
që do të vazhdosh,
të ecësh, të dëgjosh
të njëjtën melodi, s’ka rëndësi
ku ndodhesh-
në një kupolë të errët
apo nën një bardhësi të plasaritur
të kundrimit të hënës në një luginë me borë.
Sonte ndërsa bëhet ftohtë,
thuaji vetes
çfarë di që s’është asgjë
veçse melodia që luajnë kockat tuaja
ndërsa lëvizni.
Do të jesh në gjendje
që të shtrihesh njëherë nën zjarrin e vogël
të yjeve të dimrit.
Nëse ndodh që s’mund të vazhdosh
apo të kthehesh prapa
dhe e gjen veten
në fund të rrugës,
Thuaji asaj
Në atë rrjedhje të fundit të të ftohtit në gjymtyrët tuaja
që e do veten siç je.
T’i mbash gjërat e lidhura
Në një fushë,
jam mungesa e saj.
Kështu më ndodh gjithmonë.
Kudo që jam,
jam ajo çfarë mungon.
Kur eci,
e ndaj ajrin,
dhe gjithnjë
ajri lëviz
të mbushë hapësirën
ku ishte trupi im.
Të gjithë kemi arsye
për të lëvizur.
Unë lëviz
t’i mbaj gjërat e lidhura.
1964
Në origjinal: Keeping things whole
Hartat e zeza
As gurët që të ndjekin
As era duartrokitëse
Nuk të bën me dije
Se ke arritur.
As deti që feston
vetëm ikjet
as malet,
as qytetet që po vdesin.
Asgjë s’do të të tregojë
ku je.
Çdo moment është një vend
ku nuk ke qenë asnjëherë.
Mund të ecni,
duke besuar që mund të hidhni
dritë përreth.
Por si ta dini?
E tashmja është gjithnjë e errët
Hartat e saj janë të zeza,
duke u ngritur nga asgjëja,
duke përshkruar
në ngjitjen e tyre të ngadalshme,
në vete,
rrugëtimin e tyre
zbrazëtinë,
detyrën e zymtë dhe të përmbajtur
të përmbushjes së saj.
Ndërsa dalin në pah konturet,
ato janë si frymë
Dhe nëse ata janë studiuar sadopak
Kjo është vetëm për të gjetur,
tepër vonë, se ato që mendon
se ishin drejtimet e tyre,
nuk ekzistojnë.
Shtëpia juaj nuk është shënjuar
nga asnjëra prej tyre,
Ata nuk janë miqtë tuaj.
që presin të shfaqesh,
Nuk janë as armiqtë tuaj
që të numërojnë fajet.
Vetëm ti je aty,
duke i thënë tungjatjeta
asaj që do të jesh
dhe bari i zi
mban lart yjet e zeza.
Duke ardhur te kjo
Kemi bërë çfarë kemi dashur,
Kemi hequr dorë nga ëndrrat, duke preferuar industrinë e rëndë
të njëri-tjetrit, kemi mirëpritur brengat
i kemi quajtur rrënojat zakon të pamundshëm për t’i thyer.
Tani jemi këtu.
Darka është gati dhe s’mund të hamë,
mishi ka mbetur në pjatë i paprekur,
vera pret.
Për të ardhur në këtë,
ka pasur çmimin e vet: asgjë s’është premtuar, asgjë s’ka lëvizur.
Nuk kemi zemër apo shpirt për të shpëtuar,
Asnjë vend për të ikur, asnjë arsye për të qëndruar.
Në original: Coming to this
Duke ngrënë poezi
Boja më rrjedh nga goja
Nuk ka lumturi si e imja
Kam qenë duke ngrënë poezi
Punonjësja e bibliotekës nuk e beson çfarë sheh
Më shikon e trishtuar
Dhe ecën me duart e ngrira në fustan.
S’ka më poezi
Drita është e zbehtë
Qentë janë në shkallët e bodrumit duke u ngjitur.
Shqyejnë sytë
Këmbët e tyre bjonde digjen si shkurret
Punonjësja e mjerë fillon të përplasë këmbët dhe të qajë
Ajo nuk e kupton
Kur ulem në gjunjë dhe i lëpij dorën,
klith nga habia.
Jam bërë tjetër njeri
I hungëroj dhe leh para syve
Kërcej i gëzuar në errësirën librore.
Jeta ime nga dikush tjetër
Kam bërë çfarë kam mundur por ti më shmangesh
Lashë një tas me qumësht mbi tavolinë për t’ju tunduar
Asgjë nuk ndodhi. Lashë portofolin tim aty, plot me para.
Duhet të më kesh urryer për këtë.
Asnjëherë nuk erdhët.
Ulem para makinës së shkrimit i zhveshur, duke pritur
të më hedhësh në dysheme.
Luajta me veten për t’iu ngacmuar
Mërzia më shtyri në gjumë.
Të ofrova gruan
E ula atë në tavolinë dhe i hapa këmbët. Prita.
Ditët u zvarritën.
Drita e raskapitur ra si një fashë mbi sytë e mi
A vjen kjo se jam i shëmtuar?
A ishte dikush tjetër kaq i trishtuar!
Është e pakuptimtë të pres damarët.
Duart do të më këputeshin
Çfarë shprese do të kisha më pas?
Përse nuk erdhët asnjëherë?
A duhet të të kem ty duke qenë
dikush tjetër?
A duhet të shkruaj Jetën Time nga dikush tjetër?
Vdekjen Time nga dikush tjetër?
A po më dëgjon?
Dikush tjetër ka mbërritur.
Dikush tjetër po e shkruan.
Përmbushje
Ulesh në karrike, asgjë s’të bën përshtypje
Ndihesh se vetja e vjetër bëhet
edhe më e vjetër,
Duke përfyturuar vetëm durimin e ujit,
mërzinë e gurit.
Mendon se heshtja është faqja tjetër,
Mendon se asgjëja është e mirë ose e keqe,
dhe ndërsa je ulur duke vështruar,
dhomën e mbulon errësira.
Të ka ndodhur edhe më parë.
Miqtë kalojnë nga dritarja, fytyrat e tyre të nxira me keqardhje.
Dëshiron t’í përshëndesësh por s’mund ta ngresh dorën
Ulesh në një karrike.
Kthehesh drejt një lulenate
që përhap një rrjetë helmuese
përreth shtëpisë.
Shijon mjaltin e mungesës.
Është e njëjta gjë kudo që të jesh
Njëlloj si kur zëri kalbet përpara trupit
apo trupi përpara zërit.
E di se dëshira të çon vetëm në brengë,
brenga të çon në arritje, e cila të çon në zbrazëti
E di se kjo është e ndryshme,
se kjo është përmbushje,
E vetmja përmbushje që përmes të dhënit të vetes asgjësë, do të shërohesh.
E di se ka gëzim kur ndjen
se mushkëritë përgatiten të kthehen bojëhiri
kështu që pret, vështron ngulmët dhe pret,
pluhuri zë vend, orët e mrekullueshme të fëmijërisë enden në errësirë.


